– E rëndësishme në këtë fazë, është prononcimi i sa më shumë prindërve që janë të interesuar t’i regjistrojnë fëmijët në këtë program.Eshtë pikërisht komuniteti shqiptar ai që do t’i japë shtytjen përfundimtare këtij projekti./
– Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e këtyre fëmijëve në mësime por në të njëjtën kohë i pajis ata me kulturë të gjerë, i bën akoma më observues dhe më të thellë në mendimin analitik.
– Do t’u sugjeroja mësuesve që janë të licensuar të punojnë në Departamentin e Arsimit në NY të punojnë për të zotëruar certifikatën shtesë që kërkohet për mësimdhënie në programe dy-gjuhësore (programi bilingual kërkon 15 kredite shtesë)./
Nga Drita Gjongecaj/ Zv.Drejtore shkolle në Bronx, NY/ Në historinë e cdo kombi gjuha ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar.Edhe për ne shqiptarët, ruajtja e gjuhës amtare ka qenë dhe mbetet dëshirë dhe nevojë e pamohueshme, qysh nga Rilindasit dhe deri në ditët e sotme.Por sot kërkesat sociale dhe ekonomike e sjellin këtë nevojë në nivele të tjera. Tani njohja dhe përdorimi i gjuhës duhet të jetë në nivele akademike në të katër komponentet e saj (të shkruarit, të lexuarit, të folurit dhe të të dëgjuarit) dhe është me rëndësi që komuniteti ynë ta kuptojë se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në të tilla nivele cilësore i hap individëve më shumë dyer për prosperitet. Në këto kushte, është pikërisht projekti integrues dy-gjuhësor (Dual Language) që mund të bëjë një hap cilësor në përpjekjet për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe këtu në diasporën e largët.
Çfarë është programi dy-gjuhësor/ Dual Language?
Programi integrues ose paralel dy-gjuhësor është një program i plotë shkollor sipas standardeve të arsimimit të shtetit të Nju Jork-ut ku fëmijët studiojnë edhe në shqip, edhe anglisht. Me fjalë të tjera mësimi zhvillohet pesë ditët e javës në shkollë të rregullt publike dhe varet drejtpërdrejt nga Bordi i Arsimit të NY (Department of Education).Nxënësit studiojnë një ditë në anglisht dhe ditën tjetër në shqip ose në mënyrë të ngjashme me këtë, mësimi mund të zhvillohet gjysmën e ditës në njërën gjuhë dhe gjysmën në tjetrën.Në këto lloj programesh, të gjitha lëndët mësimore zvillohen në të dyja gjuhët. Kjo pasqyrohet edhe në dëftesën shkollore të fëmijës dhe brenda pak viteve ata janë në gjendje t’i shkruajnë, lexojnë dhe kuptojnë në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët dhe kulturën e të dy vendeve.
E vecanta e këtij programi është se u krijon njëkohësisht mundësinë për të përvetësuar të dy gjuhët si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten parësore, po ashtu edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht. Prandaj ky program është emërtuar Two-Way ose Dual/Dy-gjuhësor. Me fjalë të tjera, ky model mundëson që fëmijët e ardhur ta ruajnë gjuhën amtare ndërkohë që mësojnë anglisht dhe njëkohësisht, u mundëson atyre qëaktualisht e njohin anglishten të bëhen bilingual. Që tëdy grupet formojnë një klasë të vetme dhe shërbejnë si model gjuhësor për njeri-tjetrin gjatëmësimdhënies dhe mësimnxënies si dhe nëpërmjët bashkëbisedimit në të dyja gjuhët.
Mësimi integrues ose paralel në dy gjuhë është i bazuar në studime shkencore dhe në eksperiencën e shumë e shumë programeve që janë të përhapura sidomos në Los Angeles, Texas, apo New Mexico ku numri i emigrantëve është vërtet i konsiderueshëm. Në bazë të statistikave të ndryshme, fëmijët që studiojnë në programe integruese dy gjuhëshe arrijnë rezultate më të larta në mësime si edhe në provimet e shtetit të cilat në Nju Jork përfshijnë nxënësit që nga klasa e tretë fillore. Duke qenë se diversiteti etnik dhe kulturor edhe në NY ka përmasa të mëdha, shkollat publike përherë e më shumë po hapin dyert për programe dy-gjuhësore ku lëndët bazë mësohen jo vetëm në anglisht por edhe në një gjuhë të dytë. Programe të tilla ekzistojnë në NY në gjuhën hebraishte, kineze, japoneze, në gjuhën e Bangladeshit, në spanjisht dhe frengjisht, por asnjë deri më sot në shqip.
Përpjekjet për krijimin e një programi të tillë në shqip kanë filluar prej më se një viti.Personalisht kam hartuar një propozim që është paraqitur në Bordin e Arsimit të Nju Jorkut.Bisedime janë zhvilluar me drejtues të Bordit të Arsimit dhe Zyrës së fëmijëve të cilët anglishten e kanë gjuhë të dytë(Office of English Language Learners) lidhur me anën teknike dhe disa nevoja që duhen plotësuar para se ky projekt të marrë jetë. Në këtëproces, është shumë i rëndësishëm fakti që zoti Mark Gjonaj e ka pritur shumë mirë dhe me entuziazëm këtë propozim dhe vazhdon jo vetëm ta mbështesë, por edhe inkurajojë komunitetin në këtë drejtim.
Në mënyrë që kyprojekt të bëhet realitet, mbetet akoma punëpër të bërë në hartimin e kurrikulumit shqip dhe njësimit me atë anglisht sipas standardeve të shtetit të New Yorkut. Po ashtu nevojiten mësues të licensuar për ushtrimin e profesionit të mësuesit në NY, tekste dhe materiale të tjera në shqip, etj. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja në këtë fazë, është prononcimi i sa më shumë prindërve që janë të interesuar t’i regjistrojnë fëmijët në këtë program.Eshtë pikërisht komuniteti shqiptar ai që do t’i japë shtytjen përfundimtare këtij projekti.
Duhet thënë se në disa raste prindërit kanë merak se mësimi në gjuhën shqipe do të bëhet pengesë për përvetësimin e lëndëve në anglisht ose ndoshta që studimi paralelisht në dy gjuhë mund të jetë mbingarkesë mendore për fëmijët. Unë dua t’u them atyre se përkundrazi, të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e këtyre fëmijëve në mësime por në të njëjtën kohë i pajis ata me kulturë të gjerë, i bën akoma më observues dhe më të thellë në mendimin analitik.
Sot njohja e më shumë se një gjuhe është bërë një nevojë e pashmangshme.Bazuar në studimet shkencore dhe në analizën psiko-linguistike, rruga më efektive për të përvetësuar një gjuhë të re, është të fillohet qysh në moshat e vogla. Për rrjedhojë, me qëllim që nxënësit të aftësohen të flasin, kuptojnë, lexojnë dhe shkruajnë të dyja gjuhët njëkohësisht, rekomandohet që ata të fillojnë mësimin jo më vonë se në Kindergarten ose klasën e parë. Po kështu nevojitet që këta nxënës të qëndrojnë në program të paktën 5 vjet deri sa të përfundojnë shkollën fillore. E provuar shkencërisht, periudha me e ndjeshme e pjekurise biologjike të trurit në lidhje me gjuhën lidhet me këtë moshë.Më vonë, një pjesë e madhe e qelizave nervore që lidhen me zhvillimin gjuhësor, së bashku me aftësitë përvetësuese zvogëlohen apo edhe humbasin.Kjo është arsyeja që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë gjuhë të huaja shumë më lehtë dhe më shpejt sesa të rriturit.Po ashtu, aftësia e të folurit është më e favorizuar pikërisht në këtë moshë.Rezultatet janë të dukshme sidomos në shqiptimin e fjalëve dhe aksentin që të rriturit në më të shumtën e rasteve nuk e evitojnë dot.
Eshtë shumë favorizuese që politikat arsimore të Nju Jorkut e inkurajojnë integrimin në jetën, gjuhën dhe kulturën amerikane paralel me ruajtjen e identitetit etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të emigrantëve. Ky është një shans për brezin e ri në mërgim për t’u zhvilluar si pjesëtarë të të dy kulturave dhe të dy gjuhëve njëkohësisht. Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm përbën identitetin tonë etnik e historik, por edhe shërben si investim për kombin.
Nëse në të shkuarën, shumë nëna shqiptare nuk kanë pranuar të flasin një fjalë anglisht me qëllim që ta ruajnë shqipen dhe t’i “detyrojnë” fëmijët e tyre të komunikojnë vetëm shqip me ta, sot ekziston mundësia që kjo dëshirë e trashëguar brez pas brezi të bëhet realitet pa asnjë kusht, pa dhënë asgjë në këmbim dhe mbi të gjitha, mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara si të suksesshme.
Megjithatë, të hartosh dhe të vësh në zbatim një program të tillë, është një proces i tërë dhe kërkon shumë punë. Do të doja që kolegët e mi arsimtarë kudo në NY të ndihmojnë në sensibilizimin e prindërve në lidhje me rëndësinë dhe përfitimet që mbart në vetvete mësimi paralel dhe integrimi i dy gjuhëve në aspektin personal dhe atë kombëtar. Në të njëjtën kohë do t’u sugjeroja mësuesve që janë të licensuar të punojnë në Departamentin e Arsimit në NY të punojnë për të zotëruar gjithashtu certifikatën shtesë që kërkohet për mësimdhënie në programe dy-gjuhësore (programi bilingual kërkon 15 kredite shtesë).
Programe të tilla lehtësuese ofrohen nga disa kolegje dhe universitete në qytetin e NY.Për më shumë informacion, na ndiqni ose kontaktoni në faqen e facebook,Dual Language Immersion/Programi Paralel Dy-Gjuhësor: English/Albanian…
Për t’u kualifikuar si mësimdhënës në Dual Language, një individ duhet të plotësojë këto kërkesa:
-Dokumentacion i plotë legal për të punuar në SHBA (Proper documentation to work in the US)
-Liçensë për mësimdhënie lëshuar nga shteti i NY (NYS Teaching Certificate)…
-Çertifikatë shtesë në fushën e dy-gjuhësisë (Bilingual Extension Teaching Certification)
– Njohje e mirë e anglishtes dhe gjuhës shqipe
Të vazhdojmë ta ruajmë me krenari dhe ta trashëgojmë gjuhën e bukur shqipe, gjuhë unike që paraqitet degë më vete në pemën e gjuhëve indoevropiane dhe që për shekuj me rradhë i ka rezistuar kohërave.Të mos harrojmë se përvecse për atdhetarizëm, brezat e sotëm duhet ta ruajnë gjuhën shqipe edhe për interesa personale, ekonomike dhe kulturore.Dygjuhësia përbën një përparësi edhe në tregun e punës në ekonominë e sotme globale.
Programi paralel/gjithëpërfshirës dy-gjuhësor u siguron shqiptarëve për herë të parë shkollën e tyre institucionale nën drejtimin e Bordit të Arsimit.