Gëzuar Shqipëri dhe uroj që këtë vit të bëhesh Atdheu i shqiptarëve e të na duash si të duam ne!Që të vi ditë e re duhet te iki e vjetra. Që të dali dielli duhet të iki hëna. E që të bëhet Shqipëria duhet të ikin ata që po detyrojnë mijëra shqipëtarë të ikin nga nëna Shqipëri.Se Atdheu duhet të jetë mikpritës. Edhe pse na refuzon ne përsëri ngulmojmë të të duam. Të duam ashtu si sëmbim në zemër.Aty kemi kujtimet, rrahjet e para të zemrës, kemi ëndrrat e adoleshencës, kemi lotët nga humbja, sakrificat e bëra për të plotësuar nevojat minimale. Sigurisht që të kujtoj Shqipëri!Zakonisht fajësoj veten se jam e fortë, por faji është diku tjetër.Na refuzon, na harron, na quan tradhëtarë se të braktisëm. Lamë shtëpi të kycura dhe mall që lexohet tek cdo prind. Ikëm, por as ti nuk na mbajte. Sa herë të kujtoj Shqipëri kujtoj cdo vuajtje që kalova nga largimi. Se fillimi nga fillimi nuk është i lehtë. Të mundon dhe ky mall në gji gjatë gjithë kohës.Por sot dua të të uroj. Se unë nuk mund të ndihem e huaj në vendin tim.Të uroj të jesh e lirë përsëri. Ishte më e lehtë në atë kohë të fitoje lirinë. Të njohësh armikun është prioritet.Tani do jetë e vështirë, por jo e pamundur.Të uroj të shfrytëzosh pjellorinë natyrore që të ka falur Zoti. Të mbillen tokat e tua cep më cep dhe bota mbarë të provojnë prodhimet bujqësore shqiptare që janë mjalt i mjaltit.Të uroj të shfrytëzosh burimet natyrore. Mos të jenë në dorën e të pangopurve, por të jetë baza e mirëqënies së cdo familjeje shqiptare.Të uroj të mos ekzistoj më ky mjerim migjenian, por cdo individ të trajtohet denjësisht. Mos të lihet populli si vëzhgues i lojës: Kush vjedh më shumë e më shpejt.Të uroj të udhëhiqesh nga udhëheqësa të vërtetë qe nuk justifikohen për deshtimet, por luftojnë për arritjen e objektivave deri në perfeksion. Buzëqeshjet hollivudiane ti lënë për ditën kur të mos kenë më në dorë fatin e vendit . Se pas asaj buzëqeshje fshihet humbja e shpresës. E humbja e shpresës të tmerron.Të uroj që të vi dita që të kesh dhe opozitë. Se opozita ka rol të madh. Supozohet se opozita përfaqëson pjesën e dytë më të madhe të popullsisë dhe mbi të gjitha interesat e prekura nga pushteti. Një opozitë që fle është më e rrezikshme se një pushtet i gabuar.Se pushteti të mbulon shikimin. Është e lehtë të gabosh kur je atje lartë. Se di pse më kujtohet shprehja e famshme : Po rojen kush e ruan?Të uroj Shqipëri që të dridhen malet kur të shtypen të drejtat e tua. Të ngrihesh ti, vetë, dhe jo kanceri i kësaj shoqërie: Militantët! Se ti ngrihesh për kauza e militantët për interesa.Eh, sa shumë gjëra më dalin nga shpirti të të uroj, por nuk kam mundësi…Për mbyllje dua të të uroj nga zemra: Mëso forcën tënde Shqipëri! Ti tund malet, ndalon rrjedhjen e lumenjëve, ti je ndër të paktat shtete që durojnë erresirën.Prandaj : Nënë Shqipëri dielli ndricoftë cdo cep të territorit tënd këtë vit e deri në përjetësi.
SILVANA BEGAJ…