• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR

January 26, 2017 by dgreca

Nga Visar Zhiti/*

1 Visar

Gazeta”Dielli” e publikon me rastin e 27 Janarit, Ditës së Kujtesës/*

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR/

Çdo Solomoni, të persekutuar a mbret, /

  ligjvënës a mjek, poet e mik, kushdo qoftë, /

edhe në harrime, edhe pa këtë emër…/

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar… /

Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë, /

del përtej, Kanë mbetur nëpër ajër klithma pa gojë/

dhe lotë pa sy, /

të përziera me shiun që nuk bie, por rri pezull /

si ankthi. /

Dhe trishtimi i mëpastajmë si lodrat e fëmijëve /

pa fëmijët, /

të shkelura, të thyera./

Urtësi pleqsh të flakura tej si borsalinat e tyre të çara/

dhe heshtje e zezë si një qen këmbëthyer,/

gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra zogjsh e librash…/

I vërvit era andej-këndej apo kujtesa e çoroditur./

Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,/

si zemër e shtrembëruar, e kuqerremtë si gjak i tharë…/

Ku po e çonin  jetën? Ku?/

Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz!/

Ju – andej harrimit,/

këtej harrimit – ju./

Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Dhe urdhërat

kanë mbetur nëpër natë, në natën që s’ka yje,

por tela me gjëmba.

Në natën e fundit, ku nuk zbardh më…

Nga lart na vijnë fatkeqësitë, por jo nga Qielli.

Nga Golgota e dënimit

ku ngjitemi vetë, kurse rrënjët

janë gjithmonë poshtë

dhe po vetë i ushqejmë me farkeqësitë tona…

Avitem dhe unë andej, kaloj në kohë i lemerisur,

ndal ndanë tyre, shpirt dhe i largët,

plagë që vetëm dhëmb, dot nuk pëshpëris: të kishit

shkuar në vendin tim, dikur,

nuk do ju përzinin, do ju prisnin nëpër shtëpitë e varfëra,

do ju mbronin, edhe pse të pushtuar

nga vrasësit e përbashkët. Bukën

dhe frikën me ju do ta ndanin. Se ndodhi vërtet,

si nuk ndodhi?

Qëndresa dhe nderi si në librat tuaj të lashtë…

Popull i zgjedhur, që dhe Zoti na zgjedh, s’e dimë pse,

për të vuajtuar,

se vuajtja të bëka më të mënçur

e martirizimi të shenjtë. Të ecësh

pas një Krishti prej ere, me dishepujt e përhapur gjithandej.

Në vend të breroreve të tyre përshfaqen

pllanga të dritave të projektorëve të luftës…

I gjatë rreshti, shumë i gjatë,

gjysma në të shkuarën

dhe gjysma në të ardhmen

dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar…

Këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë. Mos

janë këpucët e vuajtjes, të durimit të padurueshëm,

të frikës së shndërruar në guxim paranojak? Ja,

dalin nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku po shkoni,

mijëra këpucë, se si jeni, gojë ulërimash të vrara,

nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,

pirgje leckash të gjalla, por krimi

është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa e pakët

ndjenja e atyre që kryejnë krime, më e vogël

se guriçka brenda në njërën nga këpucët e vdekura.

Edhe unë, i zbathur, me këmbët e përgjakura,

me thembrën sikur të ishte e Akilit,

me një shigjetë fatkeqësi të ngulur, që s’duket,

nuk marr nga ato këpucë jetime. Dhe në m’u bindshin,

jo, jo, teksa endem mes tyre dhe kërkoj një amanet

të fshehtë, teksa i mbush me elegji

këpucët e zeza të netëve

dhe këpucët e lodhura të ditëve…

Kujtesën e botës e mbyti gazi i kobshëm i furrave.

Ky hi i hidhur jete s’është nga zjarri,

nuk bën genocid zjarri

dhe nuk çmëndet pas ndonjë doktrine. Kolla e krimit

u përhaq gjithandej, te rrugët e dyert,

kolliten shkallët, dritaret, shpresa, automatiku i zi,

deliret, pemët, librat, zhgënjimet, pendesa, stinët,

ëndrrat kolliten në ëndrra të sëmura…

Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,

si mund t’i lajë duart e ngjarjeve?

M’u mor fryma, errësirë… Më sillni një rreze të thyer,

diçka që feks, një pikël drite sa loti. Ç’janë këto vezullime?

Mijëra unaza të mijëra gishtrinjve të prerë,

në atë shiun e ngrirë që nuk bie…

Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë

për kthimin

ku s’do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet,

çohen nga balta e asgjësë dhe kërkojnë mishin

që ua zhvatën,

duan pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të syve.

Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë. Pa kujtesë bota

bëhet  vetëm një kafkë.

Pse heshtin fjalët, po kalben

bashkë me buzët e kohës,

puthja e mortjes mbulon brigjet

dhe mijëra e mijëra këpucë bosh mbushen me shi

dhe ecin mbrapsht, i aviten zanafillës.

Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë njerëzimin,

se qoftë dhe vetëm një njeri, ai është njerëzimi i gjithë.

Skeletet me koska mermeri

ulërijnë për atë pjesë jete të pakryer

më fort se sirenat ngjethëse të atyre trenave të egër

që s’ndalnin asgjëkundi,

veçse në stacionin e fundit të vrasjeve.

Por ka prapë stacione, le të bien epidemitë përreth, është ai

i ndërgjegjes së popujve,

stacion tjetër i fantazmave… Stacioni i tmerrshëm i kujtesës…

Ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i fundit

i mallkimeve.

Ju – andej harrimit,

këtej harrimit – ju. Në mes ndarja

si një e çarë fatale e tokës.

S’ka më rreshta, as rregull,

turma mëkatesh, histori e shqyer

nga bishat që s’kanë histori, vec atë të daljes nga shpellat,

gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave të gjërave, se ç’lëviz

poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret masive, dal

dhe unë. E si të mos jem hebre, kur dhe unë

kam holokaustin tim?

Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,

vërtitem në vorbulla gjyqesh,

jo në atë të fundit,

kërkoj ashtu si pallton time të kalbur – kujtesë,

vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme.

Parandjenjat rendin me motorë të zinj rrugëve të natës.

Mbi një fron era shfleton fletët e një Kurani vëllazërie…

Pallton time e ka vrasësi im, jo se është aq shumë ftohtë,

por nga që do të përvetësonte dhe fatin tim,

atë që duhej të kisha, të mëpastajmin…

Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur, e ngrirë

mes erërave

ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,

që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?

Të jetë art aluçinant? Pse ka më pas kësaj? Shpirti

gjithmonë është lakuriq në qiell.

E ku mjafton një ditë për të kujtuar,

nuk i nxë dot të gjitha… ja, vjen agu i ditës tjetër

me një diell kryecopëtuar. Nuk mjafton as kjo ditë,

aq më pak një jetë.

As harresa nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot

të tërën, nuk mjafton as vdekja.

T’i kujtojmë të vrarët tanë… Vrasja e tyre na kujton

që nuk i mbrojtëm dot, por të mos rivriten me harresë…

Të vrarët nuk kanë vdekjen e tyre,

prandaj ata nuk vdesin kurrë.

Kurse vrasësit, ah vrasësit, ata janë të pa edukuar,..

Po kjo është pak që mund të thuhet e s’ka rëndësi për ta.

Të egër janë, të tmerrshëm, pa shpirt, asgjë s’kanë

që të mund t’u shkojë në Qiell.

Në baltën e ferrit do të mbeten duke e bërë baltën

edhe më të keqe…

Koha pa kohë, e gjithkohëshmja… ecën

me hapat e zbathura të një Krishti.

U riktheve, Bir? Po përse kthimi i ngjan

një lamtumirë që s’mbaron, që lëkundet si dorë e këputur,

ja, u zvogëlua prej largësisë, u bë si ajo dorëza prej argjëndi,

yad  e quajnë hebrenjtë,

që me gishtin e zgjatur të saj lexojnë librat e shenjtë.

Prekini plagët e mia dhe dora do ju shndërrohet në argjend…

Ç’po shkrin kështu mbi Ungjillin tim, çasti?

Pika të nxehta kohe,

pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza

dhe flakëza, duke mos gjetur mbrojtje mes qerpikëve,

mërgon nëpër yjet e largët.

Romë, datë e harruar…

 * Asambleja e Përgjithshme OKB-së e caktuar 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Kjo datë përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau nga forcat sovjetike në vitin 1945.

 

Filed Under: Featured Tagged With: e gjithë, KJO DITË, per te kujtuar, Visar Zhiti

Mustafa: Kosova, e gjithë atyre që këtu jetojnë

September 3, 2015 by dgreca

-Pse lindi Asociacion?/
PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tregon sot se pse lindi Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai shprehet se, “të gjithë do të pajtoheshim se më mirë do të ishte pa Asociacion”, “por të gjithë, po ashtu, deshëm apo nuk deshëm duhet ta pranojmë se gjatë këtyre viteve nuk kemi arritur të integrojmë vendin tonë”. “Me rëndësi është sesi ne do të komunikojmë bashkërisht. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë”, thekson kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Me titullin, “Pse lindi Asociacion”, kreu i qeverisë së Kosovës, Mustafa, ka shkruar sot kështu në ‘facebook’:
Më me dëshirë do të flisja dhe shkruaja për shumë çështje tjera që e preokupojnë vendin tonë sesa për këtë temë. Por e kemi në tavolinë. Patriotët dhe tradhtarët ndahen si për tehu të shpatës, varësisht nga rrethanat, ashtu siç mund të interpretohen vendimet e mira dhe ato jo të mira. Populliste dhe jopopulliste.
Për gjashtëmbëdhjetë vite Kosova nuk arriti të integroi veriun e vendit. Pavarësia u shpall në kufijtë që Kosova i kishte në vitin 1974, por sovranitetin nuk u arrit të ushtrohet në pjesën e veriut të lumit Ibër. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë dhe se nuk është një bashkësi etnike, qoftë me shumicë apo me pakicë, e cila ka pronësi të ndaj të drejtat për të tjerat. Jemi vend demokratik.
Në këto komuna zhvillohej çdo gjë, veç asgjë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe as të drejtuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Deri sa ne shpreheshim se kemi shpallë pavarësinë në tërë territorin e vendit, në komunat në veri, serbët qëndronin në barrikada. Ata vazhduan të kenë mbrojtjen e tyre civile, rojet e urës, policinë e Serbisë që patrullonte rrugëve. Funksiononte vetëm një segment i bashkëpunimit, ai në kontrabandë me naftë dhe me mallra të tjera ndërmjet trafikantëve serbë dhe shqiptarë, dhe kjo gjendje më së shumti iu përgjigjej atyre por dhe sot iu përgjigjet. Sepse, ka shumë që u pasuruan nga këto biznese të ndyra. Me një fjalë nuk arritëm ti integrojmë në jetën institucionale, politike dhe ekonomike.
Në pyetjen sesi të integrohet pjesa e veriut dhe serbet në Kosovë, një përgjigje ishte përmes dialogut. Përmes dialogut u arrit që doganierët e Kosovës të vendosen në pikat kufitare në veri, që policia e Kosovës të veprojë në tërë territorin, që të shpërbëhet Mbrojtja Civile, që të ushtrohen sistemi i drejtësisë në tërë territorin, që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, të ketë kufijtë e vet energjetikë, por po ashtu ta ketë edhe Asociacionin si një formë e organizimit të komunave me shumicë serbe, ku atyre iu jepet mundësia të merren vesh për zgjidhjen e shumë problemeve të tyre, por e gjithë kjo në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Të gjithë do të pajtoheshim se më mirë do të ishte pa Asociacion. Që, të gjitha komunat në Kosovë të veprojnë në një asociacion, pa i ndarë në ato me shumicë serbe e me shumicë shqiptare. Fundja deri më tani, disa komuna me shumicë serbe kanë funksionuar në Asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës, pa asnjë problem, por ato nuk ishin komuna nga veriu. Por të gjithë, po ashtu, deshëm apo nuk deshëm duhet ta pranojmë se gjatë këtyre viteve nuk kemi arritur të integrojmë vendin tonë.
Prandaj, në vend që të krijojmë frikë e tmerr nga ky asociacion të kthehemi e ta trajtojmë këtë si formë të integrimit të pakicave, sidomos të asaj serbe, si formë të funksionimit të vendi tonë si vend shumetnik, si formë të demokracisë evropiane dhe si mundësi të komunikimit dhe të besimit të brendshëm. Edhe rrobat që nuk rrijnë tamam, mund të përshtaten dhe të përdoren në të mirë. Me rëndësi është sesi ne do të komunikojmë bashkërisht. Dhe më me rëndësi është të pranojmë realitetin se ky vend është i të gjithë atyre që këtu jetojnë dhe se nuk është një bashkësi etnike, qoftë me shumicë apo me pakicë, e cila ka pronësi të ndaj të drejtat për të tjerat. Jemi vend demokratik, përfundon Mustafa./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: atyre që, e gjithë, këtu jetojnë, Mustafa: Kosova

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT