-Procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian/
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, në të cilin është prezantuar Raporti Vjetor i donatorëve për vitin 2014 si dhe prioritetet e ardhshme të qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve tha se Republika e Kosovës, ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
“Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve dhe për një perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian. “Një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ”, theksoi kryeministri Mustafa./b.j/
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Forumin e Nivelit të Lartë
Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve.
Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian.
Ne kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit dhe ky progres është arritur falë partneritetit dhe bashkëpunimit që kemi pasur me ju së bashku.
Dëshiroj të nënvizoj përkushtimin tonë për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe për një perspektivë të qartë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Jemi të vetëdijshëm që procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, është një fillim i një rruge të gjatë, që do ta bëjmë për t’iu ofruar Bashkimit Evropian, në një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë.
Qeveria e Republikës së Kosovë ka miratuar Programin e saj qeverisës dhe ne kemi vendosur zhvillimin ekonomik në epiqendër të punës tonë. Çdo resurs në dispozicion, e kemi vendosur në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përmes zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimeve euroatlantike.
Reformat e para të cilat ne i kemi bërë, kanë dhënë rezultatet e para. Kemi përmbyll një fazë të rëndësishme të reformave fiskale, të cilat kanë hyrë në fuqi nga shtatori i këtij viti; kemi arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila krijon kushte që të kemi investime kapitale më të mëdha dhe llogarisim se investimet kapitale do t’i shtojmë për 400 milionë euro në vitet e ardhshme; kemi aprovuar dhe kemi filluar implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, deri më 31 dhjetor të vitit 2008, dhe këtë ligj tani po e zbatojmë; po e bëjmë ndryshimin e ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit mbi Financat Publike, dhe jemi të gatshëm që nga data 1 janar i vitit të ardhshëm të fillojmë me prokurimin elektronik; kemi zbatuar pagesën e përvojës në punë, dhe përmes kësaj kemi arrit që të ardhurat reale personale t’i rrisim mesatarisht 6 për qind, mirëpo ka diferencë në këto të ardhura, varësisht nga përvoja e punës, kështu që edhe me këtë kemi bërë përmirësimin e standardit të individëve që punojnë në shërbimin civil, në arsim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera; kemi siguruar mjetet për rritjen e ndihmave sociale për rreth 25 për qind, dhe kemi përfshirë një numër të madh të familjeve që janë në gjendje të pavolitshme sociale, dhe po ashtu kemi siguruar mjetet për vitin e ardhshëm që të bëjmë rritjen e pensioneve për kontributdhënësit, dhe kjo rritje e përgjithshme është rreth 30 për qind në krahasim me mjetet që kemi pasur deri më tani, mirëpo natyrisht do të shfrytëzohet për të gjitha shtyllat e kontributdhënësve, për individët, për familjet, dhe për pensionet invalidore.
Prandaj, mbetet që më vonë komisionet tona, së bashku me pensionistët, të përcaktojnë rangimin e njerëzve për shfrytëzimin e këtyre mjeteve në bazë të këtyre shtyllave.
Më e rëndësishmja është se të dhënat tregojnë se ekonomia ka filluar të marrë rrugën e duhur. Kemi një rritje ekonomike e cila është solide dhe të cilën dëshirojmë që ta rrisim edhe më tutje në vitet në vijim. Dhe unë mendoj se përmes politikave fiskale dhe masave tjera ne do t’i arrijmë synimet tona sa i përket rritjes ekonomike e cila mundëson që të përballojë fluksin e të papunëve që çdo vit hynë në tregun tonë të punës.
Jemi në fazën përfundimtare për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të shërbej si udhërrëfyese për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, përmes së cilës ne do t’i përcaktojmë prioritetet e prioriteteve në zhvillimin ekonomik.
Dëshiroj t’ju falënderojë gjithë juve që kemi ofruar një përkrahje të madhe në përcaktimin dhe definimin e kësaj strategjie të cilën e kemi në vijim.
Ne jemi të interesuar që t’i ndërmarrim të gjitha masat e reformave të nevojshme për të tërhequr më shumë investitorë të jashtëm. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, mirëpo edhe këtë Ligj do ta bashkërendisim me ju në mënyrë që ai t’i plotësojë të gjitha standardet që parashihet nga BE dhe nga vendet tjera, me të cilat dëshirojmë të kemi marrëdhënie ekonomike dhe të kemi tërheqje të investimeve.
Jemi të interesuar që të hapim vende të reja të punës, të kemi shërbime më cilësore publike, të kemi kujdes më të mirë shëndetësor, të kemi arsim cilësor, e po ashtu të kemi mundësi që të rinjve tanë t’u sigurojmë perspektivë në Kosovë.
Falënderoj ministritë tonë që drejtpërdrejtë kanë punuar në këtë fushë, Ministrinë e Integrimeve Evropiane për punën e madhe dhe Ministrinë e Financave, dhe shpreh gatishmërinë tonë që si Qeveri të përkrahim gjithë këto nisma dhe këtë punë që po bëhet. Kemi angazhuar çdo resurs për këtë qëllim. Tani po hartojmë Buxhetin për vitin 2016. Fondet e BE-së janë duke mbështetur sektorët kyç të zhvillimit tonë, siç është energjia, bujqësia, rritja e konkurrencës. Për herë të parë, BE-ja do t’i ofrojë Kosovës mbështetje direkte buxhetore në vlerë prej 25 milionë euro. Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar për Investime po bënë përgatitje të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për financimin në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Po punojmë edhe në realizimin e projekteve tona në kuadër të iniciativës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila ka të bëjë me sigurinë e infrastrukturës e cila na bie në nivel të njëjtë me vendet e BE-së në të ardhmen. Të gjitha reformat që ne po i bëjmë, nuk janë të lehta. Por, as progresi që e kemi arritur gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë i lehtë. E kemi bërë bashkë me ju dhe jemi të bindur se do t’ia dalim t’i realizojmë edhe gjitha synimet tona.
Jemi të interesuar për paqe në rajon, jemi të interesuar për partneritet të qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare dhe për partneritet të plotë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, sepse ne vlerësojmë kontributin që këto vende kanë dhënë në zhvillimin demokratik të Kosovës, deri më tash.
Jemi të vendosur të vëmë themelet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të krijimit të një infrastrukture të domosdoshme moderne, të mbështesim sa më shumë dhe me të gjitha masat zhvillimin e sektorit privat, të mbështesim sistemin e pavarur gjyqësor, në mënyrë që ky sistem të sigurojë kushte stabile për funksionimin e ekonomisë dhe kushte të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët.
Në fund, shpreh mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e juaj të vazhdueshme dhe dëshiroj që sukseset e ardhme të jenë suksese tona të përbashkëta.