• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAIK KONICA: “NJERËZIT BININ PORSI MIZA”

March 23, 2020 by dgreca

Nga Fotaq Andrea/Strasburg/

Ky titull i frikshëm, me frazeologji të fuqishme dhe tone plot tragjizëm, à la Boccaccio, buron drejtpërdrejt nga pena erudite dhe enciklopedike e Faik Konicës. Është nxjerrë nga një shkrim i tij botuar te almanaku “Kalendari i Maleve”, Bruksel, 1900, ku jepet njëfarësoj historiku i shpejtë i përhapjes së murtajës dhe të sëmundjeve të mëdha në botë e në Shqipëri gjatë të shkuarës, mbi bazën e hulumtimeve të thella që Konica bënte në do “libra të moçëm”, siç e thotë edhe vetë, duke përmendur në veçanti librin referencial Historia politica et patriarchica Costandinopoleo. Epirotica. MDCCCXLIX. Veçse, përtej tragjizmit real të pandemisë që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse me përmasa korrëse (në parantezë, a nuk personifikohet vetë vdekja mitologjikisht me një skelet njeriu dhe kosë në dorë?), Konica nuk mungon të nxjerrë në pah dy faktorët themelorë për parandalimin dhe ndalimin e pandemisë: së pari, “Kujdesin e guvernave” (qeverive), ku domosdo nënkupton masat e rrepta në shoqëri me kufizme të mëdha në lëvizjen dhe në kontaktet e njerëzve, dhe së dyti, “Fuqinë e shkencës”, siç shprehet ai, për t’i bërë ballë rrezikut të përgjithshëm shkaktuar nga “sëmundje e tutshme”. 

Shkrimi i Konicës, me vezullim perle, mjaft i ngjeshur dhe plot brum të tharmë, me stil të prerë e të shpejtë, shfaq ethshëm zezonën pandemi, tablonë e zymtë të burimit të sëmundjeve epidemike, evolucionin e tyre marramendas, me pasojën alarmante, vdekjeprurëse, të korrjes mizore të jetëve njerëzore. “Njerëzit binin porsi miza”, thotë në mënyrë tronditëse Konica. A nuk përmban kjo shprehje e lashtë, me originë nga Mesjeta e hershme, përtej idesë që njerëzit vdisnin masivisht (apo mizërisht e mizorisht, do thoshim në shqip për një konotacion edhe më të fuqishëm), vetë kuinesencën e pamundësisë më të madhe njerëzore përpara sëmundjes gjëmëmadhe, virale a bakteriale, pamundësi për t’i ardhur sadopak në ndihmë vetvetes apo tjetrit, tek sheh vdekjen me sy hapur, me mushkri të asgjësuara dhe imunitet të shterur? Palé që një pamundësi e tillë njerëzore arrin kulmin e vet kur nuk ke faktikisht kurrfarë mundësie as për t’u ndarë për herë të fundit nga njerëzit më të shtrenjtë, që shkëputen mynxyrshëm nga gjiri i familjes, të vetmuar, të braktisur mes tubave oksigjenues, tek i sheh me sytë e mendjes të ikin ashtu, aq papritur, në kohët moderne, mes asaj që do ta cilësonim në këtë rast “çnjerëzorja/njerëzorja e arsyeshme e faktit izolim” për shmangie të infeksioneve dhe rrezikut epidemik. Dhe të pikon në shpirt të mendosh që njeriu tënd më i dashur, dhe kushdoqoftë nga kapitali NJERI, i infektuar rëndë, që kërkon thjesht të marrë pakëz ajër, pakëz frymë, me mushkri të nxjerra jashtë funksionimit, ikën kësisoj i vetmuar, i braktisur, me sy të etur për dashuri jete që fatalisht i shuhet në çastin fatal.  

Andaj, sot, në pandeminë mizore covid19 merr një kuptim më të veçantë, human, në shkallë të epërme, shprehja morale, shumëpërmasore e Sokratit “Njih vetveten ti vetë”, që do të thotë në rastin tonë : njeri, ndërgjegjësohu përpara rrezikut, ndërgjegjësohu për vetveten, për të tutë, për shoqërinë! Sepse koronavirusi nuk është shaka prej leshkoje, është hata! Dhe kur je i ndërgjegjësuar, shprehja e Sokratit merr një kuptim edhe me të thellë tek shpalos krejt ndjenjën e vetëdijes dhe të solidaritetit të fuqishëm njerëzor: “unë jam unë, unë jam tjetri”, që do të thotë: “jam unë që kam në dorë jetën time, jam unë që kam në dorë jetën e tjetrit”; dhe për këtë, më duhet të izolohem, më duhet të vetizolohem! Për më tepër që, në shoqërinë tonë, shprehja merr kuptim edhe më të thellë tek sheh ndoca kapadainj shqipo, me cigare në gojë – ata të tipit të “honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve” siç thotë Konica për njerëzit mendjemykur, mediokër e sharlatanë -, të gjezdisin shpërfillshëm bulevardit e rrugëve si gjeli majë çatisë mes virusit pandemik, apo më keq, si ajo fabula e dikurshme e atij këmishëzbërthyeri majë skodës karakatinë që “fluturonte” mes rrapëllimës e që thosh: “Fry moj erë në gjoks të beqarit!” Dhe kur era ia dha “zotërisë” së tij brinjë më brinjë, mes lëngatës e temperaturës së lartë nga të ftohtit që mori, ai tha: “Ç’deshe mojë erë që u more me një copë jevg!” Kuptohet morali i fabulës në këtë rast: ku era, dhe ku covid19! 

Në përfundim, dhe në nderim të thellë, një heqje kapeleje për bluzat e bardha, një duartrokitje moderne masive nga ballkonet e godinave për ta dhe për tërë ata që në krye të detyrës, sfidojnë vdekjen, në emër të jetës, për t’i thënë ndal njëherë e mirë korrjes njerëzore të koronavirusit. Dhe… me sëmbim në zemër, me lot në sy, sjell sot ndër mend, tim atë, Dr. Llazi Andrea, epidemiolog, infeksionist e higjenist ushtarak që, pas 30 vjetësh pune këmbëngulëse kërkimore, studiuese e shkencore në Laboratorin e Spitalit Ushtarak, u flijua në krye të detyrës në mesin e viteve ’80, pas një infeksioni të rëndë viral, që e mbërtheu në Shishtavec të Kukësit, duke luftuar me thonj për të sjellë në jetë një ushtar në lulen e rinisë me temperaturë 42°C e viruse të fuqishme.     

FAIK KONICA

Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri në kohët e kaluara

Në shkollat e mjekësisë rrëfejnë se të katër sëmundjet e mëdha që kanë korrë papushim njerëzinë nëpër brezat e vjetëve, e kanë të gjitha burimin në grykat e do lumenjve të mëdhenj e në baltërat e ndyra që i rrethojnë. Kolera ka marrë gjithmotin burim në grykë të lumit Gang, në Hindustan; tifuzi [tifoja] në grykë të Tunës; ethet e verdha në grykë të Misisipit; e murtaja në Nil e në Indokinë.

Kjo sëmundje e tutshme, mbas shumë vjetësh mungimi, filloi të shfaqej më 1899 në Skënderie, në Lisbonë dhe – e thonë me zë të ulët – në Anversë të Belgut, në Paris e në Portsmouth. Kujdesi i guvernave, i ndihmuar me fuqinë e shkencës do t’i dalë zot – na mban uzdaja – këtij rreziku të përgjithshëm, e që tash duket se sëmundja e tutshme zuri të pakësohet në atë vend ku kish rënë.

Sido në qoftë, për të plotësuar dëshirën që kanë ligjëruesit për të gjetur në një kalendar të mirë përmendje [historike] për ndodhira të vitit, u munduam dhe gjetëm në do libra të moçme vitet e rënies së murtajës në Shqipëri.

Më 1368, ra në Janinë një murtajë e madhe, e u hap deri në Berat.

Më 1374, ra murtaja në Nartë,  dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha.

Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e dukës së Janinës. 

Më 1736, ra në Janinë një murtajë e tutshme, të cilën e pruri nga Vllahia një gunar i emëruar Zamari. Vdisnin vetëm brenda në Janinë 50 a 60, e shpesh edhe 80 veta përditë. Kjo murtajë filloi të korrë në muaj të Frorit e u mbajt deri në ditë të Shën Mitrit.

Më 1814, ushtarë shqiptarë të sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek [Pejë], në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819, dhe bota binin porsi miza. 

Filed Under: Politike Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, Murtaja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT