Nga Mimoza Dajçi/
Hagë, Dhjetor 2015/
Angazhimet e përpjekjet e vazhdueshme të organizatës së gruas shqiptare – amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” për të ecur përpara krijuan mundësi për pjesëmarje në shumë takime e konferenca të rëndësishme kundër dhunës, për të drejtat e gruas e çështjeve humane në tërësi. Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e paqes e të drejtave të njeriut, përfaqësuese të kësaj organizate vizituan Tribunalin Internacional të Hagës për Krimet në ish Jugosllavi.
Asistuam si dëgjuese në gjyqin që po zhvillohej ndaj kriminelit Ratko Mladiç, arrestuar më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevo të Vojvodinës, ku qëndroi 16 vite “në arrrati”. Sipas medias dihej që mbrohej nga autoritetet serbe, më pas më 31 maj 2011 ekstradohet drejt Hagës. Akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë. Aktualisht mbi të rëndojnë 11 akuza për genocid dhe krime ndaj njerëzimit. Qëndruam 20 min. aty, seanca u mbyll pasi dëshmimtari rradhës kishte njoftuar vonesën. Përpara dëshmimtarit të vonuar po merej në pyetje presidenti i republikës së Srpksas Milarod Dodiç, i cili në çdo fjalë të tij, mohonte çdo ngjarje që rëndonte të pandehurin duke thënë: “Nuk më kujtohet kjo, nuk më kujtohet ajo, nuk më kujtohet kjo datë, nuk më kujtohet ajo ditë”. Si dhe ju drejtua trupit gjykues duke i thënë se, jeni duke më keqtrajtuar, pasi po më drejtoni përsëri të njëjtat pyetje.
Habi nga të gjithë. Presidenti i një vendi me një memorie “kaq të ulët”!!!
Për sa pamë e dëgjuam, e për sa kemi dijeni për krimet e tij, shpresojmë që kjo gjykate ti japë dënimin që meriton!
Nga rojet mësuam se në anën e majtë të sallës ndodheshin djemtë e Ratko Mladiç. Ulur matanë xhamit të madh e hermetik që ndante sallën e gjyqit me dëgjuesit përballë, Mladiç buzëqeshte e shkëmbente shenja me sy me ata, i pyeti me kokë se kush ishim ne, të sapo ardhurit, i pyeste për grupin tonë vizitues. Edhe ata – familjarët herë pas here hidhnin vështrimin kureshtar ndaj nesh. Donin të dinin kush ishim dhe pse kishim shkuar aty.
Pas përgjigjeve “nën harresë” që presidenti i republikës së Srepskas i jepte trupit gjykues, Mladiç e suita e tij qeshnin e fërkonin duart. Këto veprime të tij, e tyre na lanë një shije të hidhur. Nuk e di, por të shpresojmë që ai të marë dënimin e duhur. Përgjigjen se kush ishim ne, e çfarë kërkonim aty, besoj e kanë marë nga punonjësit serb punësuar aty, që; Ne ishim aty thjeshtë si vizitorë e si misionarë të paqes.
Meqe krimet kishin ndodhur edhe mbi popullsinë shqiptare, në këtë godinë përveç serbëve e të huajve të tjerë punonin edhe specialistë shqiptarë. Ky vendim ishte marë aty vitet e fundit nga një gjykatës i ri, i cili kishte thënë: “Përderisa këtu gjykohen çështje që i përkasin edhe shqiptarëve, duhet pa tjetër që të punësohen edhe shqiptarë, në mënyrë që të mësohet e vërteta direkt prej tyre”.
Mladiç akuzohet për vrasjen e 7000 boshnjakëve në Srebrenicë, pastrim etnik – dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret nën kontrollin serb, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës me bombardime e snajper, ndërmarjen antinjerëzore duke eliminuar qindra myslimanë të Bosnjes e duke shpërngulur gra e fëmijë, marrjen peng gjatë konfliktit ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995. Gjyqi i kriminelit Ratko Mladiç do të përfundojë punimet në muajin shkurt të vitit 2016.
Në takimin paraprak me një nga asistentet e informacionit në sallën e konferencave të këtij Tribunali, mësuam se aty ishin mbajtur të ndaluar 161 persona për genocid, 80 prej tyre ishin dënuar, disa kishin dalë të pafajshëm përfshi edhe Liderin e Kosovës Ramush Haradinaj. Me burgim të përjetshëm ishin dënuar pesë persona, dënimin kapital me vdekje nuk e njihte Tribunali i Hagës. Sipas saj përveç grave e vajzave në luftë ishin përdhunuar edhe burra, e për këtë kishin fakte të pamohueshme. Po sipas asistenes informative dëshmimtarët dilnin aty në mënyra të ndryshme, direkt me fytyrën e zërin e tyre, ose për siguri jete dilnin me zë tjetër e jo me fytyrë. Në një video na u paraqit një kriminel i penduar, përballë tij një nënë boshnjake – komshie e tij. Krimineli kërkonte të falur për krimet e kryera, ndërsa ajo me lot në sy e zërin që i dridhej kërkonte eshtrat e djemve të vrarë prej tij. Momente të prekshme, tepër tragjike, mjerë kush i ka provuar e hequr mbi kurriz. Lavdi e drejtësi të rënëve nga dora e pamëshirshme e katilëve që tronditën e trondisin botën.
Mekanizmi i funksionimit të Gjykatës Internacionale të Hagës ka për President Gjykatësin amerikan Theodor Meron, ndërsa vartës të tij janë gjykatësi nga Gambia Hassan B. Jallow dhe gjykatësi nga Australia John Hockingsaj. Kjo gjykatë mbyllet përfundimisht pas 22 vitesh, në fund të vitit 2017, ku çështjet e papërfunduara do ti kalojnë për gjykim – gjykatave speciale po në Hagë.
Gjatë qëndrimit tonë katër ditorë në Hagë patëm rast të vizitonim Pallatin e Paqes, brenda të cilit ndodheshin Gjykata Internacionale e Arbitrazhit dhe Gjykata Internacionale e Drejtësisë. Brenda oborit plot lule e bar të gjelbert të Pallatit valëvitej flamuri i kaltër i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjykata e Arbitrazhit ishte e pavarur nga OKB, ndërsa ajo e Drejtësisë varej dhe financohej po nga OKB-ja. Pranë kësaj godine në një punim të mermertë ndodhej akreditimi i shumë shteteve të botës përshirë edhe Shqipëria sigurisht edhe SHBA, u ndiem krenare për vendin tonë Shqipërinë dhe për SHBA ku jetojmë e punojmë sot. U ndalëm, u fotografuam aty. Përpara Pallatit të Paqes ishte ndërtuar një trotuar i madh mermeri, sipër bordurës shkruhej në të gjithë gjuhët e botës Fjala Paqe.
Sa mirë. Eshtë mirë të punosh për paqen, nuk është e vështirë. Bëj vetëm mirë dhe je brenda saj. Nëse nuk bën dot mirë, mos bëj keq, përsëri njeri i paqes quhesh. Për të lënë përshtypjet për Paqen në vend të “Librit të Përshtypjeve” kishin zgjedhur një mënyrë shumë të thjeshtë. Tek pema e mbjellur afër hyrjes kryesore, njerëzit linin shënimet e tyre në copa letrash, shkruanin e lidhnin me fjongo aty mesazhet për paqen, jetën apo familjen e tyre, e bënin një urim njerëzor pranë memorialit “Imagine Peace, Wish Tree”.
Pas mbritjes tonë në Hagë u takuam me disa misionerë të paqes nga vende të ndryshme të botës. Programi ishte shumë i ngjeshur, lëviznim me këmbë tramvai apo biçikleta. Organizatorët, kishin bërë një punë të mrekullueshme. Personalisht mbeta shumë e impresionuar nga kujdesi që kishin treguar për mbarëvajtjen e programit e të gjithë vizitave të rëndësishme që na afruan. Për një periudhë shumë të shkurtër kohe në Hagë morëm pjesë në disa konferenca, zhvilluam biseda që ishin rezervuar për ne. Vizituam e morëm kontakte me Euro – Pol-in, Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike, e cila kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen, Bibliotekën dhe Muzeun kryesor të qytetit. Shëtitëm edhe me biçikletë, traditë e bukur dhe e njohur kjo, e hollandezëve. Për pak orë që u ndalëm në Amsterdam vizituam edhe shtëpinë Muze të Anne Frank.
Rrugët ishin të pastra (të paktën në zonën ku na ishte rezervuar hoteli) por paksa të çuditshme përsa i përket infrastrukturës, e njëjta rrugë përdorej nga trami elektrik dhe makinat, pranë tyre ishte vizuar kalimi i këmbësorëve dhe lëvizja e biçikletave. Të gjithë respektonin njëri tjetrin dhe sinjalistikën për të shmangur çdo aksident të mundshëm. Qyteti përbëhej nga 600 mijë banorë, për nga popullsia Haga renditej qyteti i tretë në Hollandë pas Amsterdamit dhe Rotterdamit. Hollanda si vend fushor njihet gjithashtu për mullinjtë e saj të famshëm me erë.
Ngjyra e preferuar e hollandezëve është portokallia, e përdorin kudo e në çdo gjë. Interesante por edhe disa lule aty kishin frutin e tyre të vogël në ngjyrë portokalli, përveç tulipanëve që janë ngritur plantacione të mëdha për rritjen e kultivimin e tyre. Edhe tek pulëbardhat shquhej ky fenomen natyror, sqepi dhe këmbët e tyre ishin portokalli. Nëse ju bie rasti të shikoni në Amerikë apo diku tjetër pulëbardha me sqep e këmbë portokalli dijeni, janë mysafirë nga Hollanda. Përsa i përket anës sociale, nëpër rrugët e Hagës nuk pamë asnjë lypës apo të pastrehë.
Në një konference mbajtur kohë më parë në New York, lideri i një organizate që merej me të drejtat e të burgosurve në SHBA, ish i dënuar ordiner në SHBA, tha se në Hagë kriminaliteti ishte zero. Këtë gjë ai e kishte dëgjuar nga një grua gjatë një takimi mbajtur në Hagë vite më parë. Hollandezja ishte shokuar nga krimet e shumta që ndodhin në Amerikë. Si është e mundur kishte thënë ajo, se këtu në Hagë kriminaliteti është zero. Kjo histori e vogël kishte ndodhur pesë vite më parë, ndërsa sot kur pyetëm për kriminalitetin në Hagë, na thanë se ka, por në shifra tepër të ulta.
Vendi mbretëror kujdeset shumë për qytetarët dhe i kushton vëmendje të posaçme rendit e qetesisë publike. Në Hagë sa zbardh dita policia ecën nëpër bulevard me kuaj, bën “xhiron e mëngjesit”, për ti treguar banorëve se; Ne jemi këtu në mbrojtjen tuaj. Por edhe kafshë qen e mace pa zot nuk shikoje rrugëve, qesharake se çfarë po shkruaj, por këto janë mbresat e mija, që në Shqipëri përbëjnë problematikë të madhe.
Si kudo edhe në Hagë prag Krishtlindjesh, dukej sikur Santa Klaus kishte mbritur më parë se çdo vend tjetër të globit. Rrugët, dyqanet, institucionet, shtëpitë dhe hotelet zbukuruar nën atmosferën e festës. Njerëzit blenin dhuratat e rastit e të ndihmonin kur i pyesje për ndonjë adresë apo rrugë të panjohur. Kur vinte mbrëmja qyteti i vogël i Hagës binte në qetësi, por edhe në orët e vona të tij nuk të ngacmonte njeri, dyqanet mbylleshin në ora 6-të ose 8-të mbasdite, ndërsa disa restorante qëndronin hapur më gjatë. Dekorimi me ngjyrat e kuqe, bardhë e jeshile ndriçonte edhe nga ndezja e qirinjve të shumtë që shkriheshin nën flakën e zbehtë, rënia e Këmbanave i jepte hijeshi qytetit, shënonte një jetë të re, një shpresë për agimin e së nesërmes.
Nëse dikush tregon interes për një udhëtimin të tillë fantastik në Hagë, Hollandë, Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me qendër në New York – The Women’s Organization “Hope & Peace” është gati t’ju ndihmojë.
Për më shumë informacion ju mund të na kontaktoni në numrat e telefonit: (917) 280-8146, (917) 214-9852, si dhe na shkruani në adresën e organizatës: hope.peace.org@gmail.com
Promovohet libri për gjyqin e Ramush Haradinajt në Hagë
-“Haga e Ramush Haradinaj” është botimi i radhës i UET Press që u promovua sot në Universitetin Europian të Tiranës. Libri ka për autor Michael O’Reilly, koordinatori i ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Hagë. O’Reilly e Haradinaj ishin vetë të pranishëm në ceremoni, krahas shumë personaliteteve të tjerë të jetë publike në Shqipëri e Kosovë.
Presidenti i UET, Adrian Civici në fjalën hapëse të ceremonisë vlerësoi librin duke thënë se ai nuk është një botim thjesht për një personazh, por për një kauzë kombëtare.
“Ky është libër për mënyrën se si me shumë dinjitet, një problem dhe një keqkuptim i madh përsa i përket lëvizjes për liri dhe pavarësi të shqiptarëve në Kosovë, u keqpërdor apo u keqinterpretua në arenën ndërkombëtare”,- tha Civici.
Për autorin e librit, Michel O’Reilly ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, teksa shprehu falenderimet për UET Press që solli në shqip librin e tij ai tha se “ka qenë një kënaqësi për mua të shkruaj këtë libër që ia dedikoj kujtimit të Shkëlzen, Luan dhe Enver Haradinaj. Duke punuar me shumë udhëheqës vendesh, nuk më ka qëlluar shpesh të ndeshem me një individ, që të ketë të kombinuar kapacitetet intelektuale dhe aftësisë qeverisëse sikundër Ramush Haradinaj i ka.
Largimi i tij në 2005 ishte një tragjedi për Kosovën, por sot është sërish mundësia që Haradinaj të jetë në krye të vendit. Shpresoj që kjo të ndodh”.Vetë protagonisti i librit, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij risolli para të pranishmëve sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.“Mendoj se ka ndodhur drejtësia me luftën, me lirinë e Kosovës.
Në përballjen me Hagën kam qenë disi i zënë vetëm, pasi Kosovën dhe Shqipërinë i zuri përditshmëria e problemeve dhe çështjeve, por jo krejt i vetëm, pasi kam pasur një ekip mbrojtje shumë të mirë. Sot është një emocion i madh, një ndjenjë e përzier, por edhe një shpresë që edhe ne do të dimë të kultivojmë vetëveten”,- u shpreh Haradinaj.
I pranishëm në ceremoni, krahas shumë personaliteteve të tjerë ishte edhe Pandeli Majko, ish- kryeministër i Shqipërisë në kohën kur po zhvillohej lufta e Kosovës. Majko vlerësoi figurën e Haradinajt si luftërar, politikan dhe si mik i tij. Në përfundim të ceremonisë iu dha hapësirë studentëve për t’i drejtuar pyetje të ndryshme Haradinajt, aktualisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një prej pretendentëve për t’u bërë kryeministër në zgjedhjet e 8 qershorit. Ne librin “Haga e Ramush Haradinaj” tregohet gjithë saga e ish-komandantit të UÇK-së në betejën e tij me drejtësinë ndërkombëtare si dhe hidhet dritë mbi shumë akuza të sajuara, me qëllim që ai të dënohej për krime që nuk i kishte kryer./a.gegvataj/