• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARADOKSI : BASHKIMI ME SHQIPËRINË VJEN SI PATERICË PER NDARJEN E KOSOVËS!

February 12, 2019 by dgreca

Paris, 12 shkurt 2019/

Nga Klara BUDA-Shefe e Këshillit për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë/

Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.

E kam shprehur edhe më herët pozicionin[1]tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.

Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një endërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionalë për të qeverisur problemet e brendëshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.

Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo : kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimin të veriut të Kosovës më Serbinë.

Por kjo nuk është tema e këtij artikulli, ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment para zgjidhjes së problemit të Kosovë me Sërbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.

Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhët për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qellime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymëse për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër : të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.

Sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimi të Serbisë së madhe.

Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?

I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën[1].

Presheva, është një zonë të lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb e nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për tu hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kemi të bëjmë më një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.

II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën

Nëse Veriu i Mitroviçës (Miniera e Trepçes dhe Liqenin i Ujmanit) do të bashkoheshin me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëhere hidhet karemi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohet miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë!

Shtrohet pyetja, se pse pikërisht në këtë momënt, Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëherëshme për Shqipërinë e madhe? Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Sërbia.

Si konkluzion bashkimi Kosovës me Shqipërinë në fakt nuk është ende një projekt serioz i liedershipit në Shqipëri e në Kosovë, por qartësisht vetëm një patericë e idesë për ndarjen e Kosovës e kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovën dhe krijimit të Sërbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan e në Europë nuk e dëshëron.

[1]Nënvizojmë se nuk bëhët fjalë për gjithë zonën shqiptare ku përfshihet lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanovçi dhe këtu është një kurth tjetër; pse jo e gjithë pjesa shqiptare e jugut të Sërbisë, po vetëm Presheva?

[1]shih Rrokum Tv, nentor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: bashkimi me Shqiperine, Klara Buda, kosova, ndarja, Paradoksi

NDARJA…

August 2, 2014 by dgreca

Nga Rajmonda MOISIU/*
“…s’i them askujt….”
Qëlloi të ishte ditë shkurti. Ishte një e ftohtë e hidhur sa thëllimi i atij dimri të priste fytyrën si brisk. Sytë më lotonin nga e ftohta dhe sikleti, sa lotët më ngrinin në fytyrë, para se t’i fshija me kurrizin e dorës. Ky i ftohtë i madhi bënte shoqëri traumës dhe brengës sime shpirtërore, ndarjes me Manolin. Nuk pati qenë e nevojëshme t’i drejtoheshim gjykatës për të bërë divorcin, ngaqë ishim martuar shumë të rinj, adoleshentë, ne nuk kishim bërë formalitet e martesës, celebrimin, përshkak të moshës. Ndërsa vite më pas, kur erdhëm në moshë, asnjëri prej nesh nuk e zuri më në gojë aktin e martesës. Megjithëse ishin ngricat dhe rrugët me shtresa akulli, arrita më shpejt nga sa e kisha menduar në shtëpi. Qëndrova para portës dheme cepin e shallit të gjyshes, fshiva lotët nga sytë, që vazhdonin ende të më rridhnin faqeve. Nuk dëshiroja të më shihnin mamaja, gjyshja, babai, Elsa apo Koli, cilido që mund të ishte në shtëpi atë cast. Teksa fshija ato me njërën dorë, me dorën tjetër dhe me sytë e mjegulluar nga kristalet e lotëve, po kërkoja nëpër portëlidhësen, që dilte përmes një vrimë të vogël, enkas për ta hapur atë. E kishim bërë si rregull, që cilido nga familja, dilte herët në mëngjes, nuk harronte të shkonte lidhësen nëpër të. Tërhiqnim bravën e derësdhe hynim pa trokitur. Këmbora që varej në strehën e portës përplasej me kanatin e saj dhe tringëllonte, kjo na bënte të ditur njeriun e shtëpisë apo mysafirin e rradhës që hynte në shtëpi. Cuditërisht, në atë të ftohtë acar nuk ishte aty.
-Do ta ketë harruar babai kur ka dalë në mëngjes,-i fola vetes, por edhe për ta shfajësuar mamanë që e harronte shpesh. Trokita fort në derë. Pas pak ndjeva capitjet e shpejtuara të mamasë teksa mërmëriste e qortonte nëpër dhëmbë babanë, që nuk i kishte vënë lidhkën derës. Mamaja hapi derën, më përshëndeti dhe ndërsa unë prisja të më shfajësohej për lidhësen e derës, ajo më tha:
-Ai, Manoli është këtu!-dhe po më shihte drejt e në bebe të syrit, duke tundur edhe kokën, ndukte faqet, si për të më thënë, se nuk e dinte, përse ai kishte erdhur aty aq papritur, dhe shprehja e fytyrës së saj rrezatonte ankth dhe shqetësim.
-Manoli? Ku është?–e pyeta mamanë sakaq, tejet e habitur për vizitën e tij të papritur.
Përpiqesha të kontrolloja veten, madje zemra po më rrihte aq fort, sa po ma cante parzmin e gjoksit. Sikur, në shtëpi kishte rënë hija e vdekjes, ashtu m’u duk për momentin. Megjithëse ndjenja edhe një mall të papërshkruar. Kisha një kohë relativisht të gjatë që nuk e kisha parë, që prej asaj nate kur ika nga shtëpija e tij. Natën pata hyrë nuse në derën e Manolit, natën dola si grua e ndarë, prej asaj dere.
-Në kuzhinë, po bisedon me gjyshen,-më tha mamaja. Heshtur ecja pas mamasë dhe të dyja hymë në korridor. Mamaja më hodhi edhe njëherë vështrimin pezmatues, dhe duke fërkuarv duart nga e ftohta, hyri në kuzhinë. Hodha sytë në hapësirën e derës së kuzhinës, kur mamaja e hapi atë të hynte, dhe syri më kapi Manolin të ulur këmba mbi këmbë me një libër mbështetur ndër gjunjët dhe po lexonte apo bënte sikur e lexonte. Si hoqa pallton dhe këpucët, i dhashë vetes kurajo, që të përballesha me gjithcka që mund të sillte biseda jonë. Kur hyra brenda në guzhinë, më parë shkova putha gjyshen në të dyja faqet, sikundër bëja gjithmonë që fëmijë, më pas e përshëndeta dhe i dhashë dorën Manolit. Ai kishte veshur një pulovër leshi me gjithfarë motivesh e ngjyrash, që ja kishte bërë me shtiza e ëma, të cilën ia shikoja veshur për herë të parë. Në të mijtën e sekondës, bëra shtegëtimin tim imagjinar në motivet e ngjyrat e pulovrës, të ndjerë e dëshirues, të lumtur e të gëzuar, të vetmuar dhe të trishtë. Ky ndryshim, më pikëlloi, jo vetëm se pjesa ime nuk ekzistonte më tek kujdesi për Manolin, por edhe ndjeva për herë të parë botën tjetër të vetes sime, atë xhelozinë ku ndërrthurrej historia e jetës sonë, me misterin e së tashmes, të padukshmen e së ardhmes.
– Erdha të bisedojmë Jola, -më tha gati në intimitet. U fërgëllova.
-Po, Manol, shkojmë në dhomën tjetër,-kaq munda t’i them, dhe u nisa drejt derës së kuzhinës. Preka dorezën e derës dhe ktheva kokën të shihja nëse ai po më ndiqte mua. Fytyrën e kishte të zbehtë dhe vështrimin tejet tronditës të një njeriu, sikur sapo ka përjetuar ndonjë tragjedi-apo ndoshta do të përballet me të. Hymë në dhomën time. Manoli u ul pranë dritares, ndërsa unë në kolltukun përballë tij. M’i nguli sytë e tij pafolur për minuta të tëra, i zhytur në kujtime në dukje, aq sa ai shikim po më hutonte krejt.
-Do të largohem për një kohë jashtë qytetit, dhe nuk dëshiroja të largohesha, jo vetëm pa të thënë lamtumirë, por edhe pa të dhënë shpjegime, se nuk është faji i asnjërit prej nesh, por ne jemi viktima të traditës dhe zakonit, – më fliste Manoli pa m’i ndarë sytë dhe me buzën që i dridhej, sa nga e ftohta e dhomës aq edhe nga gjendja e tij emocionale. Unë qëndroja në kolltuk me këmbët e mbledhura kruspull brenda tij, në atë dhomë akull të ftohtë, duke u dridhur edhe unë si ai. Trokitje në derë.
-Hyrë,- u përgjigja sakaq.
Ishte mamaja me mangallin me prush. Si e vendosi në qoshe të dhomës, nuk harroi të më porosiste:
-Jola, lëreni kanatin e dritares paksa hapur të hyjë ajri, se ju zë gazi që del nga thëngjijtë e zjarrit. Manoli u cua menjëherë dhe hapi njërin kanat të dritares.Nëna më hodhi një vështrim të shpejtë brengosës dhe u largua duke hequr derën pas vetes. Përsëri qetësi në dhomë. Era e thëngjijve të prushit, sikur pomë përzjente stomakun dhe ndjeja të më vinte për të vjellë.
-Jola, je mirë? Ta largoj mangallin?-më pyeti Manoli menjëherë, si duket e vuri re gjëndjen time.
-Jo, jo, do të më kalojë,- iu përgjigja menjëherë. Doja që ai moment vetëm për vetëm me të, të zgjatëte pambarim.Nuk dëshiroja që të linte dhomën, për asnjë arësye.
-Manol, ti nuk mund të fajësosh traditën e familjes, veten dhe nënën tënde….
-Jola, ti e ndjeje kohët e fundit, ti e kishe kuptuar, se martesës sonë po i vinte fundi, ashtu sikundër e ndjeja dhe e pata kuptuar edhe unë. Ne ishim aq mirë dhe bukur për një kohë të gjatë, por fatkeqësisht ne nuk jemi më! Unë kisha gjetur dashurinë e jetës, veten time, atë dashurinë që kishte kuptim në cdo qelizë të forcës dhe dinjitetit të shpirtit tim të ngjashëm. Po kështu edhe ti, Jola! Por, që tashmë janë krejt ndryshe, janë shpirtra të pangjashëm.
-Manol, nuk mundem të jetojmë pa ty!-i thashë mes ngashërimit, që nuk munda ta kontrolloja.
– E kam parasysh dhe të besoj se cfarë do të thuash me këtë, por që më duket jo e sinqertë. Po, po, ti mund të jetosh edhe pa mua, ashtu sikundër ke gjithë këta muaj që ke jetuar pa mua! Biles, fare mirë e këndshëm.Nën shoqërinë e Klarës,…..apo….edhe të ndonjë tjetri….Fliste me një qetësi të matur dhe sarkazëm të spikatur, sikur po jepte ndonjë leksion, vecse dalloheshin drithërimat e padukëshme në zërin e tij, dhe një sertësi e dhimbëshme në gjestet e tij. Kjo tregonte se ai po e vuante shpirtërisht po aq sa e vuaja edhe unë. Mundohesha të lexoja në mimikën e tij, cdo fjalëqë ai thoshte. Mes fjalëve, ngrija kokën si një manjolë e trëmburdhe sa dëshiroja që koha të ndalte në vënd përgjithmonë.
-Jola, kur ne u takuam bashkë, ti ishe kalama. Për gjatë gjithë këtyre viteve, duke punuar shumë, tiu bëre një fëmijë në rritje, në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa unë dhe nëna ime, deri diku bënim jetën disi më të qetë, nga ajo normalja tënde, -e një familje me shumë fëmijë. Unë jam edukuar krejt ndryshe nga ty, me rregulla strikte të traditës sonë vllehe, ndërsa ti nën tingujt e muzikës të një sazexhiu.Një punë si gjithkush, që kujdesesha për ty, nënën time, krejt familjen tonë, ti përfitoje nga kjo, pjesën tënde sigurisht, -atë cfarë ti dëshiroje, dhe nuk të mungonte asgjë.
-Manol, ti je dashuria e jetës sime…-arrita të thoja këto fjalë. Nuk u ndjeva aspak mirë nga termi “sazexhiu” për babain tim. E gëlltita fort këtë shpoti aspak të këndshme. Ndërsa u bëra gati ta konfrontoja, Manolie nuhati dhe ma preu në mes duke vendosur gishtin tregues mbi buzët e tij:
-Shshshshët, Shët, shët…..Jola! Unë kam qenë për ty, vetëm një ndalesë e ndërmjetme dhe e gjatë.Tani uroj të gjesh më të bukurën e të mirën, dashurinë e vërtetë, sipas dëshirës tënde diku gjetiu.
-Nuk është e vërtetë Manol!-i thashë e nervozuar jo vetëm nga sarkazma që bëri pak më parë për babanë dhe mllefin që turfullonte brenda meje, por edhe nga mënyra se si po e interpretonte marrëdhënien tonë në gjithë ato vite. Isha mëse e sigurtë, që cdo fjalë e tij nënkuptonte Teon dhe xhelozinë e thekur të tijpër të, ndër vite të tëra.
-Jola, unë nuk po të akuzoj. Unë vetëm po them të vërtetën e së vërtetës, me atë gjuhëqë e kuptojmë vetëm ne të dy. Nuk është mirë apo e ndershme ta mohojmë atë. Të lutem, mos u mërzit, por është e trishtueshme, -jo, jo, është tragjedi, fati ynë i mallkuar, që nuk mundëm t’i dhuronim njëri tjetrit dashurinë e vërtetë. Thjesht ne nuk mundëm ta jetonim atë jetë, që ne e ndjenim dhe duhet ta jetonim, ne thjesht nuk e kemi pëlqyer e dëshiruar atë jetë. Ne jetojmë në një qytet të pastër, të qetë, të kulturuar dhe të qytetëruar. Xhirot e mbrëmjes në bulevardin kryesor, një film në kinema apo teatër, apo në lulishte me një mik, pra të qënit aktiv në jetën e përditëshme, i jep gjithkujt pak a shumë, kënaqësinë e kësaj jete. Është kjo ajo cfarë unë kam dëshiruar në familjen time, por që ti e përcmove.
-Mos ndoshta është dikush tjetër në jetën tënde, Manol?-e pyeta vetëtimthi. Isha ngërthyer e tëra nga habia e mënyrës se si po fliste Manoli. Mos vallë kjo ishte ajo vetja tjetër e Manolit, që nuk e kisha njohur kurrë?! Ndjeva sytë të më digjnin nga inati dhe zemërimi, që ai pra, burri im kishte ndryshuar tërësisht. Zuri kokën me të dy duart, shtrëngonte nofullat dhe kërciste dhëmbët.
-Ti e di, më mirë se unë, Jola! Unë kurrë nuk do të dua njeri tjetër, ashtu sikundër të kam dashur ty! Unë kurrë nuk do të ndalem se dashuruari dhe të të dua ty, Jola! Por rrugët tona janë ndarë tashmë, ne nuk mund të vazhdojmë më…
Ndjeva dhomën të më vinte rrotull.Po më merrreshin mendtë. Kurrë nuk e kisha besuar se do të vinte kjo ditë që Manoli të ma thoshte në sy, për të mos shpresuar më, se mund të bashkoheshim ndonjë ditë. U kapa në anësoret e kolltukut, që të mos bija në dysheme dhe e turbulluar munda t’i thosha:
-Manol, e ke menduar ndonjëherë se ku gabuam, ne të dy?!
-Askërkund! Asgjë! Cdo gjë! Gjithcka! Ka plot e plot gabime! Ato janë të tuat dhe të mijat!
-Manol, po më vë në provë që unë të zgjedh mes teje, karrierës e familjes sime, pse jo edhe mes teje e nënës tënde, -nuk arrita ta mbaroja mendimin tim, por sakaq Manoli kërceu përpjetë, dhe tha:
-Aspak! E kam cuar nëpër mend edhe atë!-tha ai, ndërkohë që i nervozuar mbështillte shallin e zi, rrotull qafës.-E kam përfytyruar veten time kaq herë, edhe kur ishim bashkë, por edhe gjatë kësaj kohe, mungesës tënde, që të të thoja: “Mua ose këngën, mua ose karrierën tënde, zgjidh e merr! Por, isha dhe jam mëse i sigurtë, që ti do të zgjidhje karrierën. Për më tepër, unë isha i frikësuar dhe i dyzuar, në rast se ti më zgjidhje mua dhe do të ishim të trishtuar e të dëshpëruar përgjatë gjithë jetës, dhe do të ndjehesha fajtor ndaj teje dhe jetës tënde. Pra, kjo nuk ishte zgjidhja e duhur! Kështu që nuk po ta kërkoj të vendosësh, sepse unë e kam vendosur, tashmë.
-Mendoj, se nuk është pikërisht vendimi, që duhet të marrësh,-i thashë me zërin krejt të mekur.
-Sidoqoftë, unë e kam marrë atë vendim, Jola! E di si buka që hahet, që ti edhe mund të më marrësh zët apo të më urresh, këtë cast. Ndoshta edhe përgjithmonë, por uroj që kjo të mos ndodhë, kurrë, që të urrejmë njëri-tjetrin. Të vetmin merak që kam për ty dhe të jem i sinqertë, po atë merak kam edhe për veten time, se kush nga ne të dy ka probleme shëndetsore, që nuk arritëm të kemi një fëmijë, -vazhdoi të fliste Manoli tejet i dëshpëruar. Vari kokën në gjoksin e tij. Brofa në këmbë dhe iu afrova Manolit!Më kishte prekur në pikën më të dobët, në atë pikë, që kishte ndikuar trishtueshëm në ndarjen tonë. Tentova t’ia ledhatoja flokët sikundër bëja dikur, kur ishte i lodhur apo zemërohej dhe i mërzitur, por ai e shmangu atë, duke i dhënë trupit mbrapa.
-Manol, kjo është një brengë tejet e dhimbëshme, si do të mund të jetoj unë pa ty?
-Ja ashtu sikundër po jeton përherë,-më tha. U cua dhe iu drejtua derës së dhomës. Vuri dorën mbi dorezën e saj dhe vazhdoi:
– Jola, unë kurrë nuk i kam besuar divorcit. Akoma kam shpresë, që një ditë, ne do të mund të gjejmë një zgjidhje, si një mundësi e besimit në martesën tonë të prishur tashmë. Ti ke plot mikesha e miq prej të gjitha llojeve, kështu që nuk do të kesh andrralla, aq më tepër që nuk ke as edhe fëmijë, që të të marrin kohën, apo edhe mua nëpër këmbë, që të të kundërshtoj.
-Kjo është e gjitha! Kjo është ajo cfarë ti dëshiron, Manol! Fëmijët! Ne duhet të shkojmë që tani te doktori të dy, të bëjmë analizat dhe rekomandimin e doktorit për ilacet. Unë shpresoj shumë, Manol! Le t’i japim edhe një mundësi tjetër vetes tonë, lidhjes e dashurisë sonë, dhe shumë shpejt ne të dydo të kemi krijesën tonë!
-Që unë kam dashur fëmijë, Jola, ti e ke ditur këtë , qëkur ne u martuam. Por, tashmë është vonë dhe motivet mund të jenë të gabueshme.A më dëgjon cfarë po të them? Unë po largohem, po të lë të lirë, ajo c’ka ti dëshiron më shumë!
-Nuk e dua atë liri pa ty, unë të dua ty,Manol! Të lutem, mos ik! Mos u largo nga unë! Por ai ishte larguar, para se unë t’i mbaroja ato fjalë. Mbeta e shtangur, e tronditur dhe e tmerruar teksa dëgjoja zhurmën e hapava të tij, sa vinte e zbehej. Shkova nëpërmend gjithcka me një melankoli të trishtë, dashurinë dhe ndarjen.Deri atëhere pata menduar që dashuria është mëe fortë, dhe e kërkon më shumë, kur nuk e ke pranë atë që dashuron, biles edhe kur vetë zgjedhim për të mos qenë më, së bashku.
Dëgjova zërin e tij te porta e shtëpisë, që i tha mamasë “lamtumirë”, dhe më pas tingëllimën e këmborës nën strehë, zhurmën e menteshave të ndryshkura dhe përplasjen portës.
-Do të përpiqem ta harroj, – i thashë vetes. Ndjeva lotët të më rridhnin nëpër faqe..
Dhe shtova po me zë:
-Nuk mundem! Kurrë!
Nga kuzhina vinin tingujt e kitarës të babait dhe dëgjova zërin e tij të ngjirur që këndonte.Kishte pirë. Hyra në kuzhinë me kokën ulur dhe ashtu e heshtur, u ula pranë babait. Fillova të këndoja edhe unë me të:
“Që atë ditë që ne u ndamë,
Edhe u pamë sy ndër sy,
Ndjeva një mall, m’u hap një plagë,
Nuk ëndërroja vec për ty!

Por le të rrjedhin lotët e mija,
Porsi lumenj, porsi përrenj,
Por le të bëhen krojet vija,
Nuk të harroj gjersa të vdes!”

Nëna, gjyshja dhe Koli nuk m’i ndanin sytë, ndërsa babai më shoqëronte duke kënduar. Lotoja dhe këndoja!…
*Fragment nga romani ne doreshkrim i autores

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: fragment, ndarja, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT