Libri “Mos dënimi i krimit është krim i ri”, nga prof. Thanas L Gjika përmban artikuj, ese, biseda e kujtime që vijnë nga dy kohë e dy botë të ndryshme. Autori i njeh mirë. Libri i tij ngjan me një kove me uje që i hidhet nga ballkoni njerezve poshtë të cilët përgojojnë. Ata duhet të heshtin ose të largohen nga vendi ku janë mbledhur, apo të dënohen, thotë Gjika. Dhe e ka fjalën për ata të cilët e shtyjnë sot Shqipërinë nëpër rrugë të baltosura drejt moçaleve. Përgjegjësitë, drejtësia, morali ku janë? A mjafton vetëm fjala e lirë?, pyet Gjika.
Profesor Thanas Gjika, prej vitesh në mërgim në SHBA, është autor i shumë librave si “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e re”, “Mihal Grameno – Jeta dhe Vepra”, “Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut”, “Për Shqipërinë e popullit”, etj. Në librin “Mos dënimi i krimit…” në kapitullin Kujtime, Gjika tregon sesi i erdhi turp kur pa babain e tij duke punuar në kanal për një pagë për bukën e gojës. Atëherë ishte viti 1961, në Korçë, dhe autori, nxënës shkolle s’i kishte kaluar të 16-at. “Në mbrëmje babai më pyeti: Pate turp ti që unë punova për të pastruar kanalin? Unë si i turpëruar ula kokën dhe nuk u përgjigja. Ai vijoi: Puna ndershme nuk është turp.”
Këto ishin këshillat që u jepte fëmijëve ky prind, Ligori, i cili kishte parë shumë. Deri në Amerikë kishte vajtur, dhe ishte kthyer në Korçë ndoshta jo me para shumë, por me shumë urtësi që jeta në mërgim ia kishte mësuar.
Në ato vite të vështira kur Shqipëria sundohej nga diktatura e tmerrëshme, ish-vatranët në Korçë, shkruan Gjika, mblidheshin e kujtonin me nostalgji Amerikën dhe uronin njëri tjetrin: “Hajde me një paqe dhe u hapshin udhët!” Udhët për ku? Dhe sytë i kishin nga Amerika, ku kishin kaluar vite të bukura. Me këtë urim, shkruan autori, ata tregonin se nuk pajtoheshin me izolimin dhe frymën e rëndë që kishte pllakosur Shqipërinë.
Por do të duheshin të kalonin shumë vite që diktatura të shembej, jo si pasojë e urimeve a dëshirave, por më tepër nga pesha e rëndë e vetes.