Anijet amerikane, pjesë e struktures së Forcës Detare, riparim të plotë nga specialistët amerikanë dhe shqiptarë/
Nga Shefqet Kërcelli*/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcës Detare dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, {ODS}, gjatë kësaj jave në Kantierin detar të Pashalimanit, filloi riparimi i anijeve të dhuruara këto 17 vite nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA. Sic informon Komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, Kapiten i Rangut të I-rë Subi Zenelaj, janë 10 anije amerikane,{3 motovedeta{MV} të klasit 65 foot, 2 MV të klasit 46 foot dhe 5 anijet patrulluese “Archangel”, që i janë nënshtuar një riparimi të plotë në Kantier. Për realizimin sa më mirë të këtij riparimi ne si si komandë bashkë me efetivat dhe specialistë e grupeve të anijeve kemi marrë të gjitha masat e nevojshme tekniko-organizative, thotë Komandant Subiu. Ky proces, nga më të rëndësishmin për Forcën Detare filloi më 29 qershor dhe do vazhdojë deri më datën 18 korrik. Gjatë kësaj periudhe specialistët amerikanë dhe shqiptarë do kryejnë riparimin e defekteve dhe problemeve teknike që janë konstatuar në anijet amerikane, gjatë operacioneve të kryera në hapësirën tonë detare. Eshtë fakt që gjatë këtyre viteve këto anije kanë mbajtur peshën kryesore në realizmin e detyrave dhe operacioneve të shumta të Forcës Detare, si ato për zbatimin e ligjshmërisë, të kërkim-shpëtimit apo stëvitjet e ndryshme në det. Kuadro të vjetër mekanikë dhe motoristë, që kanë shërbyer për vite në këto anije si Ylli Leka, Besnik Bërdoj, Arben Koci, Haki Stafa, Vaso Jazo, Artan Kojtari, Viron Brezhani, Roland Cane, Jako Kojani, Gëzim Hyseni, Alfred Mara, etj, kanë kujtimet më të bukura të jetës së tyre në det me këto anije. Anije të forta, me karakteristika të mira teknike, që s’të lenë në mëshirën e dallgëve të detit, në kuptimin e plotë të fjalës, Luan Deti, -thotë ishkryemekaniku i MV-118, Ylli Leka, tani motorist tek anija tregtare, “Frojdi II”. Ndërkohë Kordinatori i zbatimit të projektit për Forcën Detare, Kapiten i Rangut të III-të Olsi Avduli,{zv/Komandant i Grupit të I-rë Patrullues} sqaron se, që ditën e parë puna filloi nëpërmjet një bashkëpunimi perfekt midis specialistëve amerikanë, ekuipazheve tona dhe specialistëve të Kantierit Detar të Pashalimanit. Të gjithë duan të bëjnë më të mirën, duke vënë aftësitë e tyre mendore dhe fizike për cdo difekt që konstatohet. Një fillim i mbarë për realizimin me sukses të kësaj detyre të rëndësishme, thotë Kapiten Avduli. Puna kryesore gjatë këtij riparimi të plotë është riparimi i tubolarëve të anijeve “Archangel” P-01, P-03 dhe P-05, për të cilat pala amerikane ka sjellë pjesë këmbimi, pajisje dhe materiale për riparim, zvëndësim e ndërrim për të gjitha anijet. Theksojmë se gjithë kostoja finaciare e këtij procesi prej dhjetra mijë dollarësh mbulohet nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA.*Shefqet Kercelli, korrespondent i Diellit ne Shqiperi