Në kujtim të Atjon V. Zhitit/
“ Pa një ide eprore nuk mund të jetojë një njeri, as edhe një komb. Ka vetëm një ide eprore mbi tokë : ideja e pavdekësisë së shpirtit njerëzor, sepse të gjitha të tjerat me të cilat mund të jetojë njeriu, burojnë vetëm nga kjo ide”- Fjodor Dostojevskij/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Po sjell nëpërmënd këtë shprehje të gjeniut të letërsisë ruse e botërore sot, në ditën kur dua të kujtoj lindjen, njëzet vjet më parë, më 30 gusht 1995, të një fëmije, për të cilën u gëzova shumë atëherë, sepse ishte biri i një shoku të vuajtjeve, e të cilin e kujtoj me shumë dhimbje sot, kur Ai nuk arriti t’a festojë ditëlindjen më të bukur të jetës njerëzore në familjen e Tij. Të shkruash për jetën e një njeriu që ndalet papritmas mes 19 e 20 vjetëve, të cilit i ke uruar ardhjen në këtë botë para njëzet vitesh, qënka jo më pak e dhimbëshme se sa të pranosh, në caqet tona njerëzore, të pakuptueshmen e misterin e kësaj gjëme….
Koncepti i shtjelluar nga Dostojevskij, që ishte edhe një nga autorët më të pëlqyer të Djaloshit, i shpallur thjesht e fuqishëm nga themeluesit e doktrinave fetare, i shprehur në format më të ndryshme nga shumë mëndje të ndritura të njerëzimit në shekuj, i pranuar apo i mohuar nga rryma të ndryshme të mendimit e përfaqësues të tyre, mendoj se mbetet një e vërtetë që duhet të ndriçojë botën tonë të brëndëshme edhe në çastet më të errëta të saj, kur provohen dhimbjet më cfilitëse, edhe para ngjarjesh të pakuptueshme e të papranueshme për logjikën tonë njerëzore.
Një e tillë ishte, para disa muajsh, humbja tepër e parakohëshme e Atjon Zhitit, një biri të rrallë e të paharruar, jo vetëm të prindërvet të nderuar e rrethit të Tij familjar, por edhe të mjedisit shkollor e shoqëror në të cilin u lind e u rrit, madje të gjithë Shqipërisë, me të cilën e kishte lidhur shpirtërisht jetën e Tij rinore e për të cilën, me formimin njerëzor e intelektual, me karakterin e personalitetin e spikatur jashtë të përgjithëshmes, përbënte një shpresë për t’ardhmen, një pikë riferimi tejet pozitive.
Përvjetori i njëzetë i lindjes së “19 – vjeçarit të përjetshëm” i sjell lexuesit shqiptar dhe dashamirësvet të Tij në atdhe një dhuratë të çmuar, librin “Për atë që dua(m)…..”, i Autorit më të ri të publiçistikës shqiptare, të botuar nga UET Press, që nderohet me emrin e Atjon Zhitit në botimet e saj. Uroj që ky libër të ketë vëndin e tij në çdo bibliotekë të cilitdo që flet shqip e të jetë si një busull drejtuese për të gjithë të rinjtë shqipfolës. Ai libër, me të gjithë shkrimet e Tij, shumica e të cilëve të botuara në këtë vit e një pjesë, me gjallje të Autorit, na jep portretin e plotë të personalitetit të jashtzakonshëm të djaloshit.
Mosha e re , në të cilën u nda nga jeta tokësore studenti i “Sacro Cuore-s”, e bën të pabesueshëm përceptimin e saktë të individualitetit të vërtetë, në të gjithë shtrirjen e tij e në lartësitë e arrira. Atjoni ishte “bir arti”. Trashëgoi humorin e hollë dhe pavarësinë e mendimit të Gjyshit artist, së bashku me aftësinë për të vëzhguar botën, duke pësuar mbi shpinë padrejtësinë dhe dhunën, për t’a paraqitur atë, në vërtetësinë e saj rrënqethëse, pa nxitur urrejtjen, cilësi këto të babait, Visarit, njërit ndër më të shquarit e letrave të këtij Vendi. Këtyre dhuntive u shtoi kulturën klasike, të marrë në liceun “Giulio Cesare” të Romës dhe një aftësi të rrallë për të depërtuar në thelbin e sendevet e të dukurive, së bashku me guximin e moshës për të shprehur thjesht e qartë mendimin e Tij, edhe kur ai ishte kundër rrymës, edhe kur mund të shkaktonte kundërshtí, edhe kur nuk ishte “politically correct”.
Djaloshi Zhiti ishte një personazh poliedrik me prirje të shumta dhe interesa të gjithanëshme intelektuale. Prirjet u shfaqën shpejt, që në moshën e fëmijërisë kur, tre vjet e gjysmë, pikturoi një skicë për Nënë Terezën që u fut në një vëllim kushtuar Asaj, e të cilën e riprodhoi “L’Osservatore Romano”, gazeta më e rëndësishme e hierarkisë së krishterë. I dhënë mbas pikturës që në moshë të njomë, ka lënë disa vizatime në stilin e impresionizmit bashkëkohor, të cilët zbukurojnë muret e dhomës së Tij, ku ndoshta shpirti kthehet shpesh për t’u shmallur me atë mjedis familjar, nga i cili u nda aksidentalisht papritmas në një agim dite fundi dhjetori…
Me rrjedhjen e viteve interesat intelektuale u shtuan duke krijuar përfytyresën e personalitetit që njohim. Në të bashkëjetojnë delli artistik me prirjen vëzhguese e përsiatëse që e shtyn drejt studimit të filozofisë, shkencës së mendimit njerëzor, që i paraprin fushave të tjera të dijes, kryesisht të disiplinave humaniste. Që në vogëli mëndja e Tij priret të vëzhgojë e të bluajë, të arrijë në përfundime, të shprehë opinione, të japë përcaktime tepër larg nivelit të bashkëmoshatarëve. “Flake para se të të flakë” i thotë babait kur e sheh të tymosë një cingare. Ishte gjashtë vjeç.
Pesëmbëdhjetë vjeç në Durrës shkruan një ese me titullin “Në kërkim të përsosjes”. Duke u endur nëpër rrugët e qytetit bregdetar, përfytyron të shkuarën dhe qytetërimet që kanë kaluar mbi të, duke u ndalur me mendim mbi një mit të lashtë, të Agarthit, të mbretërisë së nëndheshme të njerëzve të përsosur. Për djaloshin miti ishte kërkimi i vazhdueshëm i njeriut mbi kuptimin e qënies. Kujton Sokratin, idhullin e Tij, por edhe Diogjenin, që kërkonte njeriun me qiri në dritë të diellit.
“Të mendosh do të thotë të endesh në hapësirën e pafundësisë” shkruante Lacordaire, një murg filozof francez. Pafundësia ishte bota e brëndëshme e Djaloshit që projektohej jashtë me leximet e etëshme e të larmishme, me udhëtimet e njohjet e njerëzvet, që i lehtësoheshin nga mjediset e punës e të veprimtarisë së babait, tashmë të shquar në kulturën shqiptare. Një forcë e çuditëshme e brëndëshme, apo një frymëzim i jashtëm jashtë kohës e hapësirës sonë, e nxisnin të “digjte etapat”. Formimi intelektual i djaloshit ishte i shpejtë, i qëndrueshëm, i thellë. “Sa më tepër të zgjerohet njohja e jonë e librave të mirë, aq më shumë ngushtohet rrethi i njerëzvet, shoqëria e të cilëve është e pëlqyer.” vërente filozofi gjerman Ludwig Feuerbach. Për Djaloshin student të filozofisë kjo thënie u zbatua plotësisht. Rastet dhe rrethanat bënë që të njihej me poetë, shkrimtarë, sociologë e filozofë, të cilët gjetën tek Atjoni i ri një shok të tyre, me të cilin mund të bisedonin lirisht për çfarëdo argumenti. Njohu e krijoi lidhje me shkrimtarë e artistë shqiptarë, miq të babait, me piktorin e shquar Ibrahim Kodra, me Shënjtoren shqiptare Nënë Terezën, u miqësua në Itali me poetin Sebastiano Grasso e, nëpërmjet tij, me Jevtushenkon, Adonisin, Paolo Coelhon etj. Më parë kish njohur poetin e moshuar Mario Luzzin, ishte takuar me Nobelistët Dereck Walcott dhe Tomas Tranströmer. Marredhëniet e Tij me përfaqësues të shquar të kulturës botërore bashkëkohore, miqësia e konsiderata e ndonjerit prej tyre për Djaloshin shqiptar, ende të parritur mirë, tregojnë katërcipërisht se cili ishte brumi, me të cilin ishte gatuar Studenti i Universitetit Katolik të Milanos.
Ai brumë, i mbruajtur me miellin e fisnikërisë së trashëguar të familjeve të dy prindërvet, do të punohej e do të merrte formë në atdhe apo në Itali, ku punonin ata, fatmirësisht, jashtë atmosferës mbytëse të diktaturës, në mjedise e rrethana që lejonin zhvillimin e lirë të mendimit. Nga ky kompleks u ngjiz e u formua personaliteti i Djaloshit që qe përfaqësues shqiptar në forumet rinore të Europarlamentit në Riga, Barcelonë etj. Ai përfaqësoi denjësisht e cilësisht Atdheun në botën e sotme, në sajë të formimit kulturor të jashtzakonshëm e të krenarisë që ushqente për trashëgiminë më të mirë të traditës së tij.
Atdheu për Të nuk ishte vetëm toka ku u lind, ishte historia, më shumë dhimbje se gaz, ishte trashëgimia kulturore, jetësore, doket, zakonet, morali. Përfytyresa e Tij për Atdheun i ngjan asaj të një njeriu të moshuar, që ka kaluar përvoja të ndryshme, por që gjen drejtpeshimin e duhur ndërmjet vlerave të së shkuarës së largët për t’u ringjallur dhe “paragjykime, tabu e budallalliqe të tilla”, “në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste”, për t’u hedhur në koshin e historisë si mbeturina të dëmshme që pengojnë përparimin e fitimin e kohës së humbur.
Tepër kritik ndaj politikës shqiptare nga pozitat e qytetarit mëndjendritur, idealist, vizionar e largpamës, nuk nguron të bëjë pyetje e të ngrejë çështje, i aftë të gjejë zgjidhjet e të japë recetat. Larg idesë së politikës aktive, edhe se jo i pandjeshëm ndaj ndonjë nxitjeje të veçantë që i bëhej drejt për së drejti, por tepër i gjallë në shpalosjen e parimevet të drejta, të domosdoshme për të shkuar përpara si shoqëri e si komb, themeloi gazetën elektronike “Mesi radikal”, “një idealizëm pa iluzione”, siç e përcaktonte Ai. Ajo qe krijesa e Tij, ndoshta më e dashura, sigurisht më frytdhënësja në rrjedhë të kohës, që do të kishte patur një rol, besoj shumë të dobishëm, në jetën intelektuale shqiptare, sidomos të rinisë e të rrjeteve sociale por, për fat të keq nuk pati vazhdim…
Është tepër prekës njoftimi që jep në të për organizimin e forumit të ardhshëm rinor të Europarlamentit në Korçë. Entuziazmin e Tij, të bashkuar me vullnetin e fortë që karakterizonte çdo hap të jetës, e gjejmë në një njoftim të thjeshtë : “Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne.” Është synimi i shkëlqyer i të riut idealist, por edhe objektiv e realist, për të sendërtuar me brezin e Tij t’ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kujtimi i Tij i ndritur na bën të gjithë të detyruar t’a rrokim atë mesazh e secili të bëjë punën e tij. Ai kujtim duhet të jetë veçanërisht një shtysë e fuqishme për brezin e Tij, i cili, në fjalët e shkrimet e Tij, gjen jo vetëm modelin për t’u imituar, por edhe projektin e nisur për të sendërtuar Shqipërinë, vërtetë demokratike dhe evropiane.
“Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…” Ishte kjo besojma e shpallur e Atij Djaloshi të shkëlqyer që, nga bota e dritës e së vërtetës, vazhdon të hedhë vështrimin e Tij mbi “ata shumë të rinj, më të aftë, më me shumë ëndërra, dije…”, të cilët do të kishin qenë bashkudhëtarët dhe shokët e Tij të luftës për të ndryshuar për mirë Atdheun e tyre. Çuarja përpara e projekt-idesë së Atjonit mendoj se është për ta detyra urdhëruese e brezit, i cili mbetet e vetmja shpresë në shkretëtirën e idealeve të vyshkura të politikës shqiptare.
Duke shkruar me dhimbje të thellë këta rrjeshta për një Djalosh që e mbylli shumë shpejt rrethin e jetës së Tij tokësore, e cila qe aq intensive e prodhimtare, pa krahasim me shumë të tjera që mbartin dhjetëvjeçarë të shumtë në vetvete, por asgjë për t’u kujtuar veç dashurisë e mirënjohjes së familjarëvet.
Nëse vullneti hyjnor, që përcakton lindjen dhe vdekjen e njeriut, herë herë është i pashpjegueshëm për vendimet e Tij të pakapëshme nga mëndja e jonë, drejtësia zyrtare, që e ka për detyrë të hetojë e të nxjerrë përfundime në raste të tilla, më duket shumë e vonuar në punën e saj. Shpresoj që kjo vonesë mos të jetë e tillë që të ngjallë dyshimin e mungesës së dëshirës për të nxjerrë përgjegjësitë e, madje, edhe fajin eventual të ndonjerit. Familja, së pari e shoqëria kanë të drejtë të njohin të vërtetën e zotërinjtë prokurorë e hetues duhet të kishin plotësuar me kohë atë kërkesë të ligjëshme.
Frederiku i Madh i Prusisë, në fund të shekullit 18 shprehej kështu : “Ne nuk e masim jetën e njerëzvet me kohëzgjatjen e saj, por me përdorimin që i kanë bërë kohës në të cilën kanë jetuar.” Atjon Zhiti meriton, në këtë vështrim vlerësimin më të lartë, për mënyrën se si e ka mbushur, në të gjitha drejtimet, jetën e Tij, të familjes, të shoqërisë e të Atdheut. Meteori i Tij qe tepër i shkurtër, por drita e tij do të mbetet gjatë në qiellin e hirtë të jetës shqiptare. Si e tillë, nëpërmjet atij libri, do të mbetet e gjallë në kujtesën e kombit.
Çifti i shquar Kadare thotë se “Ai ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë”. Duke e përqafuar me bindje të plotë këtë pohim të vlertë, i mbyll këto konsiderata të thjeshta e të dhimbëshme me një thënie të një tjetër Perandori, kësaj here të Romës, filozofit Mark Aureli : “Sheh mbrapa teje një përjetësi pa fund dhe një tjetër përjetësi para teje. I vënë kështu në mes, çfarë ndryshimi sheh ti mes një jete tri ditëshe dhe një tjetër tre shekujshe ?”
Gusht 2015 Eugjen Merlika
Në kujtim të poetit dhe krijuesit poliedrik Gani Xhafolli
Krijuesi ynë i mirënjohur i letrave shqipe,u lind më 1945 në fshatin Drenovc afër Prishtinës dhe vdiq më 16 qershor 2015, në kryeqytetin e Kosovës së lirë. Babain thuhet se ia kishin vrarë që para lindjes së tij, në vitet më të furishme luftës, kohë në të cilën sikur bëheshin gara se kush do të shfaroste më shumë shqiptar, komunistët shqipfolës, apo ata serbo-jugosllav.
Atëbotë, tymi dhe baroti i luftërave, ende ngrinin lartë shumë mjegull, frikë e trishtim, jo vetëm në shpirtrat e shqiptarëve të terrorizuar shumëfish, por edhe në sytë e Ganiut të sapolindur, ndaj pothuajse ishte e pamundur të kuptohej, ngase qanin sytë e tij më shumë, nga vuajtja për vrasjen e babait, apo tronditjet terrorizuese të pushtuesve sllavë ,që asokohe ende tmerronin, pareshtur familjet e pafajshme shqiptare.
Por, edhe përkundër vuajtjeve dhe peripecive të jetës së një jetimi, të rritur pa prind, ky krijues, pas burrërimit të tij, përveç se punoi një kohë bukur të gjatë si redaktor i programit për fëmijë, në Televizionin e atëhershëm të Prishtinës dhe drejtoi revistën me emrin e bukur “Zanore”, ai u bë edhe njëri nga shkrimtarët më të dashur për fëmijë dhe të rritur, kreativiteti i të cilit pothuajse gjithmonë ishte i pranishëm në çdo eveniment institucional dhe zhvillim kulturor, ku la gjurmë të pashlyeshme.
Ndaj, ndarja nga jeta e Gani Xhafollit, është një humbje e rëndë sidomos për fëmijët, me të cilët poeti ishte aq i miqësuar, dhe tani e tutje, vetëm përmes veprave ,do të bashkëjetojë me ta përjetësisht.
Ai ,jo vetëm se ishte një poet kombëtar dhe ndërkombëtar ,vepra e çmuar letrare e të cilit u përkthye edhe në gjuhët frënge e gjermane, por njihet edhe si piktor i mirë që vlerësonte maksimalisht krijimet e tij, dhe mbetej me bindje të pa lëkundur, për vlerësimin meritor të tyre, në të ardhmen.
Rasti më i freskët mbetet ekspozita e hapur në janar të vitit 2015, në Galerinë “In On” në Prishtinë, ku Gani Xhafolli , para kamerave televizive deklaronte se pikturën e vet personale, ai nuk do ta shiste as për një milion, të cilës duke shikuar në perspektivë, pas 100 vitesh mund ti rritej vlera edhe për aq sa ai pretendonte, përderisa pikturat e vjetra të piktorëve me nam, tani pas qindra vitesh të kaluara, vlerësoheshin në disa miliona.
Sipas z.Reshat Sahitaj kolegë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ,Gani Xhafolli, ishte krijuesi i fundit nga plejada e Rifat Kukës, Agim Devës, Ali Podrimjes etj, i cili deri në ditën e mbramë, mbet unik për veprën e tij poliedrike dhe krijimet me talent të rrallë poetik.
Ai, për gjallje të vet, përmes karvanit të shkrimtarëve vizitoi pothuajse të gjitha shkollat fillore në vend, ku çdo herë dhe pa asnjë përtesë, lexoi poezi kushtuar fëmijëve.
Siç dihet tanimë, shkrimet e Gani Xhafollit janë përkthyer në disa gjuhë e vende, i cili si krijues i mirënjohur dhe aktiv që ishte, ai bënte pjesë edhe në rrjetin ndërkombëtar të poetëve.
Përveç krijimtarisë letrare, Gani Xhafolli, siç u tha më lartë, nga viti 1979 deri në vitin 1990, ishte edhe redaktor i programit për fëmijë, në Radiotelevizionin e atëhershëm të Prishtinës, derisa në korrik të vitit 1990,organet policore të pushtuesit serb, përjashtuan me dhunë nga puna, atë bashkë me mbi 1.340 punëtorë të këtij mediumi masiv.
Ai me krijimet e veta, do të mbetet një zë i çmuar dhe me vlerë sidomos në pjesën për fëmijë, i cili me vargjet e realizuara me aq shumë kujdes e dashuri prindërore për jetën dhe bukuritë e saj, përvetësoi shumë lexues, që do ta përkujtojnë atë, përgjithmonë dhe me devotshmëri.
Ndaj, mësuar me zërin dhe shprehjet e këtij poeti, botës hyjnore të fëmijëve do tu mungojnë gjatë organizimet e karvanëve të reja dhe vargjet e magjishme poetiko-letrare të krijuar rishtas, të tij.
Gani Xhafollli ,si poet kombëtar dhe ndërkombëtar ,i përkthyer edhe në gjuhën frënge, gjermane, spanjolle etj, përveç vlerësimeve tjera, në vitin 2013,me poezinë “Dielli mbi Krujë dhe Prekaz”, fitoi edhe çmimin e madh letrar “Ali Podrimja”që atëbotë, për herë të parë e ndau, Unioni i Shkrimtarëve.
Ai, është autor i rreth 40 veprave letrare për fëmijë, e shumë të tjerave për të rritur, ndër të cilat kësaj radhe, veçojë:
“Vjershën s’e zë gjumi”,
“Te porta e edhave”,
Shtëpia me kulm teposhtë”,
“Po”,
“Të dua”,
“Zog shiu”,
“Në gojë të gjarprit”,
“Princesha që fluturon”,
“Ëndrra në shuplakë”,
”Kroi thërret dallëndyshet”.
“Lejlek i syrit”.
”Nuse nën mollë”,
“Dielli me tri dritare”, etj.
Pra, një autor i mirënjohur si ky, edhe pas vdekjes së tij, me veprat që la, do të mbetet përherë i përjetësuar në kulturën dhe letërsinë tonë e më gjerë.Sipas kryetarit të Uninonit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar z. Reshat Sahitaj, Gani Xhafolli, edhe për gjallje , ishte i vetëdijshëm se ai shkruante për gjeneratat e ardhshme nga të cilat ishte i bindur se do të vlerësohej si duhej.
Krijimet e tij në këto kohë të pabalancuara, u vlerësuan lartë nga mese shtatë kritik të njohur evropian dhe ndërkombëtar, por jo edhe nga kritik të shitur e xheloz shqiptar dhe nga ata që nuk dinë të shkruajnë, por megjithatë janë ngritur (më lartë seç do duhej), nga sistemi jugosllav, citohet z. Sahitaj.
Fatkeqësisht,veprime të tilla sot kan shtri rrënjët kudo, përfshi edhe diasporën dhe shqiptarët në mërgim, ku fjalën kryesore dhe vendimtare e kanë grupet klanore, të cilat nuk kanë të bëjnë çdo herë vetëm me artë e kultur as krijim të mirfilltë.
Ndër, kritikët e jashtëm që kanë vlerësuar krijimet e Gani Xhafollit, përmenden edhe Helen Staford nga universiteti i Oksfordit në Angli, Alla Polosina, kritikja më e njohur e veprës së Tolstoit në Rusi, si dhe personalitete tjera të shquara nga Universiteti i Sorbones në Francë, nga Spanja etj…
Ndaj kryetari i Unionit të Shkrimtarëve, krenohet me veprat e Gani Xhafollit, Ali Podrimjes, etj, (bashkë) me të cilët( ata) përjetuan të mira dhe të këqija, por nuk u thyen kurrë.
Ky autor do të mbahet mend gjatë, sidomos për gërshetimet e poezisë dhe këngës për më të vegjlit me paraqitjet e tij sharmante dhe të mahnitshme në lojërat e njohura poetiko-skenike për fëmijë.
Madje, përveç se ishte krijues poliedrik, për të thuhet të ketë qenë edhe shkrimtar i imagjinatës, i cili do të ruhet gjatë në kujtesën e të rinjve dhe të rriturve të këtij vendi.
Vepra dhe arritjet e Gani Xhafollit, zënë vend të rëndësishëm, jo vetëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare, por ato përfaqësojnë me dinjitet edhe letërsinë e kulturën tonë mbarëkombëtare, në Evropë e më gjerë. Ndaj, në shenj nderimi ndaj Poliedrikut tonë i cili pas një sëmundje të shkurtër, vdiq më 16 qershor të këtij viti, urojmë që të jetë i përjetshëm kujtimi ,për emrin dhe veprën e tij madhore! (Gani Qarri Cyrih)
KUMTET E ATJONIT
NË KUJTIM TË ATJON ZHITIT/
“Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”- Nikollë Makiaveli/
Shkruan Eugjen MERLIKA, ITALI/
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ai mëngjez ogurzi i 20 dhjetorit 2014, kur bota shqiptare u trondit nga një lajm i kobshëm, i papritur dhe rrënqethës deri në kufijtë e të pabesueshmes, një lajm i përhapur me shpejtësinë marramendëse të mjeteve bashkëkohore të informimit : Atjon Zhiti, djali i vetëm 19-vjeçar i poetit e shkrimtarit, ndër më të njohurit e të respektuarit e saj, Visar Zhiti, u nda nga jeta. Gjëma e familjes Zhiti ishte në vetvete një tragjedi me përmasa të jashtzakonëshme, që kushtëzoi humorin e festave të fund vitit për shumë shqiptarë në të gjithë globin, të cilët shprehën hidhërimin e afërsinë shpirtërore me familjen e të ndjerit në forma të ndryshme. Kjo pjesëmarrje e opinionit publik, në mënyrë kaq të ndieshme, në tragjedinë e njërës prej familjeve më përfaqësuese të shoqërisë shqiptare, dëshmoi një vlerë të trashëguar të tij që, fatmirësisht, mbetet ende e pranishme. Ajo shprehu, së pari, keqardhjen dhe dhimbjen e thellë për ndërprerjen e një jete Djaloshi, ende të njomë, që mbyllte rrethin e saj, mizorisht, në një aksident me motorr, këtë vrasës bashkëkohor të dhjetra mijra të rinjsh në të gjithë botën. Së dyti shprehu solidaritetin kundrejt prindërve të dërmuar nga pesha e stërmadhe e humbjes, për të cilët jeta tjetërsohet e largohet nga rrjedha e zakonshme, zbrazet nga kuptimi i saj normal, duke i u afruar një gjëndjeje dëshpërimi të tillë që gjen shprehjen e tij më të përshtatëshme në vargjet monumentale të Çajupit.
“Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj
Se dhe Perëndinë tani s’e besoj.”
Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai mund të ketë patur edhe shkrime të tjera, të cilët nuk i njoh, por për mendimin tim modest, edhe këta tre shkrime mjaftojnë për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që ka pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.
Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof është sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merr jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që ka të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri i vendos mirë në kohë e që përkojnë me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.
Shkrimi i parë është tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejton së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vjen si përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hedh hapat e saj. Autori ka lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, është përfaqësues i një brezi që nuk njeh “mëkatin origjinal”, i cili vazhdon të ndikojë dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkon më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njeh si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merret me të si dukuri historike apo shoqërore, e quan të kaluar, e hedh mbas krahëve e shikon përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecën si kërmilli në një botë që vrapon, e bën të kthehet mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo është tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që ka ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që është i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë së globalizimit. Filozofi i ri e shikon me dhimbje këtë tabllo e arrin në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendon t’a ndryshojë duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin. Me dhimbje vë ré se mungon “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merr përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vëren se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrin në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Është shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejduket roli i drejtuesit në një rrugë që është pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….
Shkrimi i dytë është një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marredhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruan me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetet e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkojnë një ndërhyrje të shpejtë.
“Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursen askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që është gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti është kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme ka pushtuar institucionet dhe rrezikon demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërret në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundon duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti është një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetet problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori është i bindur se duhet të jetë brezi i tij që duhet të kërkojë me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtojnë, pa patur kurajën asnjëherë të bëjnë “mea culpa”, për gjëndjen e cila revolton Atjonin, e për të cilën kanë dhe ata një pjesë përgjegjësie….
Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhet “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Është një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kanë në qendër të tyre një term që përdoret, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Është kjo sëmundja që kërcënon t’ardhmen e Shqipërisë, që e mban atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodit funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijon mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbjell pasiguri e skeptiçizëm tek ata, si Atjoni, që e shohin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdojnë edhe në këtë shkrim, është një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i ve një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulet me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohet kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai sheh në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhet të ketë burrërinë të njohë mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalon në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vëren me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyron këtë zhgënjim, sepse ai sheh se ata që mbajnë ”monopolin” e së vërtetës, që drejtojnë politikën janë bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shton : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”
Këta ishin disa nga kumtet që na la Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..
20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.
I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.
Dhjetor 2014
Në kujtim të një gjenocidi që vazhdon
Çamëria kjo pasqyrë e dhembjes së kombit dhe atdheut shqiptar, me rreth 10 mijë km.-katrorë sipërfaqe dhe popullsi në ditët e saja-gati tërësisht shqiptare, u dënua që moti me zhbërje në formë e përmbajtje dhe mënyrën më tragjike të mundshme nga shovinistët grek.
Mbi këtë pjesë fatkeqe të etnisë tonë u zhvillua një nga gjenocidet më të tmerrshme që njeh historia e popujve ballkanik dhe evropian.
Në fakt, veprimet e dhunshme dhe dëbimet me forcë të shqiptarëve nga grekët, nisën edhe më herët dhe nuk pushuan asnjëherë, por me copëtimin e trojeve tona dhe mbetjen e Çamërisë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë londineze, ato eskaluan deri në gjenocid.
Kurse, të gjithë arsenalin masiv të urrejtjes antishqiptare mbi çamët e pambrojtur, shovinistët grek do ta zbraznin pa asnjë kursim në fillim-qershorin e vitit 1944, goditje kjo nga më shkatërrimtaret ndaj një populli dhe vendi, fatale dhe më e rënda që mbahet mend kundër shqiptarëve autokton të Çamërisë.
Atëbotë, nga forcat kriminale-militare të Zervas, brenda pak ditësh u masakruan në mënyrat më barbare me bajoneta, çekanë, hanxhar e sopata, mbi 5000 njerëz, djem, vajza, nuse shtatzëna, burra, gra, fëmijë dhe pleq çam, kurse pjesa tjetër u dëbua me forcë e disa të llahtarisur nga përgjakja e çdo gjëje shqiptare u detyruan të iknin siç mundën natën dhe ditën drejt kufijve jugor të Shqipërisë administrative, për të gjetur shpëtim.
Ndaj edhe në rezolutën e miratuar më 30 qershor të vitit 1994, Tragjedia Çame me të drejtë konsiderohet gjenocid dhe që atëherë, data e 27-qershorit kujtohet si dita e tragjedisë më të madhe kombëtare, nga forcat shoviniste greke të Zervasë dhe militarëve tjerë shovinist e kriminel-grek, në fund të Luftës së Dytë Botërore mbi shqiptarët e pambrojtur dhe banorët më të vjetër autokton të Çamërisë.
Vuajtjet e shkaktuara ndaj gjithë të syrgjynosurve çam edhe sot mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e bashkëkombësve kudo, kurse emrat e një pjesë të të vrarëve dhe të masakruarve nga mijëra sosh sa pësuan në këtë tragjedi, u gdhendën me dhembje në epitafet e varrezave monumentale të Qafë Botës.
Në këtë vendë,vitin e kaluar u ngrit edhe një Memorial përkujtimor në shenjë nderimi për ta, pa mundur të bëhet ndonjë gjë më e madhe për të vdekurit as të mbijetuarit si dhe pasardhësit e tyre shqiptar.
Organizimi i tubimeve kushtuar datave si kjo, assesi nuk duhet të kuptohet vetëm si rit dhembjeje nga pasardhësit për etërit e masakruar, por si grishje rikujtuese drejtuar Greqisë dhe politikanëve shqiptar për gjenocidin e ushtruar mbi bashkëkombësit tanë, si përgjakja më e madhe shoviniste greke ndaj kombit dhe historisë tonë, e cila nuk mund të mplaket as vjetrohet kurrë.
Çështja Çame, pa marrë parasysh kohën dhe vitet e kaluara, ajo do të ruhet dhe mbijetoj përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e çdo shqiptari, jo vetëm si kujtim por si problem i pazgjidhur historik, kombëtar e ndërshtetëror me Greqinë, i cili nuk do të pushoj kurrë së ekzistuari, deri në zgjidhjen përfundimtare të tij.
Ndaj, edhe me rastin e 70 vjetorit të kësaj ngjarje nga më tragjiket të popullit tonë, ftoj bashkatdhetarët e trojeve tona etnike kudo, që tu bashkohen përpjekjeve gjithëkombëtare për çuarjen përpara të Çështjes Çame, e cila me unifikimin e të gjitha forcave në vend të paktën për sa i takon kësaj çështje, ajo patjetër do të gjejë zgjidhjen e duhur, të mbetur pezull për kaq vite.
Njëkohësisht, kauza për mbrojtjen e identitetit kombëtar, ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës amtare, duhet të vazhdoj të jetë më e fortë se çdo përpjekje tjetër, për asimilimin e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët sot jetojnë në Shqipëri, Turqi dhe në Greqi, ani pse ata, përveç në vendin amë, si në Turqi, aq më pak në Greqi, asnjëherë në qindra vitet e kaluara, nuk guxuan të flasin dhe deklarohen shqip.
Mbështetja kryesore për bashkëkombësit tanë të përvuajtur, në radhë të parë duhet të vije nga vet shqiptarët dhe dy shtetet e tyre; Shqipëria dhe Kosova të cilat kanë obligim kushtetues dhe kombëtar e institucional që tu dalin në ndihmë çamëve të dëbuar përdhunshëm, me të gjitha forcat dhe mundësitë shtetërore, institucionale dhe diplomatike që kanë.
Duke pasur parasysh, këto dhe shumë detaje tjera, të thëna e të pathëna mbi gjenocidin ndaj çamëve të pambrojtur, 27 qershori i vitit 1944, assesi nuk guxon të mbetet thjesht vetëm një ditë kujtimi në kalendarin e dhembjeve të mëdha kombëtare, por pikë së pari duhet të shërbej si argument i pamohueshëm për ndërkombëtarizimin e fakteve të krimit nga shteti helen ndaj bashkëkombësve tanë, dëbimin e pa drejt të çamëve dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të Çështjes së Çamërisë.
Fatkeqësisht, gjenocidi grek mbi shqiptarët, me apo pa vetëdije, ende vazhdon të mbetet “tabu-temë” dhe problemi më i pa-trajtuar kombëtar, ndaj është koha e fundit që Çështja Çame, gjithsesi të nxirret nga sirtarët e pluhurosur të diplomacive të fjetura kombëtare e ndërkombëtare dhe të fillojnë përpjekjet serioze për zgjidhjen përfundimtare të saj, ngase ajo është reale, ekziston dhe nuk mund të mohohet, minimizohet as nëpërkëmbët më nga askush.
Si Greqia, ashtu Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare, më në fund duhet ta kuptojnë se me gjithë tendencën gjenocidiale-shumëvjeçare greke, për zhbërjen e tërësishme dhe asimilimin e përgjithshëm dhe me çdo kusht të qindra mijëra shqiptarëve të të dy besimeve fetare që kanë jetuar dhe ende jetojnë në Çamëri, shqiptarët çamë ende ekzistojnë.
Përkundër ndalimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre etnik, Atdheu, Gjaku dhe Kombësia e Çamëve Shqiptar, kurrë dhe asnjëherë nuk do të mund të mohohen nga kushdo qoftë.
Madje jam i bindur se në këtë tragjedi e cila falë heshtjes sonë kombëtare dhe asaj të bashkësisë së gjerë ndërkombëtare ende vazhdon, nuk do të funksionoj krejt ashtu siç u planifikua nga orkestruesit krimel të ati gjenocidi, përkundër arrogancës së pashembullt të shovinistëve grek, që për më tepër se një shekull me këmbëngulje të shfrenuara, para syve të botës demokratike, ushtrojnë shtypjet më të egra të mundshme dhe të paprecedent mbi shqiptarët.
Ndaj, merrni guximin dhe thoni përfundimisht stop kësaj të keqeje, ballafaqohuni më në fund me realitetin e asaj katrahure që ende kërkon shqyrtim, gjykoni të paktën një herë gjenocidin grek dhe përmirësoni padrejtësitë e gjata ndaj çamëve- si pjesa më e vuajtur e gjithë popullit tonë, ktheni ata në vendet, pronat dhe shtëpitë e veta-të mohuara, si dhe pranoni të drejtat e tyre, ashtu siç parashihen në aktet evropiane dhe ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat nuk do duhej që edhe në këtë shekull, të bëjnë përjashtim vetëm për shqiptarët në Çamëri dhe kudo qoftë.
Gani Qarri Cyrih, 30 qershor 2014
Në nderim të mikut tim, Luto Zyka
Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/
E humba një mik, një mik fort të mirë,/
Ndaj kam një boshllëk, ndihem si i mpirë./
Ishte mik mbi miq, quhej Luto Zyka,/
Ndaj kur e kujtoj, lëmsh më mblidhet gryka./
Eh, kjo vdekje e shkretë, vdekje e mallkuar,/
S’dihet kur të vjen, fare pa kuptuar./
Te rrug’ e Kavajës, kur merrja një kthesë,/
Drejt lokalit t’Lutos, kur ecja serbes,/
Fort më ngrohej shpirti, më ndizej përbrenda,/
Ta takoja Luton sa ma kishte ënda./
Në lokal të Lutos plot biftek’ e verë,/
Më priste te dera, i qeshur përherë./
Kish zemër të madhe, zemër plot humor,
Kur rrëfente shtruar dhe të ndizte horë.
Ish artist i lindur, mikpritës i parë,
Iku aq papritur, më la zemërvrarë.
Rrugës pranë lokalit më unë nuk shkoj dot,
Se kujtimet rendin dhe më dalin lot.
Më nuk i flas dot: dil, Luto, nga dera,
Ta kthejm’ nga një gotë, si herët e tjera.
Se tani e di që s’më përgjigjet kush,
Ndaj dhe zemërshkreta po më digjet prush.
Dhe mes pikëllimit pyetjen po nis:
Ku ësht’, moj ti Xhem, moj Mon’, moj Eris?
Përgjigjja që marr plagën ma cing’ris:
“Luton e ke lart, në gji të Hyjnisë”.
Këto vargje më buruan nga thellësia e shpirtit, në nderim të mikut tim të vjetër dhe shumë të respektuar Luto Zyka. Bashkë, në vite ’50, kemi qenë nxënës në Shkollën 7-vjeçare në fshatin Ramicë të Smokthinës. Ai ishte nga fshati Bashaj i Smokthinës. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë, kurse arsimin e lartë e përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve (më pas Akademia e Arteve dhe tani Universiteti i Arteve), në degën e dramaturgjisë. Ka punuar si aktor dhe si regjisor, duke filluar nga Teatri i Gjirokastrës deri regjisor në ish-Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë. Me vendosjen e pluralizmit në vendin tonë, u tërhoq në jetën personale, duke u marrë fillimisht me biznes dhe më pas, në njërin nga mjediset e shtëpisë së tij që ndodhet në Rrugën “Naim Frashëri”, afër Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, çeli një rostiçeri, të cilën e mbajti të hapur për shumë vite me radhë. Dallohej për mikpritjen e tij proverbiale dhe për humorin e tij të papërsëritshëm.
Miqësia jonë u forcua edhe më shumë pas martesës së tij me ish-studenten time shumë të talentuar, zonjën Xhemile Lika (sot me titullin shkencor prof. as), nga Zagora e Shkodrës, të motrën e shkrimtarit Ramiz Lika, nga një familje me tradita atdhetarie. Pas përfundimit të studimeve, zonja Xhemile ka punuar pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe më pas në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe, gjatë disa vjetëve, kemi qenë kolegë në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, derisa unë dola në pension më 01 shtator të vitit 2003. Mona është bija e tyre, e cila, po ashtu, i ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega e greqishtes. Edhe vajza e Madhe, Erisa, studimet e larta i përfundoi po në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën e frëngjishes. Mandej ajo vazhdoi studimet pasuniversitare për gazetari në Bruksel dhe sot, si një gazetare e pjekur dhe e talentuar tashmë, po në Bruksel, punon si gazetare-korrespondente e kanalit të mirënjohur televiziv kombëtar “Klan”.
Mikut tim Luto Zyka, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që kaloi, i patën lindur probleme serioze me zemrën, prandaj iu desh t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë, i cili u përballua me sukses në një klinikë të specializuar kardiokirurgjike në Sofje. Por me kalimin e viteve shëndeti erdhi duke iu rënduar edhe për shkak të mbipeshës së theksuar. Kjo qe edhe arsyeja që zemra nuk arriti ta përballojë dot këtë mbipeshë, derisa më 19 gusht të vitit që kaloi ajo pushoi së rrahuri në njërën nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku e pata takuar për herë të fundit, para se të largohej drejt jetës së amshuar.
Santa Barbara, Kaliforni/12 mars 2014