• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

3 ESSE PER 3 POETE TE TREVES SE MYZEQESE

September 29, 2015 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

POEZI QË PËRCJELLIN MENÇURI  DHE IDE FISNIKE/                                      

Përsiatje mbi librin poetik të Elmaz Qerreti,“Kamera e diellit”/

Në vitin 1973, punoja si kooperativist i thjeshtë në fushat e Kooperativës së Fier-Sheganit, ku kryeja një konvaleshencë ideologjike për gabime ideore e politike në krijimtarinë time poetike, konvaleshencë e cila do të zgjaste katër vjet në këtë Kooperativë dhe gjashtë vjet në Komunale.

Në verën e vitit 1974, vjen në Kooperativë me mua edhe Elmaz Qerreti, i përzënë nga arsim si nipi i një kombëtaristi, eksponent i Balli Kombëtar. Punonim të dy arave si gjithë kkoperativistët e tjerë, paguheheshim njëlloj si ata.

Një ditë u ulëm nën një mullar me dega për të ngrënë drekë. Elmazi nxori nga borseta  e bukës një fletore me poezi. I lexova. Ishin poezi të vërteta, për fëmijë të një cilësie të lartë. I shtrëngova dorën. U gëzuam. Nuk po shkonim më të ngrysur në kooperativë. Poezitë e njeri-tjetrit na kishin çelur, na kishin gjallëruar si me magji.

Na bënë të harronim se ishim dy të dënuar me punë të detyrua në prodhim. Pas konvaleshencës ideologjike, na u dha përsëri e drejta e botimit e cila na ishte hequr prej dhjetë vjetësh. Filluam të botonim përsëri. Që atëherë poeti Elmaz Qerreti, ka botuar disa libra me poezi e poema për fëmijë që janë pritur shumë mirë dhe janë vlerësuar edhe nga poetët e njohur të kësaj fushe si Xhevat Beqaraj e Odise Grillo të cilët e konsiderojnë atë një poet të talentuar për fëmijë. Krahas poezisë për fëmijë, poeti Elmaz Qerreti, ka botuar me sukses në shtypin letrar edhe poezi për të rritur dhe prozë. Romani i tij Kollokotroni, është një roman për emigracionin, me një personazh simpatik, punëtor pa hile, por edhe erudit, njeri me etik të lartë, shqiptar me taban i cili e habit mjedisin grek, ku punon, me aftësitë, sjelljen, ndershmërinë e tij. Me punën e vet, ndershmërinë, aftësitë e dhuntitë tij, ai nderohet e respektohet nga vendasit. Vendasit, jo vetëm e nderojnë, por edhe e mbrojnë nga padrejtësitë, insinuatat raciste apo nga përndjekjet eventuale të policisë.

Edhe në librin poetik Kamera e diellit, përveç poezive të frymëzuara nga jeta e përditshme, poeti ka dhe plot poezi të frymëzuara nga jeta në mërgim, poezi që tingëllojnë të vërteta, plot detaje jetësore, pa e ndarë humorin si puhie e fllad freskues e prehës.

Edhe poezitë e shkruara kudo që ka shkuar nëpër botë janë të ndiera, jo turistike. Gjeopoezia e tematikës së librit është kombëtare, evropiane, pse jo dhe botërore për shkak të mundësisë së hapjes së Shqipërisë dhe e mundësisë së poetit për të qarkulluar kudo nëpër botë.

Natyrisht, poezitë e shkruara me art janë ato që marrin jetë nga njerëzit mes të cilëve ka jetuar e jeton autori. Të ndjera në mënyrë të epërme janë poezitë për nënën, babanë, për dashurinë, natyrën, fshatin nga i cili rrjedh.. Poezitë më të brishta janë ato që u kushtohen të brishtëve: nipit dhe mbesës, lindur si Si zoçkat e vogla,në gardhin e fqinjit, (Itali), dhe s’i afrohet gjyshit.

 

Mezi më afrohet mbesa,

Lindur dhe rritur

Alpeve

Të Italisë.

Si zoçkat e vogla,

Që s’çelën në furrikun e vetë,

Por në gardhin e komshisë .

                                      (Mezi më afrohet mbesa )

Poezitë erotike, jo vetëm s’janë të pakta në libër, por janë edhe më të ndjerat e të frymëzuarat e librit. Ato janë krijuar me ndjenja të sinqerta, humor aromatik që i bën më të harlisura ndjenjat dhe dashurinë.

Zogu zogun ndjek ndër gjethe,

Luajnë në pluhur, bëjnë rrëmujë,

Ti me hedh një grusht me rërë ,

Unë ta zhys kokën në ujë .

                                                          ( Në plazh )

Ka disa poezi, ku vajza dhe djali në takimet e tyre s’i frenojnë ndjenjat dhe gjestet dashurore, por ata nuk harbojnë, nuk kalojnë në shthurje, por qëndrojnë të bukur e të dashuruar në çeltirën e blertë të një dashurie me vlagë të pashterueshme.

Kam ca ditë që punoj i vetëm

Në mes të grekëve,

Komunikoj me shenja ,

Si në shkollën e shurdhmemecëve.

Dhe më poshtë me humor të bukur:

Ej , sykaltra Panajote, moj mis greke,

Mos u lodh shumë, mos u mërzit.

Po qëndrove dhe ca pranë meje,

Unë do të harroj të flas dhe shqip.

                   ( Elena Panajotis )

Edhe dashurinë e zogjve në pluhur, poeti e jep të pastër, gjithë cicërima.Qerili dashurohet me pulëbardhat dhe jep shpirt në krahët e tyre mes kaltërsive të qiejve e të detit.

U mplak dhe Qerili çapkën

Dhe krahët, dhe këmbët iu mpinë,

Dhe syri i vuri një cipë,

Dhe kënga në sqep po i ngrin.

         ( Qerili )

Mençuritë, pasuritë shpirtërore, virtytet, ndershmërinë, bukurinë, poeti i  derdh vitrinave të poezive të librit, që lexuesi t’i shoh e të mos i kërkojë nëpër skutat e errëta labirthike. Bukuria nuk pranon të duket  përgjysmë, por e tëra. e plotë. Gjeopoezia  e librit na flet për një poet që i ka të dy instrumentet e artit: instinktin dhe racionalitetin. Ka disa poezi që e çertifikojnë këtë. Janë ato që e marrin spunton nga historia e lashtë dhe e re, nga mitet, eposet, filozofia, urtësia popullore të cilat do t’i hasni e do t’i lexoni e do të më jepni të drejtë, besoj. Poezitë për vdekjen e babait, të nënës, duket sikur na japin atë kumtin se pasi të vdesim, do shohim njerëzit e mëdhenj: Pitagorën, ndër filozofët;  Hekateun, ndër historianët, Homerin, ndër poetët, Olimpin, ndër muzikantët, kumt ky që na bën disi optimist për të përballuar tronditjen për humbjen e njerëzve të afërm

Nëpërmjet poezive të librit ne udhëtojmë njëherësh nëpër njeriun, nëpër historinë, vendet, kultura e ndryshme dhe poeti krijon kështu poezinë e jashtëzakonshme etiko morale, ku shohim një Helenë tmerrësisht të bukur, të pabesë, kurorëshkelëse dhe një shqiptar që edhe pse s’është indiferent ndaj së bukurës, është besnik e respektues i normave dhe zakoneve, i moralit të lartë shqiptar që familjen e ka të shenjtë.   

    Menelau më sheh me dyshim,

Tek shihem me Helenën sy më sy

Mos u tremb, Menela, miku im,

S’jam Parid, të të vjedh në shtëpi.

 ( Bised me menelaun )

Poeti, përdor figura, por si figurë më organike ai ka humorin që së bashku me paradoksin, i përdor njëherësh me estetikë duke krijuar kështu një figurë aliazh, të këndshme e. Dy të rinj takohen nën nshelg buzë përroit:

Një përrua nëpër gurë

Bëhet prapë nervoz.

Shelgjet buzë mezhdes,

Si dy  desh merinozë.

                         ( Ne dhe Polifemi )

Përroi bëhet nervoz me gurët që i pengojnë rrjedhën. Dy të rinjtë i shqetëson disi hëna me rrezet si miell i verdhë i situr imët, imët dhe me dritë si avuj të florintë buke e cila si një polifem i artë, paradoks i guximshëm ky dhe estetik, kërkon t’i zbuloi dy të rinjtë siç kërkonte dhe polifemi të zbulonte  Odisenë me shokët e tij duke prekur me dorë delet një nga një:

Ne të dy nën  shelg

Rrimë nën kurorë.

Hëna, porsi Polifemi,

Na kërkon me dorë .

                    ( Ne dhe Polifemi )

Dy të rinjtë bezdisen disi, por s’tunden, sepse ata janë në Itakën e tyre të dashurisë:

   Na kërkon e s’na gjen dot

Polifemi plak

Po ne s’ikim. Pse të ikim ?

Jemi në Itakë .

                            ( Ne dhe Polifemi )

Poemat Letër Partizanit Meke dhe Protesta e Dantes, janë dy poema polivalente, ku poeti Elmaz Qerreti tregohet konstruktor me fantazi dhe një poet arkitekt që këto dy ngrehina poetike i ngre solide, funksionale (me ide) dhe estetike, me art.

Perandor është punë e vështirë,

Nuk bëhet çdo njeri, o Meke,

Po ti ishe atëherë kokëshkretë ,

Po ti ishe kokë më vete.

Të ishit bërë me mua ,

S’do ishit, siç jeni kështu.

Të tjerë sot do të  vinin

   Të punonin argatë te ju.

       ( Letër partizanit Meke )

Përfundimin e mbarë të këtyre dy poemave cilësore, polivalente, autori nuk ia detyron fatit apo dredhave stilistike, por aftësisë, mjeshtërisë dhe talentit të tij inteligjent. Poeti Elmaz Qerreti është rekordmen në peshën e tij, si në poezinë për fëmijë, në prozën dhe në poezinë për të rritur. Ai nuk është indiferent ndaj krijimtarisë botërore, ndaj poetëve të shquar, por ai di të përfitojë, të përthith nga poezia e cilësore, di të asimilojë.

Qerreti, edhe pse është serioz e i urtë, i matur si subjekt, nuk u druhet finteve elegante poetike dhe, aty – këtu edhe të ndonjë ekscentrizmi të bashkëshoqëruar me humorin e tij të ngrohtë si avull buke. Ai nuk i duron kornizat, por s’është edhe për dritare të shqepura poetike. Në poezinë e tij, ai bën shaka, por nuk ngërdheshet kurrë. Sot, më duket sikur ka më shumë ngërdheshje e banalitete poetike sesa letërsi artistike. Por të shohim se kush do të fitojë: ngërdheshjet apo letërsia artistike.

Unë nuk shoh poezi të shkruara për interes në librin e poetit Qerreti. Ai më duket idealist e fisnik. Po ta shënonim esencën e këtij poetit me numrin dhjetë, siç thotë Hygoi, tek ai do të gjenim një pjesë interes dhe nëntë pjesë sedër.                              
POEZI ME NUHATJE EVROPIANE/

***

 Impresiono për librin e ri «Ujëvara hëne» të poetit të talentuar Miltiadh Davidhi/

NGA FASLLI HALITI/

Miltiadh Davidhi, jeton, punon në Çermë të Lushnjës, por ai shkruan poezi, jo sikur të jetë nga Çerma e Lushnjës, por sikur të jetë nga Parisi i Francës. Kur ai më dha dorëshkrimin me poezi, unë e prita me skepticizëm dhe fillova ta lexoj me fudullek, nga lart. Por poezitë e tij e sfiduan fudullekun tim. Ato më detyruan që unë t’i lexoja me një frymë deri në faqen e fundit. Ishin mbi njëqind poezi. Të njëqindta të pastra, me imazhe dhe figura moderne, por jo histerike, eksentrike, por figura të qëlluara që të çonin mrekullisht nga e njohura, tek e panjohura. Poezitë e Davidhit, nëpërmjet ritmit, kadencave, tingujve të pastër, jozhurmues,  nëpërmjet një sintakse jo të komplikuar poetike, me koloritin bleror të fushave myzeqare, të futen në shpirt; të ngrenë, të mençurojnë, të urtësojnë të argëtojnë, të zbukurojnë, por edhe të aktivizojnë, të hapin sytë që ta shikosh jo vetëm mjedisin me ngjyrat e të katra stinëve, por edhe botën, qiellin, universin, kozmosin. Jo, jo, nuk i teproj dimensionet poetike, filozofike, estetike të poezisë së këtij poeti të një fshati periferik. Ai vërtet jeton, punon dhe krijon në fshat, Ky poet lidhet çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, pa u shkëputur asnjë çast, jo vetëm nga metropoli i vendit të tij, por edhe nga bota dhe metropolet e botës. i tëri interesim dhe i etur për dije, njohje, kulturë, Davidhi është poeti dhe  njeriu që jeton i përket globalizmit dhe jo parcelizmit feudal. Kjo bën që poezia e tij të ndihet komode në dorën e çdo lexues shqiptar, ballkanik, evropian apo botëror. Mos mendoni se po e teproj, vetëm se po entuziazmohem dhe jo më kot, sepse këtë entuziazëm ma krijon poezia e poetit Miltiadh Davidhi.

