• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE, KONICA dhe britmat….

September 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
“Nyja Gordiane”, në mitologjinë greke ishte një lidhje e komplikuar dhe e bashkuar fortë prandaj i rezistoi çdo përpjekje për ta zbërthyer.., derisa nuk u zgjidh me shpatë nga ana e Aleksandrit të Madh! Shprehja në fjalë përdoret edhe në ditët tona, sidomos nga politikanët, gjithmonë si metaforë për çështje që nuk zgjidhen.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim gazete, do të bëjmë përpjekje që sadopak të mënjanojmë apo përjashtojmë çdo paralelizëm a krahasim mes njerëzve që kanë jetuar dhe vepruar në periudha të caktuara kohore. Faik Konica, një njeri i cili në komunitetin intelektual shqiptar, konsiderohet si një ndër eruditët më të mëdhenj, kushedi sa herë kishte bërë përpjekje ta rrënojë atë kështjellën e inatit homerik të bashkëkohanikëve të tij. Nuk e bëri dot, sepse edhe ai “këmbë krye ishte pjesë e inateve në fjalë”. Të tilla inate kishte me Fan Stilijan Nolin, Shahin Kolonjën dhe me të gjithë kongresistët e Manastirit (hiq mënjanë Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën). Njohësit e mirëfilltë të biografisë së tij thonë, se ai pos që ishte një njeri mendjefemër, njëkohësisht konceptohej a njihej me “higjienën e tij cerebrale” skajshëm të zhvilluar, dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj nuk i duronte po edhe nuk i parapëlqente “retorikat spekulative” të njerëzve që i shkonin vërdallë. Për këtë dhe çështje tjera, Arshi Pipa në vitin 1944, shkroi këtë paragraf briliant “.., e sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.
Mbajmë mend vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ne kalamanjtë e lagjës sonë, “hanim dajak” nga bashkëmoshanikët, dhe kur nuk na e mbante prapanica që t’ ua kthejmë me të njëjtën masë, fillimisht i shanim dhe më pastaj e lakonim atë fjalinë: “Do shihni kur do kaloni kah mëhalla e jonë?” Dhe ata nuk kalonin dot kah mëhalla jonë. Sot dhe si përherë, ka do gjëra që janë dhunti të Perëndisë, ca të tjera janë dhunti të natyrës, do të tjera pjellë të trashëgimisë familjare, politike dhe ca të tjera që me kohë kalojnë në vese negative. E ato mbase duhet të jenë sharjet (një herë në një opinion t’imin kisha shkruar se kjo “dynja e jona shqiptare u kurdis me të shara”). Tekefundit, sharjet tona ishin fëmijënore, ishin sharje të përditshme, mujore dhe “sharje sezonale, siç sot do të thotë doktori i lagjës sonë”. Po cilët ishin sharjet e të përzgjedhurve të popullit shqiptar!?.., rrahjet dhe sharjet mes deputetësh shqiptar, në institucionin ligjdhënës të Republikës së Maqedonisë (para ca ditësh), mos vallë ishin një “delikatesë politike” e zbehtë dhe e shëmtuar, a mos vallë ishte një “sihariq i madh”, një dijarizëm dhe diletantizëm i radhës apo një shfaqje rebelizmi i kurdisur, i sajuar dhe mbase edhe (mos dhashtë Zoti) i porositur!? Pavarësisht se të gjithë ishin me faj, pavarësisht se të gjithë kishin të drejtë, pavarësisht se të gjithë, sot e gjithë ditën vuajnë padrejtësitë e “pronarit të kazinos politike të Shkupit”, pavarësisht se të gjithëve u shteret durimi, megjithatë, atyre nuk mund t’u lejohet që kur do t’ua dojë qejfi e kur do u teket të hapin trastën e tyre të mbushur me: kushedi sa palë mend, me kushedi sa palë siklete, me kushedi sa palë qejfe e fodullëke, me kushedi sa mijë inate, me kushedi sa “furgona” të (mbi)ngarkuar me britma a ulërima, me kushedi sa fyerje që nuk janë në natyrën e burrërisë shqiptare, me kushedi sa e sa derte.., megji-thatë ata nuk kanë të drejtë të fyejnë nënën dhe motrën, ata nuk kanë të drejtë t’i bëjnë “zullum” të drejtës së çdo shqiptari për të qenë në pozitë a opozitë, nuk kanë të drejtë ta kontestojnë mendimin ndryshe.., nuk kanë të drejtë që në “emër të ca budallakive” të tyre që sakaq të nxisin e ndezin armiqësinë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet njëri-tjetri, ata nuk kanë të drejtë të krijojnë gënjeshtra dhe më pastaj tu besojnë verbërisht. Ju të nderuar, që lexoni këtë vështrim gazete, pa më kallxoni e më thoni, se ç’faj kanë nënat dhe motrat tona, ç’faj ka sovrani dhe vota e tij deliberative, e tjerë.
Në çdo profesion dhe në veçanti në kuadër të lëmisë së filozofisë së politikëbërjes, ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh i paragjykuar. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektëve të tyre” të mos konceptohet si ajo e kalamanjëve të vaktit tonë, do të ishte mirë që deputetët a të përzgjedhurit e popullit, refrenet e tyre paranojake t’i zëvendësojnë me ato të arsyes, me ato të aristokratit, me atë të butësisë dhe urtësisë së atdhetarit të mirëfilltë.., dhe, nëse këto nuk do t’i bëjnë, atëherë misioni i tyre politik (zyrtar) përgjithmonë do mbetet si ai mendimi i padrejtë, i paqartë, i paredaktuar dhe në instancë të fundit si ajo Puna e Sizifit.
Thonë, se fukaraja nuk ngopet me bukë, dikush me frymë, tjetri me inate, dikush me cinizëm, me gjëra të paqena, me veprime mashtruese, me sajime të rrezikshme, të kota dhe skajshëm të ulëta.., intelektuali nuk ngopet me perceptime a mendime të kualifikuara, ca të tjerë nuk ngopen me shtrembërimin a nëpërkëmbjen e gjenealogjive të familjeve të njohura, ca nuk ngopen me fjalët dhe buzëqeshjet cinike, ca të tjerë nuk ngopen me thashetheme, me fodullëke, me budallakina dhe të gjithë (toptan) edhe me paragjykime. Të gjitha këto (mos) ngopje nuk ua zgjidhin hallet dhe dertet e jetës qofshin ato materiale, morale, politike, atdhetare e tjerë halle. Askush nuk dialogon me arsye po as nuk merret me qetësi. Dhe kur nuk e bëjnë këtë, atëherë hallin e trashin dhe e shndërrojnë në “Nyjë gordiane”: gjegjësisht në një çështje shumë të ndërlikuar.
Nga kjo mesele e koklavitur që u “hetua” në hapësirat e kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithsecili shqiptar i ndërgjegjshëm detyrimisht duhet të distancohet.., jo nga frika, jo nga hatëri, jo për hirë të përcaktimit partiak (politik), jo për interesat personale a edhe të dikujt.., por thjeshtë për hirë të vëmendjes dhe ndërgjegjës sonë kolektive.., thuaj për mirëqenien tonë materiale dhe kulturore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, Konica, ne dhe britmat

Artikujt e fundit

  • LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE
  • Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti
  • TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU
  • Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë
  • Shuhet në New York nacionalisti Pjeter Mernaçaj, Vatra ngushëllon familjen
  • Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë
  • VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KOMUNITETI SHQIPTAR NË ILINOIS, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • SHBA-Shqipëri, 103 vite marrëdhënie diplomatike! Ambasada amerikane në Tiranë: Krenarë për partneritetin tonë
  • Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
  • Për një vetëdijësim gjuhësor
  • Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut
  • Gazeta “Dielli”, drita e kombit në mërgim
  • DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 
  • TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT