• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A E DINI?- Si u ndërtua Monumenti i Çerçiz Topullit me kontributin e shqiptarëve të Amerikës ?

March 31, 2015 by dgreca

Ideja për ndërtimin e statujës së Çerçiz Topullit u dha, që kur ai ishte gjallë, nga shqiptarët e Amerikës, në maj të vitit 1908, në gazetën “Kombi”, që botohej në Boston, më pas gazeta Dielli, që zëvendësoi Kombin dhe që nisi botimin me 15 Shkurt 1909, disa here u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht gjirokastritëve, që ta mbështesinin këtë projekt për të nderuar heroin Kombëtar.
Më pas në gazetën “Labëria” të Gjirokastrës, më 11 korrik 1925, në nr. 13, ku thuhej: “Pyesim bashkinë tonë ç’bëhet për statujën që do t’i ngrihesh të ndjerit Çerçiz Topulli?”
Populli i Gjirokastrës për të nderuar dëshmorin e kombit dhe për dashurinë e respektin që kish për të vendosi që me çdo kusht të ngrinte statujën e tij. Këtë nismë e mori Xhevat Kallajxhiu, drejtor i gazetës “Demokratia” të Gjirokastrës. Ai më 19 shkurt të vitit 1928, organizoi një mbledhje për këtë qëllim, në sallën e kinema “Ideal” të qytetit, ku merrnin pjesë shumë qytetarë gjirokastritë si dhe të ftuar nga qytete tjera të Shqipërisë.
Z. Xhevat Kallajxhiu, duke hapur mbledhjen tha: “Çerçiz Topulli është një glorie për qytetin tonë, i cili në kohën kur Shqipëria vuante nën thundrën e osmanëve, me pak trima bëri që malet e Shqipërisë të oshëtijnë nga zëri i nacionalizmës shqiptare që sapo zgjohesh nga apioni i një robërie pesë shekullore. Ai luftoi si hero dhe vdiq si hero. Na takon detyra që emrin e Çeços, i cili ështe simbol patriotik i ndritur për gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht për Gjirokastrën, ta jetësojmë në një mënyrë të prekshme e t’u tregojmë brezave se edhe qyteti i shpatajve pati trimat dhe dëshmorët e tij për idealet e kombit.”
Në këtë mbledhje u vendos për ngritjen e statujës së Çerçizit dhe, me propozim të z. Xhevat Kallajxhiu, u krijua komisioni i posaçëm, i përbërë prej këtyre zotërinjve: Beso Gega, kryetar, Galip Çano, nënkryetar, Vasil Lito, Aleks Çaçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Haderi, Bame Mezini; Xhevat Kallajxhiu, sekretar-arkëtar.
Komisioni lëshoi një thirrje drejtuar popullit të Gjirokastrës.
Nisma e marrë për ngritjen e statujës së Çerçiz Topullit prej popullit të Gjirokastrës qe një vepër respekti dhe dashurie për birin e tij, për sakrificat e tij për lirinë e Shqipërisë. “Populli i Gjirokastrës ishte shumë i kënaqur për këtë vepër të lartë dhe kudo bisedohej me gjallëri në shtëpira e lagje, në zyra e kudo…”, do të shkruante gazeta “Tribuna” në Bukuresht, më 1 qershor 1928.
Statuja do të ngrihej me fondet e qytetarëve të Gjirokastrës. “Brengat e shtetit të ri shqiptar nuk e lejuan qeverinë që të kontribuonte në këtë vepër simbolike…” Do të deklaronin zyrtarët e lartë. Gjë vërtet e çuditshme, kur parlamenti mblidhej për të caktuar rrogat e ministrave dhe deputetëve, apo të ardhurat speciale të familjes mbretërore, kur vetëm një princeshe i caktohej kuota 100.000 fr. ari në vit.
Në këtë mbledhje u hap edhe fushata e ndihmave, realizimi me sukses i së cilës dëshmoi gatishmërinë e gjirokastritëve për këtë vepër madhështore, si edhe patriotizmin dhe vlerësimin e lartë që kishin për bashkatdhetarin e tyre hero.
Të gjitha shpenzimet u përballuan nga gjirokastritët. Në pamundësi të shënojmë këtu listën e gjatë të emrave, po përmendim vetëm disa prej tyre: Hirësia e Tij, At Mehmet Lutfi, i teqes Kajquzez të Misirit, nga familja e Lamkajve të Dunavatit dërgoi 400 fr. ari. Hirësia e Tij, At Sulejmani, dha 240 fr. ari. Zotërinjtë Fejzi Alizoti, Remzi Kadarea, Zyhdi Karagjozi, Elmas Haderi, Sami Karagjozi, nga 200 fr. ari; zotërinjtë Aleks Caci, Bilal Topulli, Mersin Sejdo, Xhevdet Xheneti, Foto Tola, Vasil Lito e Reuf Fico, nga 100 fr. ari, etj., etj.
Me këtë nismë vrapuan të shoqërohen edhe gjirokastritët e mërguar në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Të organizuar në shoqërinë “Drita”, ata kontribuan me rreth 1500 dollarë.
Komisioni u lidh me skulptorin e ri, Odise Paskali, i cili mori përsipër skicimin, projektin dhe realizimin e monumentit të heroit, në Torino të Italisë. Monumenti do të derdhej në Bronx, me një lartësi 2.70 m., dhe do të kushtonte 8.000 fr. ari. Piedestali prej mermeri do të bëhej 2.60 m. i lartë dhe do të kushtonte 3000 fr. ari. Kështu, monumenti do të kushtonte gjithsej 11.000 fr. ari.
Skulptori Odise Paskali, në saje të dëshirës së lartë për të kontribuar në këtë ndërmarrje fisnike dhe mjeshtërisë së tij, arriti të realizojë një vepër me vlera të larta aristike dhe edukative.
Realizimi i monumentit, në atë kohë paraqiste edhe vështirësitë e punës, mbasi skulptori Odise Paskali punonte në Torino. Kështu u deshën 6 vjet për ta kryer atë. Koka në gips u dërgua në Gjirokastër për të marrë pëlqimin e komisionit, në janar të vitit 1932. Piedestali prej mermeri u porosit në Korfuz dhe kushtoi 31.000 dhrahmi. Nën kujdesin e z. Jani Papallopulli, monumenti përfundoi në nëntor të vitit 1933 dhe erdhi nga Torino në Sarandë.
Teknikët për ngritjen e monumentit u sollën nga Korça. Ngritja e piedestalit iu ngarkua arkitetktit italian, z. Vitalino Poselli. Komisioni vendosi që inaugurimi të bëhesh më 28 ëntor 1933, por dolën vështirësi të tjera për transportin, doganën, pagesat e punëtorëve e deri te miratimi nga qeveria i vendit të ngritjes së monumentit.
Për inaugurimin e monumentit u krijua një komision tjetër, i cili mori masa të gjithanshme për të festuar me madhështi ditën e 18 marsit të vitit 1934, ditë në të cilën u përurua monumenti.
Sheshi para bashkisë dhe për rreth saj, rrëzë e sipër Kalasë qe mbushur plot me njerëz. Përpara monumentit qëndronin autoritetet civile e ushtarake, kryetarët e feve, nxenësit e shkollave, një togë xhandarësh, paraushtarakë dhe përfaqësues të prefekturave e bashkive të krahinave të tjera.
Në ballkonin e bashkisë kishin zënë vend të afërm të familjes së Topullinjve dhe fisit të tyre. Z. Beso Gega, në emër të komisionit të posaçëm të përmendores, I dorëzoi kryetarit të bashkisë statujën e dëshmorit. Kryatari, z. Sami Kokalari, falënderoi komisionin dhe zbuloi statujën dhe, pasi banda muzikore e qytetit ekzekutoi Himnin e Flamurit, mbajti fjalimin e rastit. Në emër të familjes Topulli, falënderoi z. Masar Topulli. Të gjitha fjalimet e oratorëve u pritën me duartrokitje dhe brohoritje nga populli. Një grup djelmoshash të veshur me kostumin kombëtar hoqën valle, duke kënduar këngën “Te Rrapi në Mashkullore”.
Në emër të qeverisë mbretërore, që përfaqësohej nga prefekti, z. Siri Leskoviku u vu tek monumenti një kurorë. U vendosën më shumë se dyzet kurora. Shquheshein, ajo e bashkisë së Gjirokastrës dhe e bashkive të qarkut dhe katundeve të Dropullit. Pastaj bashkia priti vizitat e autoritetevve dhe të popullit.
Me këte rast, shumë intelektualë, të rinj, poetë e shkrimtarë thurën shkrime e poezi kushtuar Çerçizit. Mund të dallojmë ato të Petro Markos, Jahja Govaçit, Ramiz Harxhit, Nestor H. Mukës, Sterio Spasses, Telo L. Dilos, Ethem Haxhiademit, etj.
Bajo Topulli

KENGE POPULLORE PER ÇERQIZ TOPULLIN

Dunavat një rrëzë mali

Dunavat 1) një rrezë mali
Ç’bën, moj, mos të mori malli,
Për ata të di luanë,
Çerçiz Topullin me armë
Për Çeçon e për Zenelë 2),
Zenel Bejkua me penë,
I bënte shumë limerë,
Për ushqim e xhephanenë,
Shkëmb më shkëmb, ferrë më ferrë,
I gjen Çeçua kurdoherë,
Bashkë me Mihal Gramenë.

Ç’thonë për këtë sene?

-Ç’thonë për këtë sene?
-dolli komita e re,
dolli komita nashtinë,
Çerçiz Topulli në brinjë,
Mihali me Hito Habilë
Vranë bimbash turçelinë.
Ç’i bënë plane të fortë,
Te huqumeti në portë,
Ç’e vranë, hallall u qoftë!
Dy revole mu në kokë.

Ergjëri në kasaba

Ergjëri në kasaba,
E ç’domuz bimbash u vra,
Kush e vrau axheba?!
Çerçizi me vasilta.
Tek i dhanë temenanë:
– Prite, o bimbash, i thanë.
Çerçizi, përtej në Xanë 3),
Në huqumet vë nishanë,
Copë-copë ia bëri xhanë.

Dolli shkurti, ryri marsi

Dolli shkurti, ryri marsi,
Gjirokastër u vra bimbashi.
Nga Janina vjen mazapi,
Në Mashkullorë, te Rrapi 4).
Te Rrapi, në Mashkullorë,
Foli Çerçizi me gojë:
– Mylazim-o, hiq taborrë,
Lëri djemt e mi të shkojnë,
Do t’ju kuq kokën me bojë!

Do ta mbush Rrapin të vrarë

Proto marsi, në të hirë,
Asqer nga Janina vijnë,
Në Mashkullorë, në brinjë,
Rrethosnë fshat’ e xhaminë
Lidhnë pleqt’ e parësinë:
– Komitat-o këtu rrinë!
– Vallahi, që ne s’i dimë!
Në sabah e ndaj të gdhirë,
Zunë borit’ e po bijnë:
Panë komitat që dilnë.
Zabiti vuri dylbinë,
Njohu Zenon e Çerçizë.
Mu te Rrapi, më të dalë,
Hodhë bataren’e parë,
E goditnë Hajrullanë.5)
Dhe Çerçizi tha dy fjalë:
– Vërtet Hajredin’e vranë,
Por hakën s’ja le pa marrë,
Në mazapë e në xhandarë,
Do ta mbush Rrapin të vrarë!
Lule, Çerçiz Topulli,
Vulose për Shqipëri.
Shënime: 1-Lagje e Gjirokastrës.
2-Aktivist i lëvizjes së çlirimit kombëtar, që ka ndihmuar çetën e Çerçizit.
3-Breg në anë të sipërme të rrugës që të shpie në Gërhot.
4-Pas vrasjes së bimbashit turk në Gjirokastër, forca të mëdha ushtarake erdhën nga Janina, për të ndjekur çetën e kryengritësve, të cilën e rrethuan në Mashkullorë më 1908.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: Monumenti i Cerciz Topullit, Shqiptaret e Amerikes

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT