-Shkaku i mungesës së kuorumit në mbledhje të Kryesisë ende pa vendim për seancë të re plenare të Kuvendit të Kosovës/
-Tërhiqet një nga 40 nënshkrimet e deputetëve – nuk plotësohen kushtet për seancë të jashtëzakonshme/
PRISHTINË, 15 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe sot mbeti pa kuorum, të cilin nuk e kishte as dje për mbledhjen e ftuar të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare.Kryesia nuk pati kuorum për të vazhduar mbledhjen e nisur sot, pasi e lëshoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.Fillimisht, Kryesia u njoftua me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të deputetë nënshkrues, për seancë të jashtëzakonshme, për datën 16 nëntor, në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së aktivistit të LVV-së Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si dhe me shkresën e deputetit të PDK-së, Bislim Zogaj, për tërheqjen e nënshkrimit të tij nga kjo kërkesë.
“Deklaroj se me dt. 12. 11. 2016, kam firmosur kërkesën e GP VV për mbajtjen e një seance plenare për sqarim lidhur me rastin. Mirëpo, ju njoftoj se firma ime është përdorur për një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën nuk jam i gatshëm. Preferoj që paraprakisht të priten rezultatet e hetimit nga institucionet përkatëse”, thuhet në sqarimin e deputetit Zogaj.
Në këto rrethana, u konstatua se kërkesa, e mbetur me 39 nënshkrime, nuk i plotëson kushtet për seancë të jashtëzakonshme, meqë duheshin së paku 40 nënshkrime deputetësh.
Në këtë situatë, përfaqësuesit e grupit parlamentar të Vetëvendosjes e lëshuan mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke bërë të ditur se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në asnjë seancë të rregullt, pa u mbajtur seanca e jashtëzakonshme.
Mbledhja e Kryesisë ishte ftuar për përgatitjet për vazhdimin e seancës plenare të 28 tetorit, e cila u ndërpre në mungesë kuorumi, si dhe për seancë të re plenare të Kuvendit të Kosovës me mbi 10 pika në axhendë.Në seancën e re plenare, për të cilën Kryesia nuk vendosi as sot në mungesë kuorumi, rreth gjysma e pikave pritet të janë për shqyrtimin e parë të 5 projektligjeve: për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, për kontrollin e mbrendshëm të financave publike, për Inspektoratin Shëndetsor dhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për liritë fetare në Kosovë.Një nga pikat tjera pritet të jetë rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017.Kryesia e Kuvendit të Kosvës, kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, para se të mbetet pa kuorum sot, vendosi që seanca plenare e ndërprerë të vazhdojë të enjten, në 17 nëntor.