FORCOHEN RAPORTET NË DREJTIM TË ASPIRATËS PËR NJOHJE-
-“Roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është tepër i rëndësishëm, ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, organizata këto që Kosova aspiron të jetë pjesë e tyre”, tha kryeministri Hoti/
-Kryeparlamentarja Osmani ka falënderuar Greqinë për mbështetjen, duke shpresuar që ajo të konkretizohet me njohjen formale të shtetit të Kosovës/
-“Me Greqinë na lidh edhe miqësia e përbashkët me SHBA-të, e cila është element i jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin themeleve të forta të marrëdhënieve tona”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 9 Tetor 2020/ Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, sot në mëngjes u prit me ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
“Me Greqinë na lidh edhe miqësia e përbashkët me SHBA-të, e cila është element i jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin themeleve të forta të marrëdhënieve tona”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla, ndërkohë që takimin zyrtar me homologun grek e zhvilloi në mesditë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
KRYEMINISTRI HOTI: ROLI MBËSHTETËS I GREQISË PËR KOSOVËN ËSHTË TEPËR I RËNDËSISHËM
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, kryesisht në fushën ekonomike, si dhe procesin e dialogut final ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është tepër i rëndësishëm, ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, organizata këto që Kosova aspiron të jetë pjesë e tyre”, tha kryeministri Hoti.
Po ashtu, kryeministri Hoti dhe ministri Dendias u zotuan në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në fushën e energjisë.
Ministri Dendias, duke e falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen, theksoi se Greqia mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe në begatimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
KRYEPARLAMENTARJA OSMANI KA NJOFTUAR MINISTRIN GREK DENDIAS PËR KONSTITUIMIN E GRUPIT TË MIQËSISË ME GREQINË
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani sot u takua me ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Zonja Osmani ka falënderuar Greqinë për mbështetjen, duke shpresuar që ajo të konkretizohet me njohjen formale të shtetit të Kosovës.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet të të dy vendeve, me fokus të posaçëm në sferën e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit.
Për më tepër, u diskutua edhe për zhvillimet në fushën e dialogut dhe procesin e integrimit evropian, me ç’rast falënderoi Greqinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave.
Kryetarja Osmani theksoi se Kuvendi i Kosovës ka përcaktuar vijat e kuqe në raport me dialogun me Serbinë.
Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për situatën me menaxhimin e pandemisë, efekteve të saj si dhe vështirësitë ekonomike.
Më tej, kryetarja e Kuvendit ka shfaqur interesimin për zhvillimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe në këtë kontekst e ka njoftuar ministrin grek për konstituimin e Grupit të miqësisë me Greqinë.
MINISTRJA HARADINAJ-STUBLLA: FORCOHEN RAPORTET MIDIS DY VENDEVE NË DREJTIM TË ASPIRATËS PËR NJOHJE
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, pasi i shprehu mirëseardhje në Aeroport, ka zhvilluar në Ministri një takim shumë miqësor dhe produktiv me homologun e saj grek, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar tema të rëndësishme për raportet midis dy vendeve, domosdoshmërinë për forcimin dhe avancimin e tyre, sidomos në sferat e interesit të përbashkët, por edhe çështje politike me ndikim në rajon.
“E kuptojmë pozicionin e Greqisë ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është një arsye shtesë përse jemi të interesuar në zhvillimin dhe avancimin e raporteve tona ekzistuese. Natyrisht, ne do të mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e Kosovës, mirëpo jemi të përkushtuar t’i forcojmë raportet eksizstuese, si dhe t’i thellojmë në drejtim të duhur”, i tha Ministrja Haradinaj Stublla homologut të saj.
Ministrja Haradinaj-Stublla kërkoi nga homologu i saj që Greqia si një vend me ndikim jo vetëm në rajon, por edhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të ndihmojë qartësinë e objektivit final dhe afatit kohor nën lehtësimin evropian të dialogut Kosovë – Serbi, me qëllim të zgjidhjes përfundimtare që nuk mund të jetë më pak se njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.
“Marrëveshja e Uashingtonit për Normalizimin Ekonomik me Serbinë e lehtësuar nga SHBA-të dhe Presidenti Trump është një hap i madh drejt zgjidhjes finale. Kjo marrëveshje mbi të gjitha është hap i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit, prandaj si Kosovë jemi të përkushtuar për të përmbushur të gjitha pikat e saj dhe presim që edhe Serbia do të implementojë zotimet e saj karshi SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës”, shtoi Ministrja Haradinaj-Stublla.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Greqisë ka falëndëruar homologen e tij për mikëpritjen e veçantë, si dhe ka mirëpritur angazhimin e shtuar të Kosovës për të zgjeruar dhe shfrytëzuar momentumin politik për rajonin, dhe për dy vendet tona, për të fuqizuar dialogun ekonomik dhe tregtar dhe në veçanti jetësimin e projekteve energjetike sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, që në të ardhmen pritet të jenë edhe një lidhje tjetër e rëndësishme mes Kosovës dhe Greqisë. Ministri poashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë në jetësimin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe në përgjithësi për drejtimin Evropian të Kosovës.