Nga Minella Aleksi/ Fjalët nuk janë magji, por ato mund të funksionojnë si të tilla. Në një tekst fjalët janë shumë më tepër sesa thjeshtë guacka ku shkronjat strehoen. Teksti jo vetëm që është mënyra e dytë më e vjetër e transferimit të informacionit, por nëpërmjet tij i është dhënë pavdekësi ideve që përndryshe do të vuloseshin në një rreth të pafund zbulimi dhe rizbulimi. Tekstet janë disa llojesh ndër të cilët lloji më i veçantë, ai që përcjell emocion është teksti krijues, ku fjalët funksiononojnë dhe tingëllojnë si të magjishme. Është një ndërthurje midis mëndjes së lexuesit dhe shkrimtarit si dhe mëndjes së lexuesit dhe karaktereve në libër. Një shkrimtar i romanit triller e ndërton tekstin përmes dy jetëve paralele – jetën e së vërtetës në botën reale dhe jetën e fantazuar ku veprojnë njerëz të imagjinuar, personazhet. Shkrimtari me tregimin e tij përpiqet që të hyjë natyrshëm në hapësirën emocionale të dikujt që e lexon, e transporton brenda lexuesit atë jetë imagjinare, pasi e ka përjetuar atë të krijuar më parë brenda vetes së vet. Në momentin që vendos fjalë në letër për të evokuar një histori, konsiderohesh një shkrimtar. Por vetëm sepse tregon një histori interesante të vjetër ose të re, nuk do të thotë që shkrimi është i shkëlqyeshëm. Mund të jetë një tekst po aq i mrekullueshëm sa edhe mediokër. Kritika serioze bazuar në talentin dhe aftësitë e shkrimtarëve kreativ dallon dy kategori shkrimesh ose tekstesh, atë të fabrikuar me logjikë dhe tekstin e shkruar me talent.
Shtrohet pyetja: a egziston ky dallim vetëm në mendjen e lexuesit, apo është e mundur që bazuar në diferencat emocionale që shkaktojnë mbi lexuesin të përcaktohet dhe të matet sasia e talentit në të vërtetë?
Në jetën krijuese të artistëve, një nga dikotomitë më themelore, më të bukura e më të magjishme të krijimit artistik është Kaosi dhe Rregulli, përkatësisht Mosnjohja dhe Njohja. Mjeku neuropsikolog Robert Bilder mendon se: “Kreativiteti qëndron në prag të kaosit”.
Realisht nuk është aq shumë që kaosi është mjedisi për krijimtarinë, pasi është që krijimtaria krijon kaos – veçanërisht në ciklin fillestar të proçesit krijues. Prandaj kreativitetin e quajnë fëmija e kaosit dhe arti konsiderohet si fëmija i rendit. Natyrshëm pyetet: talenti është një trashëgimi thelbësore kromozomike nga prindërit e ditur, apo ndoshta vetëm një rastësi e lumtur e instalimeve të duhura mendore? Për studjuesit gjetja e një përkufizimi të qartë të talentit ka qënë diçka sfiduese. Disa argumentojnë se talenti lind me njeriun si përmbajtje gjenetike, ka të tjerë që thonë se është diçka që mësohet dhe disa të tjerë bien dakord që është pak nga të dyja. Mendoj se më afër së vërtetës janë ata që e konsiderojnë talentin si një aftësi e veçantë që potencialisht me shumë punë e çon një individ drejt suksesit. Shumë njerëz besojnë se të shkruarit në vetvete është një talent. Përkundrazi, të shkruarit është një aftësi. Talenti dhe aftësia përshkruhen si veçori njerëzore që lidhen me njëra tjetrën por që saktësisht të njëjta nuk janë. Talenti përmbahet natyrshëm te njeriu, si një cilësi e brendshme që shfaqet pa mundim, ndërsa aftësia është diçka që individi e zhvillon me shumë durim përmes të mësuarit dhe të praktikimit. Mendoj se raporti talent –punë këmbëngulëse gjen shprehjen e qartë në proverbin që shkrimtari Orhan Pamuk e citoni në fjalën e marrjes së Nobelit: “ Kurrë nuk është e qartë nga vjen frymëzimi por sekreti i shkrimtarit është këmbëngulja dhe durimi, ngjan sikur me gjilpërë të gërmosh një pus. Mendoj se është thënë duke pasur shkrimtarët në mendje”.
Disa artistë janë të talentuar dhe punëtorë të palodhur, por shpesh ekziston një mospërputhje midis këtyre dy cilësive. Talenti disa mund t’i bëjë dembelë, sepse ata për të arritur të njëjtin qëllim duhet të mbështeten më pak në punë të lodhëshme . Puna e lodhëshme dhe me durim i ndihmon disa të kompensojnë nivele më të ulëta të talentit, prandaj është mjaft e dobishme të qënurit i vetëdijshëm për nivelet e ndryshme të talentit që çdo krijues zotëron. Shkrimtari Samuel Beckett i nxiste të rinjtë “Provoni përsëri. Dështoni përsëri. Dështoni më mirë”. Shkrimtarëe të talentuar shpesh u bëhet pyetja: çfarë ishte frymëzimi i kësaj apo atij krijimi artistik?. Studjuesit neuropsikolog mendojnë se pikënisja e kreativitetit, frymëzimi i pa përpunuar është kuptimi intuitiv që përcillet drejtpërdrejt nga nënvetëdija e artistit. Është një përvojë ndjesish kaotike përtej kontrollit dhe përtej të kuptuarit të njeriut. Një vorbull verbuese e dritës dhe e ngjyrës, e imazheve dhe e ndjenjave që vjen pak më shumë sesa një kuptim i paformuar, i pashpjegueshëm që nuk perceptohet përmes shqisave tona. Shpesh kjo vorbull imazhesh dhe ndjenjash, shkëndijash idesh, është aq kalimtare te njeriu kreativ sa mezi kuptohet në një nivel të vetëdijshëm. Kreativiteti ka një pikënisje por çfarë bëhet shkak i këtyre vorbullave në nënvetëdijen e artistit dhe pse asnjëherë nuk mund të thuhet me siguri sesi dhe se ku nisi vorbulla. Thelbin kreativ të kaosit teoricienët e “Efektit flutur” e lidhin me rrethanat fillestare influencuese në të cilat një ndryshim i vogël brenda një gjëndjeje sistemi jolinear mund të rezultojë në ndryshime të mëdha. D.m.th, një flutur hap krahët në xhunglën e Amazonës, dhe pas një muaji një stuhi shkatërron gjysmën e Evropës. ” Pra, shumë prej këtyre ideve të egra, fluturojnë larg njeriut, si ëndrrat e mesnatës, pothuajse para se ai të kujtohet se i përkasin, se janë të tijat. Por në raste të një fati të madh, momentesh fatlume, krijuesi e mban marrëzinë magjepsëse para syve të mendjes së vetëdijshme aq sa duhet për ta kapur dhe “burgosur” atë në letër. Në ato momente, ajo që përpiqet të bëjë është të sjelli rregull në kaos.
Për krijuesin këto janë çastet kur është duke marrë gulçimet më të efektshme të mendjes njerëzore dhe përpiqet që ti kufizoj ato brenda fizikalitetit të letrës dhe të bojës. Precipitojnë të kristalizuara në specifika gjithnjë e më të qarta të fjalëve që nën përndezjet elektrike të trurit fillojnë të bëhen personazhe, komplote, struktura, histori. Fillon të futet në veprim mekanizmi balancues kaos-rregull. Pritet arritja e momentit të pashmangshëm, pika e tensionit të harmonisë midis kaosit të krijimtarisë dhe rregullit të artit si kusht për të krijuar të plotë një trillim artistik. Gjetja dhe balancimi i pikës së tensionit midis kaosit dhe rendit është vendi ku të shkruarit kreativ si proçes krejtësisht individual i shkrimit bëhet thelbësor për secilin shkrimtar. Shkrimtari tashmë është i hapur ndaj imagjinatës.
Si cilësi krejt individuale loja magjike me fjalët i jep krijuesit mundësinë të përshkruajnë botën për të tjerët duke qënë krejt i ndryshëm prej tyre. Drejt këtij qëllimi përfundimtar, krijimit të plotë të jetës së produktit artistik, rruga e çdonjërit shkrimtar do të jetë e ndryshme – sepse për secilin krijues marrëdhëniet përkatëse me rendin dhe kaosin janë të ndryshme. Vet shkrimtarët e kanë shpjeguar thelbin e shkrimit si një proçes kreativ që i mbart të dyja anët e medaljes, lumturinë dhe trishtimin, pra si martesa fatlume ose jo midis kaosit dhe rendit. Kaosi është zona ku gjërat janë aq komplekse sa nuk mund të kesh kontroll mbi to dhe rregulli është hapësira ku gjërat janë aq të pandryshueshme sa krijojnë shumë kufizime. Ka një zonë të mesme që merr kuptim shprehës indirekt, e quajtur nga neuropsikologët “momenti i shikimeve kuptimplota dhe i pasioneve të ndrydhura”, një gjëndje ndërmjetëse idesh dhe miklimesh, ku njeriu është pjesërisht në gjëndje stabile dhe pjesërisht kërkues kurioz. Brenda kësaj zone të ndërmjetme zhvillohet pasurimi me ide dhe rritja e arsyetimeve gjykuese. Kur artisti kreativ e ka një ndjenjë kuptimi mbi këtë gjëndje atëhere me vetëdije kupton mirë se gjëndet në perspektivë krijuese të një proçesi të gjatë dhe të vështirë për t’u ngjitur nga nënvetëdija në mendimin e vetëdijshëm njerëzor.
Të jesh i frymëzuar, argumenton Harold Bloom, është një përvojë e çuditshme për krijuesin, një shqetësim plot ankth që atë e bën të pyes veten nëse frymëzimi papritur do ndërpritet apo do të zgjasë. Kurse Percy Shelley e shpjegoi frymëzimin në këtë mënyrë: “Mendja në krijim është si një qymyr që venitet, të cilin një ndikim i padukshëm, si një erë e paqëndrueshme, e zgjon në një shkëlqim kalimtar.” Dhe artisti përgjon veten në kërkim të kuptimit se deri në çfarë shkalle gjëndet i frymëzuar – mos ndoshta thjesht po përpiqet të rikrijoj diçka të shkëlqyeshme apo më pak të tillë që tashmë dikush tjetër e ka bërë?. Shkrimi krijues është një atribut vetjak, përmban aftësi imagjinative me vizione të forta të cilat nuk mund të mësohen në shkollë. Të dy ekstremet, kaosi dhe rendi bëhen një ferr personal për çdo individ që është mbërthyer brenda njërës prej tyre. Pavarësisht se ku shkon, rendi dhe kaosi do të jenë aty dhe puna kyç e shkrimtarit është që këtë ekuacion t’a balancoj siç duhet. Studjuesit seriozë mendojnë se dialektika midis kaosit dhe rendit zë një vënd qëndror në të gjitha shkrimet dhe është përkatësi natyrale konstituive e vet gjuhës. d.m.th të kesh aftësinë që me gjuhën të shfrytëzosh të gjitha kapacitetet magjike që të janë dhënë nga natyra. Sepse nga njëra anë, gjuha është “instrumenti i përshkrimit”, që vepron për të sjellë rregull dhe qëndrueshmëri në perceptim, nga ana tjetër, është gjithashtu “ krijuesja e asaj që përshkruan”, e kapur në një lak auto reference harmonie mungesa e së cilës çon në shkrime kaotike. Virginia VVoolf, në esenë e saj, “Lexuesi i zakonshëm” duke përshkruar Shekspirin, thotë: “proçesi kreativ është sikur mendimi të zhytej në një det fjalësh dhe të dilte hijshëm prej andej, pika pika”. Shkrimtarët e talentuar faktikisht zhyten në atë det me fjalë duke qënë adhurues të gjuhës. Zotërojnë një “vesh të mëndjes” që i lejojn ata të dëgjojnë ritmet e fjalëve dhe rrjedhën e mendimeve të shtrira në fjali si notat në pentagram. Ky “vesh i mëndjes” mungon te ata që të shkruarit e kanë zanat. Zanat mund të mësohet në auditore, zhvillohet dhe aftësohet me shumë punë. Talenti si dhunti e lindur nuk mësohet në auditore.
Kritiku amerikan Harold Bloom është i pa ekuivok kur në librin e tij “Anatomia e influencës” shpjegon se, në një moment influenca prej autorëve të mëparshëm përfundon, edhe pse ndonjëherë është shumë e fuqishme. Ai beson se burime influencuese të madhështisë së vërtetë letrare ka shumë pak. Shumë njerëz kandidatë potencial të talentuar lexojnë romane të llojit romancë apo romane policorë, lexojnë letërsi kujtimesh, etj., ndihen të frymëzuar prej tyre – por ata janë potencialisht të frymëzuar vetëm për të krijuar respektivisht më shumë romane romantikë, policorë, letërsi kujtimesh etj, ndërsa letërsinë e shkëlqyer trilluese janë fare pak që e shkruajnë dhe një numër i vogël lexuesish që kanë receptivitet adhurues për të. Bloom përfundon se, pa asnjë dyshim, e vërteta është që artistët e mëdhenj frymëzohen nga lart, jo nga poshtë. Mikelanxhelo citohet të ketë thënë: “Madhështia e artistit matet me horizontet e tij. Unë pashë eëgjëllin në mermer dhe e gdhënda derisa e lashë të lirë”.
Lidhur me temën që autori zgjedh të trajtojë dhe sasinë e talentit që një artist zotëron mendoj se përgjigjen e jep përcaktimi i qartë i bërë nga filozofi Arthur Shopenhauer: “Talenti godet një shënjestër që askush tjetër nuk mund ta godasë”. Ndërsa për nivelin më të lartë të talentit thotë: “Gjeniu godet një shënjestër që askush tjetër nuk mund ta shohë”.
Besoj se duhet mbajtur mirë parasysh se çdo individ ka kufijtë vetjak të vizionit imagjinativ gjë që për secilin përbëjnë kufijtë vetjakë perceptues të botës. Madje janë këta kufij që përcaktojnë edhe zgjedhjen e temave që artistë të ndryshëm trajtojnë në krijimet e tyre artistike. Temat më të mira letrare eksplorojnë natyrën njerëzore në një nivel universal.
Në këtë kontekst mendoj se vlen të sjell një shëmbull që ka të bëj me romanin fitues të konkursit të Ministrisë së Kulturë. Fjalën e kam për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” me autor Sokrat Medi. Si roman fitues e lexova dhe me gjykimin tim vlerësova të drejtë vendimin e Jurisë. Njohës i psikologjisë dhe sjelljes njerëzore shkrimtari prodhon motive dhe në tekst i kanalizon ato në mënyrë sekuenciale. Toni e ruan atmosferën dramatike nga që shkrimtari punon bukur me fjalën. Materiali historik është transformuar në tregim me talent artistik ku trajektorja dramacitet/tension e mban lexuesin në shinën e saj. Me intuitën e “veshit të mëndjes” e ruan ritmin e fjalëve dhe rrjedhën e mendimeve duke e bërë leximin të këndshëm. Autori ka një sens të zhvilluar në vendosjen e një balance të mirë midis kaosit kreativ dhe rendit, formës dhe përmbajtjes, gjë që është shprehje e kultivimit të stilit të tij original.
Mendoj dhe nuk hezitoj aspak që të them se ky shkrimtar me këtë tekst të shkruar me talent e ka goditur shënjestrën. Shija letrare është individuale dhe nëse për mua shigjeta e këtij autori e ka goditur, ndoshta në rrethin e 8 shënjestrën, për të tjerë mund të jetë ndryshe. Por mendoj se duhet të jem afër gjykimit objektiv sepse edhe vlerësimi i Jurisë të lë këtë përshtypje.
Por cilat janë qasjet e kritikës ndaj shkrimit kreativ dhe atij të shkruar me logjikë? Kjo pyetje më sjell në mend një dukuri që shpalos dy aspekte në kulturën shqiptare, gjatë dekadave të sistemit komunist dhe në dekadat pas përmbysjes së tij. Në 100 vjeçarin e fundit vendi ynë ka pasur mjeshtra të përkthimit në shqip dhe studjues shumë të aftë në fushë të gjuhësisë. Interesante është se deri më 1990 përkthyesit në shqip dhe studjuesit e shqipes megjithë kapacitetet që zotëronin nuk kapërcyen në fushën e krijimtarisë si shkrimtarë të romanit trillim. Shkrimtarët dhe poetët që kanë përkthyer janë shtyrë nga pasioni ose të detyruar nga nevoja e marrjes së një rroge. Çfarë i mbajti të frenuar për të mos kaluar në krijimtari artistike mirëfilli?. Mendoj se kanë qënë shumë të vetëdijshëm për një arsye logjike. Një përkthyes është së pari dhe mbi të gjitha një lexues i mirë. Përkthyesi nuk është shkrimtar i romanit trillim. Përkthyesi dhe studjuesi i gjuhës zotërojnë kulturë të përgjithëshme dhe gjuhësore për tu admiruar. Ata kuptonin shumë mirë një gjë se, dituria në të vërtetë mbahet statike në trurin e njeriut. Ndërsa imagjinata, “aseti” i shkrimtarit të talentuar, rrjedh, lëviz përpara gjatë gjithë kohës në një proçes ku kreativiteti i rrezaton padurueshëm trillet e krijimtarisë artistike. Kur Ajnshtajnin e pyetën mbi dijen dhe imagjinatën dha këtë definicion: “Imagjinata është më e rëndësishme sesa dija. Sepse dija është e kufizuar në gjithçka që ne aktualisht dimë dhe kuptojmë, ndërsa imagjinata përfshin të gjithë botën dhe gjithçka të saj që ndonjëherë do të ekzistojë për t’u njohur dhe kuptuar nga ne” Ndryshe nga ata të vetpërmbajturit e mëparshëm, disa përkthyes në shqip dhe studjues të gjuhës të këtyre 30 viteve të fundit janë hedhur në detin e krijimtarisë. Mbarëvajtja dhe vlerësimet në përkthime e studimet gjuhësore duket ua ka rritur dozën e vetërëndësisë dhe ua ka “nxjerrë turpin” duke bërë që të botojnë romane dhe vëllime me tregime. Përfundimisht mendoj se kanë rezultuar dobët ngaqë tekstet e tyre dallojnë si tekste të fabrikuar me logjikë. Duke pasur edhe taraf mediatik e shoqëror, me shumë bujari nga kritikët konformistë u bëhet publicitet me bollëk e për librat e tyre thuhet me zë të lartë se do mbesin gjatë në letërsinë shqipe. Në një vend me popullsi të vogël reputacioni i njerëzve që ushtrojnë artet krijohet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt sesa në vendet e mëdha.
Kur kritikët pyeten lidhur me prurjet letrare në letrat shqipe nga vet kritikët jepet përgjigjja klishe: te ne mungon kritika serioze. Kjo përgjigje përmban në vetvete një të vërtetë që nuk i përjashton ata vet nga kjo mungesë serioze. Nga ana tjetër janë po këta që për çdo botim të një miku apo mikeshe nuk mungojnë të shkruajnë: Ky libër për vlerat që mbart do të mbetet gjatë në letrat shqipe. Nëse dikush do më pyeste për një model të një shkrimi kritik harmonik nën këndvështrimin e balancës kaos-rregull, pa asnjë ngurrim do përmendja parathënien e shkruar nga Z. Matteo Mandala në korpusin e veprës së shkrimtarit Kadare.
Teksti i Z. Mandala përmban në vetvete cilësitë e një shkrimi kreativ ku linja e qartë e kompozimit, interpretimi kuptimor i ideve të shkrimtarit, ambiguiteteve, metaforave, gjuhës artistike, tiparet më të spikatura të stilit të autorit, shprehen me mjeshtërinë e një kritiku shumë të përgjegjshëm në atë çka ka marrë përsipër që të bëj. Vlera estetike e interpretimit kuptimor të tekstit qëndron në arritjen e një ekulibri optimal midis detajeve të rëndësishme dhe rendit estetik cilësi këto të një kritiku dhe esteti me aftësi të admirueshme.
Balanca në mes kaosit dhe rregullit është një koncept universal.
Pyetjes se çfarë qëndron midis rendit dhe kaosit i jepet përgjigje e thjeshtë: Inovacioni njerëzor. Romancieri Vladimir Nabokov vlerësonte se origjina e krijimtarisë, e inovacionit njerëzor në shkallën dimensionale të botës ekziston si një vend delikat takimi midis imagjinatës dhe dijes, një pikë e arritur me zvogëlimin e gjërave të mëdha dhe zmadhimin e gjërave të vogla, proçes thelbësisht inovativ.