• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTËPIA BUZË PYLLIT-Dy arkitektë shqiptarë në Boston-

February 27, 2018 by dgreca

3 studio1 studio2 studio4 Studio ok6 studio7 studio

Nga Ndue LAZRI/

8 studioNga taraca e madhe, ku na kanë ftuar të pimë kafenë e mëngjesit, vështroj ambientin e bukur përreth shtëpisë. Një pyll i bukur dhe i dendur, ku që në mëngjes herët dëgjohet kënga e zogjve. Herë-herë prej aty dalin ketra që ulen deri në barin e gjelbër, lëvizin me shkathtësinë e tyre të paparashikueshme dhe shqetësojne me praninë e tyre maçokun me emrin Zikzak, i cili ndihet zot i parkut, dhe një gjeldeti i egër me zogjtë e tij që lëvizin pa frikë nëpër ambientin rreth shtëpisë. Më tej syri të zë pishinat dhe një fushë të madhe e të bukur golfi. E më tej Oqeani Atlantik. Shtëpia mbyll një rrugë të qetë e të bukur të qytetit Milton në periferi të Bostonit në shtetin Massachusetts. Arkitekti Klarens Karanxha, që është edhe pronar i shtëpisë bashkë me bashëshorten Nensi, më afrohet dhe nis të më spiegojë: – Më parë ky terren ku është ngritur shtëpia, ka qenë pyll, si ai që shikon tani. Terren mjaft i thyer e ku duheshin bërë shumë punime për të ngritur një shtëpi si kjo ku banojmë tani. Ka qenë një sfidë e vërtetë përpjekja për të ndërtuar një shtëpi këtu, por ne e deshëm pikërisht në këtë vend dhe, pas dy vjet praktikash zyrtare, na u aprovua kërkesa për ta ndërtuar këtu shtëpinë tonë. Terreni, që është pronë e jona, është një hektar, bashkë me pyllin përballë. Ne e kemi projektuar vetë shtëpinë, duke e menduar në çdo detaj. Deshëm një projekt disi ndryshe nga ai i shtëpive tipike amerikane, diçka më moderne, që u përgjigjej më mirë kërkesave tona artistike, estetike e profesionale. Dhe në pjesën më të madhe kemi bërë po vetë edhe punën e ndërtuesit. Kemi shpyllëzuar me leje shumë pemë, kemi sistemuar terrenin e kemi hedhur themelet. Tani shtëpia ka katër kate me një sipërfaqe 420 metra katrore, pa përfshirë taracat e mëdha që janë në secilin kat. Pllakat metalike, që e veshin nga jashtë shtëpinë, janë reflektive dhe e bëjnë shtëpinë të shkrihet me qiellin. Ato japin idenë e një xhakete të ftohtë në pjesen e jashtme, (kurse druri i kuq që sundon në gjithë punimet e brendshme, i jep asaj ngrohtësinë e ambientit, komfortin dhe sensin e mikpritjes për këdo që hyn brenda). Sa për shpyllëzimin, këtu sundon rregulli që për çdo pemë të prerë, duhet të mbjellësh një tjetër. E ne kemi akoma edhe 52 pemë për të mbjellë që të arrijmë në atë nivel të mbrojtjes së ambientit që kërkohet nga ligji,-thotë Klarensi, duke na treguar pemët që ka mbjellë kohët e fundit. Tek e vështrojmë shtëpinë jashtë dhe brenda, konstatojmë punën e përbashkët të dy arkitektëve që dinë të harmonizojnë e shkrijnë në një të vetme aftësitë e tyre profesionale me shijet artistike. Ndërsa nga jashtë gjejnë zbatim kryesisht idetë e Klarensit, si arkitekt i formuar në projekte banesash e institucionesh, në punimet e brendshme është më shumë dora dhe talenti i Nensit, e specializuar si arkitekte e ambienteve të brendshme, por edhe mendimi fin si zonjë shtëpie dhe si piktore me shije të holla e moderne. Duke biseduar ata më ftojnë të zbresim në katin e parë, aty ku është “KNK-studios”. Në emrin e saj janë inicialet e dy arkitektëve bashkëshortë, Klarens e Nensi Karanxha. Është një studio e bukur e moderne, ku secili ka qoshen e vet të punës. Sëbashku këtu punojnë 2-3 ditë në javë, sepse ditët e tjera Nensi punon për një firmë mjaft të njohur në Boston, Elkus Manfredi Architects. Ndërsa ditët e tjera këtu punon vetë Klarensi, i cili është tashmë profesionist i lirë dhe ka klientët e tij që kërkojnë projekte jo vetëm në Boston, por edhe më larg. Në studio për momentin janë punësuar edhe 3 ndihmës arkitektë, sëbashku me kontributin e disa të tjerëve të punësuar si konsulentë jashtë Bostonit, bile edhe jashtë Amerikës. Për të krijuar një ide mbi volumin e punës së karrierës së këtyre dy arkitektëve ne mund të përmendim projekte dhe designe për mbi 2500 apartamente, kopshte, shkolla, restorante, konvikte të universitetit e deri tek ndërtesa e ambasadës braziliane në Boston, projekte multifunksionale, studime urbane etj. Ata kanë projektuar shtëpi e vila njëfamiljare të nivelit të lartë që nga New York, New Hampshire, Rhode Island, Connecticut, Massachusetts etj. Përveç projekteve ata merren edhe me manaxhim ndërtimi si supervizorë mbi objektet e ndërtimit e shpesh herë edhe me zbatimin e projekteve që ata kanë bërë. Kjo e ka rritur emrin e studios KNK dhe të dy arkitektëve të saj, përherë ekzigjentë në aspektin etik dhe profesional, e ka shtuar numurin e klientëve. -Ne nuk i imponohemi asnjëherë klientit, por e dëgjojmë atë dhe arrijmë të kuptojmë ekzigjencat e shijet e tij. Pastaj e “presim kostumin” sipas klientit,-thonë ata Më shumë shijeve të tyre moderne u afrohen klientët europianë e aziatikë, të cilët banojnë e punojnë në Amerikë. Por kanë projektuar edhe plot shtëpi për klientë amerikanë. Një kënaqësi të veçantë ndjejnë ata kur projektojnë shtëpi për klientë shqiptarë, për emigrantë që kanë arritur të realizohen profesionalisht e ekonomikisht në Amerikë dhe që kanë kërkesat e tyre edhe në këtë fushë. Më tregojnë projektin e fundit që kanë bërë për mikun e tyre të afërt këtu në Milton, të cilën pata rastin të shikoja nga afër. Një vilë e stilit bashkëkohor dhe e veçantë me një sipërfaqe 600 m2. Klarensi e Nensi ndihmojnë edhe profesionalisht arkitektët e rinj. Ata kanë ndihmuar të sistemohen në profesionin e tyre 5 arkitektë të rinj që kanë mbaruar studimet në Tiranë dhe që kanë shkuar të punojnë e jetojnë në Amerikë. Duke vizituar ambientet e ndryshme të shtëpisë bien në sy ngado nëpër mure piktura të ndryshme. Edhe ato janë vepra të Nensit e Klarensit. Duke i shikuar firmat e tyre në fund të pikturave, edhe këtu dallon njëfarë ndryshimi në shijet e tyre. Klarensi priret më shumë drejt realizmit spontan, duke kapur momentin dhe duke e interpretuar në mënyrën e tij. Kurse Nensi është një ndërthurje midis modernizmit e abstraksionizmit. Ajo e nis pikturën duke bërë më përpara sfondin e pastaj planin e parë. Mbi kavalet është një pikturë ende e papërfunduar, portreti i një vajze. Nensi thotë që nuk gjen kohë të lirë për ta përfunduar e piktura pret aty në një cep të sallonit të tyre të pritjes. -Pikërisht koha është ajo që na mungon më shumë, -shton ajo. Në vitin 2004 emri i Nensit është publikuar në librin Expose-4, dhe Elemental 3, që botohet nga Ballistic Publishing në Adelaide të Australisë e në Florida dhe ku përmblidhen emrat e artistëve më të mirë të universit në 3D në arkitekturë të vitit. Me artin e tyre ata hapën edhe një biznes të vogël, “Boston-Artwork”, në qendrën Prudential, në grataçielën më të lartë në qendër të Bostonit, ku janë mbi 75 dyqanet dhe restorantet më të njohura të këtij qyteti. Aty kishin punësuar tre vetë që u shisnin turistëve të shumtë pikturat dhe suveniret me pamje nga Bostoni. Nje biznes, i cilili tashmë vazhdon online. Shikoj realizimin profesional e qytetar të këtyre dy arkitektëve dhe mendoj rrugën e tyre plot sakrifica e mundime për të arritur deri këtu. Ata erdhën në Boston kur sapo kishin përfunduar dy vite studimi për arkitekturë në Universitetin e Tiranës. Pasioni dhe ëndrra për t’u bërë profesionistë të realizuar, ishte e vetmja pasuri që sollën me vete nga Shqipëria. Praktikisht për të filluar nga e para. Dhe u futën në Boston Arkitektural College, nga universitetet më prestigjioze në Amerikë në fushën e arkitekturës. E vetmja shkollë ku mund të studiohet edhe të punohet njëkohësisht. E ata studionin e punonin për të jetuar në Boston. Shpesh herë 24 orët e ditës ishin të pamjaftueshme. I gjente mëngjesi i ditës së ardhshme pa bërë asnjë minutë gjumë, u hidhnin një grusht ujë të ftohtë syve për të trembur gjumin e rendnin në leksion, për të shkuar pas tij në punë e natën të vazhdonin të studionin. Kështu për 7 vjet me radhë. Dhe rezultati: Gjatë viteve studenteske në kursin e tyre emrat e Klarensit e Nensit alternoheshin herë njëri, herë tjetri gjithnjë në dy vendet e para. Pastaj nisja e punës si arkitektë, aktiviteti privat, studioja “KNK-Studios” dhe volumi i punës që ajo përballon. Natyrisht, nuk mund të lë mënjanë djalin e tyre, Darion 9-vjeçar. Nuk do të flasim për të siç është bërë e modës nganjëherë të flitet për gjeni të vegjël. Ai është një fëmijë i zakonshën, që rritet në një familje e ambient profesionistësh. Ku fillimisht vizatimet dhe projektet e prindërve i shikonte gati si lodra e kërkonte të gjente në to anën zbavitëse. Por që sot ai arrin të lexojë planimetrinë e objekteve të projektuara, apo të japë edhe mendime për ngjyrat në ndonjë vizatim a pikturë. Prindërit nuk e mbingarkojnë e as i bëjnë sforcime për ta lidhur me profesionin e tyre, duke ia lënë atij zgjedhjet për të ardhmen. Por njëfarë orientimi i natyrshëm edhe bëhet. Gjatë ditëve të qëndrimit në Boston ne patëm rastin të asistonim edhe në mbylljen e një kampi – kurs veror për fëmijët e moshës së tij në ambientet e Universitetin MIT (ndër institutet më të mirë në botë për teknologjinë). Në fund të këtij kursi veror fëmijët pjesëmarrës demonstronin në kompiuter një ide të tyre. E Dario kishte projektuar një lojë, e cila u vlerësua si mjaft interesante nga specialistët që i kishin ndjekur fëmijët gjatë këtij kursi. Në mbrëmje ulemi e bisedojmë me dy arkitektët në shtëpinë e tyre mikpritëse, duke shijuar një verë të mirë kaliforniane me specialitetet e gatuara me art e shije nga Nensi. E aty bisedohet për ëndrrat e tyre të ardhshme. Neve na duket si çudi që edhe këtë shtëpi e shikojnë vetëm si një stacion të jetës së tyre profesionale. Sepse, siç shprehen ata, veten si profesionistë e gjejnë më shumë në Amerikën perëndimore, në bregun e oqeanit tjetër, atij Paqësor. E ne urojmë që të mund të shkojmë t’i vizitojmë një ditë edhe në ëndrrën e tyre kaliforniane.

Filed Under: Featured Tagged With: dy arkitekte shqiptar, Ndue Lazri, ne Boston, SHTËPIA BUZË PYLLIT

NDERROI JETE NE BOSTON ARNOLD ÇELAJ, 26 VJEÇ

October 27, 2017 by dgreca


1 Uruci
Arnold Çelaj ndërroi jetë në moshën 26 vjeçare në Boston, MA, Sot ngushëllimet, Nesër Varrimi/

1 shenje zije

Një humbje e madhe ka ndodhur në familjen shqiptare të Ramazan dhe Dituri Çelaj në Boston MA. Me 19 tetor 2017 ndërroi jetë në moshën 26 vjeçare djali i tyre i dashur Arnold Çelaj. Arnoldi ishte një djal i dashur, i zgjuar, i talentuar, veçanërish në muzikë, ai shkroi poezi të frymëzuara. Kishte pasion për të kënduar dhe për të luajtur në kitarë.

Arnoldi la në pikëllim të thellë prindërit Ramazan dhe Dituri, motrën Albiona (Çelaj)Nurko, la gjyshet e dashura, dhe shumë kushërinjë.

Njoftohet komuniteti shqiptar se Shërbimi funerale organizohen të premten me 27 tetor 2017 nga ora 4:30-8:30 mbasdite në Shtëpinë Funerale Kfoury Keefe Funeral Home, që ndodhet në adresën:

Kfoury Keefe Funeral Home

8 Spring Street

West Roxbury, MA 02132

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit Organizohet ditën e Shtunë, 28 Tetor 2017, në orën 10 AM, duke u nisur nga Funerali drejt Forest Hill.

Ngushëllimet më të thella Familjes Çelaj dhe Uruçi.

Shpirti në Paqë Arnoldit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arnold Çelaj, nderroi Jute, ne Boston

BALLISTIN SEJFI PROTOPAPA E KISHA MIK NË BOSTON

October 30, 2016 by dgreca

1-sejfi-protopapa-dhe-kolec-traboini-2005-boston-aNga Kolec Taboini/ Sejfi Protopapën (20 shkurt 1923 – 13 Prill 2014), ndjesë pastë, e kam pas mik të mirë. Së pari erdhi e me takoi në një festë të Flamurit në Pier Four, restoranti i atdhetarit Anthony Athanas. Ishte viti 2005. Siç shihemi në këtë fotografi kur ishim bashkë në atë gëzim të shqiptarëve të Bostonit. Më tha ti qënke gazetar e unë jam i interesuar për gjithçka që ngjet në atdhe. Më tregoi se pas vitit 1990 i kishte shkuar në derë të shtëpisë Dritëro Agollit e i kish thënë ja ku erdha me së fundi, jam ai Protopapa yt i zi. Dritëroi ishte mpirë. E kishte ftuar të hynin brënda të mos llafosnin në derë. Dhe nga fjalët e para të ashpra, nën vështrimin e Sadijes që drithëronte se mos ndodhte gjë e keqe, ja kishin kthyer si shqiptari me shqiptarin me raki. Profesor Sejfiu, se kështu i thoshnim, më vinte edhe në shtëpi në Boston. Ja shtroja me raki Shqipërie në verandën e shtëpisë pa harruar një kafe të zezë në fund. Aty e kishte kënaqësinë. Ishte me të vërtetë shumë miqësor, shumë i kulturuar dhe një burrë i urtë me edukatë të lartë. (Dhe akoma e kësaj dite bijtë e çobanëve komunistë na tregojnë ballista pulash). Sejfi Propapa, bir avokati, që dikur ishte me rininë e Ballit në Berat, më parë qe njohur me Kristaq e Margarita Tutulanin(i kishte pas miq por ideologjia e luftës i ndau), ishte një nga shqiptarët më të shkolluar në Amerikë. Mjafton t’ju them se punonte fizikant në NASA. E kujtoj me respekt dhe jam krenar që ai me konsideronte ndër miqt e tij, ai ballisti, dijetari shqiptar më i shquari në Amerikë.

Kolec P. Traboini 27 tetor 2016

Filed Under: Histori Tagged With: BALLISTIN SEJFI PROTOPAPA, E KISHA MIK, ne Boston

PËRUROHET PARKU I PAQES NË BOSTON

October 2, 2016 by dgreca

PËRUROHET PARKU I PAQES, KUSHTUAR VIKTIMAVE TË BOMBAVE NË MARATONËN E BOSTONIT/3-park2-park-1

1-park5-park

1-ok-park

Nga Fuat Memelli/

2-ok-paqe

Pas disa muajsh pune, përfundoi së ndërtuari, Parku i Paqes”Krystle  Campbell”, në qytetin Medfod , pranë Bostonit. Është një park i veçantë, jo shumë i madh, rreth 3 dynym, por që ka të veçantë qëllimin për të cilin u ngrit. Ai u kushtohet viktimave të bombave në Maratonën e Bostonit, më 15 prill të vitit 2013, që ishin: Krystle Campbell, Martin Richard, Sean Collier dhe Lingzi Lu. Viktimat ishin katër, por parkut iu vu emri i ish banores së këtij qyteti dhe ish studentes së Universitetit të Harvardit, Krystle Campbell.

Kur filluan punimet për ndërtimin e tij para afro një viti, u organizua një veprimtari e bukur. Edhe këtë rradhë, me rastin e përfundimit të punimeve, u organizua një ceremoni tjetër e bukur. Mernin pjesë qytetarë të shumtë, mes tyre edhe shqiptarë, pjesëtarë të familjeve të viktimave, përfaqësues të policisë, të bashkisë së qytetit Medford, të bashkisë së Bostonit, Shoqatës së Atletikës së Bostonit, senatori i Massachuttses, Edward Markey, kongresmenia, Katherine Clark, etj.

KONCEPTIM I VEÇANTË

Parku i Paqes, është konceptuar bukur, me lule drita, shatërvan si dhe dekore të ndryshme simbolike. Shatërvani, i cili ndodhet në mes të parkut, ka pesë dalje uji. Katër prej tyre, përfaqësojnë katër viktimat e Maratonës, ndërsa dalja në qendër, përfaqëson njerzit e bashkuar. Anash shatërvanit, në katër anët e horizontit, janë vendosur katër pllaka me emrat e viktimave. Në hyrje të tij, është emri i ish kryetarit të bashkisë së qytetit Medford, Michael J. McGlynn, i cili ishte ideatori i ndërtimit të këtij parku. Në një hapësirë në formë rrethi, janë gdhendur fjalët: kurajo, durim, forcë, keqardhje, dinjitet, nderim. Në një mjedis tjetër, janë fjalët e mirënjohjes për ata që u gjendën të parët në ndihmë të viktimave të Maratonës: policët, personeli mjekësor, ata të zjarrikësve, etj. Një mirënjohje tjetër është për ata që projektuan dhe financuan këtë park, vlera e të cilit ishte 1, 5 milion dollarë. Financimi ishte nga kompani private si dhe nga shteti. Parku do të jetë jo vetëm një mjedis për t’u çlodhur, por edhe për të medituar. Vërtet do të jetë një kopësht me një simbolikë të veçantë, që do t’i verë vizitorët edhe në mendime, për viktimat, për ngjarjet e rënda që ndodhin sot në botë nga terrorizmi, njëkohësisht ata të ëndërojnë për paqen dhe të mbushen me energji pozitive.

MOS VRISNI MË NJERËZ! JU LUTEM PAQE!

Në takimin e organizuar me rastin e përurimit të Parkut të Paqes, përshëndetën: përfaqësues të policisë, sekretarja e Departamentit të Transportit në Boston, Stephanie Pollack, përfaqësuesi i Shoqatës së Motoçiklistëve, peshkopi i qytetit, Mark O’ Connell,  drejtori i Shoqatës së Atletikës së Bostonit, Dave McGillivray, u këndua këngë për paqen nga këngëtarja e njohur, Stacie Clayton, u sollën kujtime nga ish kryetari i bashkisë së Medford, Michael J. McGlynn , përshëndeti kryetarja e bashkisë së qytetit Medford, Stephanie M. Burke, kryetari i bashkisë së Bostonit,  Marty Walsh, senatori i Massacsuttses, Edward Markey,  babai i Krystles, William Campbell, etj.

Një mbresë të veçantë te pjesëmarrësit, la fjala e kryetares së Bashkisë së qytetit Medford, Stephanie M. Burke. Midis të tjerash, ajo tha:”Në ditët, javët dhe muajt që kanë kaluar nga ngjarja e tmerëshme e bombave të Maratonës, ne këmi parë një forcë të jashtëzakonëshme nga policët, familjarët, personeli mjekësor dhe të mbijetuarit. Me veprimet që bënë dhe fjalët që thanë, ata i pa dhe dëgjoi gjithë bota. Ky park i bukur që ndërtuam, është një memorial kujtese si dhe një test që tregon se ne të gjithë e duam paqen”. Ajo e mbylli përshëndetjen e saj, me fjalët që kishte shkruar në një detyrë klase, nxënësi, Lingzi Lu, viktimë e bombave: ” Mos vrisni më njerëz! Ju lutem Paqe”.

NJË POEZI SHQIPTARE NË VEPRIMTARI

Pjesë e programit në përurimin e Parkut të Paqes, ishte edhe recitimi i një poezie
shqiptare. Autor i saj, ishte shkruesi i këtyre rradhëve. Idea për poezinë, lindi para dy muajsh, duke parë punimet që kryheshin te ky park. Shkova në bashkinë e qytetit Medford dhe takova kryetaren e bashkisë, zonjën Srephanie M. Bruke. Ajo e mirëpriti idenë por kërkoi që t’i çoj poezinë në anglisht. Për përkëthim, iu drejtova shkrimtares e poetes, Rajmonda Mojsiu, e cila e zotëron mirë anglishten dhe m’u përgjigj shpejt. Pas pak ditesh, me poezinë e përkëthyer, shkova përsëri në bashki, ku takova zonjën Linda Coletti, e ngarkuar për organizmin e veprimtarisë. Ajo u emocionua nga poezia dhe më tha: “poezia jote do jetë në program”. U largova i kënaqur, pasi e kisha fituar “betejën” e parë. Mbetej të fitohej e dyta: ajo e recitimit. Bëra mjaft prova per recitim, ku ndihmoi edhe vajza ime, Gledisi. Dhe ja ardhi dita e veprimtarisë, data 25 shtator. Në grupin e titullarëve dhe familjeve të viktimave, isha edhe unë . Para recitimit, kërkova ndjesë se anglishtja ime nuk është aq e mirë. Duartrokitjet e të pranishmëve pas recitmit, ishin shpërblimi më i madh për mua. Pastaj i dhurova prindërve të Krystle Campbell, një statujë të Nënë Terezës, sjellë nga Shqipëria. I fola që Nënë Tereza është me origjinë shqiptare dhe që para një muaji, ishte shenjtëruar në Vatikan nga Papa Francesku.
“I dimë të gjitha keto për Nënë Terezën, pasi ajo është një figurë shumë e njohur” më thanë ata. Më falenderuan për dhuratën e pastaj bëmë një fotografi sëbashku. Vazhduam më pas bisedat e fotot me mjaft pjesëmarrës. Disa prej tyre pasi më uruan për poezinë, më thanë: “Ti ke folur me zemër. Nuk ka rendësi që anglishtja  të jetë e përkryer”. Këto fjalë më ngrohën edhe më shumë e më forcuan bindjen që bëra mirë për nismën e marrë, pasi edhe vendi im u përfaqësua në ketë veprimtari të bukur.

RESPEKT PËR PARARDHËSIT

Në veprimtarinë e përurimit të Kopështit të Paqes, krahas konceptimit dhe organizimit të bukur, më bëri përshtypje edhe një fakt tjetër kuptimplotë: respekti për punën e paraardhësit.  E kam fjalën për respektin e kryetares së sotme të bashkisë së qytetit Medford, zonjës Stephanie M. Burke  dhe stafit të saj, për punën e paraardhësit të bashkisë, zotit Michael McGlynn . Fakti është se kryetari paraardhës kishte qenë ideatori i ndërtimit të këtij parku. Ai dhe stafi i tij, kishin gjetur edhe fondet e nevojëshme. Me që u bënë zgjedhje të reja, punën  për ndërtimin e parkut, e ndoqi kryetarja e re dhe stafi i saj. Ishte kjo arsyeja që ish kryetari, jo vetëm qe ftuar, por ai mbajti edhe një nga fjalët kryesore në atë veprimtari. Respekti për atë ishte konkretizuar edhe në një pllakë që ishte vendosur në park. E pashë këtë respekt të ndërsjelltë, edhe në bisedën e tyre pas veprimtarisë.
Duke parë këtë respekt, më shkoi mëndja te vendi ynë. Tek ne, sa herë ndrrohen pushtetet, ku ndrrohen edhe drejtorat, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, kryeministrat etj, pasardhësit, në përgjithësi mohojnë punën e paraardhësve. Zor të thonë ndonjë fjalë, qoftë edhe për një punë të mirë që është bërë. Zakonisht mohoet çdo gjë dhe ata flasin sikur puna në  institucion, filloi me uljen e tyre në atë karige.
Është ky një mentalitet partiak që duhet kapërxyer. Amerika, ky vend i lirisë dhe demokracisë , na jep një mësim të madh edhe në këtë drejtim.

PARKU I PAQES

-Kushtuar Krystle Campbell si dhe viktimave të tjera në Maratonën e Bostonit të vitit 2013: Martin Richard, Sean Collier dhe Lingzi Lu-

 

Për ty Krystle sot jemi mbledhur

E viktimat e tjerë të Maratonës

Gjithë qyteti këtu ka ardhur

Se të kishte, bijë të zemrës.

 

Familja jote është në ballë

Ka ardhur sot që t’ju takojë

Kërkon ajo të nxjerrë mallë

Një tufë lule, t’ju dhurojë.

 

Një park Medfordi, ty të ngriti

Që do të mbajë emrin tënd

Me drita e lule e stolisi

E bëri më të bukurin vend.

 

Do na kujtojë ky park

Maratonën e Bostonit

Ditën që u derdh aq gjak

Spërkati lulet e prillit.

 

Dhe vajza ime atë ditë

Mund të kish patur atë fat

Se u ndodh aty pranë

Te vendi, ku u derdh gjak.

 

Do vij çdo ditë te ky park

Se jetoj, ja, këtu pranë

Pa ç’ka se jam emigrant

Dhe zemra ime, mori plagë.

 

Gjak po derdhet nëpër botë

Gjak që derdhet kot së kot

Zëri yt sikur na thotë:

-Flakni armët, kemi një Zot!

 

Fuat Memelli, 25 shtator, 2016.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, ne Boston, PARKU I PAQES, perurohet

FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR NË BOSTON

May 1, 2015 by dgreca

Nga Fuat Memelli/
Në qytetin Belmont afër Bostonit,po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik Ndëkombëtar, me temë :” Sekrete dhe gënjeshtra”. Është një temë pak e veçantë kjo e sivjetmja , por organizatorët thonë se këto janë pikat e përbashkëta që i bashkojnë këta filma. Në këtë festival, i cili është i 14-ti vit që organizohet , marrin pjesë 18 shtete, si Gjermania, Franca, Kanadaja, Italia, Turqia,Japonia, etj. Për herë të parë në këtë festival ,mer pjesë edhe Kosova, me filmin” Tre dritare dhe një varje”.
Drejtorja ekzekutive e festivalit, Ellen Gitelman, thotë se ne bsashkëpunojmë me distributorë ndërkombëtarë për të zgjedhur filmat. Shumica e tyre kanë fituar çmime në festivale prestigjoze ndëkombëtare të filmit artistik ose janë filma përfaqësues nga shtetet përkatëse, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, pranë Academy Awards( Çmimet e Akademisë). Filmi i Kosovës, “Tre dritare dhe një varje” ishte filmi i vetëm prezantues në gjuhë të huaj , për Oscarin e këtij viti dhe ne ishim shumë kureshtarë për ta parë. Pasi u pa në mënyrë anonime, u vendos se është film shumë i mirë për t’u shfaqur në këtë festival. Ky është filmi i parë kosovar që shfaqet në këtë festival, thotë zonja Ellen.
Autorë të filmit kosovar janë: skenari Zymber Kelmendi, regjisor Isa Qosja ndërsa në rolet kryesore interpretojne: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja ,etj. Filmi trajton një temë delikate, atë të dhunimit seksualisht të grave e vajzave gjateë luftës në Kosovë. Gjatë kësaj lufte, mendohet se janë dhunuar seksualisht 20 mijë gra e vajza. Në qendër të filmit është Lushja, një mësuese fshati. E shtyrë nga ndërgjegja dhe nevoja e kthimit të dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjeta të fshatit, janë viktima të dhunimit nga forcat sërbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga ky deklarim , nis edhe një tragjedi e dytë për këtë mësuese: shikimi shtrembër dhe përçmimi nga fshatarët. Përçmimi arrin deri aty sa fshatarët ndërhyjnë te fëmijët e tyre që mos shkojnë në shkollën ku jep mësim kjo mësuese. Skenat ndërthuren edhe pas kthimit të të shoqit në shtëpi, ku Lushja gjen kurajon e ja tregon edhe të shoqit këtë ngjarje. Filmi mbaron pa ndonjë zgjidhje konkrete, pasi i tillë është problemi. Duhen kuptuar normat, traditat e zakonet që janë në Kosovë. Filmi është një apel për këtë dramë të grave e vajzave kosovare të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Është një apel për drejtësi, një apel për ndërgjegjësimin e njerëzve që këto gra e vajza të mbahen pranë, që ato ta kalojnë këtë traumë, pasi nuk është faji i tyre për çka që u ka ndodhur. Disa nga pjesëmarrësit e quajtën atë një film rrënqethës.
Në mbarim të shfaqjes, foli drejtorja e festivalit, Ellen Gitelman, ndër të tjera theksoi se ky është një film që tregon dramën e grave dhe vajzave kosovare të dhunuara gjatë luftës, por tani gjërat në Kosovë, kanë ndryshuar. Kosova është shteti më i ri në Europë. Ajo ka një presidente femër dhe se nuk është çdo gjë bardh e zi në shoqërinë kosovare. Kosovarja Rita Saliu, e cila jeton në Amerikë por ka qënë vetë në Kosovë gjatë viteve të luftës dhe ka ndihmuar mjaft çështjen e Kosovës, tha se unë kam njohur nga afër gra e vajza të dhunuara. Me nismën e presidentes së Kosovë, Atifete Jahjaga, është krijuar një fondacion i veçantë për këto gra e vajza.
Ashtu si në veprimtari të tjera të shqiptarëve të Bostonit, edhe këtë herë shqiptaro- amerikania Shpresa Theodhosi, foli plot pasion për padrejtësitë që i janë bërë popullit të Kosovës nga makina ushtarake sërbe. Amerika dhe Bashkimi Europian e ndihmuan Kosovën për të fituar lirinë, por Kosova ka mjaft probleme. Për zgjidhjen e tyre, nuk duhet pritur çdo gjë nga të huajt. Vetë shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e tyre dhe të bëhen ata promotorë të zgjidhjes së problemeve që kanë.
Një fjalë të veçantë në mbarim të filmit , mbajti e reja , Shengjyl Osmani, e lindur dhe rritur në Manastir. (Ajo ka mbaruar studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe ka jetuar gjashtë vjet në Kosovë. Nga këto tre vjet ka punuar si gazetare tek rjeti ballkanik për gazetari hulumtuese. Tani është në përfundim të Masterit në zgjidhjen e konflikteve, në një universitet të Bostonit.) Në fjalën e saj, Shegylja tha për pjesëmarrësit, ato që si të thuash nuk i tha filmi.- Ka 16 vjet që ka mbaruar lufta në Kosovë, por çështja e dhunimit të grave e vajzave ka filluar të përmendët në shoqëri, këto dy vitet e fundit. Kosova ka formuar institucion për mbrojtjen e këtyre viktimave, i quajtur Këshilli Kombëtar për për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, institucion i formuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Edhe shoqëria civile ka themeluar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e po përpiqen t’ua lehtësojnë jetën këtyre grave e vajzave. Siç paraqitet në film, kjo dhunë e përjetuar gjatë luftës për gratë e Kosovës, ka vazhduar në një formë tjetër edhe pas luftës. Ngurimi dhe frika nga mos përkrahja e paragjykimi nga familja, i ka detyruar këto gra e vajza të mbyllen në vetvete e të mos flasin për këtë krim të ushtruar ndaj tyre nga trupat e armatës sërbe. Është e rëndësishme që përkrahja të fillojë së pari tek familjet e viktimave , te komuniteti ku jetojnë e më pas te shoqëria e gjerë. Shpresoj të mos duhen edhe 10 -15 vjet të tjerë për të treguar progres e përkrahje për këto viktima dhe familjet e tyre, ka përfunduar fjalën e saj, shqiptarja nga Maqedonia,Shengjyl Osmani, njohëse e mirë e situatës në Kosovë, si të ishte një bijë Kosove. Dhe pjesëmarrësit e “shpërblyen”, duke i dhuruar duartrokitjet e tyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, Fuat Memeli, ne Boston, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT