Mesazh i Editorit të gazetës Diellit/
Të nderuar bashkëtardhetarë/
Të nderuar vatranë/
Të nderuar bashkëpunëtorë dhe ju lexues të gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI;/
Më lejoni që t’ju uroj : Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Le të sjellë ky vit i ri që po troket gëzime e lumturi në familjet tuaja! Le të na bashkojë më shumë ky viti që po zëvendëson vitin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit Shqiptar.
Kemi lënë pas një vit të suksesshëm, që mbetet i pashlyer në kalendarin historik të Kombit Shqiptar. Ky qe viti i 100 vjetorit të festimeve mbarëkombëtare të një shekulli shtet i pavarur. Shqiptarët ishin më të bashkuar si asnjëherë tjetër. Politika me gjithë trillet e kurthet e saj nuk arriti që t’i përçante shqiptarët, edhe pse për faj të saj qëndrojmë prapa gardhit të Evropës së Bashkuar: Shqiptarët ishin bashkë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Times Square, në Washington, Florida, në Michigan, në Chikago, Toronto etj! Na bashkoi Flamuri ynë kuq e zi, Flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Këtë vit gjakrat tanë u zbutën me gjithë presionin militant partiak. Deshëm s’deshëm, e pranuam edhe Mbretin, edhe princin; deshëm s’deshëm i afruam pranë edhe Mbretin, edhe Mithat Frashërin, edhe Hasan Prishtinën, edhe Bajram Currin, edhe Elez Isufin, Abaz Kupin, deshëm s’deshëm i nderuam bashkë të gjithë dëshmorët e Kombit; gjithësecilin që bëri detyrën sipas mënyrës së vet për Kombin. Nesër, do të pranojmë edhe kontributet e Mehdi Frashërit, Ernest Koliqit, Xhevat Korces, Xhaferr Devës, Ago Agaj, Mustafa Krujës, Kol Bib Mirakës e të tjereve shërbestarë. Dhe kur të bëhet kjo do të jemi më të çliruar, më të afërt me njëri-tjetrin.
Të dashur bashkatdhetarë të diasporës shqiptare,
Le t’i shërbejmë më shumë Kombit se sa partive këtu në mërgimin e largët. Ky vit qe i veçantë për komunitetin shqiptar të Amerikës. Festimi i 100 vjetorit të Vatrës na bashkoi bashkë dhe pavarësisht hedhjes së gurëve nga individë të pakët, festa qe gjithëshqiptare, gjithëfetare. Rreth 500 vetë në Konferencën shkencore ”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit” me 28 prill 2012 dhe mbi 1100 vetë në darkën madhështore të 100 vjetorit të Vatrës me 29 prill 2012, tregoi edhe një herë se Vatra është e gjithë shqiptarëve dhe misioni i saj historik mbetet i vlerësuar dhe i patjetërsueshëm.
Gazeta Dielli, u bë tre vjet që del rregullisht e përmujshme e printuar dhe e përditshme në botimin në on line. Brenda këtij viti u bënë dy botimi me mbi 100 faqe të gazetës Dielli, plus një publikim-revistë përkujtimore speciale kushtuar 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, po ashtu për të parën herë dolën në dritë figurat themeluse dhe shërbesat e Vatranëve në një ekspozitë të përhershme fotografike. Bashkëpunëtorët e Diellit tani i përkasin të gjithë botës shqiptare dhe asaj mërgimtare, jo vetëm nga Amerika dhe Kanadaja, por edhe Belgjika, Zvicra, Greqia, Italia, Australia, Zelanda e Re etj. E mira s’ka fund’ le të shpresojmë dhe të luftojmë që ky vit do të sjellë risi të reja.
Në vlerat e këtij viti është dhe fitimi i një vendi në Asamblenë e Shtetit të New York-ut nga bashkëkombasi ynë, Mark Gjonaj. Natyrisht që me një lule nuk vjen behari, por pas dallëndyshes së parë, të tjera dallëndyshe fluturojnë bashkë me Pranverën.
Të nderuar kolegë
Duke vlerësuar rolin e medias në bashkimin kombëtar, do t’u bëja thirrje që të heqim dorë nga amatorizmi dhe vetëlëvdatat në ekranet e TV-se apo faqet e gazetave, të heqim dorë nga përçarjet dhe sharjet, nga xhelozitë dhe mërirat, dhe le t’i shërbejmë profesionit, duke respektuar me realizëm formulën e informimit,” ku, kur dhe çfarë ndodhi”! Ekzagjerimet sipas miqësive apo grupimeve politike,sipas oreksit të organizatorëve, nuk i shërbejnë informimit real të komunitetit. Brrylat, zhvendosjet, dhe ajo ç’ka është më e padëshirueshme, keqinformimet, sharjet, krijimi i grupeve të sulmeve ndaj individëve, çojnë në përçarje. Le ta mësojmë lexuesin tonë se kur të jenë 20 vetë në një aktivitet, nuk do t’i bëjmë 200 se ashtu dëshirojnë organizatorët, nuk do të themi as dhjetëra, por do të raportojmë aq sa janë 20, 30, 50…100 etj.
Ju të nderuar bashkatdhetarë që mbani me përkushtim e shpenzime, qoftë edhe të kohës, website, lista, gazeta në on line, bëjuni bllok ndaj përçarësve, që shajnë, sajonë e shpifin dhe i kanë kthyer websitet tuaj në rrjeta merimangash të helmta që nga njëra anë rrahin gjoksin për shërbim ndaj komunitetit, fusin veten në mënyrë fallso në histori, duke pretenduar se janë të parët në hapjen e shkollave, të parët në hapjen e mediave, të parët përgjërues të Kombit…dhe nga ana tjetër kanë lënë pas me dhjetëra bashkatdhetarë të “shpuar” me shigjetat e helmatisura të shpifjeve dhe urrejtjeve. Testoni të vërtetën para se të aprovoni kalimin e një sulmi të helmatisur apo të një shpifje që nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçajnë, mashtrojnë dhe keqinformojnë. Kompromisi me shpifësin i jep krah atij(ose asaj) të shpifë gjithë jetën.
Të nderuar veprimtarë të komunitetit shqiptar
Shërbejini dhe ju bashkimit të komunitetit dhe jo përçarjes. Nëse formacionet tuaja kanë nevojë për militantë mos i kërkoni ata duke sharë organizatat e tjera apo individët e pafajshëm. Sharja sjell përçarjen. Po ashtu i edukoni militantët tuaj që të mos shpifin, të mos sajojnë, të mos kërkojnë bashkëpunëtorë të Sigurimit me imagjinatë, por të kërkojnë nga klasa politike shqiptare që të hapen dosjet dhe sipas fajit, ata, fatzinjët bashkëpunëtorë, të gjejnë vendin.
Ka shumë çështje që na bashkojnë këtu në diapsorë, ndërsa ndarja dhe përçarja janë në dëm të çështjes Kombëtare.
Ju liderë, që keni vendosur të hyni në politikën shqiptare që nga Amerika, mos e bëni politikën me diktatin dhe mostolerancën e politikës së vjetër, por jepni shenja se jeni për politikë ndryshe. Politika inatçore nuk të çon asgjëkundi.
Le të ndjehemi të bashkuar këtu në diasporë që të ndikojmë pozitivisht tek klasa politike në vendlindje!Si mund të bashkohet Kombi kur luftojmë njëri-tjetrin, apo kur e trajtojmë njëri-tjetrin si armiq?
Sa më shumë dashuri me njëri tjetrin, sa më shumë harmoni mes vetes, aq më pak përçarje!
Editori i DIELLIT
Dalip Greca
New York, Dhjetor 2012