• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në promovimin e librit “Vetëvrasja e një Kombi”

December 13, 2015 by dgreca

Nga Dr. Gjon BUCAJ/*

Librin “Vetëvrasja e nji kombi” Vatra e promovon kryesisht si kontribut për zbardhjen e realitetit të përiudhës së Luftës së Dytë Botnore në Shqipni, e cila asht trajtue në mënyrë të njianëshme nga histriografia komuniste. Të gjitha përsonalitetet shqiptare që kanë marrë pjesë në detyra të ndrysheme gjatë përiudhes prej okupimit Italian e deri në fitoren e komunizmit, janë damkose si kuislingë, kolaboracionista, trathtarë, anmiq e tjera epitete denigruese, tue përfshi edhe ata të përiudhes sovrane të monarkisë, si monarkofashista. Si të tillë janë përndjekë e dënue të gjithë si grup, pa ba dallim në se ndokush punoi për interes të okupatorit ose, nën okupatorin, për interes të  atdheut e të kombit.

Nevojën e një dallimi të tillë e ka përmendë edhe kryeministri i atëhershem Berisha, në një mbledhje të Komisionit për kremtimin gjithëkombëtar të 100 vjetorit të pavarësisë.

Historiografia komuniste e ka trajtue, në të njajtën mënyrë të njëanshme, të gjithë përiudhen e luftës dhe të asaj mbas të ashtuquejtunit çlirim, tue falsifikue historinë simbas interesave dhe porosive të anmiqve shekullorë, në dam të së vërtetës dhe të interesavet tona kombëtare.

Vatra, tue ndjekë qellimin me dhanë një kontribut sado modest, për zbardhjen e përiudhës së luftës së Dytë Botnore në Shqipni, para pak ditëve promovoi librat “Masakra e Tivarit” dhe Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945” nga Uran Butka, autor i njohun si historian dhe studiues serioz.

Pikërisht me këtë qellim po bahet edhe ky promovim i librit “Vetëvrasja e një kombi”, i lanun në dorëshkrim nga Kolë Bib Mirakaj dhe i botuem tash vonë me kujdesjen e të birit, i cili u rrit nepër burgjet dhe kampet e tmerrshme të komunizmit. E falënderojmë Lekën që e nxori në dritë dhe që na e solli t’a promovojmë.

“Vetëvrasja e një kombi” asht një dëshmi autentike mbi rrjedhën e ngjarjevet dramatike që zhvilloheshin gjatë luftës, ku autori largpamës shihte kjartë rrezikun që po i kërcnohej kombit shqiptar nga bolshevizmi. Kjo deshmi asht me interes të posaçëm për lexuesin dhe për historianin objektiv, tue qenë autori vetë një ndër aktorët ma me randësi të ngjarjeve të kohës, dhe një njeri i cili, në çfarëdo lloj rrethanash, rreziku a rahatije, e ka thanë të vërtetën burrnisht, ashtu si e ka pa me ndërgjegjen e vet, pa e lëmue për hatër të mikut as pa e randue për inat të anmikut. Prandej porosia e ime me bindje asht që të dhanat e pasqyrueme në këtë libër, lexuesi mud t’i merrë si vërteta pa frikë se gabon, kurse aty ku autori jep gjykime, lexuesi mund të ketë gjykimet e veta.

Mbi librin asht folë e shkrue e do të flitet edhe këtu sot, por unë due të shtoj diçka, shkurtimisht, mbi përsonin e Kolë Bib Mirakës, të cilin kam pasë fatin t’a njoh përsonalisht. Besoj se ishte viti 1991, kur i nipi Nikolla, po nisej për Shqipni. Tue dijtë propagandën helmuese të komunizmit dhe me qellim që t’i qetsoj për patriotizmin e njerëzve të tyne, bana nji fotokopje të një faqeje të gazetës “Albanie Libre” me ua dhanë familjeve të Mirakajvet që po delshin nga katakombet e diktaturës. Në atë faqe gazete pasqyroj teksti i deklaratës së Kol Mirakajt në Asemblenë e Përgjithëshme të Blokut Kombtar Indipendent në Romë, në vitin 1951,  ku thuhej përafërsisht: “Në se Greqia a kushdo tjetër synon të grabisë edhe një pëllamë të asaj toke, edhe ashtu të cungueme, do t’i veheshem në dispozicion edhe njeriut ma të pa denjë me pri, sikurse asht Enver Hoxha që më ka këputë krahin e djathtë e tha loçkën e zemrës, me të vetmin kush të më dhanë një pushkë dhe të vdes tue mbrojtë kufijt e atdheut”.

Po ju sjellë disa epiode që kam ndigjue nga goja e tij ose nga të tjerë, dhe kështu formoni vetë opinion mbi këtë përsonalitet shumë të përfolun.

*

Në vitin 1941 asht ba një tentative invazioni nga Jugosllavia, për të përzanë Italinë, që u prit mire në Nikaj-Mertur e deri në Dukagjin, por kur u pa se shumica ishin ushtarë dhe oficera serb të kamufluem me qeleshe të bardha, u alarmuen dhe u çuen më kambë 5000 vullnetarë, të cilëvet u prini Kol Biba dhe i dëbuen. E thotë kanga popullore: “Se këtu i thonë Mertur e Shalë, t’lanë me hi, nuk t’lanë me dalë”. Aty u plagos Kol Biba dhe, për atë shkak, aty e mbas asht mbajtë me shtagë gjithë jetën. Në se atyne shqiptarëvet që u futën me serbë në Shqipni ua njohim qëllimin e mire për dëbimin e okupatorit Italian dhe i nderojmë si patriotë për vepra tjera, duhet t’ua njohim qellimin e mire edhe atyne që u vunë pushkën, jo për të mbrojtë Italinë, por për të mbrojtë Shqipninë prej rrezikut serb. Gjaku i Kol Bibës u derdh për të mbajtë kambën serbe larg tokës shqiptare.

*

Kur asht marrë vendimi me hapë shkollat shipe në Kosovë pa lejen e Italisë, asht dashtë dikush të sakrifikohej dhe Kol Biba asht ofrue vullnetar, por Ernest Koliqi ka thane se arsimi ishte profesioni i tij, prandej i takonte atij të sakrifikohej (epizod i ndigjuem prej Zef Perndocës nga goja e Ernest Koliqit). Ndoshta kjo asht një nga arësyet pse italianët e cilsojshin Koliqin si “i squet, mentalitet intrigant, i shkathtë në përdorimin e fjalës, i rrezikshëm…”dhe ankoheshin për tendencën me u largue nga influenca italiane e parties fashiste tue krijue lëvizjen e shqipeve, siç ishte qellimi i  Kol Bibës me themelue partinë “Birt e Shqipes” (Këto cilsime e ankesa janë në librin e historianit Muharrem Dezhgiu “Shqipnëria nën pushtimin italian 1939-1943”, si citate të përkëthyeme shqip nga raportet e Pariani-t).

*

Ka shkue në Korçë, qendër kulture e patriotizmi, pët të mbajtë një fjalim në Kinema Majestic dhe, kur ka dalë në podium, askush nga publiku që mbushte sallën nuk asht ngritë më kambë, por të gjithë kanë rrahë shkelma për tokë në shej proteste. Ka pritë i qetë derisa publiku ka heshtë, disi i habitun, mandej ka fillue me folë. “Ndoshta ju po çuditeni, por mue nuk po më shqetsojnë shkelmat t’uej, pse e dij se janë drejtue kundra kësaj uniforme që kam veshë e po më bahet zemra mal”. U ka spjegue se Italia e kishte okupue Shqipninë me force dhe se ai e shqiptarët tjerë që vendosën me “bashkëpunue” u gjetën para një dileme, si vëllaznit në një familje kur u asht kallë shpija flake, të rrijnë në një anë dhe të shohin me dhimbje shpinë e pasuninë kah digjet, apo të hidhen në tym e në flak dhe të shpëtojnë çka të munden. Shpinë tone, u ka thane, e ka kapë zjarmi i luftës dhe, të vetëdisjshëm se do të përcëllohemi e do të përlyhemi, jemi zhytë dhe diçka kemi shpëtue e diçka edhe kemi fitue me bashkimin e tokavet etnike dhe hapjen e shkollavet shqipe ndër to. Si të mbarojë lufta, Italia do të largohet nga vendi i ynë. Në rast të kundërt u ka premtue se do të kapte pushkën për t’a luftue deri sa të mos mbetej nji ushtar italian në Shqipni. Shumë vjet ma vonë, këtu në Amerikë, shkuem pët të vizitue nji intelektual korçar, Vasil Alarupin, që vuente nga kanceri në një spital të Bostonit. Gjatë ma se dy orëve të vizitës, ai foli për shumë gjana, si njeriu që e din se e ka jetën të shkurtë.  Ndër të tjera përmendi se “traktet kundër italianëve në Korçë i shpërdajshim na, nacionalistat dhe Kolë Biba e dinte”, dhe përfundoi: “E kam adhuruar Kolë Bibën”.

*

Kosovarët e kanë adhurue, pse e dijshin se çashtja e Kosovës ishte prioritet jetësor i tij. Kur ka shkue në Gjilan, tregojshin kosovarët, se ia kanë shtrue rrugën me qylyma prej kodrës së Livoçit e deri në qendër të qytetit. Këtë rast e ka pohue vetë Kol Biba në Romë, por ka shtue se makina e tij nuk ka prekë më tokë deri në qendër, pse të rijt kosovarë nga antuzjazmi e kanë çue nalt me krahë.

Një prishtinas ka tregue se si Kol Biba ia kishte lirue dy nipat që i kishte arrestue kuestura italiane si komunista. U ka dhanë edhe nga një pushkë pse “u duhen me vra veten kur t’u vine serbët, pse janë vëllaznue me ta”.  Kjo tregon se ai e parashihte rrezikun sllav. (Këto dy episode i tregon Zef Përndocaj).

*

Dihet se Kol Biba i ka ndimue hebrejt gjatë luftës, dhe me siguri ka dokumenta mbi ketë pikë, por nuk janë hulumtue. Asht një shenim në monogrfinë mbi Halim Spahinë, nji tregtar gjakovar, që ka shkrue dr. Nuri Bashota, ku përmendet se një antar i familjes Adizhes thotë se Pashuk Biba dhe Kol Bib Mirakaj u kanë ndimue familjevet ebraike me shkue në Shqipni e prej andej në Itali e në Zvicër.

Një tregtar ebraik nga Vlora me mbiemën Levi, i arrestuem nga SIMI – Sherbimi Informativ Ushtarak Italian, e Kol Biba e ka shpëtue nga pushkatimi, me kërcnim tepër të guximshëm, dhe mandej ka refuzue “peshqeshin për mirënjohje”.

*

Një herë e pyeta: “A ke pasë ndonjë satisfakcion për të gjitha këto sakrifica që ke ba, pa kurrfarë interesi përveç atij të kombit e t’ atdheut?” M’u përgjegj se ka pasë dy:  i pari kur Mul Delia, Bajraktari i Hotit, i sëmundë, i ka dërgue nji letër prej Lindjes së Mesme ku jetonte dhe e ka autorizue me folë në emën të tij kudo t’ishte nevoja në takime kombëtare. Kjo ka qenë dëshmi besimi të thellë. I dyti rast ka qenë në një kafe në Romë, dikurë në vitin 1946, kur i vëllaj i tregtarit hebraik të cilit ia kishte shpëtue jetën, u drejtohet shqiptarëvet prezent dhe, me lot për faqe nga përmallimi, u tregon me hollësi ngjarjen, dhe përfundon tue thane se “po t’i kishte prendue Shkëlqesa tëhollat që i ofruem për mirënjohje, sot nuk do t’ishte refugjat si unë, por do të kishte së paku dy pallate këtu në Romë”.

*

Nuk arreston antifashistin: Patër Zef Pllumi në shkrimet e tij tregon se kur kryeministri Mustafa Kruja priti në audiencë intelektualin e madh patër Gjon Shllakun, u nda me përshtypjen se ky i fundit ishte me parime komuniste, prandej i kërkon ministrit të mbrendshëm t’a arrestonte si komunist. Kolë Biba e njifte patër Shllakun si student kur kalonte verën te frati në Iballe i thotë se nuk e arrestoj pse ai asht anti fashist por jo komunist.

Kol Bib Mirakaj u rrit dhe u brumos në frymën e Kanunit të Malevet që ka në themel parimet e drejtësisë e të demokracisë. Gjatë luftës mbajti qëndrim dhe veproi si e mendoi ma mire për kombin e vet, u përpoq me të gjitha fuqitë që pat me e shpëtue prej komunizmit, tue e mbajtë në gjinin e botës përendimore. Shteti amerikan ia njofti këto realitete dhe i hapi derën, edhe pse ka qenë minister dhe federal i fashizmit.

Kur erdhi në Amerikë, shoqnia deshtën me i sigurue jetesën pa pasë nevojë me punue. Ai u falënderue por tha me të preme: “Sa të mundem me luejtë kambë e dorë, qebesa, bukën do t’a fitoj me djersë” dhe shkoi në punë, deri sa e kapi dhimta e kancerit. Praktikisht ai e kreu jetën tue punue.

Profesor Jusuf Luzaj e pat vizitue kur ishte i shtruem në spital, erdhi edhe për vorrim e mbajti një eulogji, ku vuni në dukje vlerat e këtij atdhetari të palodhun. Dëshmon Viktor Daragjati se ishte në makinë tue u këthye prej vorrimit, kur Imer Doda e falënderoi për fjalët që tha. Ai iu përgjegj se vetëm kishte shpenzue frymën me i thanë fjalët që Kolë Biba i kishte meritue me vepra,  dhe shtoi se “Kolë Biba ka qenë njeri i madh i kombit por nuk vlerësohet sa e meriton, pse ka qenë katolik dhe malësor nga veriu”. Këto janë fjalët ashtu si i mban në mend Viktori dhe i thotë me vetëdijen e përgjegjsisë së ndërgjegjës që ka kushdo që përseritë fjalët e dikujë, i cili nuk jeton ma.

Kolë Biba ka shkue i përvluem prej dhimës e mallit për familje e për atdhe dhe me ndërgjegje të qetë para Zotit. Jetoi me parimet e trinomit që e ka të gëdhendun mbi gur të vorrit: ZOT, FAMILJE, ATDHE, por rendi Familje mbanej Atdhe, nuk e dij nëse asht i drejtë mbasi vetën edhe familjen i ka vu në shërbim të  interesit t’ atdheut.

* Fjala e hapjes ne promovimin e librit te Kol Bibe mIrakaj, organizuar nga Vatra, New York, 13 dhetor 2015

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “Vetëvrasja e një Kombi”, Gjon Bucaj, Në promovimin e librit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT