Nga Driton SMAKAJ/
Pas një debati privat rreth mjeshtërisë dhe stileve të shkrimit, po ndaj një mendim, publikisht, me ju. Nuk është kritikë kundër askujt, nuk është vlerësim e as ç’vlerësim i ndonjë stili të shkrimit, është thjeshtë një mendim mbi laramaninë shprehëse, që, natyrisht është kjo laramani, që e pasuron artin e shkrimit në përgjithësi.
Disa zgjedhin që në stilin e tyre të shkrimit të kenë përshkrime përkëdhelëse, romantike e të ëmbla. Psh:
-Isha pranë dritarës, shikoja lulet që vallëzonin nën melodinë e zogjëve…e ty të pashë tek kalove pranë rrugës, more shikimin tim dhe unë sikur hyra në vallen e atyre trëndafilave, të mora edhe ty me vete në një vallëzim hyjnor…sytë tanë u ndeshën në një shikim pa ndalim. Në brendi ndjenim diçka shpërthyese, një përvëlim që shkrinë diamantët…sytë i mbyllëm dhe buzët u ndeshën, era u ndal, lulet kthyen shikimin drejtë nesh. Një shi rrëbesh shpëtoi shpirtërat që donin të shpërthenin në vullkan… –
Ky stil i shkrimit ‘shitet’ mirë tek masat e gjëra, sepse njerëzit ‘problemet’ e dashurisë, ndjenjat në rritje e në rënie, i kanë një rutinë jetësore.
Sidomos, sa shumë janë të ndikuara masat e gjëra shoqërore me telenovelat e gjata të Amerikës Latine apo serialet turke.
Pastaj, disa duan të futën në fraza filozofike, që kanë më shumë se një kuptim, kanë më shumë dimensione dhe kërkojnë më shumë përqëndrim dhe mendim. Psh:
-Nuk është kjo botë e rrumbullakët siç na mësojnë në shkolla. As Zoti nuk është ai që na thotë hoxha e prifti. Ngjyrat kurrë nuk kanë ekzistuar derisa nuk erdhi drita, por disave drita ua vërboi sytë. Ata u bënë njerëz të mirë nga frika dhe frika i mbante të dukeshin edhe të hareshem edhe të ndershëm…derisa një ditë u bënë pushtetarë…-
Ky stil i shkrimit është më dimensional, ka vend për lexim mes rreshtave, është më i vështirë për trurin, kërkon përkujdesje në mbyllje, përndryshe lexuesi e humb fijën, ndoshta autori e ka të kjartë cakun, por autori duhet ta ket parasysh lexuesin, andaj përmbyllja duhet të jetë më e kapshme dhe sa më e logjikshme.
Po e marr një shembull nga filozofia jonë popullore e odave, e që shumica e njerëzve nuk e kapin thelbin e tregimit:
-Një plak shkon ta takon mikun e tij. Kur arrin te shtëpia, takohet me një djalë të ri: ‘A e ke babën aty’ e pyeti plaku. ‘Jo, por fol se të ndihmoj unë’ përgjigjet djaloshi. Plaku mendon pak edhe i thotë: ‘Mirë pra, mi ziej dy vezë në ujë të ftohtë, kur të kthehem i marr me vete’ dhe plaku vazhdoi rrugën-
Në këtë tregim, pothuajse të gjithë lexuesit dorëzohen, nuk e kuptojnë aspak përmbylljen e tregimit dhe shpesh lexuesi e nënvlerëson stilin e tillë kur nuk e kupton, sepse i bëhet një presion i mosdijës. Do të duhej të ishte e kundërta, sepse ky stil i shkrimit ngjallë nevojën për të menduar, për të deshifruar ato çka në të vërtetë tentohet të thuhet.
Disa autorë tjerë bëjnë përshkrime realistike, pa fraza të gjata dhe melankolike. Ky stil i shkrimit është lehtë i kapshëm dhe lexuesi nuk lodhet gjatë leximit. Mirëpo këta autorë, bëjnë shumë kujdes në thurje të skenave, kanë një strukturë shumë të avancuar të kurth-ngritjeve dhe të ngjalljes së kureshtjes për lexuesin, fshehin enigmat që të shtyejnë deri në rreshtat e fundit.
Psh:
-Ai ishte veshur nën petkun e diplomatit, por e dinte mirë që ishte në një vend armik dhe strukturat e sigurimit do ta ndjeknin hap pas hapi. Doli nga ambasada dhe priste taksinë që kishte porositur. Për sigurinë e tij shikonte në të gjitha drejtimet se mos vërente ndonjë njeri që sigurisht do të mund të ishte punëtor i sigurimit të shtetit. Për çudi nuk vërehej askush, taksi arriti para këmbëve të tij, ai hyri brenda dhe shikoi edhe njëherë për-rreth, por prapë nuk kishte njeri, nuk donte të besonte. U qetësua në ulësen mbrapa dhe në pasqyrë e pa fytyrën e buzëqeshur të shoferit. Një buzëqeshje iu ngjallë edhe ‘diplomatit’ në fytyrë, ai e kuptoi që shoferi i taksisë ishte njëkohësisht edhe punëtor i sigurimit të shtetit-
Për të konkluduar, ky vështrim i imi është si rezultat i asaj që unë kam vërejtur gjatë leximit të autorëve të ndryshëm vendorë dhe të huaj. Laramania është pasuria e madhe e njerëzimit.
Megjithatë, vepra të mëdha dhe të vlerave të veçanta ofrojnë ata autorë që krijojnë një vepër letrare, jo duke menduar në numrin e ekzemplarëve që do të blihen nga masat e gjëra popullore, por duke menduar të shkruaj diçka që do mbetet një shkrim me ndikim në mendjet e atyre që kexojnë, të mbetet një shkrim që ofron diçka më shumë, më ndryshe dhe që shtjellon pjesë të rëndësishme të shoqërisë e që kanë nevojë për përmirësime, duke ofruar drejtëpërdrejtë apo tërthorazi edhe alternativa për zgjidhje e për ndryshime pozitive.
Personalisht i inkurajoj të gjithë që të shkruajnë, sepse dëme nga shkrimet nuk ka. Edhe ata që shkruajnë tmerrësisht keq, e japin një kontribut të veçantë në botën e shkrimit dhe leximit.