Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Korrik 2015-Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Viktoria Nuland do të bëj një vizitë disaditëshe në disa vende evropiane, përfshirë edhe Kosovën, ka njoftuar Departmenti Amerikan i Shtetit.
Nga 11 deri në 14 korrik me një ekip ndërinstitucional Nuland do të vizitojë Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Serbinë, me udhëheqësit e të cilave dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile do të diskutojë çështjet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë integrimin rajonal dhe euroatlantik.
“Në Kosovë dhe në Serbi, në mënyrë të veçantë, ajo do të diskutojë dialogun Kosovë-Serbi dhe progresin në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 të arritur në Bruksel mbi normalizimin e marrëdhënieve”, thuhej në një kumtesë të Departmentit Amerikan të Shtetit, cituar nga media.
Kryetari i Kuvendit Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të dielën, në orën 15:00, do të ketë takim me Victoria Nuland, ndihmëse për çështje të Evropës dhe Azisë e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, sapo njofton Kuvendi, ndërkohë që priten edhe njoftime të tjera për axhendën e takimeve në Prishtinë.
Në 27 shtator 2014 Presidenca kosovare njoftonte se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar në Nju Jork Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Azi, VictoriaNuland, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ndërsa, në 11 dhjetor Jahjaga ka zhvilluar një bisedë telefonike me Nuland.
Në 8 shkurt 2015 Kryeministria kosovare njoftonte se kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një takim me Nuland, në Munih, ku ka marrë pjesë në Konferencën e 51-të të Munihut për Siguri.
Në 2 shkurt MPJ kosovare bënte të ditur se, në Uashington me Nuland ishte takuar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
3 Attachments