Shkruan:Prof.Murat Gecaj/
Ne Foto:Dila, me motrat Bushi, këngëtare të mirënjohura kosovare…/
Kur po udhëtonim, nga Tirana për në qytetin e Shkodrës, plot tradita edhe në fushën e kulturës e arteve, me kryetarin e Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, Av.Gjin Niklekaj e bashkëshorten e tij, Bardhën, mendjen e kishim te shfaqja festive, që do të jepej në pragun e festive të fundvitit. E ftuar nderi aty do të ishte këngëtarja e mirënjohur e Bashkësisë Shqiptare në Nju Jork e më gjerë në Amerikë, Dila Gecaj. Për atë, nuk do të ishte i panjohur mjedisi, ku do të jepej shfaqja festive. Kështu, një vit më parë, pikërisht në fundin e dhjetorit 2014, Dila ishte e ftuar nga kjo Shoqatë, bashkë me miken e saj, Lindita Gjoka, gjithashtu këngëtare e njohur shqiptare, në Athinë.
Kur mbërritëm në mjediset e Kinoteatrit të bukur “Blu Sky”, ndër të parët, takuam Dilën. Ajo po përgatitej me kujdes për shfaqjen. Por, megjithëse gjatë jetës ka marrë pjesë në sa e sa koncerte, në pamjen e fytyrës së saj vërej njëfarë emocioni, i përzier me kënaqësinë, se do të këndonte në një mjedis me dhjetëra e qindra bashkatadhetarë të saj, disa të ardhur edhe nga Kosova. Ajo ishte e kënaqur që aty po i takonte prapë pjesëtarët e ansamblit artistik të “Nikaj-Mërturit”, ndër të cilët ishin: udhëheqësi artistik i shfaqjes Prekë Mrishaj, këngëtari i mirënjohur Zef Beka, tri motrat këngëtare Bushi, nga Kosova dhe artistë të tjerë.
Kur kishin dalë në skenë interpretuesit e parë, moderatorja Alma Mehmeti i njoftoi pjesëmarrësit e shumtë në shfaqje, se do të interpretonte këngëtarja Dila Gecaj, e cila një ditë më parë kishte mbërritur në Shqipëri, nga Amerika. Sakaq, salla shprtheu në duartrokitje, duke shprehur kështu kënaqësinë e secilit. Ashtu, si shpesh herë në shfaqjet e saj, ajo kishte veshur rroba të bukura popullore. Alma e përqafoi atë përzemërsisht dhe iu drejtua të pranishmëve: “Tani, këndon Dila Gecaj!…” Sakaq, pranë saj zunë vend vajza kërcimtare, të veshura me rroba të popullore të krahinës. Gjithashtu, përpara shihje disa vogëlushë, me rroba popullore, që e shoqëronin atë, me lëvizjet e tyre të shkathëta.
Kënga e parë, që interpretoi Dila, mbante titullin “Isha i ri, kur u mërgova”. Prandaj çdokush, që e dëgjoi atë, përjetoi emocione të veçanta, ndoshta edhe lotoi, pasi kjo këngë u kushtohet qindra e mijëra djelmoshave, të cilat ndër vite u detyruan t’ua kthejnë shpinën prindërve ose nuseve, Atdheut të tyre e të marrin udhët e botës, për një jetesë më të mirë. Me duartrokitje të forta u shoqarua kënga tjetër e saj dhe mjaft e njohur, “Bishtalecat palë-palë”. Me interpretimin e veçantë dhe timbin e bukur, Dila bëri që dikush të shprehej: “Me zërin e saj, po më kujton Luçije Milotin…”. Ndërsa të tjerë uruan, me dashamirësi e vlerësim për të: “Të këndoftë zemra, Dila Gecaj!” Sigurisht, ajo u shprehu atyre falënderime e mirënjohje.
Në fund, shtojmë se kjo këngëtare është edhe vjershëtare. Kështu, emrin e saj e kemi parë shpesh në faqet e shtypit shqiptar, në Nju Jork e Boston, por dhe në Shqipëri e Kosovë. Kohët e fundit, disa vjersha të saj i ka tubuar në librin me titullin “Nuset e gjarpërit”.
Në mbyllje, i urojmë këngëtares e poetes Dila Gecaj, sa më shumë suksese në udhën e saj të artit e krijimtarisë letrare!
Dhjetor, 2015