• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË VIZITËN E NËNËS TEREZË NË ARIZONË

August 29, 2016 by dgreca

 

Mother Teresa-2

Mother Teresa-4

Mother Teresa-3 (1)

Nga Hajro Hajra/Arizonë/

Në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë, një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, le të jetë ky shkrim një ndihmesë e vockël për ta ndriçuar jetën e veprën e Nënës sonë të Madhe, të krenarisë së kombit tonë, figura e së cilës, me kalimin e kohës vjen e bëhet edhe më madhështore. Jemi komb me fat që kemi një ikonë si Nëna Terezë dhe është turp, është pafytyrësi të hidhet baltë mbi figurën e saj, siç po bëjnë disa trutharë shqiptarë, paçka se balta me të cilën këto pjella djalli po përpiqen të njollosin atë, por edhe figura të tjera të kombit, po bie e do të bjerë në surratet e tyre…

Pa u mbushur dy vjet nga dita kur Gonxhe Bojaxhiu kishte kaluar në amshim, fati na kishte degdisur këtu, në Amerikë, në vendin më të fuqishëm të botës, në shtetin që bashkë me aleatët e kishte shpëtuar Kosovën nga kthetrat e kuçedrës Serbi.
Që në takimet e para me mikpritësit amerikanë, të cilët bënin çmos që ta ndienim veten sa më mirë, ne bënim përpjekje që t’u tregonim atyre se kush ishim dhe, në raste të tilla, pashmangshëm ua zinim ngoje me krenari kryeheroin e shqiptarëve e të Europës, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, Kadarenë e Madh dhe figura të tjera të shquara shqiptare.
Falë këtyre bisedave, falë faktit se shumë herë e kishim zënë ngoje emrin e Nënës Terezë, në maj të vitit 2000 zonja Bonnie Cottrell, mësuesja jonë e anglishtes që nga ditët e para pas mbërritjes sonë në Amerikë, na solli një dhuratë shumë të çmueshme, një videoxhirim të vizitës së Nënës Terezë në Feniks (Phoenix) të Arizonës, që miqtë e saj e kishin siguruar për ne nga arkivi i Televizionit të Pavarur të Feniksit Channel 3, i njohur si KTVK.
Në bazë të këtij dokumentari, ne arritëm ta “rikonstruktonim” këtë vizitë të Nënës Terezë, një nga vizitat e shumta që nobelistja shqiptare bënte nëpër botë në kuadër të misionit të saj të bamirësisë, të dashurisë ndërmjet njerëzve e të paqes.
Njëzet e shtatë vjet më parë, më 2 shkurt 1989, e ftuar nga ish-guvernatorja e Arizonës, zonja Rose Mofford dhe nga Dioqeza Katolike e kryeqytetit të Arizonës, Nëna Terezë kishte vizituar kryeqytetin e Arizonës, Feniksin.
Arizona Veterans Memorial Coliseum që nxë afro 20 mijë vizitorë atë ditë kishte qenë mbushur përplot njerëz, të cilët kishin shkuar për ta parë atë grua trupvogël e zemërvigane. Hyrja e saj në koloseum kishte ngritur më këmbë atë masë të madhe njerëzish, të cilët me duartrokitje të zjarrta po i uronin mirëseardhje dhe po i shprehnin dashurinë simbolit të paqes e të dashurisë. Ajo ditë shkurti e vitit 1989 kishte qenë më shumë se një festë për adhuruesit e gruas më të njohur e më të dashur të botës. Ishte si një ditë e shenjtë ajo ditë kur në mesin e atyre njerëzve kishte ardhur gruaja që, siç thotë poeti Visar Zhiti, profesion kishte dashurinë, industrialistja e mirësisë, që të vetmen pasuri kishte plagët e botës.
Përfaqësues të Dioqezës Katolike të Feniksit, duke falënderuar Nënën Terezë që kishte gjetur kohë dhe gjendej në mesin e tyre, në qytetin e tyre, e duke e cilësuar praninë e saj aty si një dhuratë Perëndie, kishin falënderuar ata mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur për ta nderuar mysafiren e rrallë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për të dhe duke respektuar sakrificën e saj për të varfrit. Një falënderim i veçantë ishte për Guvernatoren e Arizonës, zonjën Rose Mofford, e cila kishte bërë shumë që të realizohej ajo vizitë.
– “Falënderoj Zotin për këtë dashuri madhështore që na ka bashkuar!” – ishin fjalët me të cilat i ishte drejtuar masës së popullit Nëna e Sakrificës.
Me një anglishte të rrjedhshme e të këndshme, karakteristike për të folmen e Nënës Terezë, ajo kishte vazhduar:
– “Është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë dashuri, të kenë paqe. Dashuria fillon në shtëpi. Fëmijët janë të lindur të bëjnë gjëra madhështore, të lindin në dashuri dhe të rriten në dashuri. Dashuria është faktori kryesor që e mban familjen të bashkuar… Një gotë ujë po t’ia jepni dikujt me dashuri, do t’ia bëni jetën më të lehtë… S’është e thënë të bëni gjëra të mëdha. Secili le të bëjë të mira të vogla, por me dashuri. Njerëzit nuk vdesin vetëm për shkak se u mungon buka (pikërisht se u mungon buka, “bread”, kishte thënë Nëna Terezë, siç themi ne shqiptarët dhe jo u mungon ushqimi, siç thonë amerikanët), ata vdesin më shumë nga mungesa e dashurisë… Kur ndryhet dashuria, ndryhet paqja…”, janë vetëm disa nga thëniet margaritarë shkëputur nga fjalimi gjysmorësh i Nënës Terezë, kohë gjatë së cilës ajo kishte rrëfyer mjaft episode e përjetime të jetës së saj në shërbim të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve, kur një fjalë e saj e vetme kishte ringjallur shumë njerëz me shpresa të thyera, shumë njerëz që ishin gjendur në cepin e vdekjes.
Duke folur për abortin, ndërkaq, ajo u ishte drejtuar nënave me fjalët: – “Jo abort! Lindni fëmijë e m’i jepni mua!…”
Fjalët e saj, të përshkuara herë pas here me një dozë të lehtë humori, e kishin bërë masën të shpërthente në gaz e të duartrokiste, si në rastin kur Nëna Terezë, teksa kishte folur për të varfrit (edhe për të varfrit e Feniksit), të cilët përpos që kishin nevojë për bukë, kishin nevojë edhe për strehë, i ishte drejtuar guvernatores Mofford, së cilës i kishte kërkuar shtëpi për të varfrit (shtëpi të cilën guvernatorja ia kishte premtuar Nënës Terezë gjatë takimit në mjediset e dioqezës) dhe këtë e kishte ndërlidhur me kërkesën që i kishte bërë shumë vjet më përpara Guvernatorit të Kalkutës, të cilit po ashtu i kishte kërkuar një shtëpi për të varfrit dhe me atë rast i kishte thënë: “Nëse nuk ma jep një shtëpi, do t’i sjell të gjithë të varfrit e mi në shtëpinë tënde…”
Pasi Nëna Terezë kishte përfunduar fjalën e saj me urimin: “Zoti ju bekoftë!” – të gjithë të pranishmit ishin ngritur më këmbë dhe me duartrokitje të gjata e me ovacione kishin shprehur dashurinë për gjiganden e kohës sonë, siç e ka cilësuar Nënën Terezë ish-kryetari Bill Klinton.
Teksa po e linte koloseumin përplot njerëz, Nëna Terezë po merrte me vete dashurinë dhe premtimin e heshtur të asaj mase njerëzish, se secili do të hidhte së paku një gur në kështjellën e dashurisë e të paqes njerëzore.

* * *

Premtimin që ia kishte dhënë Nënës Terezë Guvernatorja Mofford, e kishte mbajtur. Pak kohë pas vizitës së Nënës Terezë, në Feniks është ngritur Shtëpia e Bamirësisë dhe ajo edhe sot u ofron strehë e bukë të varfërve.
Vizita e Nënës Terezë është përjetësuar disa vjet më vonë me ngritjen e një shtatoreje në hapësirën e gjelbëruar ndërmjet Bazilikës së Shën Mërisë dhe ndërtesës së Dioqezës Katolike të Feniksit, fare pranë shtatores së Papa Gjon Palit II. Bazilika dhe ndërtesa e Dioqezës gjenden mu në zemër të kryeqytetit të Arizonës. Shtatorja e Nënës Terezë, me përmasa natyrore, është vepër e skulptorit amerikan Michael Myers nga qyteti Prescott i Arizonës. Është ngritur në vitin 2003 dhe, për habinë tonë, ndonëse ka 13 vjet që qëndron plot madhështi në qendër të Feniksit, nuk zihet ngoje kur flitet e shkruhet për shtatoret a bustet e Nënës Terezë ngritur në shumë shtete të botës.
Që nga viti 2004, në çdo 19 tetor, në përvjetorin e lumturimit të Nënës Tereze, shqiptarë të Feniksit takohen te shtatorja e saj, vendosin aty lule të freskëta e flamuj të vegjël shqiptarë e amerikanë dhe, me fjalë rasti, kujtojnë jetën e veprën e saj të madhe në shërbim të njeriut.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Hajro Hajra, NË ARIZONË, Nene Tereza

SHQIPËRIA DHE KOSOVA PJESË E MUZEUT TË INSTRUMENTEVE MUZIKORE NË ARIZONË

July 19, 2016 by dgreca

Nga Hajro Hajra/Arizonë/

Në mesin e afro 30 muzeve të instrumenteve muzikore sa ka sot në gjithë botën është edhe Muzeu i instrumenteve Muzikore (Musical Instrument Museum), në kryeqytetin e Arizonës, Feniks (Phoenix), i  hapur në prill të vitit 2010. I themeluar nga Robert J. Ulrich (koleksionist i pasionuar i artit të Afrikës dhe entuziast i muzeve të botës), ish-drejtor ekzekutiv dhe kryetar i Korporatës “Target”, ky është më i madhi dhe më i pasuri muze i këtij lloji në gjithë botën. I vendosur në një ndërtesë dykatëshe në kryqëzimin e bulevardeve Tatum dhe Mayo, muzeu ka një sipërfaqe mbi 18 mijë metra2 dhe aty janë ekspozuar mbi 15 mijë instrumente muzikore dhe objekte shoqëruese, si kostume e të tjera, nga afro 200 shtete të botës.

Me një biletë që kushton 20 dollarë, vizitori, para se të fillojë t’i vizitojë kthinat e shumta me eksponate mahnitëse, pajiset me pajimin GuidePort (një  lloj radiomarrësi) dhe me kufje, ngase në çdo kënd ekspozues, poshtë emrit të secilit shtet janë vendosur ekrane ku vizitori mund të shohë dhe të dëgjojë (vetëm pasi t’i aktivizojë kufjet) muzikën e atij vendi.

Vëmendjen tonë e tërheq një kënd jo fort i madh i kthinës së madhe të shteteve të Europës (ngase eksponatet janë klasifikuar sipas kontinenteve dhe shteteve të tyre), ku shkruan Kosovo dhe Albania. Aty nuk janë më shumë se 14 eksponate, nga të cilat 13 vegla muzikore dhe 1 vegël pune, furka, për të cilën jepet shpjegimi se puna me të shoqërohet me muzikë karakteristike. Përposhtë secilit instrument muzikor është shënimi me emrin e instrumentit si dhe vendi nga vjen. Për moshën ndërkaq, pothuaj për të gjitha instrumentet thuhet se u përkasin viteve të fundit të shekullit XX.

Në të majtë, poshtë në dysheme është ekspozuar një tepsi (duket të jetë tepsi bakri e kallajisur) dhe shpjegimi se ajo lëshon tinguj kur vërtitet nga gratë myslimane. Është e paqartë nga e ka burimin ky shpjegim, kur dihet se muzika nuk përfaqëson një fe. Edhe për dajren, vendosur në mur thuhet se me të luajnë femrat myslimane dhe rome. Vijnë me radhë dy bilbila (lloj fyelli), çiftelia (Kosovë), sharkia (Shqipëri) e shkruar serbisht Sargija (lexo: shargija), lahuta (Mali i Rrencit, Lezhë), surla (Kukës), zumarja (mbase zurnaja, Lezhë), lahuta (Dukagjin, Shkodër), sharkia (Dibër), daireja (Lezhë, Zadrimë), çiftelia (Lezhë) dhe sharkia dyshe (Lezhë), me shqiponjën dykrenore të gdhendur, ku shpjegohet se shqiponjën me dy kokë e ka përdorur heroi Skënderbeu gjatë luftimeve kundër pushtimit turk. Teksa qëndron para këtyre eksponateve vizitori sheh në ekran dhe dëgjon nëpërmjet kufjeve një këngë të Gollakut, interpretuar nga Grupi Folklorik Hajvalia dhe një grua shqiptare teksa ekzekuton tinguj me tepsi, pamje që ndërrohen në mënyrë alternative. Përveç instrumenteve muzikore aty janë të ekspozuara edhe disa fotografi, një e fillimshekullit XX ku shihen dy femra të reja rome, njëra me violinë, tjetra me daire, një foto e vitit 1923 me dy djem të rinj shqiptarë (njëri me kostume kombëtare), duke i rënë fyellit dhe një foto e një gajdexhiu nga Elbasani e vitit 2006.

Ndonëse të përfaqësuara me një numër fare të vogël veglash muzikore, nga mbi njëqind instrumente që njihen si shqiptare, prania e dy shteteve shqiptare në këtë muze është e një rëndësie të veçantë, sepse vizitori amerikan, por edhe shumë të huaj që e vizitojnë çdo ditë këtë muze, do ta njohin një pjesë modeste të kulturës muzikore të popullit shqiptar, që përfaqësohet këtu bashkë me kulturat muzikore të qindra shteteve të botës.

Ky muze, ndërtimi i të cilit ka kushtuar mbi 250 milion dollarë është themeluar falë donatorëve. Kontributi më i vogël që do të mund të bënin shtetet shqiptare, po edhe koleksionistët privatë të instrumenteve muzikore, do të ishte pasurimi i pjesës shqiptare të muzeut me vegla muzikore të sotme e të djeshme që mungojnë aty, po edhe me vegla të lashta muzikore, qoftë edhe me kopje të instrumenteve që janë zbuluar në trojet shqiptare e që janë përdorur nga parardhësit tanë.

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: NË ARIZONË, PJESË E MUZEUT, Shqiperia dhe Kosova, TË INSTRUMENTEVE MUZIKORE

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT