Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve me aleatët
-Kryeministri Isa Mustafa: Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. “Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa. Ndëkohë që opozita ka paralajmëruar për nesër protestë në Prishtinë, lidhur me zhvillimet në skenën politike kryeministri kosovar tha se, ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. “Populli ynë thotë: ‘Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka’. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt”, u shpreh Mustafa. Sepse, vijoi ai, shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. “Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, NË PRITJE:
Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu, është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mustafa: Kosova, e gjithë atyre që këtu jetojnë
-Pse lindi Asociacion?/
PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tregon sot se pse lindi Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai shprehet se, “të gjithë do të pajtoheshim se më mirë do të ishte pa Asociacion”, “por të gjithë, po ashtu, deshëm apo nuk deshëm duhet ta pranojmë se gjatë këtyre viteve nuk kemi arritur të integrojmë vendin tonë”. “Me rëndësi është sesi ne do të komunikojmë bashkërisht. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë”, thekson kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Me titullin, “Pse lindi Asociacion”, kreu i qeverisë së Kosovës, Mustafa, ka shkruar sot kështu në ‘facebook’:
Më me dëshirë do të flisja dhe shkruaja për shumë çështje tjera që e preokupojnë vendin tonë sesa për këtë temë. Por e kemi në tavolinë. Patriotët dhe tradhtarët ndahen si për tehu të shpatës, varësisht nga rrethanat, ashtu siç mund të interpretohen vendimet e mira dhe ato jo të mira. Populliste dhe jopopulliste.
Për gjashtëmbëdhjetë vite Kosova nuk arriti të integroi veriun e vendit. Pavarësia u shpall në kufijtë që Kosova i kishte në vitin 1974, por sovranitetin nuk u arrit të ushtrohet në pjesën e veriut të lumit Ibër. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë dhe se nuk është një bashkësi etnike, qoftë me shumicë apo me pakicë, e cila ka pronësi të ndaj të drejtat për të tjerat. Jemi vend demokratik.
Në këto komuna zhvillohej çdo gjë, veç asgjë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe as të drejtuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Deri sa ne shpreheshim se kemi shpallë pavarësinë në tërë territorin e vendit, në komunat në veri, serbët qëndronin në barrikada. Ata vazhduan të kenë mbrojtjen e tyre civile, rojet e urës, policinë e Serbisë që patrullonte rrugëve. Funksiononte vetëm një segment i bashkëpunimit, ai në kontrabandë me naftë dhe me mallra të tjera ndërmjet trafikantëve serbë dhe shqiptarë, dhe kjo gjendje më së shumti iu përgjigjej atyre por dhe sot iu përgjigjet. Sepse, ka shumë që u pasuruan nga këto biznese të ndyra. Me një fjalë nuk arritëm ti integrojmë në jetën institucionale, politike dhe ekonomike.
Në pyetjen sesi të integrohet pjesa e veriut dhe serbet në Kosovë, një përgjigje ishte përmes dialogut. Përmes dialogut u arrit që doganierët e Kosovës të vendosen në pikat kufitare në veri, që policia e Kosovës të veprojë në tërë territorin, që të shpërbëhet Mbrojtja Civile, që të ushtrohen sistemi i drejtësisë në tërë territorin, që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, të ketë kufijtë e vet energjetikë, por po ashtu ta ketë edhe Asociacionin si një formë e organizimit të komunave me shumicë serbe, ku atyre iu jepet mundësia të merren vesh për zgjidhjen e shumë problemeve të tyre, por e gjithë kjo në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Të gjithë do të pajtoheshim se më mirë do të ishte pa Asociacion. Që, të gjitha komunat në Kosovë të veprojnë në një asociacion, pa i ndarë në ato me shumicë serbe e me shumicë shqiptare. Fundja deri më tani, disa komuna me shumicë serbe kanë funksionuar në Asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës, pa asnjë problem, por ato nuk ishin komuna nga veriu. Por të gjithë, po ashtu, deshëm apo nuk deshëm duhet ta pranojmë se gjatë këtyre viteve nuk kemi arritur të integrojmë vendin tonë.
Prandaj, në vend që të krijojmë frikë e tmerr nga ky asociacion të kthehemi e ta trajtojmë këtë si formë të integrimit të pakicave, sidomos të asaj serbe, si formë të funksionimit të vendi tonë si vend shumetnik, si formë të demokracisë evropiane dhe si mundësi të komunikimit dhe të besimit të brendshëm. Edhe rrobat që nuk rrijnë tamam, mund të përshtaten dhe të përdoren në të mirë. Me rëndësi është sesi ne do të komunikojmë bashkërisht. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë dhe se nuk është një bashkësi etnike, qoftë me shumicë apo me pakicë, e cila ka pronësi të ndaj të drejtat për të tjerat. Jemi vend demokratik, përfundon Mustafa./b.j/