• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PËR THANAS DHESPON,“ZHEJOTI FISNIK,QË SFIDOI KALVARIN”…

August 19, 2016 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

“Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet…”(Fransua Miteran, ish-Presidenti i Francës)

 Koha ikën, si pa u ndjerë…Por ajo lë gjurmë të pashlyera në jetën e secilit. Afër katër vjet më parë, pata kënaqësinë që të merrja pjesë në përurimin e librit kushtuar birit të njohur të Zhejës së Zagorisë, në Gjirokastër, Thanas Dhespo. Me atë rat, publikova një shkrim modest. Nuk e kisha “harruar” takimin me atë dhe as ceromoninë e bukur, që u organuizua në Muzeun Historik Kombëtar. Por, megjithatë, nuk më ishte dhënë rasti të mësoja më tej për gjendjen e tij, ta takoja atë prapë ose bashkëshorten, Virgjilicën (Nicën). Por ja që, përsëri, pikërisht kjo u bë nismëtare për t’u takuar e për të biseduar, si për të nderuarin Thanas Dhespo, por dhe për tema të tjera të jetës. Kështu, sot paradite ajo na ftoi të pinim kafe së bashku, në afërsi të shkollës 9-vjeçare të kryeqytetit, “Vasil Shanto”. Aty ndodheshim: unë, Nica, Kiço Kapetani me bashkëshorte Violetën dhe Niko Ligori. Ishin ftuar edhe disa veta të tjerë, por nuk patën mundësi që të vinin, për arsye të ndryshme. Ndër të tjera, aty mësuam se familja e Th.Dhespos, nga dëmshpërblimi i përfituar, një sasi të konsiderueshme parashë do ta dhurojë për fëmijët e sëmurë talasemikë.Me këtë rast, në këtë takim të ngrohtë, bashkëshortja e tij na dhuroi disa fotografi etj., por dhe një kasetë, nga ceremonia e zhvilluar në Presidencë, më 24 tetor 2013, për nder të Thanas Dhespos, me rastin e dorëzimit të “Medaljes së Artë të Shqiponjës”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në motivacion shkruhet: “Si një ndër intelektualët, i cili me thjeshtësinë, zgjuarësinë, botëkuptimin e thellë kulturor,linguistik e filozofik, u kthye në simbol të qendresës dhe tolerancës njerëzore”. Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, më poshtë po ribotojmë shkrimin tim, nga koha e përurimit të librit kushtuar birit të Zhejës së Zagorisë, Thanas Dhespo. Me këtë rast, përsëri i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, bashkë me Nicën dhe njerëz të tjerë të dashur të tyre!                                               

 x     x    x

“1.Vitet e fundit, më ka rënë rasti të marr pjesë në mjaft përurime librash, letrarë e publicistikë etj., shkruar nga autorë të ndryshëm. Ndërmjet tyre, kanë qenë dhe libra jetëshkrimorë, nga vetë përsonat e interesuar ose shkruar nga të tjerët për ta. Një formë e veçantë, që pëlqehet tani, është edhe ajo, kur mblidhen kujtime e dëshmi,  dokumente e fotografi për ta njohur lexuesin me jetën dhe veprimtarinë e një njeriu të caktuar. I kësaj natyre ishte edhe libri, për të cilin më foli miku e kolegu im, prof.Hulusi Hako, që u përurua në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Por ai ka të veçantën e tij, se flet për jetën e trazuar dhe plot vuajtje të një të përndjekuri nga sitemi monist i kaluar, pikërisht për birin e Zhejës së Gjirokstrës, Thanas Dhespon.

Kishin ardhur familjarë, shumë miq e dashamirë të tij, bashkënxënës, bashkëkrahinas e bashkëvuajtës. Ndër ta, kishte dhe persona që, për Thanasin, i  kanë shkruar me dashuri e të sakta kujtimet e mbresat e tyre, nisur nga vitet e rinisë dhe më pas  të vuajtjes nëpër burgje dhe që janë publikuar në këtë libër të ri. Përurimi tërhoqi edhe vëmendjen e medias së shkruar e asaj elektronike.

Po t’i hedhësh një vështrim ballinës së fundit të librit në fjalë, menjeherë bien në sy fjalët e mendimet, që kanë shprehur për Thanas Dhespon personalitete të njohura ndërkombëtare. Të tillë janë: Fransua Miteran (ish-President i Francës), Toni Bler (ish-kryeministër i Britanisë së Madhe), Franc Gensher (ish-ministër i Jashtëm i RF Gjermane), Dora Bakojanis (ish-ministre e Jashtme e Greqisë) e tjerë. Po rishkruaj vetëm fjalët e F.Miteran: “Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet”. Pra, besoj, çdo koment këtu është i tepërt.

Ballinat e librit, kushtuar Thanas Dhespos…

2.Po, natyrshëm, lexuesi është kureshtar të mësojë më shumë për këtë njeri të thjeshtë, por të rrallë, për të cilin kanë shprehur mendimet e tyre, në këtë libër, edhe mbi 40 të afërm, kolegë, miq e të njohur të tij.Po kështu, janë ripublikuar shkrime nga shtypi për të. Është gjë e mire, që këto matariale shoqërohen edhe më mjaft fotografi shprehëse.Thanas Dhespo lindi në Zhejë të Zagorisë, më 5 shtator 1928. Aty e mbaroi shkollën fillore.Ndërsa pas çlirimit e ndoqi shkollën 7-vjeçare në Gjirokastër. Po aty e vijoi edhe Gjimnazin “Asim Zeneli”, ku meritoi nota shumë të mira. Po, pesë muaj para provimeve të maturës, pra më 18 janar 1952, ndodhi një e papritur, e cila e ndryshoi krejtësish rrjedhën e jetës së tij. Atë e prangosën, bashkë me dy konviktorë të tjerë, me akuzat se “donin të kryenin sabotim ekonomik në bujqësi” dhe “donin të arratiseshin”!?Gjykata e dënoi Thanasin 20 vjet burg dhe, nga këto, i vuajti 15 vjet e tre mmuaj, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe në kampet e punës së detyruar, në Tiranë, Elbasan e Myzeqe. Janë kaq prekës vargjet, që ai shkroi në qeli, në shkurt 1952, në poezinë “Më iku pranvera e rinisë”: “Të tharë lotët, në sy më qendrojnë/ dhe në buzë qeshjen e kam të ngrirë,/ pranverën e bukur më nuk e shoh!…” Dhe nga fundi: “Pasuri nuk dua, më duhet vetëm liria,/ i varfër le të jem, sa vetë varfëria…”Pas lirimit nga burgu, Thanasi  jetoi afër 25 vjet në fshat dhe punoi në bujqësi, duke përjetuar përbuzjet e përndjekjet etj. As kur i vdiqën të dy prindërit, nuk i shkoi njeri në shtëpi, që ta ngushëllonte, pasi partiakët e kohës dhe njerëzit e tyre e quanin: “armik i klasës dhe i pushtetit popullor”!Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, ai emigroi në Greqi. Më tej,  Th.Dhespo shkoi për ca kohë në Francë, ku pati rastin të njihte dhe të takohej me personalitete të shquara europiane e botërore. Në vitin 1992, megjithëse ca i moshuar, u martua me Virgjinica (Nica) Bërxullën, me të cilën e lidhi jetën përgjithmonë.Atë e dallojnë cilësi ta larta morale dhe parimi kryesor i jetës së tij ka qenë dhe është thjeshtësia e ndershmëria, kujdesi dhe dëshira për të patur  bashkëpunim e mirëkuptim të plotë, që në familje dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, Atdheu ynë mund të zhvillohet e të përparojë, në rrjedhat evropiane e më gjerë. Festa mbarëkombtare e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e gjen atë në 85-vjetorin e jetës. Thansi, natyrshëm, tani ndjen gëzim dhe  kënaqësi shpirtërore ndërmjet familjarëve, miqëve e kolegëve të shumtë, që e rrethojnë vazhdimisht.

3.Tubimin përurues,  të librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Thanas Dhespos, e hapiKiço Kapetani, i cili e ka bërë edhe përgatitjen e tij për botim. Pastaj folën me radhë, duke sjellë kujtimet e tyre, disa ish-bashkënxënës, bashkëkrahinas  e tjerë. Ndër ta, foli dejtori I Institutit të Integrimit të të Përndjekurve politikë, Simon Miraka. Ai i vlerësoi lart jetën dhe përballjen me burgun dhe vuajtjet, në vitet e rregjimit monist, nga ky bir i denjë i Zhejës së Zagorisë. Gjithashtu, nënvizoi se institucioni, që ai drejton, e ka për detyrim që të propozojë për një vlerësim të lartë të jetës dhe sakrificave të tij, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.Me vëmendje u ndoqën edhe fjalët e të pranishmëve të tjerë në këtë veprimtari përuruese, si: vëllai i tij, Jorgo; prof.Hulusi Hako, Gaqo Veshi, M.Gecajt,Pirro Loli, Spiro Dede e të tjerë. Ata evidentuan vlerat morale e shpirtërore, si dhe cilësitë e çmuara shpirtërore të Thanasit, si: dashuria e optimizmi për jetën, mirësia e zemërgjereësia e tjerë. Në fjalën e saj, bashkëshortja Nica,theksoi se kjo ditë dhe ky përurim, ndërmjet familjarëve, kolegëve, miqëve e bashkëkrahinasve të tij, është si një rilindje dhe vlerësim i madh e i merituar për Thanasin. Prandaj ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit dhe folësit, në këtë veprimtari të paharruar.Emocionuese ishin edhe leximi i përshëndetjeve, që kishin ardhur nga jashtë Atdheut, gjithashtu,  dhurimi i luleve të freskëta e librava nga disa autorë, për Thanas Dhespon. Pastaj, të gjithë së bashku, morën pjesë në koktejin e shtruar me këtë rast, ku i uruan personazhit kryesor të këtij libri: Jetëgjatësi e shëndet të mirë, begati dhe lumturi në familjen e tij. Tiranë, 20 tetor 2012”.

Tiranë, 19 gusht 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Murat Gecaj, nderim, Thanas Dhespo

Vlerësimi i Kadaresë, nderim për të gjithë shqiptarët

May 31, 2016 by dgreca

Shkruan:Gani Qarri Cyrih/

Ishte viti i largët 1966, kur poeti i mallit dhe dashurisë së pashuar për Kosovën, protagonisti i lotëve të dhembjes, shpërfaqur si pika të shiut mbi qelq, nga imazhi i krijuar në lartësitë qiellore, derisa si udhëtar i “rastësisë”përmes vrimave të dritareve të vogla të avionit, reve dhe vranësirave të zymta, me mall shihte tokën e Kosovës nën sundimin e huaj të sertë,Kadare krijoi njërën nga poezitë më të njohura dhe të paharruara të tij, me titull “Kosova”. 

Pikërisht mu ky krijues gjenial,i shumë veprave të njohura, të përkthyera në dhjetëra gjuhë botërore, pas një kontributi shumëvjeqar, të gjatë e të gjerë letrar e kulturorë, u shpërblye me të drejtë nga njëri prej personaliteteve më të larta franceze dhe evropiane, si presidenti Hollande, me çmimin më të vlerësuar ndërkombëtar, deri më tani. 

Për Kadarenë si autor dhe personaliteti më i devotshëm i identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo, data e 30 majit të vitit 2016, do të mbetet një ngjarje e paharruar historike dhe eveniment i pashlyer përjetshëm, në memorien e të gjithë bashkëkombësve tanë.

 Vlerësimi ndaj tij, merr peshë të veçantë edhe për faktin se nga një tubim që sipas parimit shtetëror francez, tradicionalisht organizohet për disa personalitete bashkë dhe shpërblimet në emër të presidentit, ndahen nga dikush tjetër, kësaj radhe, ky eveniment u organizua si ceremoni e veçantë solemne, vetëm për Kadarenë me një rreth të ngushtë të ftuarish në pallatin presidencial “Elize”, ku vet presidenti, Francois Hollande, nderoi personalisht shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare me vlerësimin më të lartë që Franca ndanë për personalitetet më të shquara, urdhrin; “Komandant i Legjionit të Nderit”!.

 Ismail Kadare, kohë pas kohe, është nderuar edhe me shpërblime të tjera në vend dhe në botë, madje ende pa kaluar tri javë të plota nga ky eveniment, në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Shekulli i Kadaresë”, mbajtur më 13 Maj 2016 në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, nderoi shkrimtarin më të mirënjohur të kombit tonë, z. Ismail Kadare me dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar.

 Por pa nënvlerësuar për asnjë çast dekorimin e lartë kombëtar dhe vlerësimet tjera të rëndësishme, dedikuar atij, Urdhri i veçantë që për herë të parë iu nda një personaliteti të shquar ballkanas, nga vet presidenti i Francës,z. Hollande, nderon Kadarenë dhe të gjithë shqiptarët, rritë pafundësisht mirënjohjen ndaj krijuesit tonë gjenial, dhe zgjeron kufijtë e vlerësimit të tij, në përmasa qindra milionëshe-evropiane dhe botërore.

 Presidenti francezë, jo vetëm se foli fjalët më të mira për shkrimtarin shqiptar, por duke njohur në hollësi vlerat dhe aftësitë gjeniale të tij, Francois Hollande, Kadaren e quajti Evropian që e do Evropën dhe “avokues” e mbrojtës të vendosur të kulturës evropiane.

 Urdhëri me të cilin Hollande nderoi Kadarenë, është i vjetër dhe me traditë. Ai daton që nga koha e Napoleon Bonapartës i cili si udhëheqësi kryesor i Francës dhe kryekomandant i ushtrisë, qysh në vitin 1802, e kishte përjetësuar këtë çmim, duke e projektuar si mirënjohje me disa shkallë vlerësimi, për ushtarët më të mirë dhe ushtarakët më të suksesshëm të tij.

 Por, më vonë, me këtë Urdhër udhëheqja franceze, filloi ti nderonte personalitetet më të shquara për kontribut të veçantë ndaj Francës, kurse me nderimin e Kadaresë me këtë çmim, kam bindjen se po nisë një epokë e re, për vlerësimin e autorëve të ngritjes dhe forcimit, tanimë edhe të kulturës dhe vlerave më të larta evropiane!.

Përndryshe, një nderim të ngjashëm në fushën e letërsisë ,deri më tani, Franca i ka ndarë vetëm autorit të dalluar francezë shkrimtarit Michel Tornier, si autor i suksesshëm i cili me arritjet e tij, ka rritë reputacionin e vendit. 

Vlerësimit të krijimtarisë së Kadaresë edhe në atdheun e tij të dytë, në Francë ku ai që nga vitit 1990 vazhdon ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e tij letrare, Holande i parapriu me konsideratën më të lartë duke iu drejtuar atij me fjalët më të përzemërta dhe në mënyrën më vllazërore; Ju jeni edhe shqiptar edhe francez, me zemër evropiane dhe shpirt universal, një “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”!

Kështu, mirënjohjeve të shkrimtarit tonë më të mirë, iu shtua edhe një çmim i veçantë, i cili në fakt, atij i ishte ndarë që në fillim të vitit 2016,me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe ardhjes në jetë të krijuesit tonë gjenial.

Ndaj si njëri nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohor shqiptar dhe evropian, me vepra të përkthyera në mbi 50 gjuhë të botës, i nominuar disa herë edhe për çmimin “Nobel”, për letërsi, vlerësimi që iu bë Kadaresë, nderon letërsinë dhe kulturën shqiptare në sytë e Evropës dhe gjithë botës së civilizuar!

 Të gjitha këto, pa asnjë dyshim, i kishte parasysh edhe presidenti i Francës, z. Fransua Hollande, kur vendosi që Ismail Kadares, si i vetmi jo-francezë, dhe krijuesi i parë nga gjithë Gadishulli i Ballkanit, në mënyrë plotësisht të arsyetuar, ti ndante vlerësimin më të lartë shtetëror e kombëtar të Francës.Megjithatë, ky eveniment, nuk duhet të shihet as trajtohet, nga askush, si nderim vetëm për Ismail Kadaren, por të pranohet dhe konsiderohet nga të gjithë, si vlerësim i lartë dhe mirënjohje e veçantë për autorin dhe mbarë popullin shqiptar.

Kadare, me krijimtarinë e tij të tej-arritshme autoriale, ishte ndër krijuesit e parë, që kaloi kufijtë shtetëror e kombëtar edhe në kohën kur ata mbaheshin hermetikisht të mbyllur nga diktatura vendore në Shqipëri,  dhe sistemet e huaja që sundonin shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara etnike.

Veprat e tij,që nga ajo kohë, bëri të njohur kudo origjinën, traditën, kulturën dhe gjithë vlerat më të mira kombëtare e njerëzore të popullit shqiptar, të cilat nuk i dinin shumë vende të botës.

Madje, popuj jo vetëm nga vendet gjeografikisht më të largëtat, për herë të parë komunikuan me ne dhe njohën shqiptarët,përmes veprave shembullore të Ismail Kadaresë.

Ndaj, evenimenti i dekorimit të tij me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” do të mbetet një ngjarje e paharrueshme, jo vetëm akademike, por edhe akt historik, për shqiptarët dhe Kadarenë si autor, vepra e të cilit ka kohë që ka tejkaluar dimensionet e letërsisë dhe është shndërruar në vlerë të kulturës botërore.

Çdo mirënjohje, dekorim a shpërblim kombëtar e ndërkombëtar është gëzim i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ai bëri shumë për popullin dhe vendin e vet, duke i dalë krah me vendosmëri dhe fakte e argumente të pamohueshme edhe mëvetësisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo dhe në të gjitha trojet e tyre etnike. 

 Ai ishte dhe mbeti, jo vetëm ylli më rrezatues për krijimtarinë, kulturën dhe traditën e kombit tonë, por dhe u shndërrua në kalorësin më besnik të orientimit properëndimor për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

 Talenti i tij krijues dhe veprues, bindi të gjithë opinionin përparimtar evropian dhe vet presidentin francez, Francois Hollande, që me të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të merituar, përfundimisht ta nderonte Ismail Kadarenë si shqiptarin dhe ballkanasin e parë  me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” – gjithë-EVROPIANË!, do të thoja unë, me shumë krenari, si shqiptar dhe adhurues i sinqertë i tij.

 Ndaj, si vepra gjeniale e autorit tonë, ashtu edhe vlerësimet që vijnë nga qarqet e larta evropiane e botërore për Kadarenë, janë mirënjohje edhe për mbarë popullin shqiptar”, zëri i të cilit ishte dhe mbeti gjithmonë unifikues për ne. 

 Këshillat, udhëzimet dhe porositë e urta të tij, ndikuan jo vetëm një herë si fuqi magjike, por ato edhe në momentet më kritike, bashkuan forcat e shëndosha kombëtare nga të gjitha anët e kufijve të huaj, që fatkeqësisht ende ndajnë shqiptarët. 

Vetëm porositë,veprat dhe arritjet e Ismail Kadaresë, edhe kështu si jemi, arrijnë që neve të na afrojnë dhe bashkojnë, të paktën shpirtërisht si komb.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, nderim, për të gjithë shqiptarët, Vlerësimi i Kadaresë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT