• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të dëshmorit të kombit

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto:Remzi  Ademi (1952 – 1998)/

Qëllimi im, nuk është thjesht një përshkrim nekrologjie që rëndomtë shkruhet në këto raste, kur përkujtojmë një figurë sublime të martirizuar në tabanin kombëtar. Do mundohem të kaloj përtej, përtej së madhërishmes- pa dyshim, këtë e meritojnë burrat e dheut siç ishte i madhi Remzi Ademi – alias Petrit Kodra!

… Gjatë këtij mijëvjeçari trungu shqiptar u copëtua dhe ricopëtua me dhjetëra herë, megjithatë burrat e dheut nuk ngarendën së vepruari për liri e bashkim kombëtar. Që përtej Lidhjes së Prizrenit, deri tek ditët tona, shqiptarët janë në rrugë të mbarë për të realizuar aspiratat e tyre të natyrshme siç është liria dhe bashkimi ynë kombëtar, ku secili do të frymojë i lirë në atdheun e vet.

Pa dyshim se kjo do kohë, punë të pareshtur, seriozitet, sakrificë, bashkëveprim mendjesh të ndritura, përkushtim, fisnikërim shpirti e ndërgjegje. Të shkruash për luftën çlirimtare, për këta burra të dheut, mbi të gjitha është përgjegjësi, mirëpo kjo nuk nënkupton se ne duhet të heshtim!, jo, përkundrazi, ne duhet t’i kujtojmë të gjithë ata që morën pjesë në luftën çlirimtare, të shkruajmë për ata që ranë, për ata që shpëtuan, për ata që ishin kuadro dhe luftëtarë, për ata që e ndihmuan luftën fizikisht, moralisht dhe materialisht, me një fjalë për ata që atdheut i dhanë diçka më shumë nga të tjerët… Dikush do të kujtojë emocionet që ka ndier kur ka veshur uniformën e UÇK-së dikush do të kujtojë luftën, dikush rëniet e shokëve, dikush heroizmat e tyre, dikush sokolat dhe sokoleshat që hidheshin mbi tanket e pushtuesit, dikush amanetin e tyre, dikush me emocione e sentimentalizëm, dikush me dinakëri e servilizëm, dikush me mburrje e krenari, dikush me këngë e dashuri, pa dyshim se të gjitha këto së bashku kompletojnë historinë tonë më të re!…
Deshëm apo jo, lindja e radhëve të UÇK-së, në rrafshin kombëtar, vuri themelet e historisë sonë më të re duke këputur kështu prangat e çelikta të robërisë shekullore, duke rimëkëmbur dinjitetin tonë kombëtar, duke detyruar botën e civilizuar që t’i thërrasë ndërgjegjes, ngase mbi shqiptarët e Kosovë atëbotë po ushtrohej një gjenocid i paparë nga pushtuesi barbar serb.

… Kaluam Alpet shqiptare (ashtu si shumë luftëtarë të lirisë), radhës po i printe Azem Syla, Qenë Qenaj, Halit Naxhaku, Hysni Geci, Driton ? (nga anët e Vushtrrisë), Brahimi nga Hasi, një luftëtar tjetër nga Prizreni (emri i të cilit nuk po më kujtohet) e disa të tjerë. Deri tek kufiri, ku na kishin përcjellë dhe furnizuar me armatim Haki Drenica, Zeqë “Çopa”, Hamëz Morina, Gani Veseli etj. Pas shumë peripecive te asaj nate, dita na gdhiu në fshatin Goden. Burrat e këtij fshati na futën në kullat e tyre (një kullë dykatëshe e vjetër ku ishim ne, i zoti i saj, një djalosh rreth të 25-tave, arsimtar, babanë nuk e kishte pasur, vetëm të ëmën), na shtruan për të ngrënë, na shëruan trupin dhe shpirtin, duke na siguruar se të gjallë nuk na japin!… Si të shprehem ndjenjash; kishte disa vite që nuk kisha dëgjuar fjalë burrash si ato të Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit et. “Të gjallë nuk ju japim!”… Këta ishin burrat e Godenit legjendar, të cilët pritën, strehuan dhe përcollën shumë çlirimtarë të Kosovës…, kjo sakrificë më pas atyre u kushtoi me jetë, pushtuesi barbarë serb, gati në përfundim të luftës në shenjë hakmarrjeje ekzekutoi 22 burra nga ky fshat! Lavdi e përjetshme atyre, përkulje deri në tokë para jush, para burrave, nënave, grave, nuseve dhe motrave të Godenit zemërmadh! Kurrë mos qoftë e harruar buka dhe konaku juaj, kurrë mos u shoftë fara e juaj o burra të dheut, o burra të Godenit zemërmadh!…
Ju lumtë goja mor burra, ju ndritë konaku besa e nderi juaj- ia ktheva me gjithë shpirt të zotit të shtëpisë, se edhe ne këto armë nuk i kemi vënë krahut kot, nuk do ta koritim as konakun tuaj, dhe as Kosovën! Aty bëmë një pushim të mirë, pas dite nga Gerqina dhe Lipovica morëm drejtimin për në Demjan, shoferi i makinës ku ishim ne, kishte qenë profesor i kimisë një burrë rreth të dyzetave e ca, të rritej zemra dhe shpirti, kudo ambient shqiptar, kudo ushtarë të UÇK-së, kudo gatishmëri për të dhënë jetën si me le në shërbim të atdheut – e mahnitshme! Dhe kështu gjatë tërë asaj pasdite, shtab pas shtabi, dikur vonë arritëm në Malishevë e fare vonë në Shtabin e Kleçkës heroike, atje, mu në zemër të Kosovës. Aty takuam shokët, luftëtarët e lirisë: Jakupin, Hashimin, Lulin, Çelikun, Ramën, Gazetarin, Musën, Llucin, Tonin, Micin, Vogëlushin, Bukuroshin e dhjetëra të tjerë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk është më në mesin tonë – Lavdi e përjetshme heroizmit dhe veprës së tyre!

Pas ca ditësh isha ngarkuar me përgjegjësi që nga ana logjistike të inspektoj rajonin e Suharekës e gjithandej deri në Prizren. Tërë kohën më shoqëroi epror Musa. Më pastaj nga Prizreni ( unë dhe Musa), duhej të kalonim në Shqipëri për çështje furnizimi. Ato ditë sulmet serbe ishin të furishme, pas një rezistence të madhe, kishte rënë Malisheva, armatimet ishin jo të mjaftueshme, ushqimet po ashtu, si të thuash ishte një gjendje e pafavorshme për forcat çlirimtare. Me gjithë armatimin shumë herë më të paktë se armiku, megjithatë ushtarët tanë ishin në nivel të përgjegjësive, me moral të pamposhtur, tërë kohën në istikame, po luftonin, po ia merrnin këngës dhe po bënin edhe hoka për ditën që po linin mbrapa…, kjo të bënte me krahë dhe të jepte kurajë si askund në botë: shqiptarët po mbijetonin!
Pas ca ditësh, erdhi koha që të ndaheshim. U përshëndetem fort mes vete. “Daja” më dha një shkresë që kisha për ta përcjellë në rrethin e Krumës për çështje furnizimi. Aty nga mbrëmja (mesi i korrikut ‘98), kaluam në Therandë, pa dyshim nën përcjellje të sigurt të luftëtarëve të lirisë. Të nesërmen vëzhguam një shtab rajonal të Therandës, bëmë një renditje të kompanisë, verifikuam gjendjen, bëmë edhe një bisedë shumë vëllazërore, morale-politike, ku këmbyem shumë mendime dhe përvoja rreth luftës sonë çlirimtare. Tek po vëzhgonim, nën shoqërimin e Xhavit Bajraktarit ( tani Dëshmor i Kombit), nuk ishte e vështirë të vëreje epërsinë; ato anë kishin qenë më të furnizuara me armatime, me ushqime dhe me pajisje sanitare, krahasuar me anët e Kleçkës, të Malishevës dhe të Drenicës në përgjithësi, kjo ishte shpresëdhënëse se çështja jonë megjithatë po ecte mirë, ishin përvoja të mira.

Pas dy-tri ditësh kaluam në rajonin e Prizren, më saktësisht në Vrri të Jeshkovës. Tani nuk i kam fiksuar emrat e shumë fshatrave të atyre anëve, kaluam nëpër shumë vende të rrezikshme, madje çdo përballje me pushtuesin nënkuptonte zjarr të përnjëhershëm!
Më kujtohet fshati Grazhdanik, ku kalonim afër një kishe, ishte një pozicion mjaft i papërshtatshëm, aty shpeshherë  pozicionohej milicia serbe- siç na njoftoi përcjellësi ynë. Më vonë mësove me dhimbje se pikërisht në atë zonë kishte rënë zemërluani Komandant Remzi Ademi. Më në fund u futem në rajonin e Vrrinit. Më vjen keq që as sot e kësaj dite nuk i mësova tamam emrat e shoferëve që na shoqëruan gjatë gjithë asaj kohe, që nga Kleçka e deri në Lybeqevë (malësi e Vrrinit), e deri në Mazrek të Hasit e në Krumë. Më sa mbaj mend njëri nga ta quhej Milaim, ishim në detyrë, dhe nuk lejohej që t’i prezantonim emrat njëri-tjetrit. Unë prezantohesha vetëm si “Drenica”, si zakonisht takimet e para ishin me rojat, të cilat pasi që na legjitimonin, na hapnin rrugë, duke na drejtuar për në shtabe, apo vende ku ata ishin të pozicionuar e fortifikuar. Ishte mbrëmje dhe nuk po e kapja dot natyrën përreth. Na përcollën gjer në Shtab të Vrrinit, një shtëpi dykatëshe siç dukej ende e papërfunduar (e pa meremetuar tërësisht), në mes të një kopshti të vogël të rregulluar me shije, dhe, siç e vërejta të nesërmen, ky shtab, kishte një pozitë të mirë fortifikuese.

Erdhi momenti i pritur: përpara na doli komandant Remzi Ademi – alias Petrit Kodra. Na priti krahëhapur, me buzagaz e dashamirësi. U ulem brenda në zyrat e Shtabit. Petriti dukej ca i lodhur me një zbehje të dukshme në fytyrë, si gjithmonë buzagaz dhe pedant, i rregullt, i rruar, i pastër. Mbante syze ca të errëta, tani me flokun e tij ca të thinjur, i qetë, i matur në bisedime, fliste qartë dhe shtruar për gjendjen që ishte në ato anë, për mobilizimin e masave, për furnizimin, për strategjinë luftarake dhe për shumë gjëra tjera. Ishte intelektual i rrallë, trim i patundur, me një fjalë atdhetar i kompletuar si rrallëkush. Ai kishte kaluar një jetë të tërë në shërbim të atdheut, duke qenë pjesë përbërëse dhe organizator i ilegales së hershme, një nder të parët e aksioneve të ndryshme, tani edhe të luftës, pra me armët e lirisë në dorë të cilat i kishte ëndërruar prej kohësh. Koncepti i qartë politik dhe aftësia e tij organizative respektohej nga të gjithë. Kishte durim dhe kulturë dëgjimi për mendimin e tjetrit, aq sa ishte edhe i vendosur dhe i pa kompromis në idetë e tij çlirimtare. Me kërshëri dëgjonte këshillat që i ofroheshin, për të cilat herë pas here mbante edhe shënime. Kështu duke biseduar gati na zbardhi dita. Të nesërmen, sa u zgjuam nga gjumi, gjëja e parë që më zuri syri në shtabin ku ishte Komandant Petriti, ishte vërtet një rregull ushtarake, aty vërejta edhe rendin shtëpiak (që s’e kisha hasur në shumë shtabe tjerë), ishte përpiluar me aq kujdes nga vetë Petriti, për t’u admiruar: koha e zgjimit të ushtarëve nga gjumi, koha e stërvitjes, e vakteve të ushqimit, e trajnimit, e furnizimit, orari i rojave, si dhe masat disiplinore për të gjithë ata që thyejnë rregullin. Në fund të rregullores kishte edhe vulën e Shtabit të UÇK-së për Vrri, të nënshkruar nga Komandat Petrit Kodra, me një fjalë gjithçka e kompletuar!

Kjo më fascinoi, një veprim dhe rregull ushtarak që i vinte erë institucioni! E përgëzova shumë sinqerisht për këtë, për gjithë atë punë dhe përkushtim… veç tjerash ai po mbante po me aq pedanteri edhe arkivin e luftës, çdo gjë ishte për t’u admiruar. Kjo e bënte atë edhe më të dashur dhe më të respektuar para ushtarëve të lirisë. Atij nuk i kthente kush fjalën mbrapsht, nën komandën e tij ushtarët ishin të gatshëm që të flijoheshin kurdo dhe kudo që e kërkonte interesi i atdheut, diçka madhështore. Gjatë ditëve në vijim për aq sa qëndruam në Vrri, vëzhguam edhe fortifikatat e tjera që ishin ngritur aty, pa dyshim dhe gatishmërinë luftarake atje. Tani të shoqëruar nga Komandant Drini, vizituam të gjitha pikat ushtarake, pozitat e tyre, madje u futëm deri në lagjen “Tusus”, të cilën forcat serbe ditë më parë e kishin djegur dhe granatuar, më kujtohet se në kopshtin e një shtëpie të djegur mora një domate të skuqur që përkohësisht kishte mbetur pa të zot!…
Në pikën fortifikuese ku quhej pozita ose fortifikata e vreshtave, takova edhe luftëtarin trim Naser Berishën, pastaj aty ishte edhe një luftëtar nga Duboci i Drenicës e dhjetëra ushtarë të tjerë me të cilët u përshëndetem përzemërsisht. Së bashku ndamë mendime dhe çaste të këndshme, gjithnjë duke marrë kurajë të re për këta trima viganë. Në fakt, Komandant Drinit për këtë pikë, pra të “Vreshtave” i dhashë vërejtjet, apo më mirë me thënë sugjerimet e mia, pikë kjo që ishte përballë ish-“Farmakosit”, njëkohësisht i paraqita edhe kërkesën që me intervale dyjavëshe, ushtarët e kësaj zone të dërgoheshin në Drenicë, në mënyrë që të këmbenin përvoja të kapshme dhe konkrete nga terreni.

Më pastaj, nën shoqërimin e eprorit Xhemshit Krasniqi dhe të zotit Drin, vizituam edhe Spitalin Ushtarak të Vrrinit! Në atë kohë aty po kuroheshin pesë ushtarë të plagosur rëndë e lehtë, ata i kishin ndaluar plumbat me trupin e tyre, duke bartur armatim mbi kurriz për furnizimin e bashkëluftëtarëve tanë. Njërin nga bashkëluftëtarët e tyre, që kishin rënë në atë pritë, kishte rezultuar si i humbur, për fat u gjend i gjallë pas dy-tri ditësh! A ka diçka më madhështore … bijtë e shqipes ballëlartë, me shtatin e larë me gjak, me shtatin si bajrak. Qofshin të nderuar përjetë bijtë e tokës mëmë!
Natyrshëm shtrohet pyetja: nëse kemi bërë mjaftë për dëshmorët e kombit, për invalidët e luftës, për familjet e tyre?!, them se jo, të paktën mos t’i harrojmë, mos t’i mohojmë, mos t’i anashkalojmë, mos t’i anatemojmë ata, se na vret i madhi zot!…

Spitali Ushtarak i Vrrinit, një ndërtesë trekatëshe, me të gjitha kushtet e volitshme, si: ujë, banjë, kanalizim, mjete sanitare, dy infermiere, një mjek, pa dyshim kjo përkujdesje ndihmonte shumë të plagosurit dhe në vend se ne t’ju jepnim atyre kurajë, ata na dhanë neve!

Gjithnjë të shoqëruar nga Xhema, kaluam nga kuzhinë e cila ishte në mes të fshatit, ajo mbahej pastër dhe kishte ushqime me kalori të mjaftueshme, kjo edhe i mbante mirë ushtarët, për çka edhe përgëzova kuzhinierin. Diku pas dreke po ktheheshim drejt shtabit: kudo që kaluam nëpër fshat na përshëndetën burrat, gratë dhe fëmijët e fshatit. Një nënë burrërore, na doli përpara, na mori ngryk, duke na i rrahur shpatullat na tha: “ I lutem Zotit që t’ju ruajë nga e liga, o bijtë e mi!”… M’u mblodh një lëmsh në grykë: nënat tona legjendare, sa kanë pritur e përcjellë bijtë e vet, sa nuk i pritën dot, sa mbetën me kujtimin e tyre, me këngët për ta, me pjellën e tyre që e shtrëngojnë fort në gji si amanetin e tyre më të shtrenjtë, lënë në prehrin e tyre, nënat tona madhështore, a thua do t’ju dalim hakut ndonjë herë?! Po, vetëm çlirimi dhe bashkimi i plotë i kësaj toke të zhuritur i shëron plagët e trupit dhe të shpirtit tuaj o nëna të dashura, o nëna zemërmëdha shqiptare!…

Më poshtë takuam disa fëmijë të cilët po loznin rolin e ushtarëve të lirisë?! Kishin hedhur krahut ca “pushkë” lodra prej druri; njëri hiqej si “komandant” dhe i rreshtonte “ushtaret”, tjetri po jepte raport: ”Zoti Komandant, ushtarët janë gati për sulm!”… Ta them të vërteten, mezi i mbajta lotët, e përqafova njërin nga ta, duke e pyetur nëse kishte dëshirë për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së. Po, ma ktheu me sa zë që kishte, por nuk po na le tata – duke bërë me dorë nga Shtabi, sa herë që ne kërkojmë të bëhemi ushtarë, ata na thonë: Sa të rriteni edhe pak, sa të rriteni edhe pak!…
Mirë, do t’i them unë xhaxhi Petritit dhe do t’ju pranojë… ata ikën, duke brohoritur me një urraaa të madhe dhe vazhduan me lojën e tyre. Mua më dogji diçka në zemër dhe me vete thashë: a thua mor zoti i madh; sa nga këta fëmijë në tërë tokat e shqiptarisë do të mbesin pa përqafimin e më të dashurve të tyre, të cilët do të bien në altarin e lirisë!?… Po, çmim të lartë paska liria e tokës sonë të dashur! Pa dyshim liria do gjak, por pa më të voglin dyshim se edhe fëmijët e Vrrinit, si dhe fëmijët e mbarë shqiptarisë, nesër do të bëhen ushtarë të mirëfilltë të cilët do ta mbrojnë sovranitetin dhe pacenueshmërinë e tokave shqiptare gjithandej…

Tek po përpëlitesha në mendime, po vëreja për anash Drinin, Musën dhe Xhemën e të tjerët që po na shoqëronin, kishim arritur tek Shtabi. Me të hyrë në oborr, na doli përpara Komandant Petriti i cili na qortoi për vonesën. Mora pozicion gatitu dhe i thashë:
“Zbato rregulloren shtëpiake për shkelje të rendit, jam gati t’i nënshtrohem dënimit!”…
U përqafuam po me aq mall. Si duket ishte mërzitur, por edhe shqetësuar për vonesën tonë.
– Është kohë lufte, – më tha, dhe nuk po me rrinte zemra në një vend.
– E di ti që jeni futur deri në lagjen Tusus, pra deri në Prizren!?… dhe për këtë e qortoi Drinin!

Pas pak, së bashku me Petritin (në zyrën e tij), biseduam për shumë gjëra, në fakt ai sqaroi për organizimin në ato anë, për pengesat që po i nxirrnin në veçanti anët e Opojës dhe të Zhurit, si nga pushtuesi serb, ashtu edhe nga bashkëpunëtorë të okupatorit, madje kishte edhe vërejtje të tjera që tani mbase i ka lënë koha mbrapa. Po afronte mbrëmja. Ne duhej të merrnim rrugë për Shqipëri, për arsye objektive Petriti më propozoj që të ndërrojmë itinerarin e udhëtimit. Ai, na dha disa lidhje tjera, dhe ne ato ndoqëm: fillimisht në anët e Hasit shkuam te një mesoburrë që kishte qenë bukëpjekës në Shtabin e Likocit të Drenicës, pastaj ai na orientoi për në fshatin Mazrek, ku rrugën për në Shqipëri do të na siguronte një djalë sokol mali që quhej Kujtim. Andej nga luadhet e hoxhës, një natë e tërë rrugëtim, më të gdhirë, kaluam “Varrin e mirë”, duke bërë një pushim tek “Stanet”, në gjirin e shkëmbinjve të tokës mëmë, që na kishin mbështjellë si mburojë, tani më as kush nuk kishte fuqi që të shpjegojë peripecitë e atij rrugëtimi për të siguruar një grusht barot për lirinë e atdheut, për lirinë e tokës shqiptare- Kosovë halla djersa dhe gjaku ynë!…

Erdhi koha e ndarjes edhe me Komandant Petritin. U përqafuam shumë. Nuk do ta harroj kurrë “nurin” e tij të asaj dite…!? M’i bëri, si të thuash, dy kërkesa ose më mirë të them m’i shtroi dy nevoja: nën 1), më tha se i duhej takuar edhe një Kapllan Shatrin (diku në rrethinë të Cyrihut ), dhe nën 2), më tha se kishte nevojë të ishte për pak kohë në Gjermani, për t’i rregulluar disa punë personale që i ishin grumbulluar atje.
Vërtetë Komandanti i madh Petrit Kodra, mbase nuk arriti që t’i kryejë disa obligime familjare ose të tjera që kishte pasur në Gjermani, por ai burrë i madh i shqiptarisë, ai vigan i patundur, i përfundoi me sukses shembullor të gjitha punët dhe detyrat e Atdheut!
Komandant Kodra ra për liri dhe për bashkim të tokave shqiptare! Emri dhe vepra kolosale e Remzi Ademit – alias Petrit Kodrës, mbeti e përjetshme!

Remzi Ademi ka krijuar celulat e para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit. Më 13 gusht të vitit 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte emëruar Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë kthimit nga takimi i mbajtur në Kleçkë, më 15 gusht 1998, ai hasi në pusinë e forcave të milicisë serbe në afërsi të fshatit Nashec, ku në luftë e sipër bie dëshmor i kombit.
Urtia njerëzore thotë:
– “ Koha do të shëroj vetëm plagët e trupit, por jo edhe të shpirtit!”…
Lavdi e përjetshme emrit dhe veprës së madhe të Komandant Remzi Ademit!

15 gusht 2013
Mehmet BISLIMI

Filed Under: Histori Tagged With: Mehmet Bislimi, ne kujtim, Remzi Ademi, te deshmorit

ATA QE VEC E FSHIKIN PAKSA JETEN TONE…

January 6, 2013 by dgreca

 Ne kujtim te Vehip Hoxhes, qe vdiq ne kampin e internimit ne Saver te Lushnjes/

Nga Jozef Radi/

Ka njerëz që veç ta fshikin paksa jetën tënde, po brenda asaj fshikje është krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tyre, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, të merr dhe përcjell ngado që vërtitet jeta jote. Vërtet mund të harrosh shumçka të rëndsishme të jetës tënde, po magjia që ai njeri, pothuaj i panjohur, ka lënë …tek ti është aq e madhe dhe e pabesueshme, sa ti e ke jo të pamundur ta harrosh, po e ndjen të domosdoshme ta kujtosh në at përmasë të veçantë, që edhe pse vështirë të kuptohet se ç’është; sepse ajo çka ke lexuar, mësuar e leçitur në jetë s’ta ka dhënë at çelsin e duhur të mbrritjes tek e vërteta e asaj vogëlsie që ka lënë nji gjurmë të madhe, të dukshme e të pashlyeshme…
E nisur diku prej fëminisë së hershme ajo sërish të ndjek ngadoqë ti vërtitesh: ndër kohra, hapsira dhe njerëz… derisa gjen ditën e disi përdhunshëm, të thotë: “Ajo e vërteta që të përkiste ty duhet të jetë edhe e të tjerëve…!”
Dhe ky personazh i jetës sime nuk vjen prej asnji fantazie, prej asnji përralle, prej asnji trimërie; ai thjesht ishte aty në jetën time deri at mbasdite, kur më mori përdore dhe me hijen e nji gjyshi të munguar dhe të nji mësuesi që mosha s’ia kish shterrur pasionin e parë, më tregoi se dashuria për çdo vogëlsi të jetës bëhet pasuria më e madhe, e njeriu atë mund ta fitojë përditë, në shpërfillje të ashpërsisë së jetës, pa iu nënshtruar rrethanave edhe kur ato shfaqen të përbindëshme!
Ky plak i urtë përtej të shtatëdhjetave quhej Vehip Hoxha, e derës së Hoxhatëve të Gjirokastrës, arratisja e djalit të vetëm Asafit, në fund të viteve ‘50, vërtet e kish degdisur Myzeqesë, po s’kish mundur t’ia cënonte at pamjen e tij prej dendy, as veshjen gjithnji perfekte si i posadalë kutie, as sjelljen prej fisniku, as shikimin e mprehtë që s’i shpëtonte asgjë, veçanërisht e bukura, as ecjen e hijshme e të ngadaltë, e pothuaj të përditshme drejt qytetit; aq sa të krijonte idenë se ishte nji krijesë jashtë realitetit komunist… dhe jo nji i dënuar rëndomtë i gulageve shqiptare!
Vehip Hoxha kishte qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër, drejtor banke në Korçë gjatë viteve ‘30, nëpunës i lartë Banke për shumë kohë në Tiranë… burrë i emnacipuar, baba i tenistes së parë shqiptare: Andan Hoxhës, dajko i Nedim dhe Vedat Kokonës, u detyrua forcërisht, edhe pse mbi të shtatëdhjetat, bashkë me tri vajzat: Andanin, Suzanën e Nerimanin dhe gruan, Zonjën Nalo, nga fisi i Bejove, të kalonin vite pafund mes baltrat aspak mikpritëse të Myzeqesë… aty ku përbaltesh jeta e shumë familjeve të nderuara shqiptare e aty ku sapo kish mbirë fëminia ime dhe e shumë sivllezërve të mi.
Ishte pamja e tij tejet serioze, që më shtynte ta shihja Xha Vehipin, si nji sfidant të regjimit, si nji shpërfillës të madh, si njeriu që edhe ndaj baltës së madhe myzeqare “vishte dy palë këpucë!!”, bile nji shoku im, që mori përsipër t’ia pastronte palën e përbaltur duke u tallur, provoi edhe shijen e bastunit të tij… që ende sot e ka të freskët!
Edhe pse ndër më të moshuarit, Xha Vehipi gjithë grave të kampit u thoshte Zonja dhe gjithë burrave Zotëri… aq sa edhe unë që s’kisha më shumë se 7-8 vjeç, një mbasdite u shfaqa si “zotëri” edhe pse përdore më ftonte në shtëpinë e vet, duke iu drejtuar gruas dhe vajzave: “Ku është djali i zotit Lazër dhe miku im i vogël, prej sot kët zotni ju duhet ta nderoni dhe respektoni si burrë të madh!” Dhe toni dhe fjala e tij ishte ligj!
Xha Vehipi, ishte sigurisht filatelisti më i zellshëm shqiptar… albumet e tij të pullave postare ishin të panumërt dhe koleksionet e tij nga më të pasurat që kishte Shqipëria!
Filatelia u bë afërsia e madhe mes nesh!
Unë do të përpiqem t’i jap gjithë bisedat si nji e vetme, mbasi ato ishin aq të bukura dhe të shtrira në vite… duke u rrekur të jap thelbin e tij prej mësuesi, njeriu dhe vizionari!
Duke më treguar albumet e tij të shumta më thoshte: “I sheh këto pulla poste, duket sikur s’kanë asnji rëndësi, duken si ca gjëra pavlerë që shoqërojnë veç letrat dhe kartolinat! Jo, s’është kështu… çdo pullë ka një informacion të shkëlqyer! Ja shikoje: së pari tregojnë shtetin nga vjen, së dyti tregojnë vitin kur është emetuar, së treti aty mund të gjesh nji ngjarje, nji personazh, nji lule, nji qytet, një kafshë, një sport, një olimpiadë… e ku e di unë, pra po të jesh i vëmendshëm, ti pa pyetur askënd merr vesh shumë gjera. Fjala vjen ti nga pullat mëson se Ingliterra s’ka mbret po mbretëreshë, dhe s’ka pullë të mbretërisë së saj të pashoqëruar nga figura e mbretëreshës… E di si quhet mbretëresha…? Ja s’e di! Queen Elisabeth! Ja pra e mësove dhe këtë… Po do mësosh se figurën e Mbretëreshës s’e kanë vetëm pullat e Mbretërisë, po edhe të gjithë kolonive si fjala vjen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, e shumë koloni të vogla. Mëson kryeqytetet e botës, mëson emrat e udhëheqsave, mëson gjeografinë, mëson historinë, mëson edhe politikë… Mëson si t’i mbledhësh pullat, si t’i pastrosh, si t’i vendosësh nëpër albume, si t’i shkëmbesh ato që i ke me shumicë, me të tjera që ti s’i ke… si të bësh miq në Shqipëri pse jo dhe nëpër botë. Pullat së pari të pasurojnë me kulturë, me informacion, e shpenzon kohën e lirë për nji pasion tëndin, pse jo mund të bëhesh edhe i pasur, shpirtërisht e sigurt, po edhe me para sepse po t’i mungojë një koleksionisti të njohur një pullë që e ke vetëm ti… ai ta paguan sa frëngu pulën… Pra, po të jesh i zoti e kupton se ajo pulla e parëndësishme, befas bëhet e madhe e të ndihmon në jetë, që çdo që gjë ta shohësh me interes… Se ai që di të vlerësojë nji pullë, pra nji copë letre; ai di të vlerësojë një libër, di të vlerësojë nji ngjarje, nji grua, nji aeroplan, një personazh… atij që s’i hyn në sy ajo pulla e vogël që kushton pak qindarka, atij s’i hyn në sy asgjë e kësaj bote! Ai lind kot, jeton kot dhe vetëm vdes plot… kurse ai që jeton me interesa dhe mendon për diçka të rëndësishme, ai e jeton jetën me të vërtetë, dhe mos harro se ka mjaft prej atyre që edhe pse vdesin u lenë vlerë emrit dhe vështirë se harrohen! Ja edhe ato pullat që ti i sheh me tallje të mësojnë ta bësh bukur jetën tënde!!!”
Nuk e di se ç’ngjyra mund të ketë pasur fytyra ime fëminore gjatë atyre shpjegimeve magjike të atij njeriu, i sigurt jam se drita e tij edhe mbas katër dekada ka mbetur e paprekur brenda meje, atë dritë s’mundi të ma shkulë askush! Sepse në jetë ndodh rrallë të takosh personazhe të kësaj përmase, po më e rëndësishmja është që nëse fati të ndihmon t’i takosh, të paktën ruaje me kujdes dhe shpërndaje imazhin e tyre që mos të harrohen…
Xha Vehipi, më percillte nëpër oborrin e barakës, ku kishte dy trëndafilë të mëdhenj rozë dhe me gërshërë këpuste nji gonxhe dhe më thoshte: “Merre se e meriton, më dëgjove me vëmendje dhe s’u mërzite, jam i bindur se ajo çka të thashë, do të shërbejë…”
Dhe mbeti mësuesi më i madh i jetës sime!
Xha Vehipi vdiq papritur në vitin 1967! Grupit të interrnuarve që e shoqëruan në varrezat e qytetit at ditë do t’i ngjitesha edhe unë, mbasi iu luta me lot ndër sy tim eti! Isha i vetmi fëmijë që përcillja një mikun timin të Madh, një mësues të papërsëritshëm, që edhe pse i hedhur midis baltës, jetoi dhe vdiq si Zotni!
Xha Vehipi, është prej atyre që veç e kanë fshikur paksa jetën time, po brenda asaj fshikje ka mbetur krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tij, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, më merr dhe më përcjell ngado që vërtitet jeta ime…

Filed Under: Kronike Tagged With: Jozef Radi, ne kujtim, te Vehip Hoxhes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT