• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria ‘‘ideale’’

May 25, 2021 by dgreca

Shkruan:Anton Marku: Historia e njerëzimit është e mbushur me përpjekje të popujve për të krijuar shtetet e tyre etnike. Disa ia kanë dalur, të tjerët pjesërisht, ndërsa një numër edhe më i madh i tyre nuk ia ka arritur këtij qëllimi (të kujtojmë kurdët, palestinezët, romët, vllahët, etj). Si dhe ku qëndrojnë shqiptarët në këtë mes? Çfarë mund të kenë mësuar ata nga e kaluara dhe cili është vizioni i tyre për të ardhmen? Një opinion që nuk pretendon t’i vejë kapakun kësaj teme. 


Po u kthyem në retrospektivë do të shohim se, pas themelimit të Shqipërisë, u nevojit pothuajse një shekull që të bëhet hapi i dytë drejt realizimit të ‘‘ëndrrës kombëtare’’, e që ishte krijimi i shtetit të Kosovës. Bashkimi i saj me Shqipërinë do të ishte hapi i tretë në këtë rrugëtim, i cili do të përcillej me shkëputjen e pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe përngjitjen dhe të disa komunave të vogla në Mal të Zi dhe jug të Serbisë. 


Aktualisht, në kohën kur si Shqipëria ashtu dhe Kosova po tkurren për sa i përket numrit të banorëve, nga që të dyja ato vijnë zëra për zgjerim të territoreve dhe atë deri tek ‘‘molla e kuqe’’, e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë, pos në këngë lahutash dhe fantazitë e ndonjë të përhumburi në legjendat kalorësiake. Sidoqoftë, edhe pse sot për sot më shumë peshon ajri se sa thirrjet e tyre, duhet theksuar se idhëtarët e këtyre aventurave, të cilët ngjajnë me ushtarë të vetmuar që bërtasin me zë të lartë, mbase janë të demobilizuar por jo dhe të demoralizuar. E preferueshme do të ishte që ata që duan të bëjnë gjumin të qetë të mos merren me gjëra që mund t’i lënë pa gjumë.


Në anën tjetër, këtij diskursi, me deklaratat dhe qëndrimet e tyre shpesh kontraverse, jo rrallë edhe duke demantuar vetveten, i kanë kontribuar dhe po e bëjnë ende, edhe dy kryeministrat aktualë, këndej dhe andej gurit, Rama dhe Kurti. I pari, për përdorim të jashtëm, trumbeton narrativin se ‘‘shqiptarët do të bashkohen një ditë në familjen e madhe evropiane’’, ndërsa për opinionin e brendshëm propozon ‘‘president të përbashkët’’, i cili mbase xhepat do t’i kishte plot harta të cilave nuk u dihet prejardhja. Në ndërkohë i dyti, i cili ngritjes së tij politike i falënderohet parullës ‘‘Vetëvendosje!’’ tani ka kuptuar, me të drejtë, se ndryshimi i kufijve të shtetit që qeverisë, së paku tani për tani, është më i komplikuar se sa supozohej, dhe atë jo vetëm për shkak të dispozitave kushtetuese por edhe të gjeostrategjive globale. Ai tani emblemën e dikurshme e ka kornizuar në paradigmën lehtë të kuptueshme: ‘‘Të ngutesh nuk do të thotë të nxitosh! Vonë është më mirë se kurrë!’’.


Çuditërisht apo jo, janë shqiptarët e Kosovës ajo forcë që përpiqet të imponojë bashkimin kombëtar, edhe pse tani e kanë shtetin e tyre, rrjedhimisht dhe vazhdojnë të kërkojnë njohje ndërkombëtare për të që nga shpallja e pavarësisë, këtu e trembëdhjetë vite më parë. 


Në anën tjetër fitohet përshtypja se një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë, së paku ekonomikisht dhe kulturalisht, më tepër janë të interesuar të bashkohen me Italinë apo Greqinë se sa me Kosovën. Kur këtij fakti t’i shtohet edhe argumenti se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 24 prillit asnjëra nga lëvizjet apo partitë politike në Shqipëri që lidhet me bashkimin kombëtar nuk arriti të fitojë së paku një ulëse në kuvend, atëherë tabloja bëhet edhe më e qartë. 

Modelet futuriste

Termi Shqipëri është përdorur për herë të parë në shekujt 13-15. Emërtimi ‘‘Shqipëri e madhe’’ është produkt i propagandës hegjemoniste që para kohërave të ‘‘Titosllavisë’’, më pas edhe të fashizmit, dhe nuk ka nevojë për një elaborat më të thukët. Koncepti ‘‘Shqipëria etnike’’ është jo gjithëpërfshirës pasi që përjashton grupet e vogla nacionale joshqiptare, përderisa ai artificial i ‘‘Shqipërisë natyrale’’ nuk është i precizuar aq sa duhet sepse paradigmë ka gjeografinë, pra zonat e Ballkanit të banuara me shumicë shqiptare, e të cilat nuk kanë qenë asnjëherë, e nuk janë as sot, statike por dinamike dhe lëvizin, rriten apo zvogëlohen, në njërin apo tjetrin drejtim. Në anën tjetër referenca ‘‘Shqipëria qytetare’’ që do të kishte për lajtmotiv lojalitetin e shtetasve ndaj institucioneve të zgjedhura përmes votës, mund të jetë projekt iluzionist dhe në stadin fillestar. 


Ideja për ‘‘Shqipërinë ideale’’ mbështetet në idealizmin jo vetëm si ideologji, mbase dhe utopiste, por që përkufizohet si sistem pikëpamjesh dhe vlerash universale që rregullon raportet ndërnjerëzore pa i pyetur ata për botëkuptimet e tyre apo emra të përveçëm. 

Në një utopi të tillë, larg tymnajave regjionale, jo vetëm shqiptarët por edhe të gjithë të tjerët që do të jetonin brenda dhe ngjitur me kufijtë e saj, do të ndiheshin të lirë, të barabartë para ligjit, të mbrojtur, të sigurt, të vlerësuar dhe fuqizuar si pjesëtarë aktiv të një shoqërie laike dhe demokratike, ku dallimet gjuhësore, fetare e krahinore konsiderohen vlerë e jo pengesë. Në të nuk do të kishte diskriminim të asnjë lloji. Një Shqipëri e tillë, fillimisht në thelb më tepër imagjinare, nuk është e thënë që domosdo të përfshinte të gjitha ‘‘territoret shqiptare’’, por që në mendjen e secilit do të zgjonte ndjenjën se ajo përkujdeset për ta dhe i mbështetë, kudo qoftë dhe kurdo qoftë, jo vetëm brenda vijave administrative.


Depolitizimi i politikës

Për ata që të ardhmen e shohin me syrin e pragmatistit dhe tentojnë që të gjejnë shtigje të reja për udhë të vjetra, nuk ka vetëm një përgjigje për të gjitha pyetjet, por diçka është më se e sigurt: Shqipëria bëhet duke ju ofruar shqiptarëve jetë të dinjitetshme. Asesi ndryshe. 


Kjo do të ishte Shqipëria si e paramendoj unë. Shqipëria ime. Shqipëria jonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, Shqiperia Ideale

Kosova,‘‘Mini Shëngeni’’ dhe taksa

December 29, 2019 by dgreca

Nga Anton MARKU/

‘‘Mini Shëngeni’’ duket të jetë një ndër përpjekjet e para serioze në dekadën e fundit. Ajo ka filluar të hedhë hapat e parënë realizimin e një ëndërre që mund të ketë karakter rajonal, por që në mënyrë konkrete e promovon elementin evropian tëintegrimit mes njerëzve, kombeve dhe shteteve. Kundër kësaj ideje janë kryesisht idhëtarët e taksës që e futi vendin nëizolim si pothuajse asnjëherë më parë që nga vitit 1999.

Frika nga lira

Është për tu habitur kundërshtimi i hapur, kryesisht i pajustifikuar, i konceptit, jo vetëm nga pushtetarët e deridjeshëm, por edhe e një pjese të shoqërisë civile, sidomos mediave dhe intelektualëve të (pa)varur. 

Nga njëra anë edhe mund të përceptohet skepticizimi i atyre që sjellin paralele mes të djeshmes dhe të sotmes, sidomos nëkontekstin historik të pas luftës së dytë botërore dhe tentativave të përfshirjes së Shqipërisë në kuadrin e një federate jugosllave si republika e shtatë e saj. Po ashtu mund të kuptohet edhe rikthimi në kujtesë i pozitës diskriminuese tëKosovës në shtetin e dominuar nga sllavët e jugut, e sidomos dhunës sistematike të Beogradit ndaj tyre.

Sidoqoftë duket se në rastin konkret argumentet pro përfshirjes eventuale të Kosovës në iniciativa të tilla rajonale janë mëtë mëdha se sa mendohet aktualisht. Ndër to mund të veçohen:

-Fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në kontekstin ballkanik: Kosova synon të ketë marëdhënie të mira fqinjësore me tëgjitha shtetet që e rrethojnë. Tre nga katër shtetet që momentalisht janë bërë pjesë e këtij procesi e kanë njohur Kosovën dhe nuk do të lejonin që ky realitet të vihet në pikëpyetje. 

-Rritja e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare: pas dështimeve në sjelljen e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin në organizata të mëdha në nivel global (UNESCO, INTERPOL, etj), si dhe vendosjen e taksës si instrument i cili nuk solli rezultatet e pritura (një ndër to edhe njohjen nga Serbia), Kosova do të tregonte maturi politike nëse qeveria e ardhshme, pas një analize të thuktë, rimendon çasjen dhe pozicionimin e saj në raport me projektet të cilat i mbështesin, politikisht dhe financiarisht, qendrat e mëdha të vendosjes në botë.

-Rikthimi në një treg të hapur: prodhuesit dhe tregtarët kosovarë do të sfidoheshin nga konkurenca rajonale, por dhe do tëpërfitonin nga shkëmbimi i përvojave me të tjerët, ndërsa konsumatorëve do të iu ofroheshin mallëra më cilësore me njëçmim më të ulët.

-Vazhdimi i ëndërrës evropiane: është utopi të mendohet se shteti i Kosovës do të mund të bëhet një ditë anëtar i BE duke u sjellë në mënyre izoluese, gjë që është vlerë anti-evropiane. Nuk mund të pretendosh të bëhesh pjesë e familjes sëmadhe me seli në Bruksel duke i përplasur dyert tua për pjesën tjetër të botës, andej mureve.

Shoqëritë e civilizuara nuk kanë frikë nga hapja por nga mbyllja. 

Të guxosh

Në këtë kontekst natyrisht se përfituesit më të mëdhenj do të ishin vetë qytetarët e Ballkanit, ndër ta edhe ata të Kosovës. Qarkullim i lirë i njerëzve, mallërave, shërbimeve dhe kapitalit është ndër projektet më të mira paqësore që ka njohur njerëzimi deri më tani dhe Kosova duhet të guxoj që të afrohet në këtë grup shtetesh, ngadalë dhe me kujdes, por me njëenergji pozitive dhe pa paragjykime. 

Në lidhje me këtë duhet thënë se është për tu pritur që bartësit e institucioneve kosovare janë të vetdijshëm se ndër hapat e parë që do të detyrohen të ndërmarrin në rast se do të duan të bëhen pjesë e ‘‘Mini Shëngenit’’ do të jetë edhe rishikimi i vendimit për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila konsiderohet se ishte njëinstrument politik në kundërshtim me parimet ekonomike. Kjo dhe mund të jetë arsyeja e refuzimit të ftesës nga ana e Presidentit Thaçi për të qenë pjesë e samitit të dhjetorit mbajtur para pak ditëve në Tiranë. 

Kuptohet se ‘‘Mini Shëngeni’’ do të jetë një alternativë e përkohshme e integrimit në BE, por edhe ashtu rruga për atje çon nëpër vargmalet dhe autostradat e Ballkanit. 

Hija e Ramës

Kosova nuk duhet të ketë frikë nga Edi Rama, e aq më pak nga shteti shqiptar. Ata dhe po të duan nuk mund të vendosin për fatin e saj. As nuk e kanë këtë mandat e as nuk duket se pretendojnë diçka të tillë. Në këtë rast Kosova, duke pasur nëkrah Shqipërinë, vetëm sa do të përfitonte nga pjesëmarrja në një forum në të cilin do të dëgjohej edhe zëri i saj. Nëse për pothuajse dhjetë vite Kosova dialogoi me Serbinë e vetme pse duhet të ketë rezerva për tu ulur në tavolinë aty ku ështëdhe Shqipëria. 

Është për tu shpresuar se qeveria e re e Kosovës do të gjej mënyrat e duhura, qoftë dhe në cilësinë e vëzhguesit, që të mos mbetet jashtë rrjedhave të cilat i ofrojnë asaj mundësinë që nga vështruesi pasiv të marrë rolin e pjesëmarrësit aktiv nëdiçka e cila, në një perspektivë afatgjatë, mund të jetë në dobi të saj. 

(Mos)njohja

Po, Serbia duhet të kërkojë falje dhe ta njohë Kosovës. Absolutisht po. Por, kjo mund të mos ndodhë në 50 vitet e ardhshme. Ky mund të jetë fati ynë. Dhe i tyre. Megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe gjysmë shekulli duhet tëvazhdojmë të shikohemi përmes tytave të pushkëve.

Për të parë larg nuk mjaftojnë vetëm sytë.

Vjenë, 28 dhjetor 2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, kosova

‘‘Opinionistët’’ e diasporës

February 19, 2019 by dgreca

4. Anton Marku

NGA ANTON MARKU/

Të jetosh në diasporë nuk do të thotë të shkëputësh kontaktin me zhvillimet politike dhe shoqërore në vendlindje. Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve tanë në perëndim vazhdojnë të informohen, kryesisht nga portalet, të cilat viteve të fundit janë shtuar dukshëm. Një pjesë e tyre tenton që përmes shkrimeve të inkuadrohen në debatet për temat aktuale duke dashur që të japin kontributin e tyre në këto procese. Se cili është kualiteti i tyre është çështje tjetër.

Të shkruash me çdo kusht

Është e drejtë e pamohueshme e secilit që të shprehet lirshëm. Por para se ta bëjnë këtë duhet kujdesur që mendimet e tyre, sidomos ato që botohen të ju përshtaten një standardi së paku minimal. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Ajo nis në çastin kur këto shkrime botohen dhe si të tilla qëndrojnë nërubrikat e portaleve, nganjëherë edhe me ditë të tëra.

Dhe këtu nis problemi. Që nga titulli i cili përzgjidhet pa ndonjë analizë të duhur, shpesh nuk ka të bëj me fenomenin i cili trajtohet, madje ka dhe raste kur është dhe fyes ndaj një personi apo një grupi social. Disa artikullshkruesve, posaçërisht atyre që jetojnë në diasporë, duket se ju mungojnënjohuritë themelore të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Nuk janë të rralla rastet kur në fund të titullit qëndron pika, ai rimohet si në këngë lahutash apo kur fjalia ndahet në mes me një presje e cila më së paku ka vendin aty.

Në disa nga gazetat tona ‘‘opinionistë’’ me deficite të theksuara intelektuale që fshihen pas titujve akademikë (Mr., Dr,, Prof. Dr,) e të cilët nuk harrojnë asesi t’i vendosin para emrit, ende nuk e dijnë rregullat elementare të përdorimit dhe vendosjes së thonjëzave: ca i hapin nga poshtë me dy presje dhe i mbyllin lartë, ca nisin me shenjën e mbylljes e i mbyllin me atë të hapjes, të tjerët, veçanërisht ata që shkruajnë lidhur me mbajtjen e ndonjë aktiviteti nuk hezitojnë që të shkruajnë emrat e të gjithë atyre që thanë ndonjë fjalë rasti, duke i titulluar të gjithë me … zotëri apo zonja X tha këtë apo atë …. Dallimet mes emrave në njëjës dhe shumës njihen shumë pak. Po të tillë, sidomos nga vendet gjermanofolëse fillojnë me shkronjë të madhe jo vetëm emrat e vendeve dhe njerëzve por edhe të ditëve, muajve e gjesëndeve materiale (Automjeti, Ndërtesa, etj) ashtu si në gjuhën gjermane.

Një fenomen në vete janë ata që pothuajse çdo ditë botojnë nga një shkrim. Njëri prej tyre nuk ja ndan së shkruari ‘‘letra të hapura’’ pothuajse të gjitha personaliteve të botës, përfshirë dhe Angela Merkel dhe Donald Trump. Një tjetër, ish-aktivist partiak në perëndim në artikujt e tij çirret deri nëhisteri në drejtim të kundërshtarëve politikë saqë ndjen kokëdhembje sapo lexon pesë rreshtat e parë të shkruar nga ai. Një bashkëmendimtar i tij madje kërkon me ngulm organizimin e referendumit për bashkimin e trojeve shqiptare me Amerikën.

Këta të ashtëquajtur ‘‘opinionistë’’ të bezdidshëm të diasporës uzurpojnë vend nëpër mediumet shqiptare duke i ‘‘bombarduar’’ redaksitë e tyre me shkrime të njëpasnjëshme, e të cilave ju mungon pikë se pari parashtrimi i çështjes dhe përmbatjes si dhe ballafaqimi i argumenteve dhe harmonia e ideve duke mos pasur rrjedhë logjike të artikulimit të tezave. Ato kryesisht janë konfuze, të mbushura me paragjykime dhe të njëanshme. Konkluzionet (nëse mund të quhen kështu) që nxirren në fund të shkrimeve as për së afërmi nuk ngjajnë me ato që mund të jenë thënë më lartë.

‘‘Opinionistët’’ e tillë nuk i bëjnë nder diasporës sonë. Për më tepër ata janë, mu si në muzikë, tallavaja e gazetarisë së mirë dhe, me apo pa vetëdije, bastardhuesit e gjuhës shqipe në mërgim. Pjesa më e madhe e tyre do të ishte mirë që para se të dërgojnë artikuj për botim, të vizitojnë kurse bazike të shkrimit të gjuhës amtare.

Sigurisht se në diasporë ka dhe njerëz të profilizuar, shkrimet e të cilëve lexohen dhe komentohen me interesim të madh. Të tillë krijues të opinionit publik, si E. Robelli, Xh. Ahmeti, B. Hiseni, J. Kelmendi, F. Shkreli e ca të tjerë si këta përbëjnë elitën e pendës shqiptare në perëndim.

Përfundim

Mund të kuptohet nevoja e njeriut, deri në mani, për të thënë diçka, për të fituar vëmendje e qenë në epiqendër. Madje mund të admirohet ky entuziazëm. Por në asnjë formë nuk mund të arsyetohet tendenca për të dominuar në jetën që zhvillohet në mërgatë me shkrime të një kualiteti aq të ulët. Duke insistuar në atë se edhe ata kanë diçka për të thënë po ua zënë këndin  atyre që janë në gjendje që së paku të përpilojnë artikuj me përmbajte logjike. 

Mbase apeli më i duhur për ta do të ishte që të vazhdojnë të shprehin qëndrimet e tyre, nëse duan edhe në baza ditore, por në faqet personale në facebook apo platforma tjera alternative dhe jo në portale dhe mediume serioze, e të cilat do të duhej që, së paku për hir të lexuesve të tyre të rregullt, tëmos botojnë çfarëdo që të ju dërgohet, por të kenë parime dhe kritere të cilësisë së artikujve si në formë ashtu dhe në përmbajtje.

Njëra ndër shkathtësitë e të shkruarit vazhdon të jetë ajo që thotë që mes rreshtash duhet të lihet hapësirë e jo zbrazëtirë. Sa më shpejt që ‘‘opinionistët’’ e diasporës ta kuptojnë këtë do të bëhet më mirë për ta. Për ne po ashtu. 

Filed Under: Analiza Tagged With: "Opinionistet" e Diaspores, Anton Marku

Anton Marku dhe… “Në secilën hije pak dritë…”

January 28, 2019 by dgreca

4. Anton MarkuKopertina e librit NE SECLEN HJE NGA PAK DRITEParathënie për përmbledhjen me poezi ‘Në secilën hije pak dritë’’ (IWA Bogdani, janar 2019, Prishtinë/

Foto nga Engjell I. BerishaNga Engjëll I. Berisha /Antoni, ia shton dhe një hallkë, librit të fundit të tij me poezi, madje e shtrëngon shumë zinxhirin krijues duke e dëshmuar se po e ruan autenticitetin e vetë, me vëllimin e ri poetik, “Në secilën hije pak dritë”, që po e boton IWA Bogdani, në Prishtinë.

Libri paraqet lirizmin e tij mbi personazhet që i krijon me të cilët gjatë gjithë kohës bën krahasimin e dukurive që na rrethojnë. Ky edhe po bëhet motiv i përdorur viteve të fundit nga krijues të shumtë.

Nuk është shkallëzim retorik që sintetizon personazhin e tij. Në fakt autori bën ngritje përforcuese të ideve të tij, pa i ndryshuar ato të fundit e të mëhershme. Kjo konsekuencë ia jep vulën e vetë krijuese Anton Markut duke formuar konceptin e tij me sintagmën se poeti duhet ta thotë atë që zemra ia ndien.

Pamjen sociologjike te shoqëria e jonë, e abstrohon me rezonancën e tij herë të zemërimit, herë të admirimit, e hera herës të nxitjes së tij artistike që donë tu japë vetëdijesim. Ai sikur provon t’i kapërcejë caqet me poezitë që i shtron si pyetje, dhe shih, sa më shumë që i hamendim fenomenet, aq më të bezdisshme e më të pakuptueshme na bëhen. A mund të pajtohet poeti me këtë konstatim se! Mendoj se përkufizimi i mendjes të përfytyrosh ngjasimet e ta përjetosh, është dilema që shtrohet në poezi. Këtu e nisë eksplorimin e tij Anton Marku me poezinë “Gjeneza”, në përsiatje të kohës e të përfytyrimit kur u krijua e mira, – jeta, dhe vrima e zezë, – vdekja, prej nga edhe nisë përvëlimi i të gjitha krijesave: “Ditën që u zu dielli / për të parën herë / jeta u fërkua me vdekjen”.

Personazhe më të shpeshtë të tij,janë koha e cila nuk pret, është dashuria e cila kaplon, është virtyti, mbase, këtu e shpërfaqë më shumë koncentrimin sociologjik.

Edhe pse nuk mund t’i kapim të gjitha gjërat, ne krijojmë një aluzion ndaj tyre se janë mashtrim. Ky imazh dhëmbëzon mendimin tonë përherë dhe i kafshojmë me shkrime shpesh duke mos pasur talent të imagjinojmë në mes njerëzve, ideve e objekteve që na rrethojnë. Bashkëbisedimi që bën autori, fatin, e bartë gati në çdo poezi, jo vetëm si ligjërim shoqëror, por e kodifikon si produkt i mbrojtur, pa të cilin sikur imagjinon se s’mundet dot as natyra:“Kur gjithçka nisi / nuk kishte kufij / as mure, / kishte vetëm fillime”. Poezia “Portrete”.

Veset e shoqërisë, bëhen shprushje e shpirtit të tij, përballë sfidave të kohës, një peizazh me pak fjalë, e shumë shtresor: “Tërë jetën provova / t’i afrohem grimcës sime / duke i shikuar hijet e të tjerëve / harrova timen”, te poezia “Flluskave të purpurta”. Poezitë janë me vargje të shkurta, madje, shumë të shkurta-karakteristikë e shumë poetëve jo se e tkurrë mendimin, por, i duhen më shumë figura për ta përmbyllur krahasimin. Motivi i dashurisë, e kaplon këtë përmbledhje, jo duke e rënduar, por, ia ngazëllen poetikën rrëfimtare, duke u bërë herë i rrept e herë i nënshtruar ndaj saj: “Po u ktheve dhe një herë / me frymën time do e përzë / ofshamën që të bëri të ikësh”, ose, “po u takuan sytë tanë / veç dhe një herë / flaka ka për t’i dalë shiut”. Poezia “Po u ktheve”.

Tani lirisht mund të themi se autori ka krijuar karakterin e e tij simbolik me të cilin edhe platformën e tij dhe, sikur shihet, kështu mëton të ecë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Marku, Engjëll I. Berisha, Në secilën hije pak dritë

Gjysmëfinalja e dialogut

July 23, 2018 by dgreca

Shkruan: Anton Marku -Vjenë/

Foto nga Anton Marku 2

Gjysmëfinalja e dialogut / Është gabim të mendohet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nën ndëmjetësimin e Brukselit po hyn në fazën përfundimtare. Kjo do të jetë vetëm kapitulli i dytë i këtij procesi. Finalja do të ndodhë pas 5-6 viteve, kur të afrohet koha e aderimit të Serbisë në BE. Deri atëherë do të jemi dëshmitarë të ‘‘mosmarrëveshjeve’’ për ‘‘marrëveshjet’’ tashmë të nëshkruara e asnjëherë të zbatuara, së paku jo tërësisht. Ndërkohë do të ngriten edhe tema të reja, të cilat tashmë u janë bërë të njohura delegacioneve të të dyja shteteve. Në fund, tëgjithë do të fitojnë nga diçka e do të humbin nga diçka tjetër. Siç e do zakoni në Ballkan, humbja do të quhet fitore dhe e kunderta.  

Premtimi

Partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, pa asnjë përjashtim, që nga paslufta, para dhe pas secilave zgjedhje, premtonin se një ndër prioritetet kryesore të programeve të tyre do të jetë bashkimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe integrimi i veriut në pjesën tjetër tëvendit. Por, kaluan pothuajse dy dekada që kur veriu është shndërruar në një zemër që rrah jashtë trupit. Jashtë Kosovës.

Aktualisht po flitet për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, i cili po del që të jetë një strukturë shumë më komplekse se sa vetëm një OJQ, siç ishte prezantuar në fillim nga liderët tanë. Tashmë është e qartë se krijimi i saj është pothuajse një fakt i kryer. Po ju dha rasti, atë do e votojnë dhe miratojnë mu ata që fillimisht e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi, bllokuan për tre vite jetën institucionale të vendit dhe në fund u bënë zëdhënësit më të mëdhenj të aprovimit të tij. Për më tepër, ata do të jenë në gjendje qëasociacionin ta ‘‘kontrabadonjë’’ në një ligj të posaçëm, e pse jo edhe në kushtetutën e Kosovës po qe se kjo do të vendosej si kusht, si nga Beogradi ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Po ndodhi kjo, pala kosovare do të duhej që të insistojë që si kundëshpërblim Kosova të hiqet nga preambula e kushtetutës së Serbisë, në të cilën ajo ende figuron si pjesë e saj.

Me duar në xhepa

Një ndër qëllimet e dialogut është që të diskutohet për tema të caktuara me interes të dyanshëm. Por, takimet e deritanishme kanë prodhuar pak rezultate pozitive. Për më tepër, ato janë shdërruar në arena për shkëmbim të akuzave, fyerje, konflikte verbale dhe terren për fitim të pikëve politike në rrafshin e brendshëm.

Në këtë kontekst, fitohet përshtypja se delegacionet e Kosovës, qofshin ato të nivelit teknik apo politik, në bisedime hyjnë të papërgaditura aq sa duhet dhe pa strategji dhe analiza paraprake të hollësishme se çfarë duan të përfitojnë nga këto takime. Vizionet afatgjata mungojnë ndërsa situatat shpesh zgjidhen në baza ‘‘ad-hoc’’.

Viteve, e sidomos muajve të fundit, politikanët kosovarë dolën shpesh me propozimin se në dialog duhet kyqur edhe SHBA-të, çka do të ishte e mirë po të ndodhte. Por, këto sugjerime pavetëdijshëm do të mund të legjitimonin kërkesën eventuale të Serbisë që nënegociata të përfshihet edhe Rusia. Ky do të ishte një autogol shumë i rrezikshëm për Kosovën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Opsionet

Edhe qeveria e Kosovës e edhe ajo e Serbisë morën mandatin nga qytetarët e tyre që të bashkojnë e jo të ndajnë territore. Por, që kontrasti të jetë edhe më i madh, janë po zyrtarët e lartë të këtyre dy qeverive që javëve që lamë pas kanë filluar të promovojnë idenë e lëvizjes së kufinjve. Kjo gjë po proklamohet si ‘‘kompromisi i madh’’, por pa precizuar se çfarë në të vërtetë mendohet me të: autonomi substanciale për komunat serbe në Kosovë, ndarja e veriut dhe vetqeverisje autonome e komunave serbe në pjesët tjera të Kosovës, federatë apo konfederatë me Prishtinën, shkëmbim territoresh (Lugina e Preshevës për veriun) apo dhe shkëmbim i popullsisë, që mbase do të ishte varianti më i pëlqyeshëm për të dy qeveritë, por dhe më pak real, së paku për momentin, pasi që me këtë duket se nuk do të pajtoheshin as shqiptarët e Luginës e as serbët andej Ibrit.

Hapi i dytë

Dialogu ka arritur në një pikë në të cilën palët, edhe po të duan, nuk do të mund të tërhiqen më. Në këtë kohë bojkotimi i tij, nga cila do anë, nuk do të ishte arma më e mirë. Përkundrazi. Tani nga çështjet teknike, e të cilat edhe ashtu deri më tani u zgjidhën vetëm tërthorazi, do të kalohet në ato politike me ndjeshmëri të lartë. Edhe Thaçi edhe Vuçiçi do të detyrohen të dalin nga vetvetja dhe braktisin pozicionet e tyre fillestare për të kërkuar dhe pranuar zgjidhje nga të cilat që të dy këta do të fitonin më shumë se sa do të humbin.

Finalja

Në fazën përmbyllëse të dialogut, me apo pa dashje, do të jetë jo vetëm e nevojshme dhe e domosdoshme, por edhe e paevitueshme përfshirja e Shqipërisë në këtë proces, e mbase edhe e Uashingtonit edhe Moskës, si garantues të marreveshjes eventuale, të cilën shpresoj se do të ketë kush të nënshkruaj.

Kjo dhe për faktin se si për shqiptarët ashtu dhe për serbët, e edhe për bashkësinë ndërkombëtare, momentalisht më e rëndësishme është marrëveshja mes politikanëve të këtyre dy vendeve se sa pajtimi mes dy popujve.

Deri në finalen e madhe kemi edhe shumë kohë. Së paku dhe një tjetër kampionat botëror në futboll.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Marku, Gjysmëfinalja e dialogut

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT