Shkruan: Reshat Kripa/
Gjatë jetës së tyre njerëzit kalojnë nëpërmjet një rruge të gjatë. Në këtë rrugë, nisur nga rrethanat që iu paraqiten, ata shpesh herë ndërrojnë mendimet dhe bindjet e tyre. Kjo është një gjë normale. Nuk është e thënë që një individ të mbajë të njejtin mendim apo bindje për gjithë jetën e tij. Kushtet në të cilat jeton njeriu janë determinante në formimin e bindjeve. Por kushtet mund të ndryshojnë disa herë gjatë rrugës së jetës dhe, një gjë e tillë, nuk duhet të na çudisë për ndryshimin e mendimeve dhe bindjeve të njerëzve. Por ka një gjë që është konstante dhe që njerëzit duhet ta kenë parasysh. Kjo është ndërgjegja, është kurajua civile.
Vendi ynë kaloi një periudhë mjaft të gjatë, gati një gjysmë shekulli, nën sundimin totalitar të sistemit socialist apo, më saktë, të sistemit komunist. Pranohet prej shumicës së popullsisë së vendit tonë se në atë sistem, individi nuk ishte gjë tjetër veçse një manekin që ishte i detyruar të vepronte sipas shkopit të dirigjentit. Në të kundërt e priste gjëma. I ndodhur në këto rrethana individi ishte i detyruar të vepronte jo siç i thoshte ndërgjegja e tij, por siç e urdhëronin. Këtë rrugë, për fat të keq, e ndoqi shumica e qytetarëve të këtij vendi.
Në këtë shkrim nuk dua të flas për turmën e madhe të popullsisë së vendit, megjithse edhe asaj i zunë duart kallo nga duartrokitjet për diktatorin dhe pasuesit e tij. Në këtë shkrim dua të flas për inteligjencën shqiptare., Dua të flas për drejtuesit e Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe ata të dikastereve qëndrore, për drejtuesit e komiteteve ekzekutive apo kooperativave bujqësore, për punonjësit e organeve të diktaturës, atyre të Sigurimit të Shtetit dhe të burgjeve e kampeve famëkeqe, për sekretarët e komiteteve të partisë në rrethe apo institucione të ndryshme, për drejtuesit e Bashkimeve profesionale, organizatave të gruas, rinisë e të tjera. Por dua të flas edhe për shkrimtarët, për poetët, për kritikët letrarë, për dramaturgët, për skenaristët, për kineastët, për piktorët, për skulptorët, për aktorët, për regjizorët, për muzikantët, për këngëtarët e të tjerë të kësaj kategorie.
Por, edhe këta, ishin ndarë në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshiheshin të gjithë ata që, nën ndikimin e indoktrinimit, besonin se ndodheshin në pozita normale dhe i shërbenin verbërisht me ndërgjegje sistemit. Ky shërbim karakterizohej nga cinizmi dhe imoralitetit. Për këta fanatikë nuk ekzistonin norma morale. Ishin të gatshëm që atë që deri më dje e kishin mik, ta shpallnin, papritur dhe pakujtuar, armik dhe kjo vazhdoi gjatë gjithë periudhës së sundimit totalitar. Janë të njohura eliminimet e grupeve të ndryshme të mbiquajtura “kundra pushtetit popullor” ku sharlatanët sulmonin miqtë e dikurshëm deri sa iu vinte rradha edhe atyre të sulmoheshin nga miq të tjerë. Këta ishin njerëz ndërgjegja e të cilëve kishte vdekur, ishin njerëz që u mungonte krejtësisht kurajua civile.
Në kategorinë e dytë hynin ata që, megjithse ndërgjegja u thoshte se rruga nëpër të cilën po ecnin nuk ishte e drejtë, vazhdonin në po atë rrugë. Kishte politikanë që i brente ndërgjegja për veprimet e kryera por, megjithatë, vazhdonin përsëri pasi nuk kishte kthim prapa. Një kthim i mundshëm prapa do të thoshte shkatërrim moral dhe fizik për të dhe trashëgimtarët e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punonjësit e artit, kulturës dhe letërsisë. Muzikantët ishin të detyruar të kompozonin pjesë me një përmbajtje thellësisht totalitare dhe këngëtarët ishin të detyruar t’i ekzekutonin këto pjesë. Dramaturgët dhe skenaristët ishin të detyruar të shkruanin drama dhe skenare ku ngrihesh në qiell “njeriu i ri socialist” dhe aktorët e kineastët ishin të detyruar t’i interpretonin apo t’i regjistronin në shirita kinematografik. Shkrimtarët dhe poetët ishin të detyruar të shkruanin për armikun e klasës dhe ta paraqisnin atë në mënyrën më diskredituese, ndërsa kritikët letrarë ishin të detyruar t’i ngrinin sa më lart këto vepra dhe kur shihnin se te ndonjëri diçka nuk shkonte ta groposnin. Për të njëjtat arsye edhe piktorët dhe skulptorët krijonin vepra ku dilte në pah forca e madhe e klasës punëtore. Të gjithë vepronin sipas skemave të të ashtuquajturit “realizëm socialist”. Në mes të kësaj kategorie kishte njerëz që ndërgjegja e tyre nuk i linte të qetë. Kurajua civile e tyre i shtynte për të gjetur rrugë që, në një mënyrë apo tjetër, nëpërmjet alegorisë apo formave të ndryshme, të tregonin se ka edhe rrugë të tjera nëpër të cilat duhet të ecë njeriu. Këta individë në më të shumtën e rasteve, përfundonin në humnerë.
Ndërsa në kategorinë e tretë përfshiheshin të gjithë ata që patën kurajon t’i kundërviheshin sistemit dhe që e paguan shumë shtrenjtë kundërshtimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë të gjithë ata që nëpërmjet grupimeve të ndryshme antikomuniste, apo formave të tjera të protestës, të ngriheshin kundër totalitarizmit. Ata më stoikët e paguan kundërshtimin e tyre me humbjen e jetës. Të tjerë e paguan me prangat e rënda në duar. Shumica tjetër me heshtjen, me mbylljen në vetveten e tyre. Ndërmjet tyre pati edhe disa që shkruanin. Ata shkruanin për lirinë, për mendimin e lirë, për demokracinë. Por veprat e tyre nuk i lexonte askush. Ato mbetën të panjohura për lexuesin shqiptar. Me ato kënaqej vetëm autori i tyre, i cili priste ditën kur do t’i shpallte pa patur frikë. Këta i përkisnin asaj shtrese që e kishin ndërgjegjen të qetë dhe që nuk iu mungonte kurajua civile.
Më së fundi, pas gati një gjysmë shekulli, në saj të rezistencës së gjatë ndër vite dhe revoltës së fundit popullore,, sistemi totalitar u përmbys dhe filloi ndërtimi i shtetit të ri demokratik. Së bashku me konturet e këtij shteti, në vend filluan të shfaqen edhe fenomene të ndryshme që vinin si rezultat i mentalitetit të krijuar gjatë viteve të obskurantizmit komunist dhe që ishte ngulitur në ndërgjegjen e këtij kombi. Më të pastër në këtë drejtim, dolën përfaqësuesit e kategorisë së tretë, të përshkruar më lart, pasi ata kishin vite që e kishin braktisur atë sistem dhe atë mentalitet, ndaj u rreshtuan në të djathtën shqiptare.
Përfaqësuesit e kategorisë së parë u rreshtuan përkrah forcave më të errëta të vendit duke ëndërruar për një rikthim të sistemit të rrëzuar. Ata u rreshtuan me të majtën ekstreme. Ndërsa përfaqësuesit e kategorisë së dytë u ndanë në dy krahët e politikës shqiptare. Ata më konservatorët u rreshtuan majtas, ndërsa më liberalët djathtas.
Natyrisht nuk mund të pretendosh që të gjitha segmentët e popullsisë të rreshtohen në të njëjtin krah. Ky është regulli numër një i demokracisë. Secili ka të drejtë të rreshtohet në krahun që e ndien më afër vetes. Sikundër e kam theksuar edhe në fillim të këtij shkrimi, secili ka të drejtë t’i ndërrojë bindjet e tij kur bindet se ato të mëparshmet nuk ishin të drejta. Por kryesorja është se ai duhet të reflektojë për kët.ë ndryshim. Këtu del në pah ndërgjegja e individit, del kurajua civile e tij. A e lejon ndërgjegja dhe a e ka kurajon civile ta hedhë plotësisht dhe zyrtarisht të kaluarën e tij? A ka fuqi ta deklarojë hapur një gjë të tillë?
Sot,, me përjashtim të një pakice fare të vogël, nuk gjen asnjë individ që zyrtarisht të mbrojë sistemin e përmbysur. Gati të gjithë thërrasin “Poshtë komunizmi”! Por a e luftojnë me të vërtetë atë? Për fat të keq kjo nuk vihet re. Gati për ditë lexojmë në faqet e shtypit të shkruar apo ekranet e medias elektronike intervista të personaliteteve të larta të së kaluarës së errët, apo fjalime dhe kujtime të shkaktarëve të asaj tragjedie. Një gjë e tillë bie ne sy kryesisht në të majtën shqiptare. Ajo është deklaruar haptazi se është në mbrojtje të mentalitetit të atij sistemi. Them të mentalitetit se, pasi po të mendosh se po t’i pyesësh dhe do të të përgjigjen sinqerisht, nëse dëshërojnë të rikthehet përsëri ai sistem, përgjigja do të ishte negative dhe kjo për arsyen e thjeshtë se niveli i jetesës së tyre sot është qindra herë më i lartë se atëherë kur ishin në pushtet. E vetmja gjë që u mungon është pushteti absolut që kishin atëherë dhe nostalgjinë ata e kanë pikërisht për këtë pushtet.
Po te e djathta si qëndron çështja? Zyrtarisht ajo e ka kurajon të dënojë të kaluarën. Ajo e ka, gjithashtu, inisiativën për të përmbysur çdo gjë të errët të asaj të kaluare. Por, të djathtës shqiptare i mungon kurajua civile individuale për të demaskuar të kaluarën e tyre personale. Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë politikan, drejtues institucioni, artist apo shkrimtar të hedhë poshtë atë pjesë të aktivitetit apo veprave të tij të kryera si pasojë e shtypjes së ushtruar nga regjimi. Nuk do të ishte turp apo fyerje e personalitetit të tyre hedhja poshtë e së keqes që secili ka patur mbi veten e tij, përkundrazi, do të kishte qenë një xhest human dhe lehtësues për ndërgjegjen e atij që kryen një veprim të tillë.
Megjithse e kam shkruar edhe herë të tjera por ia vlen ta përsëris edhe një herë me këtë rast. Kam para sysh një shprehje që princi Hamlet ia drejton s’ëmës, mbretëreshës Gertrudë, në tragjedinë me të njejtin tirull të Uilliam Shekspirit,ku ai i thotë:“O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë!”
Nuk e di nëse këtyre qytetarëve u ka mbetur një gjysmë zemre më e mirë, përndryshe do të ishte një fatkeqësi për këtë komb.
Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes (Nevetes) së kujtdo
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
“…Veprimi pa arsye nuk të çon askund.
Është njëlloj si, kur të eturin e çon në
100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë.
Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth
planetit pa orientim, pasi mungon busulla...”
Arsyeja është thirrja që ndërgjegjja i bën logjikës, për të arritur një pikësynim, apo për realizime sa më të avancuara të jetës. Nëse arsyeja i përgjigjet kësaj thirrjeje, atëherë vepron logjika e ftohtë dhe e fortë dhe cilido di të udhëtojë drejt zgjidhjes së çdo enigme.
Veprimi pa arsye nuk të çon askund. Është njëlloj si, kur të eturin e çon në 100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë. Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth planetit pa orientim, pasi mungon busulla.
Kur mungon arsyeja, mendimi është si pema e tharë që nuk jep fruta, pasi njeriu është pa asnjë synim në rrugëtimin e tij të gjatë që e ka emrin jetë. Nëse në një mendje gjendet një arsye e fortë dhe bindëse, gjithsesi ajo nuk është e aftë të bëjë asgjë, kur individit i mungon talenti dhe pasioni. Duhet të theksoj se arsyeja është individuale, është vetjake siç është liria e shpirtit, liria vetjake, së cilës i përgjigjet vetëm “Njëmendësia”. Kjo e fundit vepron sipas aftësisë mendore, shpirtërore, fizike dhe mbështetet në talentin, pasionin dhe vullnetin me të cilat është pajisur individi.Që arsyeja të veprojë siç duhet, veç atyre cilësive të lartpërmendura, nevojitet kurajo dhe guxim për të vepruar.
Duke kujtuar thënien e një poeti, piktori dhe filozofi Libanez, Khalil Gibran(Jubrān Khalīl Jubrān- që lindi më 6/12/ 1883 dhe vdiq 10 /4 /1931 në New York), se: “Arsyeja dhe pasioni janë timoni dhe vela e shpirtit tonë lundrues…”,po vazhdoj…
Jeta e njeriut i ngjan lundrimit të një detari, në kohë dhe mot të ndryshëm, anija e të cilit vozit në ujëra të qeta, të turbullta apo të trazuara nga stuhitë. Sipas Khalil Gibran, arsyeja është timoni i anijes, kurse pasioni është vela që ecën në drejtim të erës ose kundër saj. Ç’ndodh me njeriun vallë gjatë këtij lundrimi të gjatë e të vështirë në thellësi apo në cekëtina, sipas rrymës apo kundër saj? Si formohet ky njeri? Ç’shkallë personaliteti dhe nga se karakterizohet individualiteti i tij?
Arsyeja, talenti dhe pasioni përbëjnë një trinom i cili jep rezultat e diuhura, kur janë krijuar kushtet dhe janë të gjitha mundësitë për njohjen e botës. Arsyeja jashtë realitetit është si një hambar i zbrazët. Ndaj si bazë e aryes shërben njohja, jo si termë filozofik, por përmes saj arrihet tek realja nëpërmjet të të prekurit të shqisave dhe të menduarit.
* Më parë duhet të dimë se deri ku mund të arrijë njohja, gjë që varet nga vullneti për ta arritur në një konkluzion. Veçanërisht duhet të dimë se a është e aftë apo në gjendje “Njëmendësia”(Nevetja) të arrijë kufirin e njohjes së botës dhe të zbulojë se sa vërtetësi ka në këtë njohje? Nëse në njohjen e botës mungon e vërteta, atëherë në të gjitha shkencat do të sundojë subjektivja.
* Po kështu nuk mund të ketë letërsi dhe kulturë që t’i përgjigjet realitetit nëse nuk ekziston liria vetjake e të menduarit. Theksoj se kjo liri fitohet kur e njeh botën dhe një nga kushtet e kësaj njohjeje është përvoja jetike, që ndryshe, ose shkencërisht quhet empirizëm.
*Ato që e bëjnë individin ta njohë botën deri në qelizë, janë shqisat, përmes të cilave krijohen ndjesitë për të shprehur atë që njohe dhe çfarë ndjen gjatë njohjes. Kjo quhet “Përvoja Ndijore” (sensuale), që është burim i pazëvendësueshëm i njohjes. Kjo është mëse e vërtetë. Bota reale nuk mund të njihet pa njohjen e jashtme të saj, nëse nuk shihet, nuk preket, nuk dëgjohet ,nuk shijohet dhe nuk nuhatet.
*Por për ta njohur botën dhe vetveten, njeriut i duhet edhe përvoja e brendshme, ndjesitë e individit(sensualiteti) lidhur me atë çka ndodh brenda qenies së tij. Duke u nisur nga këto ndjesi që pëcillen nga gjymtyrët apo nga gjendja e brendshme shpirtërore, njeriu reflekton përmes ndërgjegjes.
*Disa filozofë(Platoni, Lajbnici, Dekarti, Spinoza etje) thonë: “Arsyeja është i vetmi burim kryesor i njohjes së botës.” Pa arsye nuk mund të kuptohet se cila është themelore në jetë. Pa veprimin e mendjes apo arsyes nuk mund ketë as shkencë, as art, as letërsi, as kulturë dhe as zhvillim tërësor të njerëzimit. Kjo shkallë e njohjes quhet Racionalizëm.
Duke e lidhur me artin apo letërsinë, them se nuk ka art të mirëfilltë, të shkallës sipërore kur mungon përvoja jetike dhe njohja e thellë e botës. Nëse vendosim përballë dy autorë letrarë të shquar, për realizimin e një drame letrare me temë të njëjtë nga genocidi i diktaturës komuniste edhe në rolet të jenë aktorë nga shtresa të ndryshme sociale. Autorët të jenë me prejardhje të ndryshme shoqërore, pavarësisht se tema do të jetë zgjedhja e tyre, sipas mendimit tuaj, cila prej tyre do të jetë më e arrirë?
Jam e bindur se autori që e ka provuar dhembjen deri në palcë, do të nxjerrë një vepër të përkryer, madje madhore, sepse nuk mbështet në hamendësime, por në njohjen e realitetit, i prekur fiszikisht dhe shpirtërisht nga ai. Jo më kot është thënë:”Arti, letërsia burojnë prej dhembjes, por pa lënë në harresë lumturinë.”Veçse arti që buron nga dhembja është tronditës, të bënë të mendohesh dhe të mbash qëndrim kritik ndaj problemeve që shkaktojnë dhembje dhe vuajtje. Kurse ai që buron nga lumturia është si limonada me akull në verën e nxehtë. Iku vapa , akulli shkrin dhe ky lloj arti apo letërsie harrohet. Ndërsa ai që ka në qendër tragjedinë e një kombi, lë vragë dhe nuk harrohet. Ky art shërben si udhërrëfyes i njereiut pozitiv, që e do ndryshimin dhe zhvillimin e kombit.
*Duke e parë në mënyrë kritike njohjen që vjen si bashkëpunim i shqisave me mendjen. Njohja fillon me shqisat por formën e saj të plotë e jep mendja, e cila formëson materialin e shqisave që paraqitet në një kaos të vërtetë. Për këtë shoshitje formuese, Kanti si pëfaqësues i Kriticizmit thotë:“Mendja është ligjëdhënëse e Natyrës”.Janë njerëz ata që formësojnë ligjet. Ligjëvënësit, a nuk nisen nga arsyeja që njeriu të njoh ligjin, ta respektojë e ta zbatojë atë, që njerëzit të jenë të barabartë para tij dhe duke u mbështetur në kushtetutë janë të prirur të kërkojnë drejtësi. Përsëri është Arsyeja ajo, që ekzekutuesit e ligjshmërisë i shkelin ato për inetersin vetjak. Shohim se mendja ndërton dhe prapë ajo shkatërron atë që ngriti vetë.
*Njohja e vërtetë, njohja e Njëmendësisë, është e mundur vetëm përmes intuitës. Ky proces ndjesish të qëndrueshme(permanente) që nuk spjegohen nga logjika dhe arsyeja humane (por janë aftësi irracionale të njeriut), quhet intuitivizëm. Sipas tij vetëm intuita është në gjendje të njohë dhe të dallojë atë që është kryesore apo më thelbësore për jetën. Pikërisht të nisur nga intuita si bazë njohjeje, shumë autorë veprash e marrin tematikën nga eposi antik, për mos t’i lejuar vetes hapësira kritike.
*Për mundësinë e njohjes së botës ekzistojnë dy pikëpamje po aq të skajshme si: dogmatizmi (besimi në të shkuarën dhe kundërshtim i të resë) dhe skepticizmi :pavendosmëri (luhatje në përcaktimin e njohjes). Këto sot janë nga dukuritë më jetike. Lidhur me dogmatizmin dhe skepticizmin si pikëpamje që pengojnë zhvillimin përmes njohjes së realitetit, shohim se politika e çdo ngjyre, apo njerëzit që udhëheqin kulturën, institucionet e saj, janë gati të hyjnizojnë çdo vepër të së shkuarës, të vlerësojnë dhe mitizojnë shkrimtarët, regjisorët, aktorët që kanë vdekur, vetëm e vetëm për të mos i pasur si ferra nëpër këmbë krijuesit e rinj që japin vlera bashkëkohore.
Lind pyetja:Mos vallë Arsyeja apo Mosarsyeja e shndërrojnë njeriun në dogmatik, skeptik apo realist? Njeriu e zgjedh vetë rrugën për arritjen e qëllimit. Sipas përzgjedhjes dhe zgjidhjes së formimit ndërgjegjësor, gjithmonë vepron arsyeja, e cila nuk është e përkohëshme, as rastësore. Arsyeja mund të jetë e varfër ,por asnjëherë luks fasade, por ajo vepron sipas kushteve, faktorëve në të cilat kalon jeta e individit. Janë pikërisht këto dukuri që ndikojnë në formimin individual të tij. Mbështetur në këndvështrimin individual ndaj botës, problemeve sociale të cilitdo, vepron arsyeja. Nuk është erosi i vetmi ndijim që të burojë art nga shpirti i poetit. Tek një individ që ka lindur me dhunti, duke jetuar me problemet, dramat dhe tragjeditë, nis e vepron arsyeja. Pra bota që e rrethon, me të gjitha dukuritë dhe fenomenet e saj, ndikon në “Njëmendësinë”, në njohjen e “Nevetes”. Nëse arrin të njohësh veten, ke arritur shkallën më të lertë të të menduarit. Mendimi apo arsyeja e këtij njeriu vepron krahas ligjeve të natyrës dhe kurrë krahas kushteve që vënë politikat apo qeveritë. Ato shkojnë e vijnë, kurse njeriu me intuitën e tij, duke vënë përballë dy të kundërtat e arsyes, formëson karakterin e tij, i cili shprehet në të gjitha fushat ku ai vepron si: art, letërsi, shkencë, ekonomi, kinematografi , drejtësi etje.
Atëherë arrijmë në përfundimin se duhet Logjika që të njohim format dhe parimet e të menduarit real dhe të vërtetë. “Logjika është mjeti për të hyrë në studimin e shkencave, në art dhe në fushat krijuese. (Aristotel)”
Shkenca filozofike, që merret me studimin e mundësisë, vëllimit, të vërtetësisë e të kritereve të njohjes së botës, sendeve dhe dukurive të ndryshme, është Gnoseologjia. Duhet studiuar kjo shkencë që të njohim botën dhe veten, gjithmonë përmes arsyes.
Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes (Nevetes) e cila kur arrin shkallën më të lartë të të menduarit, mendimin e avancuar, ka krijuar Mbinjeriun apo Gjeniun. Pra si pasojë e Arsyes, roli i “Njëmendësisë”,është sa i avancuar në formimin e njeriut “Njeri” dhe po aq i vyer në dhënien e vlerave reale kombëtare. Nga Arsyeja varet formimi i karakterit të njeriut dhe se çfarë është në gjendje ai të krijojë.