Kujtesë-/
Nga DRITA LUSHI/
Fillimet përgjithësisht janë të bukura.Jo vetëm fillimvitet, por edhe martesat në fillimet e tyre, fillimi I ndërtimit të një shtëpie, fillimet e ditëve,fillimet e dashurive…
Fillimviteve jepen urime,buzëqeshje,dhurata, e ndihesh kraharor gufuar sikur mushkëritë të janë dyfishuar e thithin më shumë oksigjen, a thua se dhe aty grumbullohet lumturi.Përgjithsisht kështu ndihet njeriu nga fjalët e mira.
Si fillimvit, mund ti nisja ditët e para, pikërisht me poezi të gëzueshme ku të tringëllinte dashuria, me vargje sysh e ndriçime hënore veshur në rroba shkëlqyese e të kuqe si për ndërrim viti, me piktura fjalësh të lyera në të artë dielli, në trokitje ritmike gotash, në rimime udhëtimesh, tryezash, e mbingopjesh nga tepria që (jo vetëm) Zoti u fal disave…
Por…
Por thjesht s’mundem.
Sepse në qetësinë time, në skutat ku vetëm unë mund të hyj dhe të shoh,të meditoj, të këndoj a të flas, s’mund të mos më kujtohen ata…
Ata që këtë funvit s’patën një shtëpi, ata që jetojnë në trotuare jo vetëm afër Parlamentit Shqiptar, por në çdo qytet Shipërie.
Ata që në ndërrimvit s’mundën të ulen dot në një tryezë se s’kanë ç’të shtrojnë në të.
Ata të dehurit e mospasjes e skamjes.
Ata që qenë të vetmuar këtë fundvit.
Ata që u ndienë të vetmuar.
Ata që në ndërrim vite u përpëlitën nga dhimbjet e sëmundjes në spitale.
E di,që shumëkush mund të thotë: “Veç fjalë.E sa punë bëjnë fjalët?”
E di që s’bëjnë punë, ose bëjnë pak, fare pak.
E pra, ta nisim me pak. Me pak kujtesë që secili të shohë përtej hapit dhe këndvështrimit të tij.E ndoshta, pak nga unë dhe ti, pak nga ai dhe ajo,pak sot dhe pak nesër mund të jete diçka për (a)ta
Pak vëmendje s’ka kosto.
E nëse mendoni se edhe për ju s’ka kush mendon, se keni dhe ju halle e derte, mbani parasysh një shprehje që e përdorim shpesh në përditshmëri:
“ E keqja s’ka fund”.
Gjithmonë, dikush tjetër mund të jetë më keq se ne.
Pak vëmendje ndaj tyre, e do të ndihemi e do të ndihen më mirë!
Janë ditët e para.Le ta nisim startin nga ata, që vërtet kanë nevojë.
E mira pret.
Gëzuar!
@ Drita LUSHI
Janar 2014