Nga Harry Bajraktari/
Sot kur shënojmë 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kujtojmë sakrificën e sublime të popullit tonë në luftë kundër okupatorit serb, i cili na solli aq shumë vuajtje në rrugën tonë të gjatë për liri dhe pavarësi.
Nuk ka mburrje me të madhe sesa të kujtosh ata që flijuan jetën për lirinë e Kosovës, të kujtosh qendresën heroike të tyre dhe të kujtosh ata intelektualë e veprimtarë që në forma të ndryshme kontribuan dhe ishin kreatorë të lirisë e nderit tonë kombëtar. Për një shekull aq sa u luftua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, u sakrifikuan shumë breza, shumë njerëz që historia ua ka borxh t’ i vlerësojë dhe t’ u japë vendin meritor për atë që bënë për ne, për ardhmërinë e kombit tonë dhe për lirinë që sot e gëzojmë. Nëse kthehemi prapa e shikojmë të kaluarën tonë përplot luftëra e përpjekje, borxhin ndaj tyre më së miri do ta lanim nëse do të punojmë më shumë për brezat e ardhshëm, nëse do të krijojmë të mira materiale, nëse do ta bëjmë Kosovën ashtu çfarë e ëndrronin ata që ranë për liri dhe njëherësh një Kosovë të sforcuar në Bashkësinë evropiane, si popull më i vjetër që jemi në Ballkan, me kulturë dhe civilizim të lashtë. Për këto 100 vite ka shumë personalitete që historia i ka vlerësuar dhe shumë të tjerë që duhet t’ i vlerësojë. Me rastin e këtij përvjetori të pavarësisë së Kosovës po përmendi dy personalitete më të rëndësishme të historisë sonë më të re: Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin që janë sinonim i vlerave që shkrihen në idealin e popullit tonë bashkë me shumë figura të tjera të kombit që i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, duke u nisur nga vlerat atdhetare liridashëse, me rastin 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, dekoroi disa personalitete të rëndësishme: luftëtarë, veprimtarë dhe intelektualë( post mortum) për kontributin e tyre që dhanë për lirinë dhe pavarësinë që sot e gëzojmë. Me këtë vlerësim presidenti Nishani, ka nderuar veprën e tyre ushtarake, veprimtarinë e tyre kombëtare dhe intelektuale.
Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së kosovës Z. Nishani, dekoroi Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të mbrojtjes të Republikës së Kosovës me dekoratën” Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” për kontributin e tij në themelimin e strukturave institucionale ushtarake. Ndërkaq me dekoratën “Nderi i Kombit” vlerësoi veprimtarët e shquar, luftëtarët, ushtarakët, atdhetarët: Salih Çeku, Zair Pajaziti, Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha (Drini), Indrit Cara, Luan Haradinaj, Bekim Berisha( Abeja), Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi -Lladrovci dhe Smail Hajdaraj. Me ” Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën, Ukë Bytyqin dhe për merita të veçanta civile Ismet Rracin, Agim Hajrizin dhe Haki Ymerin.
Presidenti i Shqipërisë zoti Nishani, me vlerësimin e këtyre figurave ka nderuar jetën dhe veprën e tyre për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke u nisur nga fakti se historia duhet të shkruhet në bazë të vlerave dhe sakrificave.
Kosova është shteti ynë që duhet ta ndërtojmë dhe ta integrojmë në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO. Në Kosovë mund të jetohet dhe s’ do të humbë shpresa për të. Sakrifica flet më shumë.
Urime Kosovë për këtë shtatëvjetor të pavarësisë. Faleminderit president i Shqipërisë z. Bujar Nishani.
* Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York