• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRPJEKJE BIZANTINE TË KARA ARAPËVE PËR TË DEGRADUAR KOL IDROMENON

September 8, 2020 by dgreca

Pamflet nga  Kolec P. Traboini-

-Foto: Motra tone Nga Kole Idromeno-

 Studiuesit bizantolog e zograf Kara Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky soj Arapi. Menduam se ai u squll, u zgërlaq e këndell diku me pantallona të shkurtra dhe e mbylli squpin me të cilin birbilonte si më e bukura qyqe behari.  Mirëpo e kishim harruar proverbin “Prej arapit pjell arapi- lesh arapi”. Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Kara Mustafaj e ka bërë lesh arapi, nis e shtrohet gërhana e Arapes tjetër. Kjo fare studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.   Sulm zulmin e saj kjo Dr. Arapja e ka lëshuar kundër  Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh të kara Arapëve. Kjo përpiqet që nga kuzhina e Arapëve të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”? Kjo turr e vrapja kryekreje  i bën dalje atyre që e kritikonin Kara Mustafa Arapin  me këto fjalë:  “…disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr.  janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Kara Mustafait, por edhe kësaj Arapes tjetër me doktoratë, që gjasat janë të jenë një familje. Punë e tyre. Ajo që na vë në mendime është, pse ky sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane  me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” Dikush mund te thotë se është mendimi i saj. Po është mendimi i saj, por si Kara Mustafai dhe kjo Arapja tjetër janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Kara Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”.  Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta. Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një  pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim,  por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”. Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se Kara Mustafaj nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin  “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë Kara Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi: “…dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.” E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi,  përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare. E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e jetës së tij.  Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, …dhe sa më shpejt sigurisht. Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e  tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!


Filed Under: Analiza Tagged With: Kol Idromeno, Kolec Traboini, Motra Tone

Një replikë për hamendësimet mbi vepren e Kolë Idromenos, Motra Tone

June 9, 2018 by dgreca

Nga Pjerin Sheldija/*1 PjerinShënim paraprijës:Jemi afër nji vjetorit të artilullit, në “Gazeten Shqiptare”, të z. Mustafa Arapi. Të them të drejten, prita se për këtë problem do të pergjigjej dikush tjetër, por deri tash, HESHTJE. (E kjo e damshme). E kam lexue disa herë pergjigjen të cilen e kam shkrue nji ditë mbas shkrimit në Gazeten Shqiptare të datës 1 qeshor 2017 (pra 2 qeshor 2017), e tue e peshue me njiqind kandarë, e tue e diskutue edhe me kolegë, shoh se s´jam gabim e s´mundem me heshtë, pa i dalë Zot me këtë shkrim Kolë Idromenos e së vërtetës artistike të punës së tij madhore.

1 Motra Tone

MOTRA TONE

  1. Mustafa Arapi, të më falish për pergjigjen që s´po mund të rrij pa ta dhanë.

Jam Pjerin Sheldija, piktor nga Shkodra, plak, por faleminders Zotit, punoj ende.

Lexova, natyrisht, me kureshtje shkrimin apo intervisten tande në Gazeten Shqiptare të datës 1.6.2017. Ishte diçka, jo vetëm e papritun, absurde dhe dashakeqe që në titull, por mbasi e lexova deri në fund, mbeta ngusht, se gjithçka që ti mbron, janë fyemje për figurën e Kolë Idromenos, për artin shkodran e shqiptar e për historinë e tij.

Pashë në atë faqe gazete, nji perçmim për figuren e madhe e të parë të pikturës realiste shqiptare, sikur ti nuk don që ti mbetet  vendi i parë këtij autori, që ti ja zhdukë atë me nji të ramun lapsi.

E PARA: … don apo s´don ti, merita asht e tija, që, në atë kohë, në këtë qytet të lashtë, u hap një epokë e re në pikturë. Nuk mund t´i ikim nji të vertetës që këtu, në Shkodër, zanë fill plot „të para“ si : ndeshja e parë e futbollit, mjeshtri i parë i „jareve“ të vueme në pentagram (P. Kurti), banda e parë, çfaqja e parë teatrale, shtyllat e para të letersisë shqiptare (4 B-të e mëdha), opera e parë, ekspozita e parë, çfaqja e parë filmike, fotografia e parë, etj….etj…

Më fal, do të ma quesh për mendjemadhësi, sigurisht.

Mendjemadhësi jo, por krenari po, se për këto gjana, Shkodra e ka ballin nalt. Dielli me shoshë nuk mbulohet e Kolë Idromeno me të mirat e të mbetat, si çdo njeri, asht nji diell në pikturen tonë. Vetë fakti që ti e krahason me dy vepra tjera, jo të njëjtës gjini, asht jo pa qëllim, e percaktimi i tyre si „pa mjeshtri“ e „naive“, flet për qëllimin jo të mirë, aq ma tepër prej nji piktori, rastauratori e studiuesi të artit (ose, kjoftë larg, nga padija).  Por gjithçka asht kjartësisht e dukëshme, në të kundërten e tezave tueja, hamendjeve tueja apo dëshirave tueja.

Ndër të tjera, ti thue nji budallallek: „Kolë Idromenon….ta krahasojmë me kolegët bashkëkohorë në Itali…“

A thue edhe Italia ka ndejë pesë shekuj në terr, …. që ne na u zhduk çdo gjurmë kulture?

Çka prite ti, që Kolë Idromeno të përqafonte, menjiherë artin modern që po lulëzonte n´Europë?

Duhej të vehej themeli me realizmin, se ishim „tha“ për te, e Idromeno, në kohën e tij, ishte i pari e i vetmi që edhe temat religjioze i trajtoj me frymë dhe elemente kombëtarë dhe realistë.

Çuditem: Si nuk ke pritue me ”lodhë trunin” e me gjetë hamendsime si: „Duhet të jetë bërë nga një mjeshter; OSE: i kanë çuar foton në Itali, OSE: ka shkuar e motra atje, OSE: ka ardhë mjeshtri në Shqipëri.“

Pyes: A thue, as me e kopjue prej fotografisë, nuk paska kenë në gjendje (i ngrati Kolë) sa me çue foton jashtë?

A MUND TË HIDHET POSHTË IDROMENO, ME TRI PSE?

Jam me ty, kur thue se s´asht „MIT“; por ama asht nji e vertetë historike dhe konfrontimi, që ti mundohesh t´i bajsh të trija veprave, hedh poshtë, vetë pretendimet tueja. Me këtë “sensacion”, ti ulë vehten se, si duket, drita e këtij dielli „të vret sytë“ dhe e sheh me gjyslykë të zez, të mendjes. Nuk po flas për pasaktësinë e Luvrit, (përsëri një budallallek): „ U bë në Luver restaurimi, por ka ndryshue vepra“.

Pyes: Pse fuen Luvrin? Si mundet Luvri me tjetërsue nji vepër, cilado kjoftë?

Atëherë, çka paska pritë me ba Luvri mbi ata mijra e mijra vepra që ka në gji??? Edhe këtë e mbron?

Skjaroj: Se në Akademinë e Venecies ka ndejë pak muej dhe tri vjetë pranë nji studios private. Për këtë shih çka kanë shkrue të tjerët (monografi apo artikuj). Ti nuk njeh jeten shkodrane të asaj kohe, driten e diellin që gjallnon këtë qytet, zakonet, …e sado pak, si piktor, nder dy veprat edhe pse të gjinive të ndryshme, duhej të binte në sy se përshkohen nga drita karakteristike e qytetit e bile, duken sikur edhe portreti asht  pjesë e “Darsmës”.

Nji i huej, si ç´pretendon ti, nuk mund ti japë kurrsesi këtë frymë, ashtu si ç´nuk mund tia japin atë dritën karakteristike të Korçës, si ç´ia ka dhanë „Mio“ i madh. Nji të huejit, as që i shkon mendja për zakonet shkodrane të kohës: Motra Tone, (Pse quhet motër? E nji të hueji? Si e mori këtë titull? Me…ose…ose?), me atë gjest levizje të dorës, me cep të degermisë (rrexë transparente e qendisun) mbulon fytyren, para nji kalimtari, që na nuk e shohim, por e ndjejmë. Shih edhe mënyren e punimit të dekorimeve e të kostumeve, në të dyja veprat.

I ashtuquejtuni „Naiviteti“ i yt, i famshëm, asht si puna e asaj fjalës së urtë: Pështyj përpjetë e bie mbi fetyrë tande. Darsma Shkodrane, nuk asht „naive“, asht nji realitet i persosun i ritit të darsmës në qytetin tonë, tue iu pershtatë ligjeve të kompozicionit, ambientit, kostumeve dhe tipave, që ti i sheh të barabartë. Çuditem për sytë e nji piktori (po i lamë të tjerat). Tashti për këtë vepër, po të skjaroj me thanjet e mikut, shokut të ahengjeve dhe kojshisë së Kolë Idromenos, Kolë Gurashit (jam i sigurtë se, kur nuk njeh Kolë Idromenon, nuk ke se si njeh Kolë Gurashin). Unë, personalisht, jam mik i ngushtë i të birit, piktorit Ndoc Gurashi;  e Kolë Gurashi, kur ishte gjallë, më asht drejtue: “Kolë Idromeno ka punue nji variant të darsmës, atë të shtresave të ulëta (fukarejve), që e kanë marrë nusen në kambë. I kam tregue edhe Nardit (asht fjala për piktorin Ferdinand Paci) dhe eja edhe ti, që ti spjegoj zakonet e shtresave të mesme e të nalta (të pasunve), që i kanë marrë nuset në kalë e ma vonë me karrocë. Për dhetë vjet, Kola, „Darsmen“ e ka mbajtë, të pa mbarueme, të vjerrun në mur, e me shtymje të herë mbas herëshme, dikur, e kapi në dorë dhe më thërret …e ….surprizë, e kishte perfundue”.

Tashti po kthehem te „Motra Tone“.

Të pyes, z. Mustafa: pse nuk e krahason me portretin tjetër, po të Motres Tone, por me veshje „allafranga“?

Çuditem që nji piktor, të mos vërejë të njajtin pozicion të kokës, të njejtin drejtim të syve, të njëjtat dritë hije etj. (Shih albumin: „Mjeshtrit e pikturës shqiptare“, faqe 118 dhe 119 ku të dy portretet janë riprodhue përballë njeni tjetrit, ku çdo gja asht e kjartë).

Në lidhje me veshjen shkodrane, bahet nji gabim jo i vogël edhe prej ndonjenit, ma perpara. Termi „Velaturë“ perdoret se ka punue „Velin transparent“ (degerminë). Asht ma shumë mjeshtria e tij, për këtë arritje se sa teknika e velaturës rrembrandeske. Nejse! Nuk po futem në teknikat. Përballja që i ban „Motres Tone“ me autoportret, asht sa absurde, aq edhe „naive“, sepse i pari asht punue në fillim të krijimtarisë së tij, ku sapo ishte kthye prej përshtypjeve të artit botnor, kurse i dyti, kah fundi i jetës së tij. Edhe ky me shtytjen e Kolë Gurashit. Asht zor ti unifikosh, se edhe Leonardi s´i ka pasë të gjitha veprat si “Xhokonda”. E tham përsëri: Sielli sytë tek piktorët tonë, mbas Idromenos, e më difto se, cili i ka të gjitha veprat të nji  niveli?

Për “Dy rrugët”

Për qëllim për të cilin asht krijue kjo vepër, asht plotësisht e arritun (edhe këtë, ti, nuk ke se si me e dijtë). E porositun për të shoqnue “Misionin shëtitës” që në mungesë të meshtarëve, nëpër famullitë, jezuitët kishin krijue grupin që shkonte nëpër malësitë e thella, në rrugë kambësore, për të krye ritet fetare. Nuk do të hyj me spjegue permbajtjen e të gjithë skenave e grupeve të tabllosë, por “Dy rrugët” ndahen në atë të virtyteve dhe atë të veseve. Çdo figurë apo grup, asht nji tabllo në vehte. Në planet e para jepen veset e mëkatet që shoqnohen prej djemsh, nëpër deren e gjanë e drejtohen kah flakët e ferrit, ndërsa, në të ngushten naltohen kah qiella, virtytet, ku çdo grup shoqnohet prej engjullit rojtar, që i drejton drejt naltësisë qiellore ku gjindet trinia e shejtë: Zoti (pak e zorshme ta kuptosh).

Në grupin e ahengut, krahas figurave të shokëve ka vendosë në kambë, vehten, në profil. Nuk e kuptoj, se si të shkon mendja që këtë vepër ta quejsh “Naive”, kur jo vetëm nuk njeh arsyen e krijimit të saj, por hjedh poshtë e nuk vlerëson, se mbi këtë tabllo të madhe (170 x 200 cm) të vitit 1896, gjinden dhjetra tabllo të vogla (të përmasave të minjaturës) e që shkrihen me natyren shkambore gjatë dy rrugëve, ku përshkohen. (V.O. Shkambijtë janë plotësisht si të kodrës së Rozafës). Nejse! S´ke se si t´i njohësh!

Pyes vehten, përsëri, se si ka mundësi që ky piktor e studiues arti, nuk i ven afër edhe nji (krye) vepër siç asht „Të ikunit e Zojës së Shkodres“? Asht injorue prej komunizmit, për tematikën e s´asht përmendë kurr, por për fat të mirë, ka shpëtue (me damtime të lehta) dhe gjindet në Muzeun Dioçezan. Asht gjithçka (si në Darsmen) shqiptare. Peisazhi: Rozafa, Ura mbi Drinazë, Lagja rranxë kalasë, në orët e natës, kur dy shkodranët përcjellin figuren e „Zojës“. Këtu, do të skjaroj diçka, po prej bisedave me të ndjerin Kolë Gurashi: Veshja e dy personave asht e priftenve në kohë të turkut, jo pse ata kanë kenë priften, por për të ba dallimin nga njerzit e zakonëshëm. Asht nji lëshim që i lejohet piktorit, për arsyet e veta.

Çka do të thoshe ti për „Ferret“ e shumta që për fat të keq janë zhdukë e s´dihet fati i tyne, ku, nder ta, në fytyrat e djemve ka vue portretet e komikëve të kohës, gja që e pohon aktori e gaztori i njoftun (jo nga ti, natyrisht), Zef Hilgega, në nji bejtë: Në më kërkojshi, më gjeni nën kambë të Shën Mëhillit… Kjo don me thanë se Zefi i ka pozue Idromenos për djallin.

Tashti, të kthehem te nji kryevepër (nuk e teproj me këtë perkufizim) që i ka pështue fatit të keq të asgjësimit, si statujat e tjera të shejtenve dhe sot, gjindet në Katedralen e Shkodrës, tek ajo e „Shën Mëhillit“. Asht me të vertetë, kryevepër, kjoftë për kompozimin, kjoftë për përshtatjen, kjoftë për realizimin perfekt të figurave, kjoftë për ngjyrosjen. Ka një histori tepër interesante, që për ta trajtue, meriton nji temë në vehte e do të shkojshe tepër gjatë. Edhe këtë përsëri, e kam të thanun nga Kolë Gurashi.

Të këshilloj që, kur të kesh kohë, ec e shihe këtë vepër e bindu se sa i rrin përball „Motres Tone“, bindu se asht dora e Idromenos që i ka ba të dyja, bindu se Idromeno ka ba edhe kryevepra tjera (edhe pse ti s´i njeh) dhe pendohu për blasfeminë që ban kundrejt nji kolosi dhe për damin që i ban artit shqiptar, tue vjellë helm, në menyrën ma te ultë.

Në mbyllje:

Kolë Idromeno nuk ka kenë as vagabond as batakçi që me përvetësue punen e tjerëve, e, sidomos të nji të huejit, e nuk do ta kishte pranue kurrë nji gja të tillë. Nuk ka pasë nevojë për emen se e ka krijue atë me punë dhe ka gëzue rrespektin e të gjithë bashkëqytetarëve të dy besimeve, aq sa janë mjaft shtëpi të projektueme prej tij, në lagjet myslimane e katolike.

Interesant! Gjatë historisë njerzore, diktatorët thonë: „Historinë e baj unë“. Si duket, edhe ty të pelqen me i imitue dhe thue me vehte: „Historinë e pikturës shqiptare e baj unë“.

Hiqe mendësh!

Përsëri: Më fal, por, ma detyrove vetë!

Të faltë Zoti!

Pjerin Sheldija

Shkodër, me 2 qeshor 2017

  • E sergio per Diellin Pjeter Logoreci

Filed Under: Analiza Tagged With: Motra Tone, Mustafa Arapi, Pjerin Sheldia, Replike

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT