• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jeta e Katerinës

October 14, 2016 by dgreca

 ….Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur./
1-katerina1-prinderit13-vellai-koleci-e-rozana-ok4-nikolla-ok
Ne Foto: Katerina                                        Prinderit e Katerines                         I vellai i Katerines; Koleci me te bijen Rozana    I vellai, Nikolla
 Nga Mimoza Dajçi/

Mimoza-Dajci       Jeta e Katerinës është e trishtë dhe shumë e dhimbshme. Me Katen, siç e njohim shkurt, jemi veprimtare të organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, por së bashku kemi miqësi të vjetër qysh në Shqipëri, pranë Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike. Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur.

– Me kë tallesh ti – i thotë i plotëfuqishmi i zonës – nuk e shikon që kjo pistoletë nuk punon? – dhe e ofendoi rëndë.

Aq u desh dhe malësori krenar nuk e duroi dot fyerjen, e godet me grusht në fytyrë. Gjergj Cimën e arrestojnë, e mbajnë një javë të izoluar nën tortura të tmershme në një shtëpi të improvizuar si burg, e pas gjashtë ditësh në të gdhirë e pushkatojnë së bashku me një kundërshtar tjetër të rregjimit. I ati Kates, Gjergji ishte rritur jetim dyerve të botës, kur ai ishte vetëm 4 vjeç i kishin vdekur të dy prindërit nga malarja.

Për familjen Cima filloi kalavari i vuajtjeve të mëdha. Roza, nëna e Kates e cila mbeti e ve me 6 fëmijë të vegjël, 4 djem e 2 vajza nuk kishte të ardhura të mjaftueshme të ushqente fëmijët me bukë, detyrohet dy prej vocërrakeve ti lerë në shtëpinë e fëmijës. Katja 7 vjeç dhe vëllai i saj Koleci 5 vjeçar, u rritën mes lotësh e dhimbjesh me jetimorët e gjorë.

Vitet kaluan, ngjarje të reja rodhën edhe për Katen, të cilën nëna dhe vëllezërit e martojnë me Dedë Lulin, djalë patriot e punëtor ngjitur me fshatin e saj. Familja e re vendoset në Laç të Krujës, ku shtohet me një djalë, Kastriotin. Deda siç ju tregova ishte shumë punëtor, njeri i përkushtuar për familjen dhe mekanik i zoti për rregullimin e makinave. Sigurimi shtetit ja vuri syrin për ta bërë bashkëpunëtorë të tij. Një herë dy, tentuan, por aha, asnjë përgjigje pozitive nuk morën prej tij.

Një ditë prej ditesh Deda arratiset. Të shoqes së tij nuk i tregon planin që kishte në kokë së bashku me dy miqtë e tij. I thotë se, do të shkojë për disa ditë në fshat tek daja i sëmurë. Katja ishte në gjumë, djali i vogël po ashtu, kur organet e sigurimit gati sa nuk i shqyen derën e shtëpisë dhe hyn brenda për kontroll. Katen e bombarduan me pyetje e fyerje të rënda, ndërkohë që ajo ishte shumë e re në moshë e nuk kishte dijeni fare se çfarë kishte ngjarë. I shoqi i kishte thënë në besim të plotë se sigurimi do që, ta rekrutojë, por nuk mundem ta bëj një gjë të tillë i kishte thënë ai së shoqes. Nuk mund të bëhem spiun i njerëzve të mi, komshive miqve e farefisit, më mirë pranoj plumbin, se sa të bëhem spiun. Po të refuzonte hapur Deda rrezikonte 20 vite burgim. Pranon arratisjen dhe nuk bëhet spiun, por pasojat do ti hiqte familja, gruaja dhe djali i vogël.

Bëjnë ç’bëjnë një prej vëllezërve të Kates ish i burgosur politik në Spaç, Koleci i thotë një mikut të tij të mirë Nikollës, që kur të dilte nga burgu ti propozonte për martesë motrës së tij. Bashkë burgu i kishte lidhur e kishin parë tek njeri tjetri një miqësi të mirë e të sinqertë. Nikolla dilte pas një jave nga burgu, pas një dënimi 10 vjeçar si “spiun i jugosllavëve” dhe “armik i popullit”. Vëllai Kates pa tek ky i ri cilësitë e një malësori trim e të dhimbsur për njerëzit. Kur Nikollën e arrestuan, ai ishte fare i ri vetëm 18 vjeç. Nikolla ishte arratisur nga Mali Zi me disa shokë të tij, por përfunduan në duart e egra të sigurimit shqiptar dhe dënohet me 13 vjet heqje lirie. Në Shqipëri nuk kishte asnjë nga familja. Kur të dilte nga burgu nuk kishte derë ku të trokiste. Koleci, vëllai i Kates, meqë kishte vite që kishte ndarë çapën e bukës me atë dhe e njihte mirë, i afroi këtë propozim për motrën e tij, tashmë të divorcuar nga i shoqi, dhe që jetonte me djalin akoma në Laç të Krujës.

Dera e Kates troket, mysafiri i paftuar i tregon se kush ishte dhe i zgjat letrën e të vëllait. Katja pasi e dëgjon e dërgon menjëherë tek vëllai i madh Nikolla dhe nëna e saj. Pas bisedash të gjata familja e Kates mendojne dhe vendosin se do të jetë më mirë nëse ajo martohej me këtë njeri të mirë e të vuajtur sikurse dhe familja e tyre, aq më tepër që e kishte rekomanduar vëllai i tyre, Koleci.

Katja si përfundim në pranverën e 74′ lidh kurorë me Nikollën, i biri që në atë kohë ishte vetëm 3 vjeç, e quante Nikollën babë dhe ai bir. Në vitin 1991 Katja së bashku me të shoqin marin një vizë tre mujore për në Mal të zi, për tek familja e Nikollës, i cili kishte 35 vite pa parë njerëzit e tij. Djalin e vetëm që kishin (17 vjeçar) e lenë tek vëllezërit e Kates.

Nikolla mëson në vendlindje se i kishte vdekur e ëma, pikëllohet e qan nën zë. Jeta luftë, por nuk kishte çfarë të bënte. Aty i paraqitet një rast për të marë vizë amerikane. Shfrytëzon momentin, hyn së bashku me Katen në Ambasadën Amerikane ku u njihet statusi i azilantëve politikë, e pas gati një viti arritën në New York, ku Katja jeton edhe sot. Jetuan për disa vite së bashku, u vjen edhe i biri Kastrioiti, por në vitin 1997 pas një ataku në zemër Nikolla ndëron jetë.

Kastrioti njihet me një vajzë italiane, jetojnë së bashku në Belgjikë. Jeta rrodhi e tillë dhe Katerina Cima jeton vetëm në New York, rrethuar me shumë dashuri nga mikeshat e kushërirat e saj. Eshtë një grua fisnike dhe shumë mikëpritëse. Të gjithë e duan dhe e respektojnë. Dera e saj është kurdoherë hapur për njerëz të mirë.

*    *   *

Dedë Luli, pas arratisjes nga Shqipëria më 22 prill 1972, nëpërmjet Greqisë mbërin në Australi, ku një mik i tij e sistemon me punë e shtëpi. Me ardhjen e parë të tij në Shqipëri kërkon të takojë të birin, me të cilin kalon disa ditë nëpër atdhe, e më pas e mer me vete disa muaj në Austriali. Kur e takon të birin pas 16 vitesh e pyet:”I kujt je ti more djalë”. Kastrioti i vendosur i përgjigjet: “I Dedë Lulit”.

Sipas Kates faji i vetëm i Dedës ishte se ai, nuk i tregoi asaj që kishte planifikuar arratisjen. Djali, Kastrioti pregatitet të shkojë me bashkëshorten në Austraili, aty ku i jati i ka afruar shtëpi, e një jetë më të mirë e më të rehatshme, falë punës së tij e duarve të tij të arta si mekanik makinash.

Ndërsa Koleci vëllai Kates, pasi vuajti dënimin si “armik i popullit” në burgjet Burrel e Spaç, me krijimtarinë e tij letrare hodhi dritë mbi vuajtjet e shtresës ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, veprat e tij më të spikatura janë: “Përbindshja”, “Jashtë Parajsës”, etj. Ndërsa vajza e Kolecit, Rozana ish kompione e shahut për vitin 1978, sot është avokate e zonja dhe nderuar në Shqipëri.

New York, nentor 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jeta e Katerinës, Mimoza Dajci

Takim me Konsullen e Përgjithshme të Kosovës në New York

September 17, 2016 by dgreca

Gratë e “Hope & Peace” takohen me Ambasadoren Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York/

Nga Mimoza Dajçi/

2-grate-e-mozes

Manhattan, New York, 2016. Pak kohë kanë kaluar nga takimi që u mbajt me Ambadasoren e Republikës së Kosovës në New York Znj. Teuta Sahatqija dhe anëtaret e organizatës së gruas shqiptare – amerikane “Hope & Peace” në SHBA. Në bisedat e zhvilluara u fol për veprimtarinë humanitare e bamirëse të kësaj organizate, si dhe rolin që ato luajnë për fuqizimin e femrës shqiptare, e asaj amerikane në tëresi në dobi të familjes e komuniteteve. U fol për dhunën në familje dhe mënyrat e daljes nga kriza në situata të tilla. Bashkëpunimi që kjo organizatë ka me punonjës të rendit kryesisht në zonën 49-të në Bronx ka sjellë edhe mbështetjen e duhur përsa i përket mbarëvajtjes së jetës në familjet tona. “Hope & Peace” ka bashkëpunim të mirë me Asamblyman Mark Gjonaj dhe politikanë të tjerë të Distriktit 80 në Bronx, dhe Liderin e Stacionit Policor 49-të në Bronx Z. Joseph Thompson, Avokatin Stiven Kaufman, Presidentin e Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Z. Esad Rizai, Presidentin e Shoqatës “Duart e Hapura” Z. Aleks Nilaj, etj.

Vajzat dhe gratë e kësaj organizate janë tepër aktive dhe japin një kontribut jo të vogël në aspektin human, bamirës dhe jetën kulturore ndër shqiptarë. Veprimtaritë që ato kanë ndërmarë janë të shumta e të larmishme, si në ndihma humanitare, me ushqime, veshje, promovime librash, promovimin e shfaqen e Filmit “Skënderbeu” me regji të Vladimir Priftit në bashkëpunim me Federatën “Vatra” dhe skenografin e njohur Z. Astrit Tota, etj. Ndër promovime librash po përmendim së fundi krijimtarinë letrare të poetes dhe humanistes shqiptare Znj. Rita Saliu, dekoruar edhe nga Presidenti Bamir Topi me Medajlen “Nënë Tereza”, që u mbajt në Monroe College në Bronx, inisiativë e përbashkët mes Organizatës “Vatra” dhe Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptaro – amerikan, Profesorit të Monroe College Z. Haxhi Berishës dhe piktorit Z. Astrit Tota.

Ambasadorja Tetuta Sahatqija si një nikoqire e mirë, u serviri kafe e çaj mysafireve, i dëgjoi dhe u dha fjalën se, do të kenë së bashku një fryt të mirë bashkëpunimi.

Gratë shqiptare anëtare të organizatës The Women’s Organization “Hope & Peace” vlerësuan takimin, dhe ndiheshin të privilegjuara që patën rast të takoheshin nga afër me një ish ligjvënëse të Parlamentit të Kosovës, me një zonjë të aftë, të kulturuar e të guximshme për tu përballur me situata jo të lehta nëpër seancat parlamentare të Kosovës. Sipas përcjelljes së lajmeve mbi Kosovën ato thanë se jemi sot këtu me një politikane dhe dipllomate të fuqishme që është ndeshur jo rrallë në momente kritike dhe të vështira për zgjidhjen e probleme shqiptare në Kosovë. Pasi si ajo ashtu edhe shumë femra të tjera atje mbartin me vete edhe mentalitetin femër mashkull që akoma mbizotëron në Shqipëri e Kosovë.

Znj. Sahatqija me mençurinë, zgjuarsinë, kurajon e forcën e saj të herë pas herëshme ka ngritur zërin për të drejtat e gruas e vajzave shqiptare në Kosovë, në të drejtën e pronës, pavarësisë ligjore ekonomike, energjinë elektrike etj.

Ambasadorja Teuta Sahatqija është njëherësh edhe një bashkëshorte dhe nënë e shkëlqyer, fëmijët e saj kanë përfunduar dhe po studjojnë me sukses studimet nëpër universitet më prestigjoze e me rezultate të larta. Ajo ndihej krenare për fëmijët e saj dhe arritjet e tyre.

Gjatë këtij takimi ato së bashku u ndalën gjatë edhe në situatën që ndodhen sot femrat e dhunuara nga lufta në Kosovë, ku u përmendën për punë të mirë disa qendra që meren me kujdesin dhe shëndetin mjekësor të tyre. Për këtë rast u fol me respekt për zonjat Flora Brovina, Veprore Shehu, Sevdije Ahmeti, Sevdije Rexhepi, etj, të cilat me vullnet e pasion vazhdojnë të ndjekin këto veprimtari humane për t’ju gjendur pranë motrave dhe femrës shqiptare që vuajti padrejtësisht vrasjet, dhunën e përdhunimet nga makineria serbe në Kosovë, ku qindra prej tyre akoma nuk u gjenden eshtrat.

Në takim me Znj. Sahatqija ishin të pranishme këngëtarja e njohur shqiptare Sebahate Berlajolli, ekonomistja shqiptare me banim në Qytetin Quenss New York Dita Leka, Nexhi Hoxha me të bijën Majlinda Hoxhën – studente e juridikut, aktivistja Drita Çarçani, infermjerja amerikane Synthia Arzu, arsimtaret Gazmenda Tapija e Ludmilla Skënderi, gazetarja Mimoza Dajçi, etj. Takimi kaloi miqësor dhe i përzemërt dhe u la i hapur për veprimtari të tjera.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Hope & Peace, me Ambasadoren Sahatqija, Mimoza Dajci, takohen

Intervistë për Diellin me ish Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA Z. William Perry

August 4, 2016 by dgreca

William Perry- Ish Ministri i ndjerë Safet Zhulali nuk kishte background profesional ushtarak, por ishte shumë inteligjent dhe njeri me integritet. Kemi punuar shumë nga afër së bashku. Ishte një eksperiencë e mirë të mësuari për të, se si të bëhej Ministër i Mbrojtjes së vendit meqënëse nuk kishte background të tillë. Ai punoi shumë në atë drejtim. Kisha një opinion të lartë për të. Përveç marrëdhënies të mirë profesionale kishim gjithashtu edhe një marrëdhënie të mirë personale./…

Nga Mimoza Dajçi/

Kaliforni, Korrik 2016/

 –Përshëndetje Z. Perry!/

-Përshëndetje!/

 –Ju falenderoj që jeni sot i pranishëm në faqet e shtypit shqiptar!/

-Faleminderit edhe juve!/

Si ish Sekretar i Mbrojtjes Amerikane, si i shikoni sot raportet e SHBA me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes?

Z. Perry- Kur isha Sekretar i Mbrojtjes, para shumë vitesh, Shqipëria sapo kishte evoluar nga pjesë e Paktit të Varshavës, në një shtet me çështjet e veta të pavarura të sigurisë. Në atë periudhë, shpenzova një kohë të konsiderueshme duke punuar me Presidentin e Shqipërisë si dhe Ministrin e Mbrojtjes, në mënyrë që të ndihmonim Shqipërinë të arrinte një mbrojtje kombëtare të pavarur, partnershipin me NATO-n dhe atë çka quhej Partnershipi për Paqe.

Shqipëria mori pjesë në disa ushtrime paqeruajtëse me forcat e NATO-s. NATO ndihmoi në profesionalizimin e ushtrisë sipas standardeve të shteteve demokratike. Shqipëria dërgoi individë, oficerë të rinj, në shkollat tona për trajnim në SHBA. Në atë kohë Shqipëria ishte duke avancuar në mënyrë të pëlqyeshme drejt krijimit të një ushtrie të përshtatshme për një shtet demokratik. Gjatë këtij proçesi, pata rast të vizitoja Shqipërinë tre herë, gjë që është e pazakontë për një Sekretar Amerikan të Mbrojtjes.

Nëse më lejohet, a shikoni tek Shqipëria një partner të sigurtë dhe aleat të mirë përsa i përket strategjisë ushtarake?

Z. Perry- Kam bindjen se po. Vendi juaj ka qenë definitivisht një partner shumë i mirë gjatë kohës që unë isha në këtë detyrë. Kishim marrëdhënie të afërta dhe oficerët shqiptarë vinin për trajnim në SHBA e oficerët amerikanë punonin me ta për të krijuar një program trajnimi të ngjashëm me programet tona në Fort Benning, Georgia. Më duhet të përmend këtu se nuk jam shumë i azhornuar me zhvillimet e 5 apo 10 viteve të fundit, por Shqipëria ka qenë një partner shumë i mirë në atë kohë dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdojë të jetë kështu.

Sa dhe në çfarë mënyre SHBA, e ka mbështetur Shqipërinë në aspektin ushtarak?

Z. Perry-Në kohën që isha në atë post, kishim një program shumë të fuqishëm për pjesëmarrjen shqiptare në programe ushtarake. Përfshi këtu oficerë shqiptarë që vinin për trajnim në USA si dhe oficerë amerikanë që punonin me ushtrinë shqiptare për programe trajnimi. Kishim një program të fortë Amerikë-Shqipëri, si dhe një program akoma më të fuqishëm ku Shqipëria mori pjesë në programin e NATO-s që quhej Partnershipi për Paqe. Marrëdheniet midis dy vendeve kanë qenë shumë të afërta në ato kohë. Nuk mund të komentoj se si gjërat janë zhvilluar ndër vite, si dhe për gjendjen e tashme, pasi informacioni im nuk është i azhornuar.

Në një nga vizitat e mia në Shqipëri, mora me vete edhe bashkëshorten time. Ndërkohë që unë kryeja vizitat e mia me Presidentin dhe Ministrin e Mbrojtjes, ajo kryente gjithashtu vizita me zyrtarë të tjerë e bashkëshortet e tyre. Vizituan një spital ushtarak që ishte në gjendje të mjerueshme për sa i përket pajisjeve dhe riparimeve. Kur ime shoqe u kthye në Amerikë, ajo u interesua që garda kombëtare amerikane, të shkonte në Shqipëri gjatë trajnimit të tyre veror. Kështu që ata shkuan për gati 6 javë, me sa mbaj mend dhe ndihmuan në rehabilitimin e spitalit duke e konvertuar kështu nga një spital që kishte shumë nevojë për pajisje, në një spital modern. Pajisjet e radiologjisë erdhën nga bazat amerikane në Gjermani. Kjo nuk ishte një iniciativë zyrtare, por akte individuale qytetarie dashamirëse humane, duke përdorur pajisje zyrtare të forcave Amerikane që kishin tepruar në Gjermani, në kohën kur trupat amerikane po largoheshin nga Gjermania. Kështu që pajisjet i transferuan në Shqipëri. Garda amerikane që punonte atje, veproi nga zemra dhe bashkë arritën të transformonin spitalin ushtarak, në një spital efektiv funksional modern. Qeveria shqiptare ishte shumë e kënaqur me atë çka arritëm të bënim në atë kohë dhe i dhanë sime shoqe medaljen “Nënë Tereza”, për të cilën ajo është shumë krenare. Ky ishte një nga kontaktet tona më të afërta me Shqipërinë ndër vite. Me siguri kjo nuk figuron nëpër rekorde zyrtare, pasi siç ju tregova, gjithçka u krye në mënyrë dashamirëse humane. Shqiptarët dhe amerikanët punuan nga afër për të arritur këto rezultate. 

Kush ja akordoi Çmimin Zonjës tuaj?

Z. Perry- Çmimi u lëshua nga Presidenti i Shqipërisë, i cili ngarkoi Ministrin e Mbrojtjes për akordimin e tij. Ministri erdhi në SHBA dhe gjatë një ceremonie që u mbajt në Pentagon, në emër të Presidentit të Shqipërisë e nderoi bashkëshorten time me medaljen “Nënë Tereza”.

Kur ka qenë vizita juaj e parë në Shqipëri?

Z. Perry- Hera e parë në Shqipëri ishte në 1994, pasi isha emëruar Sekretar i Mbrojtjes së SHBA.

 Kosova sot është e pavarur, por përsëri ka probleme madhore në veri të vendit veçanërisht në Mitrovicë. Ju personalisht si i shikoni zhvillimet në Kosovë, sa është e gatshme SHBA për të qetësuar situatën atje dhe si janë raportet e mbrojtjes SHBA – Kosovë.

Z. Perry- Nuk jam një burim i mirë për të përshkruar situatën e tashme atje, pasi nuk jam në qeveri tani, ndaj nuk marr informacione të detajuara siç merrja kur isha Sekretar i Mbrojtjes. Çfarë di, janë ato që lexoj nëpër gazeta. Kështu që nuk mund t’ju jap një koment të mirë-informuar.

Gjatë kohës që ishit Sekretar i Mbrojtjes Amerikane keni patur rast të vizitonit Kosovën?

Z. Perry- Jo, nuk kam patur rast me sa mbaj mend.

 Po në Shqipëri kur keni qenë për herë të fundit? 

Z. Perry- Gjatë kohës që isha ende Sekretar i Mbrojtjes së SHBA, në vitin 1996.

Keni plane ta vizitoni përsëri Shqipërinë?

Z. Perry- Nuk kam plane për në Europë. Mosha bën të vetën dhe tashmë nuk udhëtoj më aq shpesh.

 Dr. Perry, gjatë kohës kur ishit Sekretar i Mbrojtjes, keni kontaktuar disa herë me ish ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Safet Zhulali. Ç’mund të na thoni me konkretisht, se si e keni njohur Zhulalin?

Z. Perry- Zhulali nuk kishte background profesional ushtarak, por ishte shumë inteligjent dhe njeri me integritet. Kemi punuar shumë nga afër së bashku. Ishte një eksperiencë e mirë të mësuari për të, se si të bëhej Ministër i Mbrojtjes së vendit meqënëse nuk kishte background të tillë. Ai punoi shumë në atë drejtim. Kisha një opinion të lartë për të. Përveç marrëdhënies të mirë profesionale kishim gjithashtu edhe një marrëdhënie të mirë personale.

Sipas jush, cili ishte roli i Zhulalit në transformimin e ushtrisë shqiptare drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s?

Z. Perry- Ai ishte Ministri i Mbrojtjes së vendit, kështu që ishte në krye të këtyre përpjekjeve. Por duhet përmendur këtu se ishin edhe individë të tjerë ushtarakë profesionalë, gjeneralë, kolonelë, të cilët ishin shumë të vendosur të transformonin ushtrinë shqiptare në një ushtri moderne dhe efektive, e me padurim prisnin të shihnin këto ndryshime. Ata punonin nën liderishipin e Ministrit, por ndërmerrnin edhe iniciativa gjithashtu. Pra ishte përpjekje e përbashkët me ushtarakët profesionistë, të cilët punuan shumë në këtë drejtim.

Përveç Ministrit e Presidentit, u takova dhe krijuam relata të afërta edhe me shumë profesionistë të tjerë të fushës së mbrojtjes, që nga gjeneralët deri tek oficerët më të rinj. Vizitova disa nga bazat e tyre ushtarake disa herë. Fola me trupat e mbajta fjalime. Pra marrëdhënia jonë nuk ishte vetëm me Ministrin por edhe me ushtrinë.

Me Zhulalin keni nënshkruar Dokumentin e Partneritetit për Paqe. Si u arrit deri këtu?

Z. Perry-Partnershipi për Paqe erdhi shumë herët në mandatin tim. Objektivi ynë kryesor ishte që të arrinim që shtetet e europës lindore që kishin qenë anëtare të Paktit të Varshavës, të bëheshin anëtare aktive në Partnership. Kështu që i vizitova të gjitha këto shtete dhe u takova me Presidentët përkatës, si dhe Ministrat e Mbrojtjes, e gjeneralët, që t’i inkurajoja jo vetëm t’i bashkoheshin Partnershipit, por edhe të bëheshin anëtarë aktiv. Për disa nga këto vende, si psh për Shqipërinë në veçanti, qëllimi ishte edhe të sillnin disa nga oficerët e tyre të rinj më të mirë për trajnim në SHBA.

Mbaj mend se një oficer i ri shqiptar, mbase kapiten apo major (nuk më kujtohet emri pasi kanë kaluar shumë vite), ndoqi një trajnim rigoroz “Rangers” në Georgia, SHBA. Ky është trajnim për ushtarakët elitë dhe i riu shqiptar e përfundoi kursin shkëlqyeshëm. Pasi u kthye në Shqipëri, implementoi një program trajnimi të ngjashëm për ushtaret shqiptarë. Gjatë njërës prej vizitave të mia në Shqipëri, më ftoi në një demonstrim. Ai mblodhi të gjithë të rinjtë që po trajnoheshin dhe më kërkoi që të mbaja një fjalim për ta. Në momentin që unë u ngrita për të marrë fjalën, edhe ata brofën në këmbë e më përshëndetën me të njëjtën mënyrë tipike siç bëjnë edhe Rangers në Amerikë. Ai i kishte trajnuar më së miri. Ndoqa nga afër një nga trajnimet e tyre që ishin gjithashtu shumë rigoroze dhe preçize si në Amerikë. Mbeta shumë i impresionuar.

Sot këtë bisedë po e zhvillojmë në një nga universitetet më prestigjoze në Kaliforni dhe Amerikë. Ç’farë detyre mbuloni ju pranë këtij institucioni?

Z. Perry- Prej 20 vitesh punoj këtu si profesor, minus 4 vite që shkova në Washington, DC për të shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes së SHBA. Jam Profesor Emeritus pasi jam tërhequr nga detyra aktive. Vazhdoj të jap lektura por jo më rregullisht siç bëja më parë. Stanford-i është një vend shumë i dashur për mua. Këtu kam studjuar edhe unë. Siç e shihni edhe ju, është një kampus i mrekullueshëm. Zë një vend të veçantë në zemrën time.

Kam jetuar këtu pothuajse gjithë jetën time së bashku me familjen, me dy shkëputje, e para në vitet 70-të për të shërbyer si NënSekretar i Mbrojtjes në fushën kërkimore dhe inxhinieri, dhe pastaj në vitet 90-të ku mora postin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA. Përndryshe kam qenë gjithnjë këtu, qoftë në krye të një kompanie mbrojtjeje elektronike që kam krijuar (me seli jo larg prej këtu) ose duke punuar si profesor.

Dmth pasi kryet studimet e larta, iu dedikuat fushës së mbrojtjes pasi e ndjetë se mund të jepnit më shumë në këtë fushë?

Z. Perry- Ishte viti 1954 me sa mbaj mend, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Ishin vite të rrezikshme. Unë kisha qenë në ushtri dhe ndjeva një obligim për të shërbyer më tej, kështu që ju dedikova kësaj fushe.

A keni studentë shqiptarë pranë këtij universiteti? 

Z. Perry- Nuk kam të dhëna për këtë, por me siguri që po. Kemi shumë studentë të huaj. Ecën nëpër kampus gjatë vitit akademik dhe të duket sikur je tek kombet e bashkuara, pasi ka njerëz nga mbarë bota këtu.

Në SHBA po zhvillohet fushta për zgjedhjet e ardhshme Presidenciale. Si e shikoni situatën?

Z. Perry- Jam i shqetësuar për disa nga deklaratat që një nga kandidatët për President, Z. Trump, është duke bërë. Ndër të tjera, ai ka sugjeruar se NATO nuk është e rëndësishme. Mbase kjo nënkupton një keqkuptim për të mirat që NATO ka bërë, për disa prej të cilave folëm këtu sot. Shpresoj që nëse do të zgjidhej President i SHBA, Z. Trump do të ketë oportunitetin të ndryshojë pikëpamjet e tij mbi këtë çështje. Nuk kam ndonjë koment tjetër përsa i përket proçesit zgjedhor në SHBA.

Duke përfunduar bisedën këtu me ju Dr. Perry, ç’farë do t’i uronit Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ndodhen?

Z. Perry- Do t’i uroja Shqipërisë që demokracia e tyre të stabilizohet në mënyrë të palëkundur, ekonomia të përmirësohet, dhe njerëzit të jenë të lumtur, të kenë prosperitet e të jenë të lirë. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Kam vizituar dhe udhëtuar nëpër shumë pjesë të vendit. Shqiptarët që kam njohur janë njerëz shumë të zotë, shumë inteligjentë, për të cilët kam një opinion të lartë. Shqipërisë dhe shqiptarëve që kam njohur, i dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta. I uroj një të ardhme të lumtur. Keni kaluar kohëra shumë të vështira në të shkuarën. Nga vendet e Traktatit të Varshavës, Shqipëria në veçanti ka pasur një qeverisje shumë të egër. Por njerëzit janë shumë të fortë dhe të qëndrueshëm, kështu që i keni mbijetuar atyre vështirësive. Besoj se Shqipërinë e pret një e ardhme e shkëlqyer.

Faleminderit Z. Perry!

Faleminderit juve!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste me ish Sekretarin e mBrojtjes, Mimoza Dajci, Z. Perry

Komunitet-Falenderim publik

July 29, 2016 by dgreca

Në emër të organizatës së gruas The Women’s Organizatin “Hope & Peace” falenderojmë Rev. Que English, kandidate për Senatin Amerikan në New York, e cila pak ditë më parë, ishte e pranishme në një nga Gjykatat e New York-ut, për të mbështetur në një proçes gjyqësor një anëtare të organizatës tonë, për problemet që ka ajo në familje. Rev. Que English, shpenzoi disa orë të çmuara të saj derisa ti vinte koha për të dëshmuar pro anëtares tonë. Sigurisht foli pozitivisht për atë, në bazë të prezantimit dhe rekomandimeve tona, që i kishim parashtruar si organizatë, duke i thënë se ajo është një nënë e mirë, e kujdesshme, e shkolluar, e edukuar dhe ka një familje të mirë që e suporton në hallet e saj, Ndër të tjera Rev. English, kishte dëshmuar se zonja që po mbështet është anëtare e organizatës së gruas “Hope & Peace” dhe ka kontribuar për të drejtat e grave dhe fëmijëve pranë kësaj organizate.

Kërkoj ndjesë, por si gjithmonë në kësi rastesh emrat e anëtareve tona nuk i bëjmë publike, për të ruajtur privacinë e tyre. Shpresojmë që çdo gjë të zgjidhet sipas dëshirës së anëtares tonë. Misioni ynë është të ngremë zërin, përkrahur anëtaret tona, sigurisht në mbrojtje të së vërtetës në ato instanca që mendojmë se mund ti vimë në ndihmë.
Faleminderit Rev. Que English dhe suksese në zgjedhjen tuaj si Senatore në New York!
Për organizatën e gruas The Women’s Organization “Hope & Peace”
Me respekt
Mimoza Dajçi

New York

Korrik 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: falenderim publik, Komunitet, Mimoza Dajci

Komunitet-Një Pastore e palodhura në shërbim të komuniteteve

July 3, 2016 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Besojmë se opinioni i gjerë në diasporën shqiptare është njohur tashmë me Rev. Que English, e cila është një nga Pastoret e palodhura në shërbim të komuniteteve për Klerin Katolik Amerikan që vepron në Zonën 36-të në Bronx. Ne shpesh kemi folur e shkruar edhe në shtypin shqiptaro-amerikan për Rev. Que English, e cila është mbështëse kryesore edhe e organizatës së Gruas “Hope & Peace” në New York. Ajo është aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut dhe ka punuar shumë për parandalimin e trafikimit njerëzor në New York. Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Hope & Peace” ndihet e privilegjuar që ecën përkrah kësaj zonje, që përcjell vetëm pozitivitet tek çdo njeri qoftë i ri, moshuar apo fëmijë.
Me rastin e takimit që Rev. English kishte organizuar për të respektuar forcat e rendit në Zonën 47-të në Bronx, nderuan me pjesëmarjen e tyre personalitete të larta të shtetit dhe policisë amerikane në New York, mes tyre edhe Komisari i Lartë i Policisë William Bratton.
Komisioneri Bratton, do ta niste me këto fjalë bisedën e tij në këtë event të rëndësishëm: “Komunikimi mes qytetarëve dhe forcave të policisë është Numër.1, për rendin e qetësinë publike dhe parandalimin në kohë të krimit. Pasi kontaktet, bisedat dhe komunikimet me forcat e rendit shtojnë qetësinë e sigurinë e jetës në çdo zonë të vendit”. Gjithashtu në fjalën e tij ai tha: “Sipas statistikave të kohëve të fundit, krimi dhe dhuna në New York ka shënuar ulje krahasuar me vitet e mëparshme dhe ne dëshërojmë që, jeta të jetë e njëjtë kudo dhe e sigurtë si në Manhattan, Bronx , Queens, Brooklyn e kudo në Amerikë. Njerëzit mos të ndihen të friksuar tha ai, por të lirë të zgjedhin e të jetojnë e punojnë ku të dëshërojnë. Bashkëpunimi dhe komunikimi me ne është Numër.1, për siguri e harmoni në qytet”.
Ndërsa Rev. Que English e quajti si kusht të domosdoshëm vendosjen e urave lidhëse midis policisë dhe popullsisë vendase, gjë që i shërben më mirë kësaj kauze për të mirën e popullsisë, edukimit të fëmijëve nëpër shkolla, kopshte dhe ambjente kulturore e sportive.
Me të njëjtan tone dashamirëse e paqësore foli në këtë konferencë që u mbajt pak ditë më parë në Gun Hill Road në Bronx, pranë Kishës Katolike që drejtohet nga Rev. Que English dhe Rev. Tim English, edhe Shefi i Komosariatit Nr. 47-të në Bronx Ruel Stephenson, Shefja e Community Affairs Joanne Jaffe, Larry Nikunen – Shef i Patrullimit Policor në Bronx etj. Ishte ky një takim i Stacionit Policor me banorët e Zonës 36-të në Bronx dhe personaliteteve të larta të policisë në New York, me rastin e vlerësimit të programeve të ndryshme të policisë që ndihmojnë për një komunikim të mirë mes qytetarëve dhe punonjësve të rendit. Inisiatore e këtij programi ishte Rev. Que Eglish, e cila si gjithmonë me shumë ide në punën e saj për rendin, të moshuarit, të rinjtë, gratë, vajzat e reja dhe fëmijët aplikon dhe zbaton programe me institucione të ndryshme të Shtetit në New York. Moderuan aktivitetin Rev. Que English dhe Rev. Dr. Divine Pryor.
Duhet së pari të vendoset besimi mes qytetarit dhe forcave të rendit u tha në këtë takim të rëndësishëm nga Shefja e Policise NY, (Community Affairs) Joanne Jaffe, ne jemi të ndërgjegjshëm se shumë njerëz nuk duan të kenë të bëjnë me policinë ose nuk na duan, e ne nuk mërzitemi për këtë, pasi kemi plot njerëz që na duan, na respektojnë dhe bashkëpunojnë me ne, e ne e vlerësojmë dhe e mirëpresim komunikimin, bashkëpunimin me banorët, pasi kështu do të kemi një zonë të qetë e pa probleme.
Stacioni Policor me Shef Komisariati Nr. 47-të në Bronx Inspektorin Ruel Stephenson po ashtu ka shënuar ulje të krimit, ai është një stacion shembull policor, ku për çdo fund viti ndan ushqime, gjela deti për banorët në nevojë si dhe mjete didaktike për shkollat përreth zonës. Sipas referuesve u mësua se policia për ti ardhur në ndihmë popullatës ka hartur një sërë programesh me efekt bashkëpunimi, një prej tyre është edhe progami i ri i ofruar edhe nga Rev. Que English, që gjeti zbatim në Rajonin Nr. 47-të të policisë  në Bronx, ku sapo u diplomuan 50 kuadrot e para të policisë për këtë Zonë, të cilët u vlerësuan me medalje respekti e  mirënjohje nga vetë Rev. Que English. Dhe për këtë ajo ndihej shumë krenare dhe e lumtur. Rev. Que Enlgish tani së fundi ka hedhur kanditaturën për Senatore e New York-ut. Shpresojmë të fitojë, kërkojmë bashkëpunim e mbështetje për fushatës e saj elektorale, pasi kemi besim se ajo do ti gjindet kurdoherë pranë komunitetit tonë në New York.
Dhe vërtetë komunikimi është çelësi Nr.1, i suksesit. Mos komunikimi shënon disfatë të padiskutueshme…

Filed Under: Komunitet Tagged With: e palodhura në shërbim, Mimoza Dajci, Një Pastore, të komuniteteve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT