Më rastin e 25-vjetorit të vdekjes të Kolonel Muharrem Bajraktarit, Komuna e Skarbekut në Bruksel nderoi zyrtarisht, më dt. 26 prill 2014, figurën e tij si një nga personalitetet shqiptare më të shquara që ka jetuar dhe nderuar jetë në atë komune dhe si një rezisten anti-fashist, anti-nazist dhe anti-komunist.
Ceremonia zyrtare filloi me homazhet tek varri i Muharrem Bajraktari ndërsa më pas, u zhvillua një ceremoni zyrtare në ambientet e Komunës Skarbek ku edhe u zbulua pllaka përkujtimore që ajo Komune dedikoi për nder të Muharrem Bajraktarit.
Theksojmë se ky vlerërsim është bërë i mundur në bazë të kërkesës të Z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Dekanit të Universitetit të Lirë Ndërkombëtar në Bruksel, Z. Ramadan Gjana dhe Këshilltarit shqiptar në Komunën Skarbek, Z. Burim Demiri, që është edhe kandidat për deputet në Parlamentin e Brukselit në zgjedhjet që do të mbahen në Belgjikë më 25 maj 2014.
Më poshtë po sjellim për lexuesit tonë fjalimet që mbajti Kryetari i PLL, Z. Sulejman Gjana, më atë rast.
Shqiptarët nacionalistë do të jenë gjithmonë mirënjohës*
*Fjalim në ceremoninë zyrtare më rastin e 25-vjetorit të vdekjes të Kol. Muharrem Bajraktari në Komunën Skarbek-Bruksel
I nderuar Z. Kryetar,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të Kolegjit të Komunes Skarbek,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë tê Këshillit të Komunës Skarbek,
Zoti Deputet,
Zonja dhe Zotërinj Ambasadorë,
I dashur Zoti Genc Bajraktari,
Zonja dhe Zotërinj, sipas titujve, gradave dhe cilësive tuaja,
Të dashur miq,
Është nder i madh dhe kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur sot në këtë vend, për t’i bërë homazh njërit prej personaliteteve më të ndritura shqiptare që ka jetuar një pjesë të madhe të jetës së vet dhe ka ndërruar jetë në territorin e Komunës Skarbek, Kolonelit Muharrem Bajraktari.
Më rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij, autoritetet komunale të Skarbekut kanë pranuar që të akordojnë një pllakë përkujtimore për nder të Kolonel Muharrem Bajraktari dhe dëshiroj, në radhë të parë, që në emrin tonë t’i shprehim Kryetarit dhe Kolegjit të Komunës Skarbek falënderimet tona më të sinqerta dhe të thella për respektin e veçantë që dëshmojnë për komunitetin shqiptar të Skarbekut, Brukselit dhe Belgjikës duke i akorduar zyrtarisht Kolonel Muharrem Bajraktarit një plakë përkujtimore në kujtim të tij.
Zonja dhe Zotni,
Kolonel Muharrem Bajraktari ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ai ka mbajtur funksione të larta në hierarkinë ushtarake. Para LDB ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmerisë Mbretërore Shqiptare dhe më pas një prej adjutantëve të Mbretit.
Gjatë LDB dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhe pastaj nga Gjermania naziste, ka qenë një prej organizatorëve kryesorë të rezistencës në Shqipërinë e Veri-lindjes dhe ka zhvilluar aksione të shumta dhe të fuqishme për çlirimin e Shqipërisë. Roli dhe aksioni i vet në rezistencë i kishin kushtuar që armiku të kërkoje me çdo çmim asgjësimin e vet.
Mund të themi pa ekuivokë se ishte një ndër figurat e nacionalizmit shqiptar dhe se synonte lirinë dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve.
Për këtë arsye, komunistët që synonin pushtetin pas luftës dhe që i konsideronin të gjithë nacionalistët si rivalë të mundshëm, i shpallën një luftë të pamëshirshme Kolonel Bajraktarit dhe çetave të veta.
Kështu, ai u përball me fushata të ashpra për eliminimin e vet dhe të kurdisura nga komunistët shqiptar që ishin më shumë të interesuar në luftën kundër bashkatdhetarëve të tyre sesa në luftën kundër pushtuesve nazist.
Përveç vrasjes së shumë shokëve të vet të pushkës, të dy djemve të tij, Brahimin dhe Hamdiun, dhe të vëllait, Bajramin, komunistët shqiptar ia burgosën dhe internuan për dekada më radhë bashkëshorten, vajzën dhe djalin më të vogël, Gencin, që është sot në mesin tonë dhe që na nderon me prezencën e vet.
Të dashur miq,
Pasi mori rrugët e mërgimit në vitin 1946 dhe u strehua fillimisht në Greqi e pastaj në Itali, në Belgjikë dhe veçanërisht në Skarbek, Kolonel Muharrem Bajraktari gjeti paqen dhe rahatinë, i rrethuar nga bashkatdhetarët e vet.
Është në Belgjikë dhe veçanërisht në Skarbek vendi ku gjeti pritjen dhe ngrohtësinë e një populli mik që ndante me të vlerat e çmueshme të lirisë, respektit, unitetit dhe vëllazërisë.
Është po këtu vendi ku ai ndërroi jetë më 21 janar 1989 pasi kaloi disa dekada në këtë komune.
Zoti Kryetar, mik i dashur,
Zonja dhe Zotërinj, anëtarë të Kolegjit të Komunës,
Duke akorduar zyrtarisht një pllakë përkujtimore në kujtim të Kolonel Muharrem Bajraktarit më rastin e 25-vjetorit të vdekjes vet, ju po nderoni një komunitet të tërë. Nëpërmjet Kolonel Bajraktarit, ju po na provoni se sa e drejtë ka qenë lufta e shqiptarëve për liri dhe kundër çdo lloj sundimi ideologjik si fashizmi, nazizmi apo komunizmi.
Duke nderuar dhe vlerësuar një personalitet antifashist, antinazist dhe antikomunist, ju po tregoni se sa pak kanë kuptuar politikanët shqiptar nga vlerat e lirisë dhe demokracisë kur vazhdojnë të nderojnë njerëz që kanë shkaktuar krime në popullin shqiptar siç ishte rasti i para disa ditëve me dekorimin e Rrahman Parllakut si “nder i kombit” dhe siç po projektojnë të bëjnë me reabilitimin e diktatorit Enver Hoxha me rastin e 70-vjetorit të të ashtuquajturit çlirim të vendit.
Prandaj, të jeni të sigurt se Shqiptarët nacionalistë do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj jush.
Muharrem Bajraktari, shembull në shërbim të atdheut e kombit*
*Fjalim në varrezat e Skarbekut-Bruksel më rastin e ceremonisë për 25-vjetorin e vdekjes të Kol. Muharrem Bajraktari
Është nder i madh për emigracionin shqiptar në Belgjikë, por edhe për të gjithë nacionalistët dhe antikomunistët shqiptar kudo qofshin, fakti që jemi mbledh sot në këto varreza të kryeqytetit belg dhe evropian, për të përkujtuar 25-vjetorin e vdekjes së një veprimtari të dalluar të çështjes tonë kombëtare dhe të një patrioti të patundur e të palëkundur.
Sigurisht që kjo ceremoni homazhi dhe aktiviteti zyrtar që do të organizohet në vijim në ambientet e Komunës Skarbek është rezultat i dashamirësisë të Kryetarit të Komunës, Kolegjit dhe Këshillit komunal të Skarbekut, të cilët i falënderojmë për nderimet që i bëjnë figurës së Kolonel Muharrem Bajraktarit, si një prej personaliteteve shqiptare më të shquara që ka jetuar dhe ndërruar jetë në këtë vend.
Kjo ceremoni dhe nderimet që zyrtarët e shtetit mik belg po i bëjnë figurës, jetës dhe veprës së Kolonel Muharrem Bajraktarit, merr përmasa të veçanta në këtë vit jubilar të 25-vjetorit të vdekjes së tij, sepse ky vit shënon edhe 75-vjetorin e rezistencës kundër pushtimit fashist.
Pikërisht, gjatë pushtimit të vendit tonë, Muharrem Bajraktari ishte një ndër prijësit e rezistencës kundër okupatorit në veri-lindje të Shqipërisë.
Rëndësia e nderimit zyrtar të figurës së një nacionalisti-antikomunist shqiptar nga autoritetet belge në Skarbek të Brukselit shtohet sidomos kur mendojmë se këtë vit në Shqipëri po përgatitet kremtimi i 70-vjetorit të të ashtuquajturit “çlirim i vendit”, ku me dinakëri synohet rehabilitimi i diktatorëve dhe kriminelëve komunistë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në krye.
Pra, është nder i shumëfishtë për ne që një atdhetar kombëtarist të vlerësohet nga një vend mik, dhe, nëpërmjet tij, të vlerësohen përpjekjet e të gjithë atyre që vepruan e luftuan kundër pushtimit nazi-fashist dhe sllavo-komunist të vendit tonë.
Ndërkaq, zyrtarë në Shqipëri përpiqen të mashtrojnë sërish popullin dhe partnerët tanë evropianë sikur gjoja janë të vendosur për orientimin evropian të vendit tonë, ndërkohë që referencat e tyre ideologjike dhe historike i gjejnë tek diktatorët dhe kriminelët gjakpirës të popullit shqiptar.
*****
Nuk mund të vijmë para varrit të Kolonel Muharrem Bajraktarit pa kujtuar dhe përmendur disa nga momentet më të rëndësishme të jetës tij dhe që ia rritën nderin e lavdinë jo vetëm derës së të parëve të vet në Ujmisht, por edhe mbarë Lumës dhe përtej asaj krahine, gjithë shqiptarëve liridashës e nacionalistë.
Muharrem Bajraktari lindi në Ujmisht të Lumës më 1 maj 1896. Ishte bir i Nezir Bajraktarit, kreut të Bajrakut të Tejdrines së Lumës, i mirënjohur si një prej prijësve në Luftën e Lumës më 1912 kundër forcave pushtuese serbe.
Pasi mbaroi edukimin familjar në odën e burrave ku mblidheshin shpesh herë në kuvend prijësit e Lumës dhe miqtë e tyre të të gjitha krahinave shqiptare dhe pasi vijoi mejtepin, u dërgua ne Vjenë të Austrisë për të marrë një edukatë ushtarake.
Menjëherë, pasi u kthye në Shqipëri dhe pas Kongresit të Lushnjës, ai u emërua oficer në xhandarmërinë shqiptare në kryeqendrën e prefekturës së Kosovës, në Krumë. Gjatë grushtit të shtetit të vitit 1924, ai mbrojti me besnikëri institucionet legjitime të shtetit. Vendosja e pushtetit nolist e detyroi të largohej nga vendi, duke ndjekur kështu veprimtarët dhe patriotët më të shquar të vendit tonë.
Muharrem Bajraktari u angazhua pa rezerva në mbështetjen e kthimit të Ahmet Zogut në Shqipëri dhe të Triumfit të Legalitetit në dhjetor 1924 dhe menjëherë pasi u rivendos qeveria legjitime, ai u emërua anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, pastaj komandant zone në Peshkopi, për të vijuar si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, dhe për të kulmuar në karrierën ushtarake dhe hierarkike si një prej adjutantëve të Mbretit Zog.
Intrigat dhe ujërat e turbullta të pushtetit e shtynë që të arratiset nga vendi dhe në dhjetor 1934 kaloi në Jugosllavi dhe më pas në Francë ku, bashkë me eksponentë të tjerë që jetonin asokohe në atë vend, u përfshi menjëherë në organizatën Bashkimi Kombëtar.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Muharrem Bajraktari u kthye në Shqipëri.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të autoriteteve fashiste për ta përfshirë në pushtetin e tyre me grada dhe detyra të larta, ai në mënyrë kategorike refuzoi të bashkëpunojë me pushtuesit dhe iu kundërvu atyre me pushkë duke organizuar rezistencën në Lumë.
Janë të shumtë ata që i kanë përshkruar përpjekjet e Muharrem Bajraktarit dhe luftën e tij pa kompromis për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha fashiste si dhe pasojat dhe dëmet që vuajti në kurriz për arsye të angazhimit të vet atdhetar.
Kjo vërtetohet më së miri në një telegram që Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe Mustafa Kruja i dërgonte më 22 mars 1942 Prefektit të Krumës. Ai telegram përfundonte me fjalët: “të gjitha veprat e tjera do të bahen mbasi të likuidohet Bajraktari”.
Por kjo gjendje nuk e frikësoi Muharrem Bajraktarin, përkundrazi i dha atij bindjen se lufta për lirinë e popullit shqiptar është e shenjtë. Ai, bashkë me trimat e vet besnikë, intensifikoi rezistencën aktive, aq sa në Rezolucionin e Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 theksohet se “në Lumë çeta trime e Muharrem Bajraktarit me popullin bujar dhe luftëtar të Lumës i dha grushte të forta milicisë”.
Natyrisht, reprezaljet ishin të shumta sa që në një letër që Koço Tashko i drejtoi Kominternit në vjeshtë 1942 dhe ku bën një analizë të nacionalistëve, thekson se “grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit ishin Muharren Bajraktari, Bazi i Canës, Myslim Peza dhe Myftar Kaloshi”.
Në janar të vitit 1943, edhe gazeta Zëri i Popullit, në nr 11-12, shkruante se “në Lumë lufton burrërisht Muharrem Bajraktari me trimat e Lumës e t’asaj Malsije”.
Të njëjtin qëndrim ndaj okupatorit Muharrem Bajraktari e mbajti edhe kur vendi u pushtua nga nazistët gjerman.
Edhe pse nuk pranoi të përfshihet në Frontin antifashist nacional-çlirimtar, ai ishte dalluar si trim dhe luftëtar i rrallë në malet e Shqipërisë.
Përveç rezistencës kundër okupatorëve nazi-fashist, Muharrem Bajraktari si kombëtarist dhe patriot që ishte, synonte çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre nën një Shqipëri etnike.
Ishte pa dyshim kjo arsyeja kryesore pse komunistët e tradhtuan atë pabesisht, në një kohë kur ai synonte akoma bashkërendimin e aksioneve të të gjithë shqiptarëve liridashës kundër okupatorit nazist dhe bashkimin e trojeve.
Komunistët, që nëpërmjet Dushan Mugoshës, Miladin Popoviçit dhe më vonë Velimir Stojniçit i merrnin instruksionet dhe urdhrat e tyre nga Beogradi, e zëvendësuan shumë shpejt luftën kundër okupatorit me një luftë civile që kishte për qëllim eliminim fizik të të gjithë nacionalistëve dhe patriotëve shqiptar dhe vendosjen e një regjim kriminel në shërbim të interesave serbo-sllave.
Ndërkohë që Muharrem Bajraktari kishte organizuar Kuvendin e Kroit të Bardhë më 12 gusht 1944, ku u morën vendime të rëndësishme për ruajtjen e nderit të Lumës dhe Shqipërisë, më 26 gusht 1944 Enver Hoxha i dërgoi një urdhër shtabit të Divizionit I për ta provokuar Muharrem Bajraktarin e për ta likuiduar.
Arkivat e shtetit që kanë qenë sekrete për një kohë të gjatë dhe që vazhdojnë të mos bëhen publike për opinionin e gjerë, dëshmojnë se edhe vet Enver Hoxha e pranoi pabesinë e vet dhe te komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit.
Kështu, në raportin që mbajti në Plenumin e 2-të të KQ të PKSh në Berat më 23-27 nëntor 1944, Enver Hoxha deklaroi se “çështja e Muharrem Bajraktarit është më tipike… E goditëm pas krahëve kur ai na jepte dorën si mik”.
Proces-verbalet e atij plenumi dëshmojnë pabesinë e komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit kur vet Hysni Kapo e Sejfulla Maleshova rrëfejnë se ndonëse Muharrem Bajraktari i priti komunistët shumë mirë në Lumë për të luftuar bashkërisht, ata i binin atij prapa krahëve. Vetë emisari serb në atë mbledhje, Velimir Stojniçi, pohoi se “qëndrimet ndaj Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut kanë qenë të gabuara dhe sektare” duke shtuar se “qëndrimi kundër Bazit gjithashtu”.
Pabesia e komunistëve kundër çdo nacionalisti që përpiqej për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha e huaj qe i pamëshirshëm.
Muharrem Bajraktari nuk mund të pajtohej me një pushtet në duart e serbëve dhe me një ideologji sllavo-komuniste, aq më tepër kur diheshin krimet që kishin shkaktuar në Kosovë Brigadat komuniste dhe marrëveshjet anti-shqiptare të komunistëve me serbët në kurriz të Kosovës.
Mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Muharrem Bajraktari vazhdoi aktivitetin e tij në ilegalitet duke mbajt lidhje të ngushta me të gjitha grupet nacionaliste dhe antikomuniste në Shqipëri dhe Kosovë si dhe me misionin britanik në Tiranë. Ai kishte gjithmonë shpresë se SHBA dhe Britania e Madhe nuk do të pranonin kurrsesi vendosjen në Shqipëri të një regjimi diktatorial komunist. Këtë bindje ai ia ka shprehur edhe Hysen Terpezës në një letër në fillim të gushtit 1945 ku i shkruan se “në Shqipëri është themeluar Komiteti Bashkimi Kombëtar, ku janë përfshi të gjitha shtresat antikomuniste si ballistët, zogistët, nacionalistët, etj. dhe se Britania e Madhe dhe SHBA nuk e pranojnë qeverinë e Enver Hoxhës”.
Por realiteti i interesave politike dhe gjeo-strategjike ishte i hidhur për popullin shqiptar pas LDB. Regjimi komunist u vendos me dhunë e me gjak dhe në atë kohë forcat e ndjekjes bënë çdo përpjekje për likuidimin fizik të Muharrem Bajraktarit dhe grupit të tij.
Por, siç e tregon historiani i mirënjohur dhe autori i disa librave dhe studimeve për Muharrem Bajraktarin, Prof. Shefqet Hoxha, “në çdo betejë, Muharrem Bajraktari dëshmoi cilësi të spikatura komanduese dhe organizuese të një udhëheqësi ushtarak popullor si dhe cilësi vetjake burrërore e fisnike: trimëri, gjakftohtësi, durim dhe dashuri për shokun”.
Në luftimet me komunistët, Muharrem Bajraktari humbi njerëzit më të dashur si: dy djemtë, Brahimin e Hamdiun; vëllain Bajramin dhe shumë shokë të idealit dhe pushkës si Sefë Xheladinin, Destan Rexhepin, Ymer Miftarin, Tosun e Elmaz Çejkun dhe shumë të tjerë. Por edhe komunistët patën humbje të rënda siç e dëshmojnë burimet arkivore të mbetura sekrete gjatë diktaturës.
Qëndrimi në Shqipërinë komuniste u bë i pamundur dhe në vitin 1946 Muharrem Bajraktari nisi një odise të vërtetë drejt shtetit fqinj grek, odise që zgjati prej 25 gushtit deri më 13 shtator. Bashkë me atë ishin edhe 56 nacionalistë të tjerë, por 23 bashkëluftëtarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, midis tyre edhe vetë Bajraktari.
Ata që mbeten në Shqipëri dhe kishin ndihmuar Muharrem Bajraktarin gjatë rezistencës nëpër male kundër komunistëve, vuajtën një masakër të vërtetë nga komunistët siç ishte rasti i familjarëve të tij por edhe i miqve dhe përkrahësve të vet besnikë si familjarët e Destan e Hamzë Rexhepit, të Rushit Litës, Ajet Xhemës apo Haziz Sul Domit që e kishte mbajt me bukë dhe ushqime në ditët e fundit para arratisë nga vendlindja.
Shumë lumjanë që me besë e besnikëri i kishin dhënë mbështetje kauzës së Muharrem Bajraktarit u persekutuan barbarisht gjatë diktaturës komuniste vetëm pse kishin përqafuar luftën e drejtë për liri, demokraci dhe Shqipëri etnike që përfaqësonte Muharrem Bajraktari në atë krahinë.
Komunistët kishin bërë asgjesime masive në Lumë që në 1944, për të krijuar tmerr dhe terror kundër krahinës së Muharrem Bajraktarit siç ishte rasti i masakrës në Buzmadhe në shtator 1944 ku 22 burra u bënë viktimat e pafajshme të pushtimit të vendit nga diktatura komuniste.
Ky tmerr e terror vazhdoi në Lumë gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste vetëm pse Luma përfaqësonte një prej vatrave të nacionalizmit nën hijen e Muharrem Bajraktarit.
Në vitet e emigracionit në Greqi, Itali dhe Belgjikë, Muharrem Bajraktari qëndroi i palëkundur përballë regjimit komunist në Shqipëri.
Mori pjesë në Komitetin Shqipëria e Lirë (26/08/1949) së bashku me Mithat Frasherin, Abaz Kupin, Nuçi Koten, Seit Kryeziun, Zef Palin, Ihsan Toptanin e shumë patriotë të tjerë si dhe në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë antikomuniste të KSHL.
Ai dërgoi djalin e tij bashkë me besnikët e vet më të vendosur siç ishin Neshat Bilali dhe Tahir Vata, në Kompaninë 4000 në Gjermani për t’u përgatitë ushtarakisht për një zbarkim në Shqipëri më mbështetjen e SHBA dhe Anglisë për rrëzimin e diktaturës komuniste.
Dihet se këto përpjekje dështuan për shkak të agjentit të dyfishtë Kim Filbi që i transmetonte Moskës planet e zbarkimit të ushtarëve të lirisë që ishin rekrutuar ndër nacionalistët më të vendosur.
Në Belgjikë, Muharrem Bajraktari ishte nder për të gjithë emigrantët pavarësisht përkatësive politike dhe ishte pa dyshim personaliteti shqiptar më i lartë që jetoi në këtë vend mik pas LDB. Ai priti dhe përcolli personalitetet më në zë si Mbretin Leka, Major Abaz Kupin, Ernest Koliqin, Sait Kryeziu e shumë të tjerë.
Edhe pse nuk u angazhua personalisht, ai ishte i përfaqësuar prej nipit të vet, Qazimit, në Këshillin Ushtarak të Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike që krijoi Mbreti Leka në vitet 70.
Muharrem Bajraktari, bashkë me ithtarët e vet, ishte po ashtu i angazhuar në Këshillin e Nacionalistëve Shqiptar të Belgjikës dhe asnjëherë nuk mungonte ne aktivitetet patriotike dhe kombëtariste të emigracionit politik shqiptar në Belgjikë.
Muharrem Bajraktari mbylli sytë përfundimisht më 21 janar 1989 larg atdheut të tij të dashur, që e kishte rritur dhe gatuar si një bir të denjë të maleve shqiptare dhe si një patriot shembullor.
Ai u nda prej nesh me plagë në zemër për Shqipërinë dhe Kosovën që rënkonin nën kthetrat e diktaturës sllavo-komuniste.
Ai u nda prej nesh me dhimbje edhe për të gjithë shokët e luftës të drejtë për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike dhe që kishin dhënë jetën e tyre nën komandën e vet për një kauzë dhe ideal të shenjtë dhe të drejtë.
Muharrem Bajraktari u nda prej nesh sot e 25 vite më parë edhe me dhimbje dhe plagë në zemër për familjarët e tij, për bashkëshorten, vajzen dhe djalin Gencin, që po vuanin në burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste vetëm pse ishin të Muharrem Bajraktarit dhe me të cilët nuk u pa më që prej ditës kur u largua nga Shqipëria.
*****
Në këtë ditë të përkujtimit të 25-vjetorit të vdekjes së Kolonel Muharrem Bajraktari, ju ftoj të gjithëve që të ndjekim shembullin e tij në shërbim të atdheut e kombit dhe të mishërojmë vlerat kombëtariste dhe patriotike që na la si mësim Bajraktari i Tejdrines, Lumës dhe gjithë Shqipërisë.