• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirëmëngjesi i bukur i tenorit Rruzhdi Karaj

January 24, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
Ishte mirëmëngjesi më i bukur i thënë ndonjëherë në korridorin e gjatë të një shkolle fshati, ku nxënësit kokrra-kokrra po futeshin nëpër klasa. Mësimi kishte filluar prej një jave; qe data 6 shtator. Unë e përshëndeta ftohtë, punë drejtori, mos më keq. Nini nxori kokën te dera e klasës për të parë se ç’ishte ai tenor i luajtur mendsh që ia dha ashtu në mes të korridorit, kur mësimi gati fillonte. Edhe Lushi që i rrinte pas Ninit në çdo hap që hidhte, shpërtheu në të qeshurën që askush s’mund ta dinte se nga i vinte. Rrufe për së kthjellëti dukej ai «mirëmëngjesi» me kolonë të zgjatur tenori. Ishte koha e rrushit në Qereshnik dhe pikonte kudo musht. Madje edhe kjo përshëndetje e Rruzhdiut na u duke se erdhi nga vreshti.
Sigurisht ne prisnim të na vinte një mësues muzike, por ishte «thelë mbi bisht» të kishe Rruzhdiun. Priste të pranohej një ditë në Konservator, por përpjekjet si duket do të ishin të kota. Kjo hamendje do të dështonte një ditë dhe Rruzhdiu do të fillonte më në fund në Institutin e Lartë të Arteve. Aria e tij do të ishte e njëjtë me mirëmëngjesin e ditës së parë që shkeli në Qereshnik, fshatin e bejlerëve të dikurshëm, por me refrenin «fitova, fitova!»
Po prisja Rruzhdiun, gati një muaj pasi kishte filluar Institutin. Erdhi i qeshur, i këndshëm, i dëshiruar të dëgjonte ç’do t’i thosha. Iu afrova dhe me zë të ulët i thashë se gjithë kolektivi po priste të shkonim bashkë në restorant. Vërtet? Klithma e Rruzhdiut ishte prej tenori, asaj klithme të bukur ne kishim filluar t’i faleshim përgjithmonë. Pasditja do të ishte e rrallë. Nini Haxhistasa, Pote Kuçova, Vangjel Dollani, Fani Bilero, Kristaq Sinjari, ngrohnin duart në zjarrin e të qeshurave. Aty buronin barsoletat më të bukura, të paktën kështu na dukej ne. Dikush e pyeti Rruzhdiun se çfarë mbante mend nga Qereshniku dhe ai, pa e zgjatur, na tha se e vetmja gjë që mbante mend ishin bletët e Pote Kuçovës dhe mjalti që ai e shtronte në sallën e mësuesve në qershor. Aq mjaltë s’besoj se do të kem rast ta shoh gjatë gjithë jetës sime. Dhe Potja: Epo, bukuri, ta paska rregulluar zërin mjalti i bletëve të mia që fitove shkollën e lartë…
Ne ishim ende në Qereshnik kur Rruzhdiu filloi punë në teatrin e Operas dhe të Baletit. Tenor. I ri, ndonëse flokët mbi ballë i qenë rralluar. Tani këndonte ariet e mëdha dhe arriti të bëhej një nga këngëtarët e mëdhenj të Operës shqiptare. Dukej sikur qe rikthyer në atdhe, pa qenë ndonjëherë i larguar, se i besonte aktrimit të mësuar në shkollë, vokalicave që bënte, ku dukej se këndonte në një hapësirë të pamasë, diku nën strehën e një kapele, Berliozin, Hendelin , Çesk Zadenë, Tonin Harapin. Për këtë u ktheve? – e pyeta kur u takuam një mbrëmje rastësisht. Jo, po të kërkoja, më tha paksa i ngrysur. E pse? Ai heshti pak. E gjej dot Poten? E di që ka ikur, por pasionin e bletëve duhet ta ketë. Me siguri, ashtu mendoj edhe unë, iu përgjigja. Rruzhdiu lëshoi padashur një psherëtimë të zgjatur. Kam një gërvishtje zëri. Ia pashë vështrimin se si i lëvizi me një tronditje të fshehtë. Ka ndodhur gjë? Jo, jo, çne!
E lamë të takoheshim të nesërmen paradite para teatrit. Gjeta Poten dhe bisedova me të për punën, bletët, shëndetin. Qeshëm, se me të vetëm mund të qeshje. Pas Qereshnikut ai sikur ishte bërë tjetër njeri. Të gjithë ia dinin sekretin dhe askush s’bënte dot majë që ta pyeste. Erdhi dhe Rruzhdiu. Ia përkëdheli veshin Potes me «mirëmëngjesin» si një tenor i vërtetë. Kishte mbetur si një kod midis nesh dhe pat marrë trajta humori, sepse secili e bënte në mënyrën e vet. Pote, filloi Rruzhdiu, më duhet patjetër qumësht blete. E për çfarë, o djalë? Pyetja tipike e Potes, që s’merrej vesh ku e kishte mendjen. Tani ishte kthyer në shtëpi Potja ynë dhe mbyllej brenda. Thoshin që mendohej për një kohë të gjatë për zhvillimin e arsimit shqiptar. Se nga ishte gjetur kjo formulë askush nuk e shpjegonte dot, por ama harresa e tij pas kësaj pune meditative, po bëhej shkak i një hutese të gjatë.
U ulëm në kafe. Për çfarë po mendohej tenori ynë i madh? Për ndonjë «kasaphanë» lirike që luhej diku mbi kokat tona, apo për ndonjë urdhër, sidomos prej atyre që se si jepeshin nëpër tym? Rëndom Rruzhdiu e humbte pusullën që atëherë kur ëndërronte të fillonte Konservatorin, por si për çudi këtë e merrnin si kokëngjeshjen e duhur artistike dhe mjaftonte që ai të fillonte ushtrimet e mëdha e të bukur, si një filigran zëri të punuar sigurisht me dorë, nuk prekej më prej askujt, gjersa vinte çuçurima e pasditeve, ku shpërthente a capela e zogjve që se si mblidheshin rretheqark shkollës, ndoshta për t’i bërë shoqëri. Dikush çukiste në vetëdijen e artistit të madh, ngrihej sipari shpejt e shpejt e me babëzi që kufizohej me ca të vërteta eprane.
– Pote, më duhet patjetër qumësht blete. Si mund ta gjej?
– Pse?
– Kam gërvishtje zëri. Po bëj një muaj. Kam pirë vezë të freskëta, megjithëse mezi i gjej të uruarat!
– Dhe ato të ndërmendin Qereshnikun, ë?
– Po, s’e fsheh, ma sjellin ndër mend.
– Epo, po e solle atë fshat në kujtesë, s’do të kesh probleme!
E shihja Rruzhdiun me vëmendje. Një gotë me rehani me ngjyrë ari para, në dorën me gishtërinj të gjatë. Gishtërinj pianoje. Po ç’lidhje kishin ata me zërin e tij të kulluar? Tani qe tenor i madh, me zë të mahnitshëm me timbër të jashtëzakonshëm që mund të tingëllonte dikur Javës së Shenjtë, fatsin e papritur, por që do të kthehej befas në tragjik. Jo thjesht tragjik se luante opera tragjike. Edhe sot i kam parasysh buzët e tij të holla dhe ironike. A vuanin ato buzë? Nuk e di dhe s’kam për ta ditur kurrë. Sytë e tij shprehnin kaq shumë gaz sa duket krejt e pabesueshme. Një pabesueshmëri e hidhur dhe e ngrirë. Herë-herë i vija re një hutim si të tremb­ur. Nga se mund të buronte ky hutim? Deri vonë do ta shihja se ky vinte nga një nënvetëdije e pataksur. Kur nuk dëgjohej aria e Rruzhdiut, dikur në korridoret e shkollës së fshatit, heshtja prej varri bëhej një monotoni vrasëse. Dhe e shihja Rruzhdiun që vraponte te mensa e kooperativës dhe gëlltiste vezë të freskëta teksa i shihte njëherë pas vrimës së bërë me dy gishta, në dritë të diellit.
– Domethënë ti do qumësht blete? – e pyeti Potja.
Ai nuk u përgjigj, por tundi kokën lart-poshtë.
– Unë vet nuk kam, se nuk mbaj më bletë. I kam prishur, pasi kam projekte të tjera. Por do të gjej sot, pa merak.
– Faleminderit, – pëshpëriti Rruzhdiu. – E kam të domosdoshme, ndryshe puna trashet keq. Edhe këtë zë të bekuar kërkojnë të ma marrin!…
E pashë me vëmendje. M’u bë sikur po thoshte se s’mund të këndonte më. Ç’ishte ajo thënie e zvargur fjalësh, si me pëshpërimë, tani në fund? Ai ishte në kulm dhe befas një gërvishtje e trembte?…
– Ç’thua, Di! Ne do t’i gjejmë edhe bletët, edhe mjaltin, edhe qumështin e bletëve. Të premtoj dhe mos harro se ke ardhur tek unë.
– Jo, nuk harroj. Të gjitha shpresat tek ti i kam…
Ai u përfshi në bisedë. Kureshtja jonë kërkonte të dinte për udhëtimet jashtë, për diplomat, çmimet, koncertet dhe operat e shfaqura kudo që kishte shkuar.
– Nuk kam shkuar me operat. Vetëm me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
– Njëlloj është? – e pyeti Potja.
– E si qenka njëlloj. Po të shkosh me opera, pastaj… çmime të tjera… oferta… Më mirë lëre këtë temë!
Pote Kuçova (Sport Kuçova) ia gjeti atë që kërkonte. I pat thënë se ajo plaçkë s’mund të blihej. Kur përmendje fjala çmim krijohej një klimë shumë e ftohtë. Por Potes këto bishtra i pëlqenin. Madje Potja i dha edhe dy vazo me mjaltë origjinal, sigurisht jo prej atij që mund të gjeje në treg. Që mund të gjeje në treg! O Zot! E ç’mund të gjeje në treg? Më mirë të rrije mbyllur në shtëpi. Por shtëpia sikur të hante. Atëherë duhej të sajoje festa! Kjo ishte porosia e Vangjel Dollanit, i cili trembej vetëm nga një kalarí: Kostandin Bojaxhiut. Më sillet në kujtesë një çast kur Rruzhdiu këndonte në sallën tjetër dhe Koçi hapte dhe mbyllte gojën me një stil profetik. Ne kujtonim se do të këndonte si shoqërues, siç bënte Nini Haxhistasa me zërin e saj të mrekullueshëm, e cila pasohej nga të qeshurat e befasishme të Engjëllushes. Këto ishin mbrëmjet magjike të mësuesve ku vetëm Shuaip Zoto rrinte mënjanë, duke menduar se kujt t’ia ngopte me letrat e tij të çmendura anonime! Nganjëherë në këto festa tregonin barsoleta, qeshnin e gajaseshin, duke mbajtur në duar nga një gotë rakie që u derdhej ngapak. Jashtë mund të binte shi dhe dyshemeja e sallës sonë të mësuesve sikur donte të largohej prej nesh. Kur i tekej Rruzhdiut për të kënduar shkolla tundej si të ndodhte tërmet dhe fjalët e këngës treteshin ngadalë. Asaman o trëndafili çelës. O Zot çfarë zëri magjik. I ngrohtë, i tejdukshëm. Ngjethës. Tmerrësisht i bukur dhe i ngjyrosur me një pah të kumbshëm dhe madhështor që të trondiste fort. Pastaj i ndizte fjalët, duke mbajtur në dorë urat e një zjarri shumë të fortë, si për t’i djegur aty me përvuajtje krejt origjinale dhe një amshim të kulluar shpirti.
Një muaj më vonë u takuam përsëri. Jam mirë, më tha. M’u hoq edhe gërvishtja. Mrekulli, hë? S’di si t’ia shpërblej Potes. Më vjen zor. Por… Dua të gjej sërish qumësht blete dhe mjaltë nga ai… origjinali i Potes. Ta kem. Ku i dihet… Më bëri merak me këtë lloj tensioni në kërkesë. Pata një lloj dyshimi dhe e hoqa vështrimin prej tij. Hunda m’u duk si më e hollë. Edhe buzëqeshja sikur i hante mënjanë. Sytë e tij të flaktë m’u dukën me një ndriçim të mekur. Ndërkohë po më tregonte për jetën e re familjare: apartamenti, gruaja, fëmija, dhembjet e forta të mureve. Po, po, dhembjet, nuk tallem. Se… njerëzit tek ne s’kanë dhembje, apo jo! Muret po. Ato s’kanë gojë.
Potja, si gjithnjë i përpiktë. Nuk harroi t’i thoshte se këto s’duhen përdorur pa kriter. Andis të bëjnë mirë, të kthehen sandraç pastaj! Sindozot një fqinja ime. Piu lëng hidhësi për stomakun dhe e hëngri. Lëng hidhësi? – pat pyetur Rruzhdiu. Një shoqja ime e pi për kumbim zëri. Po, ta forcon, shtoi Potja. Ta bën si tel çeliku. Mua më pëlqen që ta forcoj zërin, qeshi Rruzhdiu. Kjo është e qeshura që mbaj mend më shumë. M’u duk si i mbetur fillikat, një e qeshur e rrokëzuar, e përndarë dhe si britma habie të tjetërsuara e që mbeteshin pastaj pezull. Rruzhdiu veç të tjerash ishte dhe djalë i bukur dhe nëpërmjet saj i jepte një dimension tjetër të qeshurës. M’u duk atë çast se ky dimension nuk ekzistonte më. Mos vallë ngaqë doja të ruhej përjetësisht përshtypja fillestare?
Nuk u takuam më. Pas një viti mora vesh për vdekjen e tij. U dha lajmi në televizion. Erdhi trupi i tij nga jashtë. U bë varrimi. Kaloi një kohë tjetër e ndërmjetme ku s’dallohej më asgjë. Buzëqeshja e tij, talenti i madh, zëri i ngrohtë dhe aq lirik sikur shpërthente çdo çast brenda vetes sime. Më rrinte mendja atje. Dhe me një përtymje të tillë u gjenda përballë Potes. Ta mendosh, më tha i trishtuar. Se Potja dinte të ishte edhe i trishtuar. Hall i madh. Sot kam vendosur të shkoj në varrezë, tha. Do vish? Dhe shkuam të dy. Fjalët e humbasin kuptimin e tyre kur shkohet në varrezë. Po në varrezën e fjalëve, mendova, a shkohet ndonjëherë. Po kënga, a ka varrezë? Jo, kënga s’vdes kurrë. Për të vetmen gjë që s’ka varrezë. Jo, s’ka mundësi. Po ta këndojë ndonjë nga ata që… jo që e vdes, por e shuan me biná! Fotografia e tij e qeshur dhe e bukur ishte mbyllur në mermer. M’u duk se dikush sapo kishte qenë aty. Ndihej aroma e një gruaje.
Në kthim ecnim përsëri pa folur.
– Ku po shkojmë? – pyeti Pote Kuçova.
– Te kafja ku ndenjëm herën e fundit me Rruzhdiun.
Shikonim njëri-tjetrin të pikëlluar. Pikëllimi ka një cilësi të çuditshme, bashkohet me të ftohtën. Mund të jetë ngjyrë e ftohtë, zë i ftohtë, buzëqeshje e… Jo, buzëqeshje, jo. Nuk ka buzëqeshje të ftohtë. Mund të ketë buzëqeshje të ngrirë, po, e besoj. Nuk e di pse ai ende e ruan buzëqeshjen tronditëse dhe si të mekur, që ia pashë ditën e fundit që u takuam së bashku. Një buzëqeshje dhe tingëllimë zëri që dukej si e rënë nga vakti. I tillë qe Rruzhdi Karaj? Kurrë! Po, mund të thuash se e përbuzte zërin e rënduar, të bërë me zor, që me siguri jepte paraqitja prej burri elegant dhe një talent aq i madh si ai…

Atë ditë më feksi fytyra e tij e mprehtë e mjaft shprehëse, me mollëza pak të dala, me sytë plot dritë, me një shprehje që së largu dukej tallëse dhe menjëherë sapo afrohej bëhej e çiltër, tjetërsoj, rrezatuese dhe përfshirëse. Dukej nganjëherë se lazdronte me fjalët dhe melodinë, timbri i tij vibrues, ajo goja e tij të jepte shkas që të ndillje afsh joshës, ngrohtësia e dhimbshme e zërit të tij të pakrahasueshëm të përqafonte si një vështrim i përjetshëm, depërtues dhe me nota të një ironie që bëhej menjëherë e dashur dhe që përcillte emocion të veçantë.
I them vetes çdo mëngjes atë «mirëmëngjesin» tij të papërsëritshëm dhe thuajse çdo ditë kërkoj për të gjetur CD e këngëve, arieve dhe melodive ku është zëri i papërsëritshëm i këtij tenori të madh…

Filed Under: ESSE Tagged With: i tenorit, Mirëmëngjesi i bukur, Rruzhdi Karaj, Xhevair Lleshi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT