• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Imzot Rrok Mirdita në fjalët e Papa Françeskut

December 9, 2015 by dgreca

Mesazhi i Papa Françeskut drejtuar imzot Rrok Mirditës, me rastin e 50-të vjetorit të meshtarisë së tij kremtuar në korrikun e këtij viti./

Një jetë shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit: Papa Bergoglio e paraqet, kështu, angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv metropolit i Tiranës-Durrësit, me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë, që  u kremtua më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë.

Papa Françesku, në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës, përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 4 korrikut. Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat të rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita bëri dhe pati gjatë 50-të vjetëve të meshtarisë, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmend edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës. Letrën e Tij drejtuar imzot Rrok Mirditës, Papa Françesku e përfundon me urime të përzemërta e Bekimin apostolik për kremtimin e këtij jubileu meshtarak.

Ja letra e Papa Françeskut për Jubileun e 50-të vjetorit të Imzot Rrok Mirditës

VËLLAUT TË NDERUAR  RROK MIRDITËS, ARQIPESHKËV METROPOLITAN TIRANË-DURRËS

Me lutjet tona i shoqërojmë të gjithë Barinj në botë. Por tani duam ta shprehim mirëdashjen tonë ty, Vëlla i Nderuar, që më 4 korrik do të kremtosh jubileun e artë të meshtarisë. Në këtë rast duhet të përkujtojmë dhe të lëvdojmë angazhimin tënd baritor që për një kohë të gjatë ke zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri.

Meshtar i arqidioqezes së New York-ut, e zbatove me entuziazëm zellin tënd meshtarak, duke shpallur të vërtetat shpëtimprurëse, dhe veçanërisht duke sjellë ngushëllim shpirtëror besimtarëve shqiptarë, të besuar kujdesit tënd baritor. Në punët e tua ke dëftuar cilësitë e gjenisë dhe të shpirtit, shkathtësinë dhe urtinë, saqë shën Gjon Pali II, në dhjetor të vitit 1992, të emëroi Arqipeshkëv i Durrës-Tiranë dhe më 25 prill të vitit pasues të shuguroi.

Në mbarështimin tënd të përditshëm je treguar i zellshëm në shtjellimin e doktrinës katolike, në ndërtimin e strukturave dioqezane, në zbatimin e nismave bashkë me meshtarët dhe besimtarët. Në periudha të vështira ke qenë krejt i kujdesshëm për përparimin shpirtëror i të krishterëve, për të cilët në situata të ndryshme ke qenë moderator shpirtëror dhe ndihmës në jetën e përditshme. Jo pa vështirësi, por plot besim në provaninë hyjnore, ke zbatuar shumë nisma, që besimtarët, pas periudhës së ngushtë, mund ta lëvdonin Hyjin e gjithëpushtetshëm me më shumë ngulm. Me kujdes, nëpërmjet lutjeve dhe shembullit të jetës sate të përditshme, je përpjekur t’i tregosh grigjës sate rrugën e drejtë kah e vërteta dhe lumturia. Je kujdesur për ngritjen e selisë së re dhe për ndërtimin e tempullit të Katedrales kushtuar shën Palit në Tiranë, i cili është qendra e gjithë jetës shpirtërore e arkidioqezës.

Duke pasur parasysh këto si edhe të tjera merita dhe cilësi të tua, edhe bashkëvëllezërit ipeshkvij të kanë vlerësuar, ty që të kanë besuar me detyra shumë të rëndësishme në Konferencën Ipeshkëvnore të Shqipërisë dhe dy herë të kanë zgjedhur si kryetar.

Me rastin e gëzueshëm e jubileut tënd, me ndërmjetësinë e së Lumes Virgjër Mari, të urojmë urime më të mira, më së pari ndihmat e Hyjit. Dëshirojmë gjithashtu të të shoqërojë bekimi ynë apostolik, që të përcjellim sikur të ishim të pranishëm, dhe që do të komunikohet të gjithë atyre që do të marrin pjesë në kremtimin e jubileut tënd, duke kërkuar lutjet prej jush, që të mund të zbatoj me besnikëri, sipas vullnetit të Hyjit, detyrën shumë e rëndë si pasardhës i Pjetrit.

Nga Selia e Vatikanit, me 11 qershor i vitit 2015, viti i tretë i Pontifikatit tonë.

Françesku

Ja një biografi e shkurtër e Imzot Rrok Mirditës

Imzot Rrok Mirdita lindi në Kllezën të Ulqinit më 28 Shtator 1939. Studimet elementare dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zagreb ku u diplomua shkëlqyeshëm. Më 4 korrik 1965 shugurohet meshtar nga Shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokic, Arqipeshkëv i Tivarit. Një vit më vonë emërohet Administrator i Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Salç ku shërben për më se tre vjet. Më 1970 emërohet famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Kllezën. Nga Arqipeshkvi i Tivarit dërgohet në New York për t’i shërbyer diasporës katolike shqiptare në Bronx në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në marrëveshje me Dioqezën e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut, me dekret special të datës 19 qershor 1981, e pranon si meshtar me shërbim të përhershëm në këtë Arkidioqezë me detyrë pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në vitin 1985 themelon radio programin fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për New York-un e rrethe, program të cilin e vazhdon për shtatë vjet deri në emërimin e tij si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më 1 korrik 1986 Hirësija e Tij Kardinal O’Connor – Arqipeshkëv i New York-ut e emëron Administrator të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 28 shtator 1989 prej të njëjtit Arqipeshkëv emërohet famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës” themeluar prej vetë Imzot Rrok Mirditës. Më 25 prill 1993 kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe shuguroi 4 ipeshkvij, mes të cilëve Imzot Rrok Mirditën, fillon misionin si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më vonë në 1994 merr detyrën e Presidentit të Caritas-it Shqiptar dhe në 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare, kryesinë e së cilës e drejtoi për dy mandate. Dje, më 7 dhjetor 2015, në vigjiljen e hapjes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, Hyji Atë e thirri pranë në Amshim.(Kortezi-Radio Vatikani)

Filed Under: ESSE Tagged With: e papa Françeskut, Imzot Rrok Mirdita, në fjalët

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT