• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirupafshim, Prishtinë !

November 14, 2017 by dgreca

eglantina

NGA EGLANTINA MANDIA /

Prej kohësh e kam pritur takimin me Prishtinën, si një ëndërr apo zhgjëndërr. ai ka qenë pjesë e pandarë e vetvetes. Ka gjëra që nuk shpjegohen asnjëherë, rrënjët i kanë në themelet e honeve të thella të shpirtit njerëzor, si në bazamentin e një ndërtese, që ngre katet një e nga një.

Vite e vite të shkuara, u nisëm nga brigjet e liqenit të Shkodrës, një delegacion nga Lidhja e Shkrimtarëve; Dritëro Agolli, Shefqet Musarai, Zija Çela, Helena Kadare dhe unë.E kaloja për herë të parë në jetë kufirin me Malin e Zi.

Liqeni kishte atë ngjyrën e plumbtë, ngjyrën e fjetur të përgjumur të ujërave në fund të vjeshtës, kur nisin shirat. Shavarët e shelgjet përkulnin ballin. Zogjtë e vonuar iknin të trembur në shtegtime të largëta.

E ne qëndronim në kufijtë e TOKËS, të lashtë përtej lashtësive.

Në anën tjetër të kufirit prisnin, Shkrimtari i njohur kosovar Nazmi Rahmani dhe poeti i ri Sabri Hamiti. Shiu na pengonte të shihnim fytyrat. Ai binte aq i dendur, si të donte ta bënte më të gjatë hapësirën e shkurtër, ku hidhnim hapat drejt njëri-tjetrit. Ishte e pamundur të fiksoje njeriun në atë rrjetë të dendur shiu. Fytyrat rrëshqisnin nëpër ujë si shtatore të ngujuara. Vetëm kur u afruam fare pranë, kur kaluam KUFIRIN dhe shtrënguam duart e njëri-tjetrit, mbushur me një ndjenjë plot dhimbje e dashuri të thellë vëllazërore, vetëm atëherë menduam se do të qemë edhe ne po aq të zbehtë, të lagur nga shiu e të malluar, të dy palët të sforcuar në buzëqeshjen tonë të ngrirë nga akujt e Jutbinës, mot stërmoti.

Ajkuna ishte dhimbja e madhe e ndrydhur në kullat e Jutbinës. Ajkuna ishte pritja e gjatë pa mbarim. Priste Mujin, priste të birin. Ajo e donte kreshnikun dhe kishte frikë për të birin. Diçka janë të afërta këto Ajkunat e Lugjeve të Verdha. E bora e madhe rëndonte ahet e çetinat për t’i thyer. Njeriu ngrinte në atë akullnajë. Ishte me të vërtetë dimër i madh, si dimri i Jutbinës i Shqipërisë e i botës. Kosova vlonte në luftë. Këto mendime më shoqëruan gjithë ditën deri në mbrëmje, kur befasoi Prishtina me formën e zgjatur në hapësirë, dhe reklamat e HOTEL GRAND PRISHTINA.

Këto po mendoja atë mëngjes (që, për çudi, kish të njëjtën datë, 27 tetor 2017), kur vraponim plot gëzim në një udhëtim privat me motrën time Edith dhe dy mbesat, Shqipe e Liri, në autobusin urban PRISHTINË-TIRANË.

Katër orë rrugë në autostradat tona moderne, pa kaluar fare male të larta të thepisura dhe kufij me pasaporta…

Kjo qe mrekullia vetë.

Prishtina me afër se Shkodra dikur!?

Më kish marre malli sa s’thuhet për miken time të shtrenjtë, Sanije Gashin, së cilës iu luta të na rezervonte dy dhoma në GRAND.

Sanija me takt, si përherë, tha se nuk ish GRANDI si dikur.

Unë nuk e harroja se reklamat vetëtitëse së largu të atij hoteli, ishin grishja e parë e Prishtinës, për ne të përtej largësive, ku na ndante vetëm një vijë e hollë kufiri, si të qenë telat me gjemba të një kampi të madh përqendrimi.

Ishte dhimbje e jashtëzakonshme të copëtoje jetën e një Kombi në atë farë feje.

Po ne të katërta ishim shumë të gëzuara që po shkonim në një ditë të bukur me diell, me urban, në Prishtinë.

Prishtinasit e donin shumë diellin, apo gjeneralin e mirë diell, siç e quante motra ime, Edi. “Gjenerali” na qëndroi besnik i mirë, në ditët e Prishtinës. Na ngrohu shpirtin e zemrën.

Prishtinën asnjëherë nuk mund ta shohësh të tërën, ngaqë ka konfiguracion kodrinor. Veçse Diellin e gjen kudo. Që nga Arbëria, Dardania, Kodra e Diellit.

Sanije Gashi, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, ishte edhe ndryshimi më i bukur, i atij takimi të përmalluar.

Kultura unifikon.

Rrugët shkurtojnë distancat, që të mos ketë më ndarje me lot në sy.

Koha ka punuar për ne, që pamë tmerret e luftës gjenocide dhe mbijetesën e pavdekësisë, të një shpirti më të thellë se oqeanet e detet, ku morën njerëzia arratinë nga sytë këmbët.

Takimi u bë në hotel grand Prishtina.

Sanija erdhi së bashku me vajzat e saj, Rina e Nera, vajza të thjeshta, plot finesë, mençuri e hijeshi. Dy BUKURI TË RRALLA. Vajza sa moderne aq edhe tradicionale, bashkëpunëtore e botuese të Revistës më cilësore në Ballkan, “TEUTA”

Çdo prind do të ishte krenar, po edhe miq të vërtetë, përjetësisht, do ta mbanin ballin lart.

Motra e mbesat e mia u miqësuan menjëherë dhe e ndien veten si në shtëpinë e tyre.

Prishtina i rrëmbeu në krahët e saj të butë gjithë dhembshuri.

E ne dolëm nëpër rrugë, si të qemë takuar prej vitesh.

Asnjëra nuk po e besonte se në orën 7 të mëngjesit të asaj dite ishim në stacionin urban të autobusit Tiranë-Prishtinë, e në orën 2 po hynim në shëtitoren e Prishtinës.

E bukur është Prishtina, sidomos në mesnatë, veçanërisht kur lulëzon bliri. Po edhe të dielave, herët, kur nuk ka qarkullim, kur mund të bësh një shëtitje për qejfin tënd, mbushur me imazhe dielli e zëra fëmijësh të gëzuar e çamarroke është ajo shëtitore-ai shesh rrethuar me restorante, prindër të rinj të kujdesshëm prapa makinave lodra, sheqerxhinjve, gështenjapjekësve, akulloreve e librarive.

Në Prishtinë lexohet e blihen librat, veçanërisht ata që tregojnë të vërtetën lakuriqe të jetës.

Shiten edhe librat e Sanijes, në dy gjuhët, shqip dhe anglisht. “Histori të tmerrit,1998-1999, Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”, dhe “MONOGRAFI UNIKE – PRISHTINA”.

Për këta libra Sanija mori titullin e lartë, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, për të cilin as që ka dëshirë të flasë.

Ajo beson si çdo krijues serioz, që libri e bën rrugën vet, jeton krejtësisht i pavarur nga autori.

Rrugëtimi ynë vijoi edhe të nesërmen. Dielli nuk na u nda për asnjë çast. Që nga Memoriali i Heroinave, Universiteti, Biblioteka, ku dhuruam edhe ne, ardhacaket, ca libra.

Nuk e dinim dhe as e merrnim me mend, kur bëmë ca foto tek Memoriali i Heroinave, që Sanija ish bërë një zë i fuqishëm i atyre që heshtnin, ajo pati ngritur zërin për një shtatore (një pllakë përkujtimore në shenjë nderimi për gratë e përvuajtura, që përjetuan Luftën 1998-99.)

Të paktën një herë në vit, të përkulemi para dhimbjes së GRUAS, për t’i dhënë një fllad shpirtit të lënduar, me pak imazhe dielli!

Edhe ne u larguam nga Prishtina, mbushur shpirtin me imazhe dielli, falur miqësisht nga Prishtina. Kjo qe edhe:  “LAMTUMIRA PA LAMTUMIRË”.

MIRUPAFSHIM, PRISHTINË!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglantina Mandia, Mirupafshim, Prishtine

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT