Nga Sulejman GJANA/
Kryetar i PLL/
Pas publikimit të Letrës së Hapur…, drejtuar Kryetarit të PD, z. Basha, në të cilën parashtrova qëndrimet e PLL për shkeljen e njëanshme nga PD të marrëveshjes parazgjedhore me partinë që drejtoj, prisja reagim zyrtar nga PD dhe kryetari i saj, qoftë edhe formalisht e për kortezi ndaj një partie aleate tradicionale… Por, për fat të keq, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Në atë Letër të Hapur pohova se grisjen e kësaj marrëveshjeje, akoma pa u tharë boja, në dëm dhe me qëllim keqdashës ndaj partisë sonë kombëtariste, ne legalistët e konsideronim “Mukje të Dytë”… Madje për këtë arsye edhe paralajmërova se për “Mukjen” e vitit 2015 do të shkruaja shumë shpejt. Dhe këtë po bëj me këtë shkrim, në përmbushje të zotimit publik dhe sepse mendoj se ka ardhur koha t’i themi troç të vërtetat, ashtu siç i dijmë ne.
Duke vlerësuar drejt dhe maksimalisht partnershipin luajal politik si parim thelbësor dhe garant të suksesit në luftën politike, qysh prej dy dekadash ne legalistët i kemi shmangur paragjykimet, gërricjet dhe gjykimet aprioristike politike, pavarësisht diferencave konceptuale e programore me PD, në kohë, për zhvillime, qëndrime dhe probleme të shumta e të ndryshme politike.
Për të lehtësuar dhe jetësuar bashkëpunimin zgjedhor me PD, ne legalistët shkuam në tryezën e përbashkët të partive opozitare (ku u ngjiz aleanca zgjedhore) dhe morëm pjesë në disa raunde negociatash me PD, ku paraqitëm një draft prej disa faqesh përplot parime, ligjësi dhe kritere bazike të teorive dhe doktrinave politike e politologjike. Draft ky që nuk u kundërshtua dhe nuk u refuzua nga PD. Madje paskëtaj, në negociatat e zhvilluara ne legalistët nuk vendosëm apo imponuam kushte e kuota, por negociuam me frymë konstruktive, ndonëse në fund pranuam me keqardhje ofertën minimaliste të PD dhe bashkërisht firmosëm marrëveshjen dypalëshe.
Por fatkeqësisht marrëveshja e firmosur dhe e vulosur nga kryetarët Basha dhe Gjana u injorua më pas nga PD, që të njëjtën gjë bëri edhe me partinë kombëtariste të Ballit Kombëtar, duke na ndërmendur bash Mukjen… Tashmë jo në kuptimin e konfrontimit vëllavrasës, por në atë të vënies së partive kombëtariste në pozitat reale të asgjësimit përfundimtar politik… Natyrisht me anë të përvetësimit të përsëritur e të sigurtë të votave tona, teksa numëruesit e tyre kurrë nuk u përzgjodhën pjesërisht dhe sërish nuk do të pranohet të përzgjidhen edhe nga anëtarësia e legalistëve dhe ballistëve, por vetëm nga kontigjentet e militantëve demokratikas, që gjithmonë i kanë nxjerrë dhe sërish do t’i nxjerrin PLL dhe PBK, me pak ose pa mbështetje elektorale, deri edhe në bastionet e tyre tradicionale.
Grisja e njëanshme dhe e pabesë e marrëveshjes nga PD dëshmon tërthorazi dashakeqësi dhe uri për votat e aleatëve kombëtaristë edhe në zgjedhjet thjesht vendore të 21 Qershorit. Zgjedhje të cilat PD i ka shndërruar paradoksalisht në zgjedhje politike të mirëfillta, me premtime në nivel kombëtar dhe jashtë kompetencave të pushtetit vendor, pa kurrfarë projekti qeverisës në nivel bashkiak dhe pa kurrfarë lufte të natyrshme politike ndaj shterpësisë programore të maxhorancës dhe mëkateve të shumta të atyre përfaqësuesve të saj që synojnë përsëritjen e mandateve.
Këto veprime dhe qëndrime na bëjnë të dyshojmë me të drejtë për synimin e përvetësimit paraprak në tavolinë të votave tona nga komisionerët demokratikas të specializuar për këto punë. Dhe për çudi ky përvetësim i përsëritur synohet të bëhet tashmë në kushtet e një fushate “pozitiviste” ndaj gjushëve e qazimëve të maxhorancës. Dhe kur kjo skemë planifikohet të bëhet realitet në zgjedhje thjesht vendore, imagjinojeni pas dy vitesh, në zgjedhjet parlamentare!
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët aleati ynë i madh, kur na i përvetëson votat në favor të këshilltarëve të uritur për “përfaqësim”, e që në shumicë kanë dezertuar ndër vite e dekada tek e Majta… Teksa në të kaluarën, ata dhe paraardhësit e tyre, bashkëfirmosën me vullnet dhe faktikisht realizuan masakrën urbane në bregdet dhe qytetet më të mëdha e në ato të mbarë vendit, krahas kryebashkiakëve majtistë, që lidershipi i tyre, dje dhe sot, i masakronte dhe i masakron ende në ligjërimin politik?!!
Kaq naivë na pandehin ata që na planifikojnë asgjësimin politik me grisje marrëveshjesh, sërish në favor të po të njëjtit takëm këshilltarësh demokratikas që u pasuruan në opozitë dhe në pushtet, e që u majmën me favore kryebashkiakësh majtistë në këmbim të votës nëpër këshilla!?
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët këta, kur duan të na zhbëjnë nga politika, teksa votat i bashkuan dhe sërish i bashkojnë me bollanot antishqiptarë, me anëtarët dhe krerët me shtetësi shqiptare të sillogjeve vorio-epirote, apo me terroristët e MAVI-t, të dënuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë, jo nga gjykatat shqiptare, por nga ato greke!!?
Pikërisht për këtë arsye e ndërmenda Mukjen si metaforë politike dhe si projeksion politik, qysh nga 1943-shi, në vazhdim, e deri në vitin e mbrapshtë 2015… Projeksion që fatkeqësisht, më 21 Qershor do të shënojë fitoren absolute pasuese të Mukjes-metaforë në pothuajse të gjithë hartën e 61 bashkive, hartuar dhe miratuar habitshëm kjo, në mungesë të PD-së dhe “alternativave” të saj gjatë procesit të së ashtuquajturës reformë administrative… Reformë të cilën hartuesit dhe apologjetët e saj majtistë, qysh nga kryeministri e poshtë, nuk janë në gjendje ta mbrojnë e motivojnë mbi parime, kritere dhe standarde europiane…, teksa në 300 kilometër katrorë kanë miratuar njësi vendore “funksionale e të vetëmjaftueshme për t’u vetëqeverisur”, sikurse Gjirokastra, Libohova, Saranda, Delvina, Konispoli, Përmeti, Këlcyra, Tepelena e Memaliaj. Njësi të cilave po t’u bashkëngjitësh edhe ato fqinjë të Vlorës dhe Himarës, rrumbullakosin çerekun e numrit të tyre në mbarë vendin, duke rijetësuar në vitin 2015, në hartën administrative, bash të famshmen Zonë të Parë Operative, nga ku ka buruar dhe buron pushteti i të Majtës shqiptare qysh prej 70 e kusur vitesh.
Nën peshën e rëndë morale të principialitetit dhe besnikërisë ndaj aleatit politik, ne legalistët nuk donim të besonim akuzën e kahershme se pluralizmin politik në Shqipëri e projektuan dhe e jetësuan Ramiz Alia dhe PPSH konform Platformës së Katovicës, dhe se zhvillimet politike, ekonomike dhe “demokratike” në Shqipëri po ecnin në shinat dhe margjinat e saj.
Ne u tronditëm thellë kur në vitin 1997 nga diaspora jonë në SHBA-të erdhi një tekst i shkëputur nga protokolli i njërës prej mbledhjeve më të rëndësishme të ish Byrosë Politike në fundvitin 1990, ku Alia vinte në dijeni byroistët dhe miratonte në Byro Platformën e Katovicës, dërguar nga Gorbaçovi. U tronditëm sepse vumë re analogjinë e frikshme të skemës katoviciane me zhvillimet e deriatëhershme në Shqipëri dhe me zhvillimet korrente gjithnjë në zbatim të saj, asokohe. Dhe tronditja jonë thellohej vazhdimisht teksa edhe në vitet dhe dekadat pasuese, me kokëfortësi, në çdo pikë, presje e apostrof, zhvillimet shqiptare provonin dhe rikonfirmonin pafundësisht zbatimin e Platformës së Katovicës. Platformë të cilën, kur u publikua dhe u ripublikua, ne kombëtaristët e konsideronim thjesht si metaforë propagandistike e fetishizuar nga një “shumatore përkimesh të përsëritura habitshëm”, apo si “fantazi e zhvilluar dhe e shfrenuar e ndonjë shkruesi mitoman e xheloz ndaj lidershipit politik të demokracisë së re shqiptare”.
Ne kombëtaristët nuk u impresionuam aspak kur u publikua me zë dhe figurë deklarata e Alisë në Byro: “Baballarët e tyre i kemi vrarë gjatë dyzet vjetëve…”, sepse këtë të vërtetë e dinim dhe e kishim provuar mbi kurriz, ndaj dhe nuk na lipsej pohimi nga krimineli trashëgimtar i diktaturës, nga e cila, përveç të tjerash, kemi ende 6 mijë varre të pagjetura. Por ne u tronditëm thellë dhe vijojmë të tronditemi kur shtresa jonë bazale politiko-shoqërore: ish të Përndjekurit Politikë dhe ish Pronarët Legjitimë (që përfshijnë afro 700 mijë shqiptarë), sot jo rastësisht ndodhen në mjerim ekonomik, të margjinalizuar, të papunë, të imponuar dhe të nxitur për të emigruar, e aspak të integruar.
Por dyshimi mbi ekzistencën, apo jo, të Katovicës mori fund kur bash i përzgjedhuri nga Alia për të drejtuar për më shumë se një dekadë, si nënkryetar, PPSH-në e “reformuar” në parti socialiste, profesori i filozofisë marksiste Servet Pëllumbi pranoi jo vetëm ekzistencën e Katovicës, por edhe zbatimin e përpiktë të Platformës së Katovicës, ideuar dhe hartuar nga Gorbaçovi si manual politik i pushtetmarrjes dhe pushtetmbajtjes nga ish komunistët e konvertuar tashmë në social-demokratë “europeistë, euro-atlantistë” dhe miliarderë.
E përse të mos e besojmë Pëllumbin e mirinformuar kur vetë ai, Mejdani dhe të tjerë jashtë politikës, krahas Blushit brenda parlamentit, e akuzojnë PS-në se ka braktisur kauzën socialdemokrate të mbrojtjes së shtresave të paprivilegjuara?… Teksa e kanë dorëzuar lidershipin e partisë tek oligarkët miliarderë bash sipas Platformës së Katovicës: fillimisht dorëzim i pushtetit politik dhe marrje e pushtetit ekonomik, çka do të mundësojë sërish marrjen e pushtetit politik…
***
Pas pohimit nga Profesor Servet Pëllumbi të “Katovicës shqiptare”, gjykimi a posteriori, pra “post factum”, më ndihmon ta konsideroj atë (pra Katovicën) si fillesa e “Mukjes së Dytë”, që ka synuar dhe synon zhbërjen dhe zhdukjen graduale nga skena politike të partive kombëtariste dhe zhdukjen e përfaqësimit real të shtresave që këto parti mbulojnë. Gjithmonë krahas përdorimit të këtyre partive si kontorno dhe fioritura në “pjatën e madhe” të së “Djathtës”, ku në qendër të saj gjithnjë ndodhet llokma e “mish-peshkut” pa identitet politik, që ende nuk ka bindur askënd se ku konsiston dallimi i saj programor me PS-në, në një kohë kur edhe lideri i saj historik para dy vitesh i deklaroi opozitës në parlament: “Ju nuk jeni socialistë, socialistë jemi ne…”. Madje më keq akoma, aleati ynë i madh e ka reduktuar dhe spostuar gjithë debatin politik, nga raporti e Djathtë/e Majtë, në rrafshin e ngushtë dhe të ngurtë: Pushtet/Opozitë… Aqsa kur e pyet këtë takëm opozitarësh përse e konsiderojnë veten të tillë, të përgjigjen: sepse nuk jemi në pushtet.
Kaq harraqë dhe naivë na pandehin këta, sa të mos kujtojmë ankesën në vitin 1992 të hartuesit të programit të PD, Gramoz Pashkos, se “socialistët na vodhën programin si të ishte xhaketë që ne e varëm me besim në kremastarin e politikës…”. Apo ankesën e Nanos në vitin 2001, që në prag të fushatës zgjedhore akuzoi publikisht PD-në se i vodhi programin bashkë me premtimet elektorale, të cilat për hir të së vërtetës ia kish hartuar miku i tij i rinisë, ish këshilltari ekonomik i Adil Çarçanit gjatë viteve 1989-1990, Gramoz Pashko, që ishte dhe mbeti heroi i të dy partive dhe miku i përbashkët i liderëve të tyre!?
Kaq naivë na pandehin këta kur mendojnë se nuk jemi në gjendje të dallojmë mungesën e diferencave programore e qeverisëse midis PD dhe PS, teksa Ben Blushi i akuzoi para dy javësh të tijtë se në qeverisje po imitojnë dhe kopjojnë kryeministrin paraardhës…
Gjykimi “post-factum” na bën të përparojmë e të konkludojmë drejt të vërtetës që na tregon përse dikur PD miratoi Ligjin famëkeq 7501, efektet shkatërrimtare të të cilit i vetëpranoi edhe lideri i saj historik me një pohim të sinqertë gjatë një interviste. Por ky gjykim na ndih të kuptojmë gjithashtu edhe përse demokratikasit nuk e atakojnë sot zbatimin e tij, që vazhdon ende me shpërndarje tokash, kullotash e pyjesh(!!!), për të pronësuar dreqin e të birin, por kurrsesi pronarët legjitimë.
Kaq naivë dhe harraqë na pandehin këta, kur dihet publikisht se në fundvitin 2005 deklaruan se “Ministria e Bujqësisë ka në dispozicion një fond toke prej 120 mijë hektarësh për të kompensuar ish pronarët…”, ndërsa sot akuzojnë qeverinë për “18 mijë hektarët” që i “lanë si fond i mbetur për kompensimin e tyre”. Fond toke që sipas tyre qeveria aktuale e ka përdorur për shpërblimin pronësor të klientelës politike?!
Po ku shkuan 100 mijë hektarët që ekzistonin në kohën e qeverisjes së tyre, teksa ish pronarët nuk kanë marrë prej tyre asnjë metër katror? Ndërkohë që qëllimisht këta i jepnin përparësi: legalizimeve me ligje të amenduara pafundësisht; legalizimeve me shtyrje të afateve të veprimit të ligjeve; pronësimeve të paligjshme me VKM dhe me urdhëra administrative; pengimin e njohjes së pronësisë për pronarët legjitimë me anë të ngadalësimit të qëllimshëm, deri në ndërprerje, të punës mbi dosjet dhe vendimmarrjet nga komisionet e degëve të AKKP.
Kaq naivë na pandehin këta, sa kujtojnë se nuk e kuptojmë skemën e përdorimit të “Ligjit të Legalizimit” si vazhdim i Ligjit 7501 dhe si mjet për vazhdimin e grabitjes të tokës së mbetur të pronarëve legjitimë nëpërmjet legalizimit të pafundëm të ndërtimeve pa leje… Proces ky me rishtyrje pafund të afateve ligjore për legalizimin sot, nga qeveria aktuale, edhe të ndërtimeve të reja, madje edhe të atyre pas vitit 2009 (që u vu asokohe si afat limit për legalizimet e banesave mbi tokat-troje të pronarëve)… Proces që aleati ynë nuk po e kundërshton, thjesht sepse i konvenon ideologjikisht dhe për interesa elektorale!
Kaq naivë na pandehin demokratikasit kur Gjykata Kushtetuese (e mbushur prej tyre me gjyqtarë ish komunistë të përkëdhelur nga diktatura), e njohur në demokraci si “garante e mbrojtjes së pakushtëzuar të Kushtetutës”, guxon dhe shkel me këmbë nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës që presupozohet se mbron, e që konsakrojnë pronësinë dhe rrugët ligjore demokratike për përftimin e saj?! Gjykatë Kushtetuese kjo e vetmja në botë që shkel Kushtetutën dhe frymën e saj, për të cilat është betuar se do t’i mbrojë dhe që me vendimet e saj nuk bëri dhe nuk bën drejtësi, por politikë, duke legjitimuar politikat e Legalizimit si “shpronësim për interes publik” të pronarëve legjitimë në favor jo të interesave të publikut të gjerë, por të të tretëve, që janë “pronarët e rinj”, ose klientela e pushtetit?! Gjykatë kjo që kulmon absurdin dhe paligjshmërinë teksa guxon dhe shkel gjithashtu edhe të gjitha kartat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, që prevalojnë edhe mbi legjislacionin shqiptar që ajo gjoja mbron, duke i njohur ligjërisht, me vendime, klasës politike dhe qeverive shqiptare tagra ligjore që nuk mund t’i posedojnë, gjithmonë në raport me pronën, konform parimit të shenjtë juridik se “nuk mund të dhurosh, apo të shesësh atë që nuk e disponon ligjërisht si pronë”?!
Kësisoj kjo gjykatë, megjithëse shkel Kushtetutën, frymën e saj, kartat dhe marrëveshjet detyruese ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha shkelmon dhe shkallmon parimin e shenjtë të Sigurisë Juridike – fatkeqësisht asnjëherë nuk atakohet nga aleati ynë i madh, por anëtarët e saj mbrohen dhe votohen sipas interesave të çastit.
Kaq naivë na pandehin dy partitë e mëdha teksa u dhurojnë ende zaptuesve të paligjshëm tokat e pronarëve, me ligj dhe letra me vlerë e me shpenzime administrative të paguara, thjesht për qëllime elektorale dhe mjegull për hajdutët-klientelë… Dhe kjo ndërkohë që buxhetit të shqiptarëve të varfër u faturojnë vlerat e kompensimit financiar për pronarët e grabitur, ndërsa luftës dhe ligjërimit politik u shtojnë akuzat e ndërsjellta për sipërfaqe të mëdha tokash e trojesh në pronësi?
Kaq naivë na pandeh aleati ynë i madh, që ka shpallur armik të demokracisë dhe shqiptarëve një ish zv/ministër të Drejtësisë të kohës së qeverisjes 1992-1996, vetëm e vetëm se një dekadë më vonë, në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën e Strasburgut ka marrë vendime në favor të pronarëve të ligjshëm, të shoqëruara këto me fatura të kripura kompensimi financiar, e të paguara me paratë e buxhetit të shtetit tonë të varfër?!
Kaq naivë na pandehin këta, teksa mendojnë se ne nuk e dijmë se arsyeja kryesore për zvarritjen pafund të integrimit europian të vendit është moszgjidhja e qëllimshme e problemit të pronësisë së ligjshme në Shqipëri?… Kusht vendimtar ky, si në tërësinë e dikurshme të 12 pikave, ashtu edhe në tërësinë e 5 pikave-parakushte që ende qëndrojnë mbi procesin e integrimit të vendit si “shpata e Demokleut” në dorë të Brukselit?!
Aleati ynë gjatë qeverisjes 8-vjeçare harxhoi mbi 10 miliardë euro për investime publike, por kurrë nuk e kaloi shifrën e 10 milionë eurove për kompensimin e ish Pronarëve dhe ish të Burgosurve politikë?!
Kaq naivë na pandehin këta, sa të mos kuptojmë dhe përmendim se nuk bënë asgjë për Dekomunistizimin e vendit dhe imunizimin e shoqërisë nga trashëgimia komuniste, si parakushte vendimtare të ndërtimit të demokracisë pas gjysmë shekulli diktaturë?
Këta jo vetëm nuk insistuan për hapjen me ligj të dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin, por fshehurazi, bashkë me PS-në, në vitin 2003 miratuan në parlament ligjin për shtyrjen edhe për 25 vite të hapjes së Arkivit të PPSH, kësaj “maje të shpatës të diktaturës së proletariatit”, që bëri krimet më të përbindshme në këtë vend, në shërbim të sllavokomunizmit.
Konsekuentë në qëndrimet e tyre 25 vjeçare, deputetët e aleatit tonë të madh u arratisën edhe nga lufta politike në komisione dhe nga votimi në seancat plenare të projektligjeve për: Dekriminalizimin e politikës dhe administratës publike; për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin pasues logjik.
Ata rendin çdo 5 Maj për të vënë kurora në varrezat ku prehet shumica e vrasësve të baballarëve tanë, që merrnin urdhërat vrastarë nga Miladini e Dushani, e që dhanë frymën e fundit me betimin: “Za Tito, za Stalin…”.
Dhe këto, bashkë me shumë veprime të tjera që synonin dhe synojnë asgjësimin politik të shtresave më të vuajtura dhe të masakruara gjatë diktaturës komuniste, për ne thonë shumë…, na ndërmendin natyrshëm Katovicën dhe “Mukjen e Dytë”.
Dhe më në fund, përtej modestisë, jam i detyruar të ndërmend se kam lindur në Perëndim, bash në kryeqytetin e Europës së Bashkuar, dhe jam rritur, edukuar e diplomuar me teoritë dhe me praktikën institucionale të demokracisë, çka më mundëson identifikimin e çdo deformimi dhe devijimi të qëllimshëm të saj.
Ndaj sot gjykoj se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten nga lidershipi i ri politik i aleatit tonë të madh, sepse legalistët nuk do ta mbajnë peshën e bashkëfajësisë për rrënimin e të Djathtës dhe kauzave të saj në vendin tonë.