NGA FRANK SHKRELI- Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, votuar unanimisht, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”. Ky është misioni i këtij fondacioni me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.
Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të bëra në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur nga komunizmi.
“Nëqoftëse ne nuk u mësojmë brezave të rinjë të vërtetën historike të 100-milionë viktimave të vrara nga regjimet komuniste gjatë shekullit të kaluar, atëherë ne nuk duhet të habitemi ndaj gatishmërisë së tyre për të përqafuar idetë marksiste”, pasi nuk e njohin, shprehet Marion Smith, Drejtori i Përgjithëshëm i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.
Memoriali në Washington, kushtuar Viktimave të Komunizmit botëror
Në vitin 2007, Fondacioni ngriti statujën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit në cep të rrugëve të New Jersey dhe Massachusetts Avenues, pranë selisë së Fondacionit Përkujtimor në Washington, jo larg nga ndërtesa e Kongresit amerikan dhe afër stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin amerikan, si një kujtesë e përhershme për viktimat e komunizmit botëror, për të gjithë vizitorët dhe ata që kalojnë asajt çdo ditë.
Mirëpo, Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në frymën e misionit që i ka caktuar vetes ç’prej themelimit të tij — “Për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”, por edhe për të promovuar lirinë për ata popuj që ende jetojnë nën regjime komuniste — ka vendosur që në vitin 2021 të hedhë një hap tjetër edhe më të rëndësishëm, për të hapë Muzeun e Viktimave të Komunizmit mu në qendër të Washingtonit, në rrugën 15-të në veri-perendim të Sheshit të njohur McPherson. “Washington Business Journal” njofton në një artikull të gjatë botuar javën që kaloi — hapjen e muzeut më të ri privat në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atë kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë, dhe botoi edhe fotografinë e ndërtesës (më poshtë ku do të vendoset muzeu.
Muzeu i ardhëshëm në Washington kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë do të hapet vitin që vjen në këtë adresë: 900 15th St. NW, karshi Sheshit të njohur McPherson.
Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, u shpreh për “Washington Business Journal” se hapja e një Muzeu në Kujtim të Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC ka qenë një objektiv për një kohë të gjatë i fondacionit që ai drejton. Muzeu, sipas tij, do jetë i pasuruar me ekspozita të përhershme dhe të përkohëshme dhe do të tregojë shumë histori tragjike nga nja 40-vende që janë sunduar nga diktatura komuniste një-partiake, gjatë 100-viteve të kaluar.
Ndërkaq, Fondacioni i Kujtesës organizon programe, takime eduktaive dhe fushata mediatike që kanë të bëjnë me pasojat e komunizmit në botë dhe çdo vit shpërndanë çmime dhe dekoratën e prestigjoze të “Lirisë Truman-Reagan”, atyre që, “kanë vu në dukje due që kanë punuar dhe që kanë treguar një angazhim të gjatë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë duke kundërshtuar ideolgjinë komuniste”, ndërkohë që fondacioni gjithnjë mbështet aktivitetet anti-komuniste në Kinë dhe në Amerikën Latine. Siç thashë edhe më lartë, misioni i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit në botë është themeluar për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit dhe për të promovuar lirinë për ata popuj të cilët ende jetojnë nën regjime komuniste. Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të komunizmit shprehet se këtë detyrë e konsideron si një detyrim solemn të vetin për t’i ekspozuar gënjeshtrat e komunizmit, të gjithë atyre që thonë se janë të gatëshëm që, pse jo, kolektivizimit dhe komunizmit si ideologji, t’i jepet edhe një mundësi tjetër veprimi, që të provohet edhe njëherë.
Brezat e rinj, sipas Fondacionit amerikan të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit duhet të ballafaqohen me realitetin e marksizmit, në praktikë. Thekësohet se socializmi nuk është një filozofi e mirë njerëzore due se socializmi marksist është ideologjia më vdekjeprurëse në histori. Në shekullin e 21-të, ne kemi një mundësi të mësojmë nga krimet e komunizmit gjatë shekullit 20-të dhe të ri-dedikojmë shoqërinë tonë të lirë, të bazuar në lirinë individuale, në tregëtinë e lirë, në shtetin e së drejtës, në vetëqeverisjen demokratike dhe në mbrojtje dhe respektin e të drejtave të njeriut. Në çfarë lloj bote duam të jetojmë, në shekullin 21 — një botë e përcaktuar nga kolektivizmi e komunizmi, apo nga liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?
Siç duket, me ndërtimin e një muzeu të ri — në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe të botës së lirë në përgjithësi, në kujtesë të përherëshme të viktimave të komunizmit në botë — Fondacioni (Amerikan) i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, po përpiqet që të pakën, pjesërisht, t’i përgjigjet pyetjes se në çfarë bote duam të jetojmë në këtë shekull – nën komunizëm apo në liri.
Presidenti George W.Bush duke folur me rastin e dedikimit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit me 12 Qershor, 2007, në Washington
Me atë rast, Presidenti Bush ka thenë se viktimat e komunizmit do t’i kujtojmë përgjithmonë në histori: “Ne kurrë nuk do t’i dimë emrat e të gjithë atyre që u vranë nga (komunizmi), por në këtë vend të shenjtë, viktimat e panjohura të komunizmit do të shenjtërohen në histori dhe do të kujtohen përgjithmonë. Ne e përkushtojmë këtë memorial sepse kemi një detyrim ndaj atyre që vdiqën — të kujtojmë jetën e tyre dhe të nderojmë kujtesën e tyre”.
Rrezikun nga komunizmi, ish-presidenti George W. Bush e ka krahasuar me kërcënimin e terrorizmit në fillim të këtij shekulli, ndërsa është shprehur se: “Ashtu si komunistët, edhe terroristët dhe radikalët që kanë sulmuar kombin tonë janë pasues të një ideologjie vrasëse që përçmon lirinë, shtyp të gjitha disidencat, ka ambicie ekspansioniste dhe ndjek qëllime totalitare”.