-Ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar/
UASHINGTON, 22 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Në Uashington, ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në zbatimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.Përfaqësuesit e Bankës Botërore falendëruan ministrin Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështejtje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat tanimë janë aprovuar nga qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.
Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin e Termocentralit Kosova e Re, për çka Banka Boterore ri-konfirmoi zotimin për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi.Po ashtu u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioroitetet e qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final.
Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu mori pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombetar Monetar dhe në Bankën Botërore.
Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me “Global Partnership For Social Accountability”.Delegacioni nga Kosova gjatë vizitës në Uashington dje u takuan me Zëvendëspresidentin e Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhang, me Drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN Paul Thomson, si dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Konstituencës së Kosovës Michaela Erbenova.Në të gjitha takimet, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar përgëzuan Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës për zbatimin me sukses të të gjitha reformave që lidhen me rishkimin e dytë dhe të tretë të programit.Gjatë takimit gjithashtu u bë e ditur se për të përmbyllur me sukses këtë program janë edhe dy masa që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, riklasifikimi i veteranëve të luftës sipas Ligjit të ri, si dhe amandamentimi i Ligjit për invalidët e luftës.Ministri Avdullah Hoti prezantoi idenë e nisjes së një programi të me FMN-në pasi të përmbyllet programi ekzistues. Ky program i ri do të ishte shumë i rëndësishëm për të ruajtur rezultatet e mira që janë arritur në zhvillim ekonomik dhe punësim dhe stabilizim të buxhetit, si dhe për të thelluar më tutje reformat ekonomike dhe sociale. Me këtë rast, zyrtarët e FMN-së ishin të hapur për këtë mundësi, duke u pajtuar që diskutimet të vazhdojnë në Prishtinë.Gjatë këtyre takimeve në veçanti u diskutua pakoja e re fiskale, për të cilën Qeveria ka punuar intenzivisht në muajt e fundit. Gjatë diskutimit Ministri Hoti theksoj rëndësinë e kësaj reforme në avancimin e kushteve të të bërit biznes në Kosovë, si dhe promovimin e punësimit dhe prodhimit vendor./b.j/