Nga Reshat Kripa/
Ishte dhjetori i vitit 1991. Në një nga këto ditë më ndaloi në rrugë Shpëtimi, një shoku im.
– Kemi një kërkesë nga shokët tanë – më tha
– Çfarë?
– Jua thashë, kemi një kërkesë. Vij si i dërguar i familjarëve të të pushkatuarve në vitin 1945. Kërkojmë eshtrat e prindërve dhe vëllezërve tanë. Duam t’u bëjmë një varrim dinjitoz, ashtu siç e meritojnë.
U mendova për një çast. Në kryesinë e shoqatës e kishin biseduar një gjë të tillë. Ajo ishte një nga pikat e para të programit tonë. Kishin gjetur edhe një dëshmitar të gjallë, Ali Mingën nga Kanina e Vlorës, që dinte vendin e saktë ku ishin ekzekutuar.
– Ti e di që s’e kemi harruar, – i thashë Shpëtimit. – Së shpejti do të marrim vendimin përfundimtar.
Në të vërtetë vendimi u mor që atë mbrëmje. Do të kërkonin të gjenim eshtrat e të rënëve. Para syve të mi dilnin figurat e shquara të mbi shtatëmijë të rënëve dhe të vdekurve nepër burgjet komuniste që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot apo të vendosesh një buqetë me lule. Në mendjen time endej meditimi:
– Mijra arkivole bosh presin eshtrat e të rënëve. Është detyra jonë që ta kryejmë këtë për këta martirë, për të qetësuar shpirtrat e tyre dhe për të përmbushur detyrimin tonë ndaj atdheut. Është detyrë e çdo shqiptari që të japë ndihmesën e tij në këtë drejtim.
Iu drejtuam organeve të ruajtjes së rendit për të na ndihmuar në saktësimin e vendit të pushkatimit të martirëve. Është për të ardhur keq por, me gjithë thirrjen tonë të sinqertë, ato e bënë veshin të shurdhër karshi kësaj thirrjeje njerëzore. Ne iu drejtuam ish-pjesëmarrësve në këto krime, duke iu thënë se heshtja e tyre ua rëndonte më shumë ndërgjegjen që edhe kaq e kishin shumë të ngarkuar.
Mendja fluturoi përsëri në hapësirat e pafund. Ishte pikërisht gjaku i këtyre martirëve dhe mijëra të tjerëve që na kishte sjellë lirinë. Kjo liri tashmë duhej mbrojtur me çdo mjet. Nuk duheshin lejuar hijet e së shkuarës të mbulonin diellin e ri që kishte lindur. Unë vazhdoja të meditoja:
– Era e lirisë dhe demokracisë ka filluar të fryjë. Sistemi i dështuar socialist ka filluar të përpëlitet. Ai po hiqet zvarrë. Tani këtij zvarraniku i është prerë vetëm bishti. Për ta zhdukur atë i duhet prerë koka. Europa dhe bota na kanë shtrirë dorën e miqësisë. Le ta kapim atë dorë! Le të ecim edhe ne si kombet e tjera, ashtu siç ëndërronin rilindasit e ndritur, luftëtarët e pavarësisë, martirët e luftës kundër komunizmit.
Objektivi i shoqatës ishte gjetja e eshtrave të të rënëve të pushkatuarve në tre vende. Vendi i parë ishte vendi i quajtur “Bishti i Kalldrëmit” ku preheshin eshtrat e njëmbëdhjetë të rënëve: Tahsim Halili, Hamdi Çeprati, Muharrem Sharra, Azbi Ademi, Qemal Xhyheri, Nazif Çela, Shako Alushi, Meto Ngucaj, Bego Ahmeti, Hysen Çobo dhe Kaçandon Breshani, pushkatuar më 22 qershor 1945. Në grupin e dytë, në vendin e quajtur “Ura e Ballistave”, preheshin gjashtë martirë: Avdul Kuçi, Shahin Nuredini, Hysni Xhindi, Sabri Myslymi, Alush Runa dhe Petref Risilia, pushkatuar më 1 maj 1945. Ndërsa Hysni Durmishi, pushkatuar më 17 dhjetor 1945, ndodhej i vetmuar.
Për realizimin e këtij objektivi iu kërkua ndihma Komitetit Ekzekutiv Pluralist të
Rrethit. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Agim Kadiu, u tregua i gatshëm. Premtoi se do të vinte në dispozicionin tonë një skrap.
Gërmimet filluan qysh të nesërmen. Fillimisht në vendin ku ishin pushkatuar njëmbëdhjetë martirë. Për këtë i ndihmoi edhe Aliu, dëshmitari i vetëm që kishte parë me sytë e tij çastin e pushkatimit.
Atë natë ai po kthehej shumë vonë në shtëpi. Kishte qenë në një mbledhje të fshehtë që zhvillonte grupi i tij klandestin. Mbledhja kishte mbaruar shumë vonë dhe ai duhej të kthehej shpejt pasi të nesërmen do të dilte në punë qysh herët.
Shtëpia e tij ishte jashtë qytetit në rrëzë të një kodre të rrethuar nga ullinjtë. Ishte qershor. Një natë me hënë të plotë. Aliu ecte dhe mendonte për vendimet që kishin marrë në mbledhje. Papritmas ndjeu një zë:
– Ndal!
Para syve të tij dalloi dy gryka pushkësh. Në fillim u tremb. Mendoi se ishin hajdutë. Kur i vështroi mirë vuri re se ishin ushtarë.
– Çfarë doni? – pyeti si e mblodhi veten.
– Ku shkoni? – pyeti zëri pa iu përgjigjur.
– Në shtëpi.
– Ku e keni shtëpinë?
– Në rrëzë të kodrës.
– Ti qenke Ali? – pyeti ushtari tjetër që e kishte njohur, – Po ku paske qenë, mor i uruar, që kthehe kaq vonë?
– Një kushëriri im marton djalin të dielën dhe shkova për urim. Kështu që u vonova dhe po nxitoj, – gënjeu Aliu.
– Mirë, mirë, – foli përsëri zëri, – ik tani dhe drejt e në shtëpi. Mos dil më jashtë.
U nis. Rrugës kujtonte fjalët e tij dhe mendonte se çfarë kërkonin ata në këtë orë. Diçka duhej të ndodhte. Kureshtja e shtyu të fshihej pas një ulliri dhe të priste.
Kaloi gati një orë. U ndie një zhurmë makinash. Ktheu kryet dhe pa të dilnin nga kthesa tre prej tyre. E para ishte një veturë. Pas saj vinte makina e mbyllur e burgut dhe më prapa një kamion plot me policë dhe ushtarë. Makinat ndaluan si ndonja njëqind hapa larg tij. Ushtarët zbritën dhe e rrethuan vendin, ndërsa policët hapën dyert e makinës burg. Prej saj zbritën njëmbëdhjetë burra. Atë të parin prej tyre e njohu. Ishte një fshatari i tij, Tahsimi, komandant i çetës nacionaliste për Kaninën. Edhe të tjerët që vinin pas tij i njihte. I dyti ishte Muharremi, vëllai i një mikut të tij,Azizit, vrarë në një atentat nga komunistët në kohën e luftës. I treti, Hamdiu, komandant i çetës tjetër nacionaliste, asaj të Çepratit pranë qytetit. Më pas të tjerët. Të njëmbëdhjetë burrat i rreshtuan para një grope të madhe të hapur më parë. Përballë tyre qëndronte toga e ekzekutimit. Në krah të saj komandanti, i gatshëm për të dhënë urdhrin. Një ushtarak tjetër, i shoqëruar nga një civil qëndronte në anën tjetër.
– Patjetër ata janë prokurori me mjekun, – mendoi Aliu.
– I pandehur, fjalën e fundit! – iu drejtua prokurori komandant Tahsimit.
Ai ngriti kryet lart dhe me një zë që gjëmoi thirri: – Rroftë Shqipëria!
I erdhi rradha Muharremit të thoshte fjalën e fundit:
– Vdekje tradhtarve, Shqipëria e shqiptarve! – foli ai me një zë të vendosur.
Ndërsa Hamdiu:
– Ju nuk e shuani dot nacionalizmin shqiptar. Ai është i pavdekshëm.
Kështu folën të njëmbëdhjetë ata burra. Një batare armësh buçiti dhe trimat ranë në gropën e hapur. Prokurori erdhi pranë tyre dhe i dha secilit goditjen e fundit në kokë. I fundit që
u afrua pranë të ekzekutuarve ishte mjeku, i cili konfirmoi vdekjen e tyre.
Sytë e Aliut ishin mbushur me lot. Ndjeu një dhimbje në zemër. Ngriti sytë nga qielli dhe duke hapur krahët foli me një zë të ultë që të mos e dëgjonin rojet:
– O Perëndi! Si e lejove një krim të tillë? Si nuk të erdhi keq për ata trima? Përse? Përse? Ku është ndëshkimi yt për kriminelët?
Dhe qëndroi ashtu me krahët hapur deri sa çeli rrezja e parë e dritës.
Gërmimet vazhduan disa ditë. Ndërruan disa vende. Koha e gjatë që kishte kaluar kishte fshirë çdo gjurmë. Kishin humbur pothuajse çdo shpresë se mund të gjenin gjë, kur dëgjuan zërin e Aliut që thirri:
– Ejani, ejani këtu!
Të gjithë vrapuan. Ai mbante ndër duar një eshtër. E vështruan të gjithë. Një mjek që kishin me vete konstatoi se ishte eshtër njeriu. Filluan të gërmojnë. Kësaj radhe jo me skrap, por me lopata dhe me ngadalë. Iu dukej sikur do t’i lëndonin ato eshtra. Zbuluan njëmbëdhjetë skelete. I morën dhe i vendosën në njëmbëdhjetë arkivole kuq e zi që i kishin përgatitur më parë dhe i dërguan në xhaminë e qytetit. Atje do të preheshin deri sa të zbuloheshin edhe eshtrat e të rënëve të tjerë.
Ditët e tjera puna vazhdoi me kërkimin e të rënëve të grupit të dytë. E njëjta proçedurë. Të njëjtat vështirësi. U zbuluan gjashtë skelete. I vendosën edhe ato në arkivole kuq e zi dhe i dërguan në xhami. Njëkohësisht u zbulua edhe vendi ku ndodheshin eshtrat e të rënit të vetmuar. Edhe ato u vendosën në xhami. Të gjithë të pushkatuarit ishin të fesë islame.
Të nesërmen, më 29 janar 1992, u zhvillua ceremonia e rivarrosjes së tyre. Një ceremoni madhështore funebre. Merrte pjesë pothuajse i gjithë qyteti si dhe autoritetet e opozitës së djathtë. Nga kryeqyteti kishin ardhur Kryetari i Shoqatës Osman Kazazi, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Sabri Koçi dhe një grup shoqërues të tjerë, personalitete të ish të burgosurve politikë.
Pasi u bënë lutjet e rastit, folën Lalë Osmani dhe Hafiz Sabriu, folën edhe të tjerë. Zërat e tyre buçsnin në sheshin para xhamisë, të mbushur plot e përplot me qytetarë të qytetit.:
– Motra dhe vëllezër! Pjesëtarë dhe të afërt të familjeve të të rënëve! Jemi mbledhur sot këtu në këtë ceremoni të përmortshme për të nderuar kujtimin e këtyre martirëve të cilëve plumbat e diktaturës komuniste mundën t’u merrnin vetëm jetën, por kurrë nuk mundën të shuanin emrin e veprat e tyre.
Kanë kaluar dyzeteshtatë vjet nga ato ditë të kobshme të vitit 1945, megjithatë ne sot i kemi përsëri të gjallë, përsëri me kokat lart, ashtu siç qëndruan edhe para togave të zeza të pushkatimit. Ja tek i kemi para syve tanë të mbuluar me flamurin kombëtar, i cili është ashtu siç e ëndërruan ata, pa spatën e fashizmit dhe pa yllin e komunizmit.
Unë shikoja arkivolet e martirëve dhe mendoja për një çast:
– Sa të tjerë janë që nuk e kanë ende një varr? Deri kur do të presin? A do të kujtohet
shteti shqiptar për gjetjen dhe rivarrosjen e tyre?”
Këto pyetje tingëllonin fort në mendjen time. Më dukej sikur nuk po jetoja në këtë botë, sikur po fluturoja diku në hapësirën e pafund. Kjo bëri që, për disa çaste, të heshtja. E mblodha veten dhe thashë:
– Lavdi të përjetshme kujtimit të tyre të paharruar!
Kortezhi përkujtimor u nis drejt varrezave të qytetit. Një numër i paparë njerëzish
shoqëronin arkivolët që shkonin për në banesën e tyre të fundit. Arkivolet e martirëve u vendosën në një parcelë të veçantë. Përsëri fjalime përkujtimore nga miq të të rënëve.