CARRIE HOOPER, MESAZH EDITORIT TE DIELLIT
Përshëndetje i dashur Dalip! Po te njoftoj se në tetor mora pjesë në një projekt shumë domëthënës për mua. Në qytetin e Nju Jorkut ka një organizatë me emër Songs of Love Foundation (Fondacioni Këngë të dashurisë) që krijon këngë për fëmijë të sëmurë. John Beltzer, kryetari i kësaj organizate, kërkoi një këngëtar shqiptar për të kompozuar një këngë për një fëmijë të sëmurë shqiptar. U lidh nëpërmjet emailit me Dr. Anna Kohen, kryetare e shoqatës së grave shqiptaroamerikane Motrat Qiriazi dhe e pyeti nëse njihte ndonjërin që mund ta ndihmonte me këtë punë. Dr. Kohen ia dha Zotit Beltzer emrin tim dhe na vuri në kontakt nëpërmjet emailit.
Zoti Beltzer më dërgoi të dhëna për fëmijën e sëmurë trevjeçare që jeton me familjen e saj në Worcester të Massachussetts-it dhe shkruajta një tekst në shqip të mbështetur në të dhënat që ma kishte dërguar. Pastaj ia dërgova Zotit Beltzer tekstin shqip si dhe një përkthim anglisht me email. Disa ditë më vonë Zoti Beltzer dhe unë folëm në telefon dhe e ndihmova me shqiptimin e fjalëve. Kishim rënë dakord se Zoti Beltzer do të kompozonte mzikën për tekstin tim dhe do ta këndonte këngën. Megjithëse Zoti Beltzer nuk flet shqip, flet disa gjuhë të huaja, prandaj ka një vesh të mirë për gjuhë.
Pasi e ndihmova me shqiptimin e tekstit, Zoti Beltzer kompozoi një këngë dhe ma dërgoi me email. E dëgjova dhe i shkruajta Zotit Beltzer duke ia dhënë pëlqimin tim të këngës dhe duke i thënë se tingullonte mirë dhe kishte shqiptuar tekstin tim me shumë saktësi. Atëherë ma dërgoi kënga si cd dhe ia dërgoi edhe familjes në Worcester. Ndiej veten të privilegjuar që kisha mundësi të merrja pjesë në këtë veprimtari dhe patjetër mendoj se muzika është një prej ilaçeve më të mira për shpirtin.
Të uroj gjithë të mirat.
Të fala,
Carrie
***
Shenim i Editorit
* Carrie Hooper, është një ambasadore vuulnetare e kombit Shqiptar. E njeh shkëlqyer Gjuhën shqipe. në tekstin e mësipërm unë nuk kam bërë asnjë ndërhyrje.
Zonjusha Hooper ka shkruar shumë poezi e ka kompozuar këngë në gjuhën e bukur shqipe, ka evokuar figurat tona Kombëtare, ka mbështetur shumë Kosovën dhe ka shkruar e kënduar për të, ka dhënë koncerte ne qyteza e institucione të ndryshme amerikane me programe të këngëve shqipe. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari të shqiptarëve në Amerikë dhe në Kanada, edhe pse ka problem me shikimin, që e ka humbur tërësisht. Ajo ishte pjesmarrëse në festimet dyditore të 100 vjetorit të Vatrës me 28 dhe 29 prill 2012, ku këndoi këngë shqipe dhe Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë. Ka dhënë koncerte në komunitetin shqiptar dhe ka marrë pjesë në Festivalin Shqiptar në Michigan.
Do të doja që Shteti Shqiptar të bëjë dicka per ta nderuar këtë ambasadore që bënë më shumë veprimtari për cështjen Shqiptare se sa ambasadorët dhe konsujt e dekretuar të Shtetit Shqiptar dhe atij të Kosovës.