Nga Azgan HAKLAJ /
Një orë para vendimit historik të BDI-së dhe z. Ali Ahmeti isha në zyrën e tij. Me qetësi Kristiane, meditim Budist, i gatshëm për t’u ndeshur si Davidi me Goliatin, lideri i shqiptarëve në Maqedoni, me këtë vendim synon të jetë një hap i ri në axhendën e tyre kombëtare për t’u ridimensionuar si faktor kryesor shtet-formues në Maqedoni. Zoti Ahmeti ka më se njëzet vjet që po ecën me hapa të matur dhe të sigurtë për të ardhmen e shqiptarëve në një Maqedoni tjetër, të ridimensionuar, ku shqiptaret të kenë peshën reale të shtetformimit.
Gjatë gjithë këtyre viteve të ngjeshura me nisma dhe aksione kombëtare, Ahmeti ka lëvizur në një terren të sigurtë për shqiptarët, por përballues dhe të vështirë për veten dhe lidershipin e partisë së tij, që iu është dashur të ngrihen mbi çdo interes individi e grupi, në emër të asaj që është e shenjtë dhe e patjetërsueshme, çështja jonë nacionale.
Një maksimë franceze na mëson: “E vërteta qëndron në fund të pusit”. Aristoteli thoshte dikur: “Do ta them të vërtetën troç, edhe sikur të gjithë të jenë kundër saj, sepse vetëm e vërteta të bën të lirë”. Prej vitesh Ali Ahmeti flet me gjuhën e së vërtetës, larg kulisave të utilitetit personal. Ndonëse i dënuar me vdekje nga gjykatat serbe, si lideri kryesor i lëvizjes së vitit ’81 në Kosovë, ndonëse ballëpërballë në Kosovë e Maqedoni me serbët dhe maqedonasit, Ahmeti kurrë s’e humbi qetësinë dhe kthjelltësinë e kauzës.
E gjej me vend tek po shkruaj këto rreshta të perifrazoj Volterin : “Unë nuk jam në një mendje me ty, por në momentin që mendimi yt fiton mbështetjen e shumicës, unë bëhem pjesë e mendimit tënd”.
Fitues i të gjitha sondazhave për performancën e politikanit shqiptar në Maqedoni me mbi 20 përqind, Ali Ahmeti tashmë është profilizuar plotësisht si një politikan i majave më të larta të vetëdijes sonë kombëtare dhe duhet mbështetur në axhendën e tij të fortë e të palëkundur për asnjë çast për çështjen shqiptare.
Fitimtar në beteja ushtarake, politike, diplomatike, vizionar i palëkundur i çështjes kombëtare, pa asnjë kompromis në kurriz të kombit, tani ka përballë një skenar të shërbimeve sekrete të qarqeve antishqiptare, që të kujtojnë kohën e Kserksit Persian, simbol ky i kulisave dhe dredhive, ashtu edhe Gruevski me nipin e vet, me deyrë kryetar i shërbimeve sekrete në Maqedoni, po synojnë për të tërhequr në kurthin e tyre shqiptarët, për të çertifikuar zgjedhjet e ardhshme për president.
Në këtë moment të rëndsishëm të BDI-së dhe Ahmetit me idenë për President konsensual, dëshiroj t’i kujtoj Gruevskit përcaktimin e Lamartinit për shqiptarët: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë; kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave. Aty Homeri gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e madh, turqit Skënderbeun. Të tre të një gjaku, të një race”.
Ali Ahmeti, që çoi shtatoren e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës në Shkup, që arriti të ngrejë e të zyrtarizojë flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe nëpër institucione, do ta ndalë skenarin ogurzi të Ukrainës në Maqedoni: -Lindja me Lindjen –Perëndimi me Perëndimin, për të shkërmoqur Maqedoninë.
Në këto momente të BDI-së dhe të gjithë faktorit shqiptar në këtë vend të Ballkanit, më vjen ndërmend thirrja e Fishtës: “Lësho kushtrimin në toskë e në gegë / mblidhuni tok si kokrrat në shegë”. Kumbojnë aktuale fjalët e Lord Bajronit: “Shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike krijojnë një peizazh të mrekullueshëm në botë, ata janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, Trima, më të fortë se kështjellat e tyre”.
Maqedonia është për shumë arsye nyja gardiane e Ballkanit. E krijuar si shtet artificial në kohën e Jugosllavisë Federative, asaj i mungonin tre elementë thelbësorë për të qenë republikë e Federates Jugosllave e më vonë, pas viti ‘90 shtet i pavarur.
Elemeti i parë, që përbën dhe arsyen numër një, qëndron në faktin se mazhoranca e banorëve bullgarë të Maqedonisë së sotme nuk lidhet me asnjë gjë tjetër, përveç emrit me Maqedoninë antike dhe me emrin e ndritshëm të Aleksadrit të Madh , strategut gjenial të betejave dhe arkitektit të parë të Rendit të Ri Botëror pa mbretër, princa, tiranë dhe despotë. Është njohur botërisht nga historia që nga Plutarku i lashtësisë e deri në ditët tona që Aleksadri ose Leka i Madh, siç e quanin shqiptarët, ka qenë nga gjuha, gjaku ilir, djali i Olimbisë së Molosëve të Epirit. Kaq e vërtetë është kjo sa kur ai pushtoi Indinë e largët ngriti një monument madhështor në 12 kollona të larta mermeri, në përkujtim të perëndive të tij pellazgo-ilire.
Arsyeja e dytë paradoksale është se maqedonasit e quajnë veten shtet-komb kur dihet se Shkupi, kryeqyteti i sotëm, historikisht ka qenë kryeqendra e Mbretërisë së famshme Dardane dhe ky qytet deri në tërmetin e vitit 1967 ishte qyteti ku shumica e banorëve ishin shqiptarë etnikë, duke kaluar madje edhe Tiranën, dhe Prishtinën. Për të vërtetuar këtë pohim na vijnë në ndihmë akademistët, citoi: Pr. Barbaro Jelevic: Rrënjet etnike të maqedonasve të lashtë janë ilire. Dr. Murico Druan, sekretar i Akademisë Frange: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe se gjyshërit e tyre bënin pjesë në luftën e Trojës të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën tjetër”. Nikolla Jorgo deklaron: “Populli shqiptar së bashku me baskët janë më të vjetrit në botë”. Pr. Dimitor Gordonov:“Skirtonët ilirë e kanë themeluar Heraklenë e Manastirit para 2500 vjetësh. Ata kanë themeluar edhe Resnjan e Prespës”. Dr. Dushko Hr. Kostandinov:”Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit të Ballkanit”. Pr. Braisllav Nushiq: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë gjithë dynjeve të popujve e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar.Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve”.
Shqiptarët në 500 vjetët e sundimit osman kanë bërë 57 kryengitje të fuqishme për lirinë e tyre e të popujve të Ballkanit. Në shekullin e 18, kur Evropa po shkundej nga Revolucioni i vitit 1848 dhe në skenë dolën Neçartania e Ilia Garashaninit dhe Megalidea e Koletit për copëtimin e trojeve shqiptare, Dervish Cara udhëhoqi kryengritjen kundër Perandorise Osmane, çliroi Shkupin e pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Në gusht të vitit 1912 prijësit shqiptarë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beg Gjakova, Bedri Pojani, Naxhip Draga në krye të 60 000 mijë luftëtarë shqiptarë e çliruan Shkupin nga turqit dhe ngritën në kala flamurin e Gjergj Kastriotit. Në mbretërinë serbo-kroato-sllovene dhe në Jugosllavinë e Titos shqiptarët e asaj që sot quhet Maqedoni përjetuan dhunë genocide, shpërngulje masive, tjetërsim të identitetit kombëtar e mohim të kombësisë, gjuhës amë e simboleve kombëtare. Shpërbërja e Federatës Jugosllave pas vitit ’90, lufta e shqiptarëve për liri e të drejta në Maqedoni nxorri në skenën historike liderin me reputacion e vizion të jashtëzakonshëm Ali Ahmetin, veteranin e lëvizjes kombëtare, udhëheqës i demonstratave të Kosovës në vitin 1981, prijës i luftës së shqiptarëve të Maqedonisë për liri e të drejta njerëzore dhe flamur. Shumë pak liderë shqiptarë, aleatë ndërkombetar e analistë besuan se ky strateg i luftërave do t’i imponohej Maqedonisë e faktorit ndërkombetar dhe do të shndërrohej në një politikan kalibri e faktor politik determinues në Maqedoni. Ali Ahmeti, ky Moisi i kombit shiptar, ka marrë përsipër një mision hyjnor, ashtu si Moisiu biblik do ta nxjerrë popullin e tij nga skllavëria.
Z. Ahmeti e partia e tij kanë vite që qeverisin me mazhorancën Maqedonase për hir të integrimit të Maqedonisë, për hir të moszhbërjes e ndryshimit të kufijve politik. Z.Ahmeti dhe BDI-ja në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë marrë një vendim historik politik, me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e situatës aktuale politike pas mospranimit të ofertës së BDI që vendi të ketë Presidentin e parë konsensual, pas analizave të gjithanshme të situatës dhe pas elaborimit të gjerë në opinion në lidhje me mundësinë e pasjes së kandidatit konsensual, veçanërisht pas mosgadishmërisë për pranimin e ofertës së saj, BDI vendosi:
1. Të mos garojë me kandidat të saj në zgjedhjet Presidenciale, t`i ftojë shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët me çfarë do t’i jepnin legjitimitet të rrejshëm Kryetarit të ardhshëm të vendit, njëkohësisht BDI vendosi që të bëjë fushatë aktive, ku do të promovojë idenë dhe konceptin për Presidentin konsensual deri në realizimin përfundimtar të saj.
2. Grupi parlamentar i BDI-së të dorëzojë në Kuvend iniciativë për shpërndarjen e kësaj legjislature
3. Të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
BDI vlerëson se Maqedonisë si vend me demokraci në zhvillim i nevojitet vendimmarrje me konsultime më të gjëra dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik. Këto parime janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, dhe sistemit politiko-juridik që doli pas implementimit të kësaj Marrëveshjeje. Andaj konsiderojmë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare do të krijonte hapësirë për marrëveshje të re për bashkëqeverisje në të cilën do të hapen tema në interes të qytetarëve dhe vendit.
Bashkimi Demokratik për Integrim fton të gjithë Grupet Parlamentare që t`i bashkëngjiten kësaj iniciative dhe të përkrahin propozimin tonë për miratimin e vendimit për shpërndarjen e kësaj legjislature.
Gjithashtu BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politik, shtetëror dhe qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar që jemi të aftë dhe kemi kapacitete për organizimin e tyre.
Shekspiri ka thënë: “Bota është e guximtarëve”. BDI-a dhe Ahmeti vendosën që t’iu bëjnë thirrje shqiptarëve për një plebishit bojkotimi për të ndalur çertefikimin e këtij skenari turpi jo për pushtet personal por për kauzë, dinjitet, partneritet, luajalitet e për faktorizim të shqiptarëve. Memoria historike ka apostrofuar se fara, rrënja, palca, ashti i trungut Maqedon janë shqiptare, ndaj Ali Ahmeti ka zgjedhur momentin e duhur për të dëshmuar forcën e faktorit shqiptar dhe për t’i dhënë statusin që meriton .
Në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si shok e vëlla i Robin Hudit shqiptar, i Tahir Sinanit, luftëtarit të luftës së Kosovës, Preshevës, që u vra në luftë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, u bëj thirrje shqiptarëve, miqve dhe përkrahësve të mi në të gjitha trojet etnike, që të mbështesin Ali Ahmetin në betejën kruciale të shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime, që të mos legjitimojnë skenaret e qarqeve antishqiptare. Çdo shqiptar para se ta marrë vendimin duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së lashtë historike, të mbrojë nderin e të parëve të tij, atdheun, gjuhën shqipe dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Në krizën botërore të viteve ’30, presidenti i madh Teodor Ruzvelt ju drejtua me një fjalim kombit te tij: “Të dashur bashkëkombas, e vetmja gjë që duhet të kemi frikë është vetë frika”. Ali Ahmeti dhe BDI e dalë nga lufta ua vrau frikën shqiptarëve; tashmë frika është e Gruevskit. Dy mijë vjet më parë, Jezu Krishti i ringajllur ju thotë apostujve të tij: “Mos kini frikë”. Këtë shprehje hyjnore dhe politike e përsërit pas 2000 vjetësh lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti. Kjo thirrje duhet të mbështetet jo vetem nga shqiptarët e Maqedonisë, por nga mbarë kombi shqiptar në trojet e veta etnike në Ballkan.
Në vitin 1962 presidenti Kenedi vizitoi Berlinin e bllokuar nga rusët: “Unë jam Berlinez”, -iu drejtua ai gjermanëve. Ali Ahmeti është një Kenedi i ri që do të shemb muret ndarëse të shqiptarëve, prandaj shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kenë parasysh thirrjen e Xhon Kenedit drejtuar amerikanëve: “Mos mendoni se ç’bëri Amerika për ju, po ç’bëtë ju për Amerikën”.
Refuzimi plebeshitar i zgjedhjeve presidenciale është një monument madhështor i identitetit të shqiptarëve në Ballkan. Çdo shqiptar i Maqedonisë këto ditë në formë peligrinazhi duhet të shkojë te kompleksi i varrezave “Nënë Tereza” të Kërçovës dhe me besa-besë si dikur Haxhi Zeka në Pejë, apo Hasan Prishtina, shpëtim a vdekje në Shkup, të betohen mbi flamurin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, nipit të Pollogut dhe Ali Ahmetit. Mbi gjakun e atyre që dhanë jetën për liri, për të mbetur materie e gjallë e ndërgjegjes kombëtare.
Vendimi i shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime është shërbimi më i madh që i bëhet Flamurit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan.
Hazreti Aliu, i cili u vra në Qerbela në mbrojtje të doktrines së profetit Muhamet, na ka lënë një postulatë: “Mendjemëdhenjtë nuk i do as Zoti”. Gruevski nuk hoqi dorë nga arroganca e mendjemadhësia. Projekti shkupi 1 (një) miliardë euro zhvlerësohet para shtëpisë ku lindi shenjtorja shqiptare NëNë TEREZA, gjurmët e së cilës i fshiu. Ajo edhe në ditët e fundit të jetës së saj ju lut Bill Klintonit: “Bëni diçka për kombin tim”. Edhe babai i saj, Kol Bojaxhiu u ekzekutua vetëm se kërkoi që përkrah gjuhës maqedonse të jetë zyrtare edhe gjuha shqipe, gjuhë e folur nga Niket Dardani e Shën Jeremini të krahasuar me Shën Ambrozin e Shën Agustinin.
Po e mbyll këtë opinion timin me një apel shqiptarisht: “Bëhuni pjesë e këtij aksioni të gjithë ata që flasin shqip, mendojnë shqip, frymojnë shqip dhe zemra e tyre rreh shqip, për të mbështetur këtë platformë politike që ridimensionon shqiptarët në Maqedoni”.(ne foto:Autori i shkrimit, Azgan Haklaj ne zyren e Ali Ahmetit)