* Botohet me rastin e Vitit te Faik KONICES(2016) Shpalle nga Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”/
NGA ANTON ÇEFA/
“Malli i Atdheut, pa shpresa të shoh Shqipërinë, më japin një forcë më të madhe për të punuar. E, çdo gjë në daltë, sido që në vafshin punët, unë, me ndihmë të shokëve të vërtetë, s’i kam për të hedhur armët/ .”- Faik Konitza, (Albania, Tetor 1899)./
“Unë parandjej: në agimin e të nesërmes një Shqipëri të lulëzuar demokratike dhe intelektuale, ku do të jetojë një rini kërshëriplotë e dhënë pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinjë do të gjykojnë me një drejtësi të çiltër përçapjet tona, përplot me gabime, po të zjarrta sinqerisht. Ata do të shqyrtojnë, me të gjitha burimet dokumentare dhe kritike atë që ishte gjuha jonë dje dhe atë që do të bëhet gjuha jonë nesër, gjuha në të cilën ata do t’i shprehin mendimet dhe ëndërrat e tyre, dhe bukurinë e vitalitetin e kësaj gjuhe do ta hulumtojnë dhe do ta dinë ta shkoqisin.”
“ . . . Edhe një ndjenjë tjetër, atë që me gjithë dëshirë do ta quaja ‘afsh kombëtar’ d. m. th. një vullnet i domosdoshëm për ta ndier e përjetuar e ka pllakosur rininë shqiptare kohë më parë. Së këndejmi shpresojmë se ky afsh kombëtar, kjo flakë, të përhapet, të mos shuhet dhe të përforcohet akoma më tepër. Ta duash Shqipërinë, nuk do të jetë më si dikur një sport, po do të jetë vullnet për gëzimin e jetës.”
* “Shqipëria është e lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët.”
*“Historia e Shqipërisë gjithmonë është trajtuar mbi bazën e pohimeve subjektive e të anshme që kanë bërë armiqtë e saj. Një paraqitje e ndryshme nga një autor shqiptar detyrimisht do t’i trazojë disa shprehi të caktuara të të menduarit dhe disa opinione të gatshme për çështjet në diskutim.”
Faik Konica
* “Për të gjitha ngjarjet që kanë kaluar ne kemi vetëm njërën anë të të ashtuquajturit informacion, e më konkretisht, kemi atë të armiqve të Shqipërisë, kurse varianti shqiptar mungon tërësisht.”
*“E vlen të vihet në pah se askush në këtë galeri vezhguesish (është fjala për ata që kanë vizituar vendin tonë, A. Ç.), me sa duket nuk e ka gjetur karakteristikën më kryesore të shqiptarëve, e pikërisht atë pa njohjen e së cilës historia e tyre do të mbetej një mister, pra individualizmin e tyre.”
* “Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, kështu që nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdoqoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.”
*“Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër (është fjala për shqiptarët, A. Ç.) kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë aritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve.”
* “Megjithëqë shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist e prandaj nuk pranon t’i nënshtrohet ndikimit të askujt kundër vullnetit të vet, ai përsëri beson fort te prejardhja dhe te e drejta e precedencës, si dhe te gjithçka lidhet me ide të tilla.”
*“Standardi etik i shqiptarit është besa, pra fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar.”
* “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë.”
* “Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë . . . kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk besonin në përvjedhjen nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve.”
* “Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit është provokimi.”
* “Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta”
* “Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera, dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë që nuk ka pasur luftëra fetare. Për këtë arsye disa kanë folur shpesh për ‘skepticizmin’ shqiptar.”
* “Dy kategori shqiptarësh munt të jenë idealistë: E para, Shqiptarët që janë të zotërit të mendojnë, që shohin ç’është Shqipëria dhe kuptojnë ç’munt t’ish, që vënë re me hidhërim padrejtësinë, që i bëhet popullit tonë, dhe dinë edhe krojin e asaj padrejtësie edhe të vetëmen mënyrë për të thanë për gjithënjë atë krua. E dyta, kategori, janë Shqiparët të shtypur brez pas brezi, zemëra e të cilëve u qanë për ditë më të bukura dhe munt t’u lartësojë mendjen gjer në kuptim të një ideali kombtar, i vetëm i zoti t’i japë çdo djali të kombit vendin e tij në diell. Tani, Zotërinj, ju pyes te cila nga këto kategori munt të hyjnë mëmëdhetarët e shentëruar të cilët sot e hothne maskën dhe u çfaqnë siç janë ?”
*“Është e rëndësishme të vëmë në dukje këtu dallimin mes nesh dhe grekëve lidhur me idealin ku synon secili popull për sjelljen e tij. “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë i pabesë”, çka lidhet me karakterin e njeriut; ndërsa: në Greqinë e sotme, fyerja më e rëndë për një njeri është ta quash analfabet dhe të trashë, pra ideali i fqinjëve jugorë është zgjuarësia, një atribut i hises mendore të psikës njerëzore. Nuk është e nevojshme të dallojmë këtu, në ç’kahe rëndon kandari i dinjitetit njerëzor: nga karakteri human etik apo nga një cilësi e të menduarit.”
* “Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.”
* “Banorët e bajrakëve (malësorët e Veriut, A. Ç.) janë më të sjellshëm dhe më me dinjitet se gjithë shqiptarët e tjerë.”
* “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .”
*“Në raportin dërguar Luigjit XII, Mbretit të Francës, të datës 27 qershor 1510, nga Seneschal-i i Madh i Normandisë, që ishte një nga gjeneralët që komandonte forcat ushtarake në Itali, gjejmë një krahasim mahnitës mes etikës së sllavëve dhe asaj të shqiptarëve. ‘Sllavët’ shkruan Seneschal-i i Madh, ‘janë mizorë në luftë, sepse ata i vrasin të gjithë ata që mundin dhe nuk mbajnë të burgosur. . . . Sa për shqiptarët, ata kanë treguar një sjellje krejtësisht të ndryshme dhe i kanë trajtuar me dashamirësi robët.”
* “Në kohët moderne vetëm shqiptarët, nga të gjithë kombet e Evropës Juglindore njihen që i kanë qëndruar besnikë traditës kalorsiake të kursimit të armikut të mundur.”
* “Në kronikat mesjetare franceze, na tregon Konica, del shprehja ‘krenar si shqiptar’. Duke polemizuar me Tozerin, i cili, ndër të tjera, shkruan: ‘Është kënaqësi të vesh re përzierjen kureshtare të krenarisë me varfërinë që dukej qartë tek disa nga këta burra. Mund t’i shihnit duke u krekosur . . . sikur ishin zotërinj tepër të hollë, saqë nuk begenisnin t’u hudhnin sytë kalimtarëve si ju, e megjithatë gjithçka e tyre flet për mjerimin më të madh … Konica argumenton: ‘Ajo që është një gjëzë për Tozerin, është fare e qartë për çdo shqiptar. Krenaria është një gjendje e mendjes pavarësisht nga pasuria ose rrethanat, dhe djemtë që ka parë Tozeri i përkasin një tipi të njohur mjaft mirë. Brez pas brezi ata me shpatë ose me pistoletë në dorë kanë ruajtur pavarësinë e tyre kundër kufizimeve qeveritare të Turqisë. Ata ia kanë dalë të kundërshtojnë pagimin e taksave, i janë kundërvënë rekrutimit ushtarak, kanë mbrojtur doket e ligjët e kanunit dhe në mënyrën e tyre e kanë ndier veten njërëz të lirë. .”