Parathënie për përmbledhjen me poezi ‘Në secilën hije pak dritë’’ (IWA Bogdani, janar 2019, Prishtinë/
Nga Engjëll I. Berisha /Antoni, ia shton dhe një hallkë, librit të fundit të tij me poezi, madje e shtrëngon shumë zinxhirin krijues duke e dëshmuar se po e ruan autenticitetin e vetë, me vëllimin e ri poetik, “Në secilën hije pak dritë”, që po e boton IWA Bogdani, në Prishtinë.
Libri paraqet lirizmin e tij mbi personazhet që i krijon me të cilët gjatë gjithë kohës bën krahasimin e dukurive që na rrethojnë. Ky edhe po bëhet motiv i përdorur viteve të fundit nga krijues të shumtë.
Nuk është shkallëzim retorik që sintetizon personazhin e tij. Në fakt autori bën ngritje përforcuese të ideve të tij, pa i ndryshuar ato të fundit e të mëhershme. Kjo konsekuencë ia jep vulën e vetë krijuese Anton Markut duke formuar konceptin e tij me sintagmën se poeti duhet ta thotë atë që zemra ia ndien.
Pamjen sociologjike te shoqëria e jonë, e abstrohon me rezonancën e tij herë të zemërimit, herë të admirimit, e hera herës të nxitjes së tij artistike që donë tu japë vetëdijesim. Ai sikur provon t’i kapërcejë caqet me poezitë që i shtron si pyetje, dhe shih, sa më shumë që i hamendim fenomenet, aq më të bezdisshme e më të pakuptueshme na bëhen. A mund të pajtohet poeti me këtë konstatim se! Mendoj se përkufizimi i mendjes të përfytyrosh ngjasimet e ta përjetosh, është dilema që shtrohet në poezi. Këtu e nisë eksplorimin e tij Anton Marku me poezinë “Gjeneza”, në përsiatje të kohës e të përfytyrimit kur u krijua e mira, – jeta, dhe vrima e zezë, – vdekja, prej nga edhe nisë përvëlimi i të gjitha krijesave: “Ditën që u zu dielli / për të parën herë / jeta u fërkua me vdekjen”.
Personazhe më të shpeshtë të tij,janë koha e cila nuk pret, është dashuria e cila kaplon, është virtyti, mbase, këtu e shpërfaqë më shumë koncentrimin sociologjik.
Edhe pse nuk mund t’i kapim të gjitha gjërat, ne krijojmë një aluzion ndaj tyre se janë mashtrim. Ky imazh dhëmbëzon mendimin tonë përherë dhe i kafshojmë me shkrime shpesh duke mos pasur talent të imagjinojmë në mes njerëzve, ideve e objekteve që na rrethojnë. Bashkëbisedimi që bën autori, fatin, e bartë gati në çdo poezi, jo vetëm si ligjërim shoqëror, por e kodifikon si produkt i mbrojtur, pa të cilin sikur imagjinon se s’mundet dot as natyra:“Kur gjithçka nisi / nuk kishte kufij / as mure, / kishte vetëm fillime”. Poezia “Portrete”.
Veset e shoqërisë, bëhen shprushje e shpirtit të tij, përballë sfidave të kohës, një peizazh me pak fjalë, e shumë shtresor: “Tërë jetën provova / t’i afrohem grimcës sime / duke i shikuar hijet e të tjerëve / harrova timen”, te poezia “Flluskave të purpurta”. Poezitë janë me vargje të shkurta, madje, shumë të shkurta-karakteristikë e shumë poetëve jo se e tkurrë mendimin, por, i duhen më shumë figura për ta përmbyllur krahasimin. Motivi i dashurisë, e kaplon këtë përmbledhje, jo duke e rënduar, por, ia ngazëllen poetikën rrëfimtare, duke u bërë herë i rrept e herë i nënshtruar ndaj saj: “Po u ktheve dhe një herë / me frymën time do e përzë / ofshamën që të bëri të ikësh”, ose, “po u takuan sytë tanë / veç dhe një herë / flaka ka për t’i dalë shiut”. Poezia “Po u ktheve”.
Tani lirisht mund të themi se autori ka krijuar karakterin e e tij simbolik me të cilin edhe platformën e tij dhe, sikur shihet, kështu mëton të ecë.