Duke jetuar në fshat, poeti mund ta mbushte librin e tij vetëm me poezi me lopë e pëllitje lopësh, me dele e blegërima delesh, me pula e kakarisje pulash, me gjela e këngë gjelash, me grunja e valëzime grunjash; me vidha, plepa, muzgje, me yje dhe me hënë; por jo, ai veç këtyre e ngjesh librin me poezi emocionale, me mendime, ide, imazhe të kohës, me prirje të forta progresiste, civile, të konceptuara në formë moderne duke e afishuar veten si një poet, jo vetëm shqiptar, por edhe evropian. Kështu ndodh edhe me poetin tjetër Xhelal Tosku i cili ka lindur, jeton, punon në qytetin e vogël të Rrogozhinës, por ai shkruan siç shkruan cilido poet i mirë evropian.Nëse gjeniu, jo gjithmonë zgjedh vendet e mëdha për të lindur, e njëjta gjë ndodh edhe me talentin. Miltiadh Davidhin dhe fqinjin e tij me talent fin, Xelal Tosku, na sjellin një poezi moderne nga Çerma periferike e Lushnjës dhe tjetri nga Rrrogozhina ndanë shkumbinit. Njerit ia ushqen poezinë fusha myzeqare me valëzimin e barërërave të saj që luajnë me erën duke nxitur dhe poetin që t’i fusë ato në vargjet e tij, ashtu të hareshëm e blerim prehës dhe tjetri, poeti nga Rrogozhina buzë Shkumbinit valë vallëzuese dhe melos danubian. Pse? Sepse, si poeti i Çermës së skajshme dhe tjetri poet i Rrogozhinës bri Shkumbinit, poetikisht, estetikisht, filozofikisht, kulturalisht jetojnë si gjithë kolegët e tyre: në Tiranë Paris, Londër, Romë, Nju Jork, Moskë, Madrid, Berlin e kudo në botë. Është hapësira demokratike, medja elektronike dhe e shkruar, interneti dhe, mbi të gjitha qarkullimi i lire i ideve dhe i vet subjektit që e mundësojnë këtë duke i dhënë, gati kujtdo shansin për t’u pajisur me informacion, kulturë, përshtypje të gjalla live, nëse kujtdo nuk i mungon vullneti, etja për progres dhe natyrisht, talenti.

Poezitë e Miltiadh Davidhit burojnë nga mjedisi ku ai jeton, por ato e superojnë atë mjedis, sepse janë të një cilësie më të lartë, për nga fryma, origjinaliteti, timbri i ri, ritmi i ri, melosi, drita dhe ngjyra e re, inspirimi dhe  vokacioni poetik. Të gjitha këto janë të sinkronizuara te vetë poeti dhe, poezia e tij, vjen tek ne lexuesit e ngarkuar me atë esencë lulesh dhe prodhimi të parcelave të fermerëve, veçanërisht të atyre fermerëve që s’marrin rrugën e emigrantit argat të tokave të huaja, por i qëndrojnë mbi kokë tokës së tyre, që e duan dhe janë të lidhur me të, që më shumë se e punojnë,  e qendisin atë me merakun, fantazinë dhe mbi të gjitha me djersën dhe shpatullat e tyre. Si këto parcela e gjej dhe e shoh unë librin poetik të Miltiadh Davidhit me parcela të blerta, ku përzihen natyrshëm lulkuqet me kërcejtë dhe kallinjtë e grunjave. Ashtu si fusha që i kultivon të gjitha kulturat e bimëve, kështu dhe Davidhi i kultivon me merakun dhe finesën e poetit, kulturat poetike: së pari ato shpirtërore, meditative, pa lënë pas dore ato vizive; peizazhin, muzgjet, mjegullat, perëndimet aq mahnitës myzeqar, netët blu, mëngjeset që të lajnë me dritën e tyre të ngrohtë në ngjyrën e pjeprit, me vesën e tyre, që të gjallërojnë me zgjimin e gjithçkaje fushore.       

Poezitë e këtij poeti, nuk janë nuska dhe talismane, ato janë bukuri dhe mençuri. Nuska dhe talismani e shtangin, e friksojnë njeriun gjer në nënshtrim. Edhe bukuria dhe mençuria të shtangin, krijojnë habi, por ato nuk frikësojnë dhe nënshtrojnë, përkundrazi, mençuria dhe bukuria tërheqin, afrojnë, bëjnë t’u hidhesh në krahë, t’u futesh në gjoks. Bukuria do të çlirojë botën, thotë Dostojevski. Poeti nuk bën magjira, por bën poezi për jetën, ekzistencën, harmoninë, poezi që ndihmojnë dhe jo poezi që ngatërrojnë dhe frikësojnë njeriun. Të gjithë i ekzagjerojmë nga pak dhimbjet, mundimin, sakrificat, kurse Davidhi nuk ekzagjeron as praninë e njerës as praninë e tjetrës; ai vetëm i shpreh ato duke frenuar teprimin e ndjenjave dhe emocioneve, jo për t’i kursyer, por vetëm e vetëm që të mos i shkatojë drama dhe lemerira askujt.

Poezia e poetit Miltiadh Davidhi, lexohet lehtë, por nuk harrohet lehtë, përkundrazi ajo mbetet gjatë në mendjen dhe shpirtin e kujtdo.   

***

POEZI E VRULLSHME DHE DELIKATE

IMPRESIONE ( PëR LIBRIN «REGËTIM A E GJETHES», TË POTIT  SAMI VELÇANI,

NGA FASLLI HALITI

Nga titulli Regëtima e gjethes dhe kopertina me një gjethe që dridhet nga ndonjë fllad apo puhi e lehtë, të krijohet përshtypje se do të kesh të bësh me një libër me poezi të qeta, delikate, të brishta, por nuk ndodh kështu. Duke e lexuar i gjen të dyja: delikaten dhe të furishmen; puhinë dhe stuhinë poetike.

Temperament tempestiv dhe prudent autori, me temperament të tillë dhe poezia e tij.

Poeti sheh gjithçka që ia gëzon dhe ia vret syrin, por fokuson, portretizon të bukurën, të pastrën, të virtytshmen, atë që ka tendencë të progresojë, të ecë gjatë. Poeti gëzohet dhe zymtësohet, sipas rastit.Të dyja këto ndjenja i modelon me dritë, por me një dritë që të ndihmon të shohësh më qartë dhe jo që të të verbojë; po kështu dhe zymtësinë nuk e jep me kolor të zi, por me një tis gri që të fut në mendime, që të bën të shtosh vëmendjen ndaj këtij qëndrimi tepër njerëzor.

Atë diell që lindi e bëra vëlla, thotë poeti duke iu gëzuar dritës, pa mallkuar errësirën. Ai më mirë ndez një qiri se sa të mallkoj errësirën. Poezitë e poetit me nerv, por edhe delikat, Sami Velçani, janë qindra, mijëra qirinj dhe prozhektorë që sfumojnë errësirën. Errësira është vazhdimisht në kundërti me dritën dhe vazhdimisht në tërheqje duke bërë që drita të fitojë përherë e më shumë terren.

Lirikat erotike janë gjithë dritë e kolor autokton.

T’i puth supet lakuriqe

Nga deti e porsa dalë,

Bukuroshe djall e Çirçe,

me dy gjokset llambadar.

Poezitë e librit nuk ngujohen, ato kalojnë sa në një gjendje në një gjendje tjetër. Nga puthja e supeve lakuriqe dhe gjokseve llambadarë, poeti kalon në një gjendje krejt dramatike, madje tragjike. Na jep tablonë e kapedanëve që masakrohen pabesisht në Manastir.

Kuajt nëpër udhë

Shfryjnë  në frerë ari

Kush këndon ninullë

Si orakull kali.

Kalimi nga një gjendje e lumtur në një gjendje të rëndë nuk bëhet lehtë, ajo kërkon art, talent, dy cilësi që poeti i ka dhe i përdor magjistralisht. Shprehja metaforike Si orakull kali, është jo vetëm origjinale, por përmban bukur e magji gjë që e shpëton nga kadenca kadareane.

Ajrin mbush baroti

Mbi kokë përskuq molla

Njëqind burra moti

Mbledh nuse belholla.

Kalim tjetër ky nga një gjendje dramatike në një gjendje të hareshme, nga britmat, rënkimet, ohet, në këngët, vallet. Një alternim i tillë gjendjesh jo vetëm që arrihet, por arrihet mrekullisht, pa asnjë lloje stonature. Kur ke të bukurën në esencë, realizohen mrekullira poetike dhe estetike.

E theksova se libri është i pasur me gjendjet e alternuara poetike, lirike, dramatike, meditative, filozofike e stil flad e furtun, pasi ka libra me gjendje të njëjta poetike që japin përshtypjen se janë të shkruara brenda ditës, apo javës. Poetit i krijohen gjendje të shumta dhe ai i realizon këto në kohë të ndryshme. Arti fillon aty, ku ti i rishkakton perceptimet dhe përshtypjet nga realiteti, thotë Tolstoi.

S’flenë mëritë e vjetra

Kryq me shpirt mjeran

Nënat me të zeza

Prerë me jatagan.

S’ka se si të jepet më emocionalisht, më mençurisht e më trimërisht drama çame. Poezia zgjon, kumton ringjallje.

Për ku shkojnë karvanët

Përse qajnë kufijtë

Një komb po ringjallet

Bisqet rrit për ditë.    

Detaji dhe përfytyrimi poetik janë një pasuri tjetër e librit poetik

Regëtima e gjethes.

Deti mbytej nëpër lot.

Detaji shkrihet me paradoksin dhe ne shijojmë një dopjo figurë stilistike.

Jo vetëm mjeshtër i detajit, por Velçani është edhe mjeshtër i përfytyrimit poetik:

Berati hesht, pamje veziri

Si trup çingije dridhen pishat

Si zjarr që fshihet poshtë një hiri

Gjokset e hovur, çajnë këmishat.

Imazhi, jepet njëherësh me krahasim, metaforë, detaj, mitonnimi. Është një përzierje mjeshtërore dhe jo një nakati, për të dhënë sa më të kulluar e të pastër imazhin e qytetit të lashtë.

Si sythet pa çelur pranvere

Atëherë rinia s’kish vlerë

Ti erdhe trokitje pas dere

Dhe ditët m’i dehe si verë.

Kumti është i kuptueshëm. Sythet e paçelur të pranverës, kanë çelur, shkumëzojnë në lule me mundësira frutash të papara. Dhe ky libër poetik që po promovojmë ka lule dhe fruta njëkohësisht.T’i shijojmë si lulet dhe frutat. Edhe të dish të shijosh është art.

 ***

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, Miltiadh Davidhi, Ujevara hene

Shkrimtari është pjesë e së tërës, e universit dhe e shoqërisë, Homeri krijoi edhe i verbër

February 3, 2013 by dgreca

NGA RAIMONDA MOISIU/

Atë ç’ka unë dëshiroj të shpreh në hyrje të kësaj interviste mund të them që në fillim se shkrimtari, poeti dhe fabulisti Miltiadh Davidhi, është një nga ata krijues që botën e brendshme njerëzore e reflektojnë në marrëdhëniet e botës artistike e filozofike në udhëtimin e tij mbresëlënës në rrugën e artit. Në këtë intervistë ai na shpalos ndjeshëm, ngrohtë e bukur, si u bë nga një mjek-veteriner – në poet dhe shkrimtar, ç’farë e frymëzoi atë dhe cila është lidhja e profesionit të tij me letërsinë, që sot ai kur kthen sytë pas ndër vite, nuk e ka të vështirë të na sjellë kujtimet për vendin ku lindi e u rrit, për njerëzit që e rrethonin dhe ndikimin e madhërishëm që ata patën te ai. Miltiadh Davidhi ka lindur në Krutje të Lushnjës në 12 shtator 1955. Pasi mbaron shkollën fillore dhe të mesmen në vendlindje, Krutje, vazhdon studimet për mjekësi veterinare dhe diplomohet ne 1980-ën. Aktualisht jeton në Noçera Superiore të Salernos, Itali. Poezitë e para i botoi në gazetën lokale “Shkëndija”kur ishte vetëm 18 vjeç. Është autor i këtyre librave;
POEZI –“Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001,Dituria.
-“Ujëvara hëne”, 2008,Toena.(Parathënia e këtij libri është botuar, në gazetën Iliria në Amerikë).-“I njëjti zë njeriu”, 2011,Uegen.- “Globi mbi fije bari”,”Duke ecur në rrugica ajri”. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” Roman,2010,Ada,-“ Në humnerën e pafund të një krimi.”, Tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, Novelë. Është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër” botuar nga Prof.Dr.Fatmir Terziu dhe Agim Mato,”Në historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese Ada. Për të janë të shumtë shkrimtarët e kritika e kohës që janë prononcuar duke shkruar si; Poeti Faslli Haliti,Prof.Dr. Klara Kodra,poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti,Prof. Dr. Fatmir Terziu,Shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë,tregimet,fabulat e fragmentet e romanit të tij,janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj,nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.

Ju jeni një nga shkrimtarët pionierë të fillim -viteve të demokracisë në Shqipëri. Kalimi juaj i suksesshëm nga veteriner në poet e prozator. Ç’mund të na thoni si filloi karriera juaj letrare?Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Së pari ju falënderoj për këtë intervistë. Ndihem i nderuar që intervistohem nga një shkrimtare si ju. Pyetja që sapo më bëtë më kthen vite prapa në fëmijërinë e largët e njëkohësisht kaq të afërt. Sepse sado që vitet ikin shpirti mbetka sërish i ri, mbetka fëmijë, zog ëndrrash që fluturon në gjithë hapësirën e qiellit të jetës, i papajtuar e dorëzuar me këtë realitet ndryshimesh sa të bukur e hyjnor, po dhe aq të dhimbshëm, mbetka atje në fëmijërinë e bukur pa u tretur si vesëz mbi fijen e blertë të kujtimeve. Dhe pikërisht në atë fëmijëri të largët dhe mbresëlënëse i rritur me ajrin e pastër të fushave të Myzeqesë, unë nisa të shkruaja poezitë e para në moshën 12 vjeçare. Një nxitje për fillimin e udhëtimit të bukur në rrugën e artit, të paktën kështu më ka mbetur në kujtesë, ka shërbyer si fillesë shpërthimi ndjenjash, poezia “Vaji i bilbilit” e Mjedës. Të cilën pasi e lexova u përlota dhe doja të shkruaja dhe unë një poezi të tillë, të dhimbshme dhe aq të bukur. Natyrisht që këto ishin ëndrra fëmijërore pa vlerë artistike, por ajo që për mua pati rëndësi ishte të kuptuarit e një shpirti të ndjeshëm, të dashur dhe të një këmbëngulje për të pikturuar me fjalë gjurmët e vogla të jetës sime dhe shoqërisë e ambientit ku jetoja. Vazhdoja të shkruaja poezi e poema duke mbushur fletore të tëra të cilat do kisha dëshirë të madhe t’i lexoja dhe njëherë, por që asnjë s’kam ruajtur. S’mendoja kurrë se një dit do bëhesha shkrimtar. I quaja dëshira fëminore dhe copëza flokënaje dëbore të tretshme. Por shpirti vazhdonte të mbetej i ndjeshëm dhe përjetonte gjithçka të bukur a të dhimbshme të jetës sime. Dhe në moshën 18 vjeçare botova për herë të parë dy poezi satirike në gazetën “Shkëndija” të Lushnjës. Kryeredaktor i gazetës ishte shkrimtari Gazmend Kongoli i cili pasi i lexoi më sugjeroi të vazhdoja të shkruaja në zhanrin e humorit, ku sipas tij shkrimtarët që shkruanin në këtë zhanër ishin të pakët. Shpejt nisa të dërgoja poezi, shkrime gazetareske bashkë me një shokun tim, Vladimir Shani të cilat dhe ato filluan të na botoheshin , duke u bërë korrespondentë vullnetar (kështu quheshim atëherë) në gazetën shkëndija, ku redaktor vite më vonë do ishte dhe kryeredaktori i gazetës “Dielli” në Amerikë, i nderuari zoti Dalip Greca, i cili kur ishte kryeredaktor i gazetës “Iliria” botoi dhe parathënien e librit tim me poezi “Ujëvara Hëne”. Po kështu kam vazhduar të shkruaj dhe në Institutin e Lartë Bujqësor, ku unë studjova për Veterinari, në gazetën”Studenti i bujqësisë”, ku kryeredaktor ishte poeti dhe shkrimtari Xhevdet Shehu dhe zëvëndës shkrimtari e poeti moderrn që tashmë jeton në Amerikë, zoti Thani Naqe.Në vitin e fundit të Institutit unë tashmë kisha përgatitur një vëllim me poezi ku u diskutua në rrethin letrar të Fakultetit ku i deleguar ishte shkrimtari që tashmë s’jeton më, zoti Moisi Zaloshnja, ku mendimi i shokëve dhe i tij ishte që ky vëllim të nisej për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, pasi ti bëja dhe disa ndryshime, vëllim të cilin unë se dërgova kurrë për botim, se u emërova në një kompleks gjedhi shumë të madh në Nb.29 nëntori. Kështu gjatë 10 vjetëve që punova në atë kompleks, megjithëse ecja duke shkelur mbi lirika e copëza vargjesh, s’kisha mundësi e kohë të shkruaja duke harruar veten time në punë. Ishte një kompleks gjedhi me 2000-3000 krerë, 3000-4000 të imta (dhenë) e qindra kuaj dhe unë një mjek i vetëm. Kjo bëri që të rinisja sërish të shkruaja pas viteve 90- të me fitoren e demokracisë. Pra, isha një mjek veteriner me shpirt të dashur dhe të ndjeshëm poeti, por njëkohësisht dhe 24- orë në detyrë. Ishin kohë të tilla.

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia, apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?
Talenti lind bashkë me njeriun, ai në rrugëtimin e tij duhet vetëm ta zbulojë atë, unë talentin e kisha zbuluar, ndërsa për t’u zhvilluar më tej e ecur përpara në rrugën e artit kanë ndikuan shumë prindërit e mi, jeta e tyre e shkuar, dashuria vuajtja e mundimi për të na rritur në një kohë të varfër, vdekja e vëllait të vogël në një moshë të njomë, vdekjet e gjyshërve, shokëve, miqve që unë i doja aq shumë dhe që s’i gjeja më, vdekja e babës i cili ka qenë rrobaqepës shumë i mirë dhe njeri shumë i dashur në fshatin tim, njeri gojëmjaltë dhe që ju gjendej njerëzve për çdo hall në një kohë shumë të varfër e të mjerë dhe që të gjithë fëmijët që e njohën e thërrisnin baba Lili. Më kujtohet kur një mbasdite trokitën në derë dhe i kërkuan babait 250 lekë të atëhershme. Im atë ia dha nga xhepi menjëherë dhe i tha të trokiste sa herë të kishte ndonjë hall, a nevojë tjetër. Nëna mbas ikjes së hallexhiut i tha:
-Po ç’bëre kështu i dhe të vetmet lekë që kishe, po tani çdo bësh për fëmijët e tu?
-Ka zoti për ta u përgjigj im atë, ndaj mos e prish zemrën. Dhe me te vërtetë pa kaluar një orë trokiti një tjetër që do qepte pantallona dhe i dha 200 lekë në dorë tim ati.
-E i tha nënës sime, s’të thashë mos të prishje zemrën? Ja dhe lekët për fëmijët tanë! Të gjitha këto e gjithçka tjetër natyrisht që i kam përjetuar fort, duke i vëzhguar me imtësi e lënë gjurmë të patretshme në kujtesë. Gjithashtu e konsideroj veten me fat që kam lindur në Krutje të Lushnjës, se dhe pse ishte fshat, kishte kulturë e traditë të lashtë dhe mësues shumë të mirë e me emër dhe shumë të zotë, si Neritan Papamusta, Skënder Fusha, Vait Gjyla, Loli Davidhi (drejtori i gjimnazit), LLazar Lëngu, Seid Prishta, Kristaq Çuko, Trifon Gjermëni, Myhyrije Kollçaku, etj, etj. Ende i ndjej po ato emocione që më krijonin me zërat e tyre kur shpjegonin aq bukur dhe me aq përkushtim. Krutja kishte gjimnazin e parë në rreth, ku vinin për të studiuar nga të gjithë fshatrat e rrethit, kishte pallat kulture të kategorisë së parë ku çdo ditë shfaqeshin filma, çdo të shtunë ose të diel vinin e shfaqeshin koncerte me këngë e humor nga estradat e qyteteve të Shqipërisë si dhe teatri popullor kombëtar, kishte bibliotekë të madhe me libra, librari ku unë përpija çdo libër me poezi që dilte e duke e porositur shitësen Goni Daka të m’i ruante, kishte ekip futbolli të kategorisë së tretë, ekipin e volejbollit të vajzave që përfaqëson ende në kategorinë superiore qytetin e Lushnjës…Pra u rrita në një vend me kulturë, me dije dhe në një peizazh të mrekullueshëm të fushave aq pjellore, ku do ishte i pashmangshëm ndikimi i tyre. Në një vend që e desha aq shumë, por që s’u ktheva të jetoja më atje, dhe më duhet të jetoja si refugjat larg vëndlindjes sime,se mbas mbarimit të shkollës u emërova në Çermë të Lushnjës, ku ende e kam shtëpinë. Pra dy herë refugjat, një herë në monizëm dhe sërish tani në demokraci, mbasi prej disa vjetësh jetoj tek fëmijët në Modena dhe në Salerno. Duke qenë se mbi kokë kishim një re të zezë diktature që lëshonte flakë vetëtime në çdo hap që hidhnim, unë jetova duke i përjetuar me lot në shpirt gjithë ngjarjet e dhimbshme e burgosjet e njerëzve me të cilat do të shkruaja tregimet e mia në “letër” të kujtesës për t’i hedhur sot në demokraci. Në një takim para se të vdiste Shkrimtari i madh për fëmijë Odhise Grillo duke lexuar fabulat e mia më pati thënë:
-Ke bërë shumë mirë që nuk ke botuar në monizëm se kështu si shkruan ti, do ishe kalbur burgjeve!

Në cilin rol e ndjeni veten vërtet më me ndikim si poet, prozator apo si doktor veteriner? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?
Në të dyja pozicionet jam ndierë shumë mirë. Unë botën e marr në harmoni të plotë. Mendoj që kam qenë me fat që kam mbaruar për mjek veteriner, se zotëroj mirë shkencën e mjekësisë, që është aq e domosdoshme për një kulturë të përgjithshme, e jo më për një shkrimtar për përshkrime të hollësishme dhe depërtime në thellësi të qenies me frymë. Ndjehesha i kënaqur kur pas një rasti shumë të rëndë fitoja mbi sëmundjen dhe kur vija në stallë të nesërmen lopa që kisha shpëtuar sa ndjente zhurmën e motorit tim, rendte nga fundi i stallës për të ardhur pranë meje e më përkëdhelej duke fërkuar kokën pas trupit tim, sikur donte të më falenderonte që i kisha shpëtuar jetën. Përlotesha unë dhe pronari e stallierët e saj, dhe mendoja të gjeja ndryshimin midis nesh dhe kafsheve. Jemi ne më mosmirënjohës ndaj të mirave që na bëjnë, se sa kafshët. Kafshët nuk flasin, po të dish të sillesh me to do ndjehesh shumë mirë dhe do kuptosh dhe dashurinë e tyre për ty dhe me sy dhe në lëvizje e xhestikulacione. S’po e teproj të them se atë kënaqësi që gjeja kur punoja me kafshët, s’po e gjej më dot mes njerëzve.

Ju jeni poet. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi; “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, “Ujëvara hëne”, I njëjti zë njeriu”, “Globi mbi fije bari”, “Duke ecur në rrugica ajri”, i përshirë edhe në disa antologji me poezi. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Për të mbërritur tek e bukura, tek vlera e saj, duhet të mundohesh ta gjesh se ku fshihet e bukura, të jetosh bashkë me të, ti ndjesh frymëmarrjen, të rrahurat e zemrës, dhimbjen e lumturinë e saj. E bukura nuk është ajo që shfaqet, por ajo e fshura pas shfaqjes. Kur ta takosh do bindesh me të vërtetë që ke takuar të bukurën e vërtetë. Dhe atëherë nuk mund të ndahesh më dot prej saj. Pra duhet të futesh thellë realitetit, për të krijuar një realitet të ri. Por deri atëherë do kënaqesh me pak rrathë drite që vijnë prej saj. Duhet një farë kohe të bëhesh pjesë e së bukurës, e madhështisë së saj. Dhe aty mbërrihet duke studiuar poetë të mëdhenj me durimin e vdekjes për të kapërcyer vdekjen e vërtetë. Disa mund ta arrijnë në moshë të re, disa dhe në moshë të vjetër, për këtë receta nuk ka, varet nga këmbëngulja dhe aftësitë e çdo njërit.
-Secili,- thotë Dritëro Agolli,-ka në vete të fshehur një luanë, varet kur ai shpërthen. Por gjithsesi duhet shumë durim, punë e talent. Pa këto nuk mund të ecet përpara.

Çfarë është muza për ju,është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Po e thashë dhe më parë talentet lindin bashkë me njeriun, ekzistojnë në genet e tij, të cilat mund të jenë shfaqur në një formë, apo formë tjetër dhe tek paraardhësit e tij. Ne duhet vetëm që këto talente të fshehura në qenien tonë t’i zbulojmë gjatë jetës dhe ti vëmë në përdorim për të mirën e shoqërisë dhe tonën.

Ju shkruani poezi dhe prozë? Cila ka qenë poezia, tregimi apo novela juaj e parë?
Poezinë e parë të shkruar… ua thashë më përpara ajo ishte një përpjekje fëminore, por debutimi i parë ka qenë botimi i dy poezive satirike “Sil Qemanja” dhe “Hyskë Sasia”. Ndërsa tregimi im i parë është “Dhëmbë gjarpëri”, botuar në revistën letre artistike “Obelisk”dhe në antologjinë me tregime të shtëpisë botuese “Ada”, botuar nga ministrja e Kulturës, ku jeni përfshirë dhe ju. Novela e parë është “Në kopshtin e dashurisë”e lexuar dhe prononcuar nga poeti Faslli Haliti, por ende e pabotuar.

Ju jeni edhe prozator. Që nga romani “Bregu i Ferrparajsës”, “Në humnerën e pafund të një krimi”, novelën “Në kopshtin e dashurisë” “Tregime” në shtypin letrar, në antologjinë me “Tregime” nga shtëpia botuese ADA, tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?
Stili i të shkruarit. Si në tregimet, romanin dhe novelën e pa ndryshueshme ka mbetur mënyra e të shkruarit, ajo e të rrëfyerit në prozë poetike. E di që kjo është forma më e vështirë, por dhe më e bukura, më brilantja. Gjithmonë gjërat e vështira më kanë sjellë kënaqësi. Mendoj se zanafilla e kësaj mënyre të shkruari është poezia. Duke kërkuar një “ngopje” më të madhe të shprehuri se sa në poezi, besoj se e kam gjetur në mënyrën e të rrëfyerit nëpër tregime, romanin dhe novelën.

Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?
Shkrimtari është pjesë e së tërës, e Universit dhe e shoqërisë njerëzore. Nuk mund të jetoj duke u mbyllur në labirinthet e errëta të indiferencës. Ndryshe kjo indiferencë do ia hante dhe atij kokën një ditë, nëse nuk do vepronte në kohën e duhur, kuptohet bashkë me të tjerët. Nga mund të mos revoltohesh, kur po të kthesh kokën pas, ecja drejt dritës e zhvillimit është si e qindra e mijëra vjet prapa, kur të njëjtat probleme, halle, vuajtje e padrejtësi janë si ato të para 100 vjetëve?! Janë po ata “peshq” të uritur në dete shpirtrash dhe po ata peshkaqen me emra të ndryshëm që shqyejnë mishra e zgjerojnë territore pasurish, duke krijuar dy shtresa njerëzish, të pasurit dhe të varfrit, pa shtresën e mesme.

Zhanrin e prozës “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Zhanri i prozës erdhi si nevojë e domosdoshme për të shtrirë më tej frymëmarrjen time poetike në të shprehurit të mendimeve e personazheve që flinin në qenien time që nga fëmijëria e deri më tani. Poezia s’mund ti shprehte më ato, duhej proza ti tregonte me nje frymëmarrje më të plotë për mushkëritë e etura për lirinë e fjalës dhe mendimit të lirë. Kështu vura re se u ndjeva më i plotësuar si para vetes dhe para lexuesit. Natyrisht tani si poezia dhe proza janë preferenza ime, paksa mënjanë është lënë fabula.

Ju jeni mjaft i suksesshëm si shkrimtar, i vlerësuar nga kritikët e kohës, nga poeti Faslli Haliti, Prof.Dr. Klara Kodra, poeti e shkrimtari disident Visar Zhiti, Prof.Dr.Fatmir Terziu,shkrimtarët Astrit Bishqemi, Kozma Gjini…etj., por edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë vendas e të huaj? Si ndiheni për këtë?
Si për fabulat, poezitë e prozën time gjithmonë është folur me superlativa, por unë kam shikuar punën duke mos rënë preh e vetëkënaqësisë. S’kam vrapuar nëpër televizione e nëpër promovime librash ku thuren lajka boshe pa fund, por kam preferuar të futem sërish para kompjuterit dhe i kam parë sërish ato ç’ka kam shkruar ndoshta për të satën herë. Natyrisht si kushdo tjetër shkrimtar në rrugëtimin e gjatë ndjehem i lumtur, por kjo për mua është dhe një obligim për t’u përsosur më tej në veprat e mëvonshme. Pra është një fillim i ri mendimi për të ecur më tej, duke u përpjekur ta mbush kohën time në mënyrë produktive.

Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit tuaj?
Ju falënderoj për vlerësimin dhe konkluzionin tuaj, për ato ç’ka kam shkruar, mendoj se është përmbledhja e dijeve gjatë jetës, këndi i shikimit, studimit dhe vlerësimit të asaj që mendon e që bënë, dashuria për njeriun e natyrën, këmbëngulja e mënyra se si i përjeton ngjarjet e jetës e peizazhet që shfaqen para teje, lëvizjet nga një vend në një vend tjetër, ngjarjet e peizazhet e reja, sinqeriteti ndaj jetës e pikës së lotit, dashuria ndaj saj dhe njerëzve, forca e shpirtit dhe aftësia e të menduarit e të shprehurit të asaj që përjeton e shkruan. Fjala për shkrimtarin është si grimca e zotit, krijon Universin e tij letrar.

Ju krijoni edhe fabula, një zhanër disi i vështirë, por ju ja kini dalë ta bëni. Me modele tërheqëse e shpotitëse. Çfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht në një fabulë?
Është e vërtetë unë librat e parë i kam botuar me fabula dhe fillimisht më i njohur u bëra në fabul, ku që me botimin e dy librave të mi të parë”Rosa që bleu tapet” botuar nga shtëpia botuese “Toena” me redaktor fabulistin tonë më të mirë Ferid Lamaj, dhe librin “Fabula të reja” botuar nga shtëpia botuese “Dituria”, unë u përfshiva duke u përzgjedhur nga grup autorësh në “Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” me autor shkrimtarin e nderuar Astrit Bishqemi ku përmendesha krahas Ferid Lamajt e Sotir Lashovës. Libri “Fabula të reja ndodhet dhe në bibliotekat periferike dhe atë qendrore të Stokholmit në Suedi. Kam botuar “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak” po tek “Dituria”, që është një libër me poezi dhe fabula. E sërish tek Toena librin me fabula :”Mjekër dhia, mjekër cjapi”. Zhanri i fabulës është i vështirë, por dhe shumë i bukur kur arrin ta realizosh. Dhe për ta realizuar duhet ta duash fabulën, humorin e mesazhin e saj, personazhet e saj të cilët janë kafshët, të futesh sa më thellë në të. Ndërsa poezia është ndjenjë, dhimbje shpirti, dashuri njerëzore, fabula është mençuri. Dhe realiteti jonë është i mbushur plot me materiale për të krijuar fabula duke filluar nga parlamenti e deri në bazë tek qeverisjet vendore, e duke përfunduar në jetën tonë të përditshme të mbushur plot me ngjarje të tilla. Pa e ngatërruar fabulën me humorin e zakonshëm. Fabula është vëzhgim i imtë i realitetit. Me një subjekt fabule mund të shkruash një roman. Problemi i teknikës së të shkruajtur të fabulës fitohet gjatë përvojës dhe punës me të. Përfitoj nga kjo intervistë të përshëndes Prof.Dr.Fatmir Terziu i cili në shkrimin e tij të botuar tek “Fjala e lirë” në internet me titull: ”Fabula një aspekt i krijimtarisë shqiptare”më ka komentuar si zë të veçantë të fabulës shqiptare nder vite, krahas Ferid Lamajt e Bardhyl Mezinit, me titull “Fabula e Davidhit dhe shpallja” ku flet për një nga fabulat e mia më të njohura në internet, Fabulën “Liria.”

Pse shkruan Miltiadh Davidhi…?
Sepse nuk mund të rri dot pa shkruar e të shkel me këmbë copëzat e shpirtit tim, pjesëza zemre e trupi, petale të sapo çelura mendimesh, që më dalin si flakërimë drite për jetën në çdo hap që hedh, sepse s’mund të jetoj dot pa frymëmarrjen e oksigjenin e lumturisë që ndjen shkrimtari pasi ka përfunduar një poezi a një prozë të bukur e të arrirë. Ndryshe do isha i vdekur së gjalli. Sepse ne kemi vuajtur gjithmonë nga mos shkruajturit e ngjarjeve jetësore të groposura në tokën e harresës. Homeri i shkruajti Iliadën dhe Odisenë dhe i verbër e pa sy. Sepse nuk mund të rilindësh më në këtë jetë e të thuash atë që ke lënë pa shkruar.

Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Jo, absolutisht nuk mendoj se kam arritur atje ku duhet, kam ende shumë për të thënë e bërë. Njeriu është qenie moderne e përkryer që jeton e ndjen çdo çast të jetës,në çdo vend që shkon, që fikson në kujtesë gjithçka që shikon e jeton. Dhe ato natyrshëm lenë gjurmët e tyre, të cilat më vonë shërbejnë për një ecje të re në rrugën e artit. Aktualisht jam duke shkruar një vëllim të ri me poezi. Projektet për të ardhmen do jenë përpjekjet e mia për të botuar vëllimin me tregime, novelën dhe dy vëllimet e përfunduar me poezi.

A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?
Natyrisht që kam, unë mbi gjurmët e tyre ecin çdo ditë, mbi to marr fryme e bëj projektet e së ardhmes. Sa më e pasur të jete jeta e njeriut me ngjarje, sidomos fëmijëria e rinia, aq më i “pasur” është një shkrimtar me subjekte për të shkruajtur.

Autorët tuaj më të preferuar…
Autorët e mi të preferuar janë të shumtë: U. Shekspir, M. Servantes, Ç. Dikens, A. Kronin, E. Hemingej, N. Hikmet, A. Pushkin, S. Esenin, A. Ahmatova, B. Breht, Sadiu, Gëte, P. Neruda, G. Lorka, R. Bërns, I. Kadare, D. Agolli, V. Zhiti, etj, etj.

Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Mendoi se ka filluar të lëvizë e të dalë nga faza e inekzistencës së plotë që ka qenë. Këtu do përshëndesja punën e filluar me kritikën letrare nga Prof.dok.Fatmir Terziu, Prof.dokt. Klara Kodra, poeti e shkrimtari Faslli Haliti, poetja Fatime Kulli, nga i ndjeri poet Perikli Jorgoni, Fatmir Minguli, etj. Por kjo punë e nisur duhet të thellohet dhe nga shkrimtarë e kritikë të tjerë kompetentë për këtë punë, se shikojmë të marrin stafetën e kritikës njerëz që s’kanë lidhje fare me kritikën dhe që nuk e njohin atë.

Jetoni në Itali, çfarë iu lidh me Lushnjën…?
Me Lushnjën më lidhin njerëzit e mi, shokët, miqtë që i dua dhe më duan sinqerisht, më lidhin varret e pjesët e shpirtit tim mbetur e mbirë si bar rreth tyre. Vetëm gjendja ekonomike të bën të ikësh larg tyre duke mbetur me kokën pas.(Kortezi:Tirana Observer)

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Miltiadh Davidhi, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT