• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SIRTAR

July 24, 2023 by s p

Muç Xhepa/

Pranverë në Uashington. Magji lulesh qershie buzë Potomakut, rreth memorialeve të Ruzveltit, Xhefërsonit, Luther Kingut dhe Uashington Mollit, dhuratë japoneze e vitit 1912, kur u përcaktua edhe Shqipëria londineze. Poetët i këndojnë bukurisë së tyre. I kanë kënduar edhe në burgun e Burrelit luleve të qershizës, që nuk thahej; e ushqente gjaku i heronjve antikomunistë. Lulet e saj – metaforë e jetës.

Kryeqyteti të krijon ndjesinë e paqes, mirësisë dhe gëzimit. Secili në punë të vet. I sapoardhur nga fronti i revolucionit antikomunist, ruaja ende të freskët trishtimin që pashë te sytë e lordit Nikolas Bethell kur erdhi në Elbasan.

– Takova njerëz të bukur, të zgjuar, ngado që shkova, – më tha ai. – Përse kjo varfëri ekstreme në qendër të bollëkut? Si ju lamë kështu?!

Kërkoi të vizitonte një fshat të thellë malor. Zgjodha Shmilin, ku pata punuar si mësues, tragjikisht zona që kishte strehuar Neronin.

Pa u sistemuar mirë në punën e re, telefonova mikun e gjyshit tim, profesorin Arshi Pipa. Kishin qenë bashkë në “Kënetën e vdekjes”, në Maliq. Zëri i tij tingëlloi i ëmbël, i afërt.

– Hajde kur të jesh i lirë, – dhe më tregoi si ta gjeja shtëpinë e tij.

Në fundjavë i telefonova sërish. Ishte mëngjes, flladi i freskët me aromë lulesh të mbushte plot shpresë. Ai po priste te dera, krahëhapur, me sytë që rrezatonin urtësi.

– Mirë se erdhe, përfaqësues i xhonturqve! – qeshi me zë.

– Vij si diversant, – ia ktheva unë.

– Të ndalojnë të takohesh me mua! – tha me shpoti.

Profesori kishte shkruar një artikull të gjatë, ku i quante zyrtarët e administratës së re “xhonturq”. Shkrimi kishte lënë shije të hidhur te ministri i Jashtëm i kohës.

Foli gjatë për vuajtjet në “Kënetën e vdekjes” dhe më dhuroi librin e tij, “Libri i burgut”. Thesar vuajtjesh e heroizmi.

Dhimbjen e kishte marrë me vete, e kishte sjellë në Uashington, me shpresën e madhe se do ndikonte te qeveria amerikane që të ndërhynte me trupa në Shqipëri.

– U takova me zyrtarë të lartë porsa erdha, – tha, – më pritën me interes, dëgjonin e pyesnin, kërkonin të dinin më shumë seç kishin informacion, por koha shkonte dhe asgjë nuk lëvizte. Atëherë kërkova të flas me zyrtarin që drejtonte operacionet në vendet komuniste.

Profesori ndezi cigaren, psherëtiu thellë e vazhdoi:

– Ai më priti në zyrë, më dëgjoi me vëmendje dhe, në fund, kur pa se fillova të shfaq dëshpërim e mosbesim, ndryshoi tonin, hapi një sirtar të vogël, nxori një dosje të mbyllur dhe, sikur të ishim miq të hershëm, tha: “Kjo është Shqipëria; nuk i ka ardhur koha të hapet. Fillo të japësh mësim në universitetet tona, mësoju studentëve ç’është komunizmi, ndaj me ta eksperiencën tënde të hidhur”. Humba në mendime, – vazhdoi profesori, – m’u shfaqën shokët që lash në ferr, besimi që kishin se do të çliroheshin shpejt. Do të kalonin shumë vite, – psherëtiu, – që komunizmi të hante vetveten.

Dhe ndryshoi bisedën. Filloi të më tregojë për vëllain e gjyshes sime, i cili jetonte në Nju-Jork.

– E kam shumë mik, që në rininë e hershme, Faik Mirakun. Mbështetu tek ai dhe miqtë tanë të përbashkët; do të mësosh shumë prej tyre.

I tronditur lashë profesorin në tryezën e punës mbi një shkrim filozofik, që e kishte në mbarim e sipër, dhe dola. Rrugën për te metroja e bëra në këmbë. Në zemër më shponte zëri i tij dhe i Leka Totos. Kur nisa të punoja në ambasadën tonë në Uashington, Leka më porositi të trokisja në çdo zyrë të administratës amerikane e të kërkoja ndihmë.

– Do të ndërtojmë Shqipërinë e lirë e të begatë, – më tha plot shpresë.

Ishte pranvera e vitit 1994.

Arshi Pipa

Filed Under: LETERSI Tagged With: Muc Xhepa

KAMBANA

July 11, 2023 by s p

Muç Xhepa/

– Ejani të më takoni në kishën tonë! – tha Spenseri, udhëtari që kishte porositur Uberin, kur lamë pas avenynë “Konektikat” në qytezën e Kensingtonit. – Të njiheni me kishën e mormonëve; është rindërtim i kishës që ngriti vetë Krishti.

Tempulli mormon, arkitekturë moderne, veshur me mermer të bardhë vezullues, ka gjashtë kulla të larta, si anije kozmike drejt Krijuesit, në verilindje të Uashingtonit. Është ndërtuar në mesin e shekullit të njëzetë. Nga madhësia është i treti në vend dhe ka kushtuar dhjetëra miliona dollarë. Vendndodhja e dukshme përgjatë unazës së kryeqytetit e ka kthyer në pikë pelegrinazhi për vendasit dhe të huajt.

– Faleminderit për ftesën! Do të vij me shumë dëshirë. Më kanë treguar se vendi i vizitorëve në hyrje është mahnitës.

– Po! Piktura gjigante, Krijuesi dhe dishepujt… – Spenseri flet me pasion.

Natë pranverore, e freskët, me fllad Kraste. Fund maji. Sportelistja e hotelit “Skampa” më priti ftohtë. Orar jo i përshtatshëm për të vizituar mysafirë. Hoteli gëlonte me kostumgrinj, kati i dytë përgjohej natë e ditë. Jetonte një çift gjerman. Thuhej se ishin të interesuar për metalurgjinë e zezë, “Çeliku i Partisë”. Asnjëherë nuk e morëm vesh rolin e tyre të vërtetë, por bashkëshortja, një grua e thyer në moshë, dukej e shpenguar kur flirtonte hapur me përkthyesin, një mashtrues profesionist i qytetit tonë, që nuk i hynte gjemb në këmbë. Kishte lidhje me kupolën e lartë komuniste.

– Jemi nisur që me natë.

Iliri kishte vendosur këmbët mbi jastëk në fundin e krevatit; ato ishin të ënjtura dhe pranë gishtërinjve kishin krijuar flluska të mbushura me ujë.

– Kur filluam të ngjisnim malin, na buzëqeshi dielli mbi Krrabë, ndërsa aroma e luleve të blirit na ndoqi deri në kilometrin e njëzetenëntë. Aty pushuam, hëngrëm mëngjesin.

Petro e aprovonte me buzëqeshje.

Petro Zheji dhe Ilir Kroi, në fundjavë, e kishin bërë zakon të bënin udhëtime të gjata në këmbë. Pelegrinët këtë radhë kishin zgjedhur Elbasanin. Petro ishte njohës i thellë i librave të shenjtë. Ungjilli ishte ushqimi shpirtëror kryesor i tij. Kultura e gjerë fetare dhe bindja e patundur në Krijuesin e gjithësisë e kishin kthyer në një lloj famullitari, ku anëtarë të famullisë ishin miq dhe të besuar të tij. Gjatë këtyre pelegrinazheve në këmbë, ata ndalonin pranë rrënojave të kishave të mbyllura. Aty Petro i falej Zotit për shëndetin e mikut të tij. Iliri kishte kaluar tronditje mendore të rëndë. E kishin përjashtuar nga shkolla dhe i kishin bërë hetuesi speciale, sepse e kishin zënë duke lexuar në gjermanisht Zigmund Frojdin, librin “Interpretimi i ëndrrave”. Iliri ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç atëherë.

– Më spiunoi djali i Kadri Hazbiut, – më tregoi Iliri një natë, fillim vere, kur ishim duke mësuar në shtëpinë e tij për provimin e hyrjes në gjuhësi, anglisht; lëndë e vështirë, por e këndshme. Profesori i talentuar Gëzim Hado e kishte kthyer në art.

– Ia tregoi vajzës së Spiro Kolekës, poetes; përpiqej t’i fitonte zemrën. Aq mjaftoi dhe më rrëmbyen në mesnatë.

Iliri tregonte, unë nuk u besoja veshëve.

– Kërkonin të dinin burimin. Njeriun që më kishte dhënë librin. Më mbajtën tri javë mbyllur në një qeli betoni, pa dritare, ku një llambë në kafaz hekuri, varur në tavan, rrinte gjithnjë ndezur. Ditët e para jam shtrirë në çimento, pastaj sollën një dyshek të mbushur me kashtë. Rezistova. Javën e tretë më sollën nënën. Në qeli. Pa aguar. Ishte tretur. S’e njoha.

Ilirit i dridhej zëri.

– Për ty, bir, u ndava me babanë tënd. Duheshim shumë. Vendosëm që të rriteshe jashtë kampeve të internimit.

Iliri ishte nipi i Haxhi Kroit, syri dhe veshi i Neronit. Shqyerja e bishave brenda llojit nuk kishte kufi. Nxitej edhe nga vetë Neroni. Kënaqej kur shihte gjak.

– “Për ty zë qelinë. Këtu, pranë teje!”. Kur u përmenda, gjendesha në spitalin numër pesë. Mbi mua eksperimentonte mjeku i sigurimit, Ylvi Vebiu.

Dëgjoja i ngrirë.

– S’më ke pyetur përse e quaj djalin e tij “Uria Hip”! Ja, mësoje tani. Ardiani i di të tëra dhe hiqet sikur nuk ka ndodhur gjë.

Me Ardianin ishim në të njëjtin fakultet.

Në fshatin Shijon, Petro dhe Iliri kishin ndaluar te rrënojat e një kishe të lashtë. Shijoni ishte bërë i njohur për mua që në fëmijëri nëpërmjet tregimeve të gjyshes sime. Një pjesë e tij ishte pronë e saj.

– Muzgu na zuri te manastiri i Shijonit.

Iliri uli këmbët.

– Mbaji lart sa të shkojë e ënjtura, – e këshilloi Petro.

– Janë më mirë tani, – tha Iliri dhe vazhdoi të tregojë. – Pranë dy qiparisave të lartë, në pjesën jugore të kishës, ishte në gjunjë një nënë e veshur me të zeza. Lutej. Me duar ruante flakën e qiririt të mos i shuhej. U afruam ngadalë, Petro nxori nga xhepi një qiri, e kishte sjellë me vete për t’u lutur. E vendosi mbi një gur të lëmuar, pjesë e ndonjë pllake varri. Më bëri shenjë të afrohesha. U ulëm në gjunjë. Petro e ndezi, vuri dorën në kokën time dhe filloi të lutej për shëndetin tim. Pa mbaruar lutjen:

“… Mbushja jetën me shpirtin tënd … Shën Vladimir! Amin!”, nëna plakë u afrua:

“Thuaj edhe një lutje për djalin tim të mbyllur në Qafë-Bari, o bir i Zotit!”.

Nëna uli kokën që Petro ta prekte me dorë.

“Burrin ma vranë, po iknin jashtë, të kërkonin punë. Ushtari e qëlloi.”.

Zëri i doli me vaj. Petro u lut për djalin e saj. Nëna e mbuloi me urata dhe u largua. Ikte nëpër errësirë.

– Shën Vladimiri ka fuqi shëruese. Kanë ardhur në shekuj njerëzia këtu dhe kanë gjetur shpëtim, – zëri i Petros u bë i thellë.

– Te qiparisi i ra në gjunjë Zotit dhe i kërkoi të ngrinte kishën. Legjenda thotë se iu shfaq edhe shqiponja jonë me kryq në kokë.

Petro u ngrit nga krevati, nxori nga çanta një bllok të trashë me kapakë kartoni të zinj.

– Ja, Ramiz Alia, krimineli, thotë se nuk është tradhti kalimi i kufirit dhe qenve u jep urdhër të qëllojnë.

Ashtu, si Moisiu në pikturën e Rembrandit me pllakën e gdhendur, porositë e Zotit, Petro përplasi me forcë bllokun mbi tryezë. Ora po shkonte dymbëdhjetë. U largova për t’u takuar të nesërmen përsëri. Në drekë u mblodhëm te veranda e hotelit “Skampa”. Ishim bërë pesë miq të famullisë së tij. Me gotë vere në dorë, Petro na falënderoi për mikpritjen.

– E ngre këtë gotë për miqtë e mi të mirë! Elbasani na priti me kambana. Sot është dita e Shën Vladimirit! Paçi uratën e Tij!

Kur Petro dhe Iliri ishin afruar pranë hotelit “Skampa”, kambana e orës së qytetit kishte rënë dhjetë herë. Për Petron, ajo simbolizonte kishën që shteti komunist e kishte mbyllur me ligj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Muc Xhepa

Lajnë mëkatet…

September 20, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

Dielli lind nga thellësitë e oqeanit. Mëngjes. Ajri i freskët, cicërima e zogjve, peizazhi që nëna natyrë, si një piktore impresioniste, e ka punuar me ngjyra mjalti, karameleje, çokollate… na ngre gjendjen shpirtërore. Ndihemi të gëzuar.

– “… Vjeshta është më shumë stina e shpirtit sesa e natyrës”,- citon Friedrich Nietzsche-n miku im, fizikani Lluka Qafoku, që ka ardhur në Ushington të marrë pjesë në një konferencë shkencore.

– Katedralja do të jetë e mbushur me turistë. E diel.

– Na jep mundësinë të ndjekim ndonjë guidë turistike.

– Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit ka udhërrëfyesit e saj. Gjithnjë është një person në hyrje që ofron ndihmë, informacion.

Katedralja Kombëtare e Uashingtonit është e ngritur në kryqëzimin e avenysë “Massachusetts” me atë të “Wisconsit”. Veriperëndim të Uashingtonit. Parkojmë në anën lindore të saj. Te hyrja, turistë të shumtë bëjnë fotografi me basorelievin gjigant në sfond: përshkrimi i lindjes së njerëzimit nga Hart. Kjo punë magjepsëse konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e skulpturës fetare të shekullit 20-të. Timpani, hapësira trekëndore, vertikale, e zhytur, që formon qendrën e pedimentit, e dekoruar në mënyrë tipike, mbi derën qendrore, paraqet figura gjysmë të formuara të burrave dhe grave që dalin nga zbrazëtia. Poshtë qëndron figura e Adamit me sy ende të pa hapur dhe trup të pa çliruar plotësisht nga guri rrethues. Timpanumi verior përshkruan “Krijimin e Ditës”, ndërsa i jugut “Krijimin e Natës”. Lluka ngjit shkallën e parë.

– Largohu edhe ca që ta marrësh të plotë hyrjen.

Shkrep disa foto. I sheh i përqendruar. Lluka është ndjekës me bindje dhe njohuri të thella ndaj krishterimit. Në antijetë, sundimin e “Neronit”, ishte ithtar i heshtur i Krishtit duke e lejuar ta udhëhiqte, me anë të Shpirtit, në botën e të marrëve. Ashtu siç e parashikoi Lluka, i ngjitemi një grupi turistësh gjermanë, të moshuar. Udhërrëfyesi, një djalë i ri, me zë kumbues, tregon plot elokuencë.

– Është katedrale amerikane e kishës Episkopale. Struktura neo-gotike është modeluar në stilin gotik anglez të fundit të shekullit katërmbëdhjetë.

Lluka fotografon kubenë, që duket sikur ka arritur Perëndinë lart në qiell.

– Mbi një çerek milioni njerëz e vizitojnë çdo vit. Ndërtimi filloi më 29 shtator 1907. Gurin e themelit e vendosi presidenti Theodor Rusvelti dhe përfundoi 83 vjet më vonë. Në prani të presidentit Xhorxh Bush. 1990.

Afrohemi pranë varrit të presidentit Uillson.

– Katedralja është vendi i shërbesave funerale dhe përkujtimore e pothuajse të të gjithë presidentëve, që nga viti 1893. Në 6 shkurt 1924, shërbimi funeral për presidentin Udrou Uillson… në vitin 1961, funerali për ish-Zonjën e parë Edith Bolling Galt Uillson. Funerali i vetëm i një zonje të parë që është bërë në katedrale. Zonja Uillson është varrosur me të shoqin në Gjirin Uillson të katedrales.

Lluka vendos dorën mbi mermerin e bardhë dhe kërkon t’i bëj një foto.

– Ky president e shpëtoi Shqipërinë nga dhëmbët e fuqive evropiane. Duhet t’i jemi mirënjohës për jetë.

Bën shenjë të mos ndjekim grupin që nuk resht së marruri fotografi dhe ulet në shkallën pranë varrit.

– Kur isha me Petron, këtu mbahej një përshpirtje.- them unë.- Mesha jepej për të përkujtuar një politikan, që për njërën pjesë të politikës kishte qenë i rëndësishëm, ndërsa për tjetrën i urryer. Katedralja ishte mbushur me personalitete të kohës. Petro, i përqendruar, ndiqte cermoninë nga shkalla e mermertë, ku je tani ti. Ulur ashtu si te bazilikata e Shën Pjetrit në Vatikan. Tempulli i shenjtë i krishterimit në botë. Në duar mbante shtrënguar çantën e vjetëruar. Brenda dorëshkrimi i veprës madhore “Shqipja dhe sanskritishtja”. Te bazilikata i kishte bërë përshtypje ndërtesa madhështore e mermertë, këtu pompoziteti i katedrales.

– Biri i Zotit s’kishte saraje.

E tha pa i hequr sytë nga Rev. … që vazhdonte meshën. Kur Rev. … kërkoi ta imitonin:

“Le të kthehemi te Zoti, sepse Ai do të ketë dhembshuri. Dhe, te Perëndia jonë, sepse Ajo do të na falë me bollëk”.

Petros i doli nga kraharori.

– Të lahen që të ndyhen sërish…

Lluka ngrihet në këmbë dhe bën kryqin.

– Petro Zheji ishte gjigant. Krishtin e kishte në gjak. Ishim me fat që e patëm mik.

Petro Zheji

Lluka Qafoku

Filed Under: Politike Tagged With: Muc Xhepa

2A

September 16, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

16 nëntor 1984. Arkëmorti doli nga porta e madhe. Tre djemtë, kokëlartë, përcillnin pranë Perëndisë babanë. Mjekun e çdo vatre në Elbasan. Njerëzia hiqnin kapelet dhe i vendosnin në zemër. Ato pranë, e merrnin në supe engjëllin që ju ish gjendur në çdo kohë. E mora edhe unë afër kokës. S’i mbajta lotët.

– Dëgjomë, është serioze. Të kthehet në peritonit.

Kishte ardhur në mesnatë me biçikletë te “Banesat”. Shtëpia ime në katin e katërt. E kishte lënë poshtë hyrjes mjetin, që s’ia kishin ndaluar ende dhe në gjysmerrësirë kishte ngjitur shkallët shpejt.

– Faleminderit shumë doktor, je munduar. Por, më shkoi dhimbja si me dorë. E trembët.

Më vështroi me sytë që i rrezatonin dituri dhe pa më lënë të vazhdoj, me zë hyjnor, kërkoi të më bindë.

– Peritoniti është skuqje, ënjtje e mukozës së barkut. Në rastin tënd është shkaktuar nga plasja e apendicitit. Duhet hequr menjëherë. Të rrezikon jetën.

Më mori me vete si të isha djali i tij. Dhe, qëndroi derisa dola nga salla e operacionit. Kishte pasur të drejtë. Apendiciti më kishte plasur.

Vargu i njerëzve në cermoninë mortore la pas rrugicën e ngushtë të lagjes “Kala” dhe mori udhën drejt bulevardit qendror. S’ishte parë një nderim i tillë në qytetin tonë.

Gigi, djali i madh i doktorit, kishte nisur të mësonte anglisht. Ishim miq të besës. Një orë mësimi erdhi i shqetësuar.

– Dje isha me babanë të vizitonim një paciente të moshuar. Vuan nga tuberkulozi. Kishte kollë me gjak dhe temperaturë të lartë. Babai ka dhjetë vjet që e kuron. Pas vizitës, në oborrin e shtëpisë, i biri më kërkoi t’i lija vetëm. Ai punon në degën e brendshme. Qëndruan gjatë. Kur u kthye, babait i kishte rënë hije vdekjeje.

– Mendon se mund të ketë lidhje me ty.

Gigi ishte mjek zemërmadh. Kur dikush i dërrmuar nga puna e rënde dhe mungesa e ushqimit i kërkonte raport mjekësor, regjim shtrati, ai nuk ia prishte. Veperim i dënueshëm për pushtetin e punëtorëve dhe fshatarëve, që jetonin të lumtur në parajsën e socializmit botëror.

– Jo, do të jetë shumë më serioze.

Bulevardi ishte mbushur plot. Arkëmorti kalonte nga supi në sup. Pas hotel “Skampës”, në rrugën që të shpie te Komitetit i Partisë Rrethit, kortezhin e ndaloi policia.

– Kemi urdhër të mos u lëmë ta kaloni… janë në mbledhje. Vendoseni në automobil dhe të tjerët në autobuse.

Atë ditë, paria e partisë komuniste kishte urdhëruar lukuninë e saj të mos merrte pjesë në funeral. Vetë ishte ngujuar në pallatin e krimit për punë të pista. Populli i kishte sfiduar: shprehte hapur falenderimin e merituar.

– Mësova para pak ditësh të vërtetën e mosardhjes së autoriteteve të qytetit në varrimin e babait.

Thotë Gigi pas takimit me Dr. Lee Edwards, themelues dhe kryetar i “Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit”. Jemi ulur për kafe jashtë lokalit “Coffee Nature” në Uashington. Si përfaqësues të bordit të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane” erdhëm të marrim eksperiencë.

– I bëri përshtypje njerëzve që morën pjesë.

– Babanë e kishin në 2A.

– Çdo të thuash me këtë.

– Kishin vendosur ta burgosnin më 17 nëntor dhe tërë familjen ta internonin.

Mbetem. Më shkakton aq tronditje sa nuk po di si të sillem.

– Mjekun engjëll të qytetit.

Fjalët me dalin përzier me lot.

– Dy ditë. 15 nëntor, Zemra pushoi…

Gigi kalon kafenë poshtë. Mbyt dhimbjen.

– Para se ta prangosnin.

Doktori kishte vajtur si çdo ditë të zakonshme pune në klinikë. Duke vlerësuar shfaqjen e një defekti lobar në radioskopinë e mushkërive të një pacienti, i kishte ndaluar zemra. Mjekut që kishte shpëtuar mijra jetë…

– Të na shpëtonte.

Heroi ua kishte djegur dosjen “3963-A”.

Doktor Nosi dhe Elsa Dovana Nosi

Dr. Lee Edwards, Muç Xhepa dhe Grigor Nosi

Dosja 3963-A

Filed Under: Politike Tagged With: Muc Xhepa

LIQENI I LUCIFERIT

June 21, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa

– “Neroni” i ngrirë mes e poshtë në liqenin, që Luciferi krijoi me lot, pasi tradhtoi Zotin, rënkonte netëve me zë.

Skënder Tufa, mik i imi, azilant politik në Zvicër prej shumë vitesh, më tregon në mesinxher një ngjarje të cilën e kishte mësuar në burg, Gulagun shqiptar.

– “Pantera” merr në duar raportin, ulet në vendin, ku “Neroni” thurte palnet kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, ndez abazhurin dhe lexon e përqendruar. Lotët s’e lënë të shohë qartë. “Të jenë të ikur nga spitali psikiatrik, apo vuajnë nga deluzioni… iluzioni. Rrena, rrena!” thërret si e marrë. Dëshminë e kishin dhënë ushtarët e shërbimit dhe punonjësi që mirëmbante varrin. Të nesërmen, jo në orën e caktuar, sepse pas varrimit e kish bërë zakon të shkonte me buqetë lulesh dhe qirinj. Lutej që t’i faleshin krimet. Priti të bjerë muzgu. Ashtu, në fshehtësi, mori Sulon, besnikun e “Neronit” dhe u nis për te varri. Vendosi të dy duart në pllakën e ftohtë, uli ngadalë kokën duke prekur me veshin e majtë mermerin e lëmuar. U drodh e tëra. Në fillim dëgjoi zhurmë. Përplasje duarsh mbi një gjë të fortë. Pëllëmbësh, grushtesh. “Neroni” kërkonte të çlirohej nga diçka që e kishte mbërthyer. Pastaj zëri. I tij. I mbytur. “Ndihmë, ndihmë, jam brenda! Liqen gjaku! I ngrirë!”.

Pranverë. Njerëzia kanë filluar të shpresojnë për ditë më të mira. Ai që mbyti vendin në gjak ka shkuar të gjykohet. I ktheu këmbët nga dielli, thotë populli. Miku im Jorgji Santo, punojmë mësues në të njëjtën shkollë, më fton për kafe tek hotel “Skampa”. Është i shoqëruar me një mesoburrë. Ulemi te veranda në katin e dytë, që shikon nga “Rrapi i Bezistanit”. Jorgji porosit fërnet, miku i tij dhe unë pije freskuese.

– Arbeni është kushëriri im i parë. Është mjek.

Arben Santo me sy inteligjentë, hundë malësori e fytyrë të tërhequr buzëqesh.

– Më ka folur Jorgji për ju.

– Jemi miq të besës.

– Familje të vjetra elbasanase.

– S’mjafton të qenurit nga i njëjti qytet. Duhen prova. Dhe, ne i kemi dhënë.

Jorgji ka të drejtë, them me vete. Kemi folur hapur për gjendjen e rëndë ekonomike. Natyrë impulsive, varfëria ekstreme e nxënësve, e revoltonte aq, sa shpërthente me të shara të hidhura kundër “Neronit”.

– Arben na trego si ia bëre autopsinë… ekzaminimin për të zbuluar shkakun e vdekjes… Shtrirjen e sëmundjes.

Jorgji s’i përmend emrin kufomës.

– Si çdo të vdekuri tjetër.

Arbeni buzëqesh me sy.

– Raportin e autopsisë. Si ta besuan.

Jorgji më shkel syrin.

– Petrit Gaçja më rekomandoi. Vetë s’besonte… s’donte ta besonte se kishte vdekur…

Edhe Arbeni s’ia zë emrin.

– Përse, mund të ishte gjallë… vërtet.

Jorgji s’e mban të qeshurën.

– Jashtë ç’do dyshimi. Organet i ishin bërë blozë… duhej të kish mbaruar… ditë më parë.

Eh, ashtu bënë për Leninin, Stalinin… punë djajsh them me vete.

– Mënyra si po ma tregon, më ngjeth mishtë.

– Duro se ka edhe më.

Skënderi buzëqesh.

– “Ç’bëre moj Nënë Tereza”, i tha Papa shenjtores, kur u kthye ajo nga vizita në Shqipëri. “Vajte te varri i djallit. U lute t’i faleshin mëkatet”.

– Në fakt të tërëve na bëri shumë përshtypje sjellja e saj.

– Që prej asaj dite, “Neroni” ra në qetësi. Liqenin e Luciferit e shkrinë lutjet e Nënë Terezës.

Filed Under: Fejton Tagged With: Muc Xhepa

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT