• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRUROHET VEPRA E PROF.MATEO MANDALA, RRETH LIBRIT TË DYTË TË SHQIPES SË SHKRUAR

October 26, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

Së bashku me z.Sadulla Zendelin-Daja, studiues dhe zv.kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI –Albani”-Suedi, morëm pjesë në përurimin e veprës së  arbëreshit, prof.dr. Matteo Mandela, “Lekë Matranga: njeriu, koha, vepra” (Rreth botimit kritik të varianteve- dorëshkrim e të shtypur- të veprës, “E mbësuame e krishterë-1502”).Tubimi u organizua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave dhe merrnin pjesë: akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, poetë e shkrimtarë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të tjerë. Gjithashtu, ishin kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti-Akademik dhe drejtori  i Muzeut Historik Kombëtar, prof.dr. Luan Malltezi. Në fjalën e hapjes, prof.dr. Valter Memisha, nga Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, theksoi se kjo vepër i kushtohet librit të dytë të historisë së shqipes së shkruar. Ai u botua vetëm 40 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, hartuar nga një autor i Horës së shquar Arbëreshe. Me atë janë marrë studiues të ndryshëm shqiptarë, si Kolë Ashta, Selman Riza, Dhimitër Shuteriqi e të tjerë.  Ndërsa punimi i prof. Mandelasë është më i plotë e më përfshirës, duke u ndriçuar shumica e çështjeve, që kanë mbetur të hapura ose të pazgjidhura, nga studiuesit paraardhës. Me këtë rast, folësi shprehu edhe nderimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë arbëresh, prof. Francesko Altimari.  Ndërsa dr. Gëzim Gurga, i cili diskutoi në këtë tubim përurues,   ka bërë mjaft shqipërime të kësaj vepre.Me interes u ndoqën edhe diskutimet rreth kësaj vepre të prof. Mandelasë, paraqitur nga akademikët  Et’hem Lika e Floresha Dado, prof. Shaban Sinani, prof.Anila Omari e prof. Evalda Paci. Një studim rreth kësaj vepre kishte dërguar edhe prof.dr. Bardhyl Demiraj. Ata nënvizuan se vepra e Matrangës paraqet një realitet gjuhësor të kohës dhe  libri i Mandelasë, për të cilin punoi me ngulm 20 vjet,  është një model i studimeve albanologjike. Në mbyllje të diskutimeve, autori prof. Mandela i falënderoi folësit e pjesëmarrësit dhe shprehu mendimin se lipset një rilindje në studimet e autorëve të vjetër të shqipes.Në hyrjen e librit të tij, venë në qarkullim nga SHB “Ombra GVG”-Tiranë,  ai ka shkruar se interesi për studimin e veprës së Matrangës i kishte lindur qëkur ishte student, në vitet 1980-1984, pra gjatë kërkimeve të zhvilluara prej tij në Arkivin historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales. Për herë të parë, libri u botua në Itali, në vitin 2004. Autori bëri krahasimin e të dhënave të mbledhura prej dy burimeve: arkivore dhe tekstore. Atij iu desh të kapërcente edhe studimin e botimit të shtypur, që rëndohej më shumë nga e vetmja ksombël, që njihej deri atëherë dhe që ruhej në Bibliotekën e Vatikanit. Po kështu, ai u përball edhe me vështiraësi të tjera, të cilat i kaloi me vullnet e këmbëngulje. Në këtë punë mjaft të frytshme, ai pati bashkëpunim e shkëmbim mendimesh me disa studiues të njohur arbëreshë, të cilëve iu drejtua me mirënjohje.

***

Matteo Mandala është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i studimeve albanologjike, në Universitetin e Palermos-Itali. Janë të njohura disa vepra dhe studime të tij, një pjesë e të cilave ndodhen edhe në Bibliotekën Kombëtare-Tiranë. Përveç  veprës, që përmendëm më lart, shënojmë këtu se ai është autor i disa librave dhe studimeve të rëndësishme për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe, në veçanti dhe atë shqiptare, në tërësi.

Me studimete e tij filologjike, ka arritur të zgjidhë çështjen e Kodikut të Kieutit, të botimit shkencor të veprës së Xhuzepe Skiroit e  të veprës së Gavril Darës, si dhe të shumë autorëve të tjerë arbëreshë. Disa muaj më parë, ai përuroi në Tiranë veprën tjetër të tij, “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti Italian i Kulturës, Tiranë dhe shtëpia botuese “Naimi”.

 

Tiranë, 26 tetor 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mateo Mandala, Murat Grcaj, ne Tirane, Promovohet

KRIS HILL,DIPLOMATI QË HAPI AMBASADËN E PARË AMERIKANE NË TIRANË

October 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Një Tetori, 1991 është data e hapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ndonëse marrëdhënjet diplomatike midis Shteteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën disa muaj më parë më 15 Mars, 1991 gjatë një ceremonie në Uashington.   Ambasadën e hapi i Ngarkuari i Përkohëshëm me Punë, Kris Hill, i cili u pasua nga ambasadori i pare fuqiplotë i Amerikës në Tiranë,  Uilliam Rajërson, pas një ndërprerjeje prej 51-vitesh të marrëdhënjeve zyrtare midis dy vendeve.

Kris Hill, i cili tani është dekan i Institutitt Xhosef Korbel për marrëdhënje ndërkombëtare në universitetin Denver të shtetit Kolorado ka qenë në krye të shumë nismave diplomatike amerikane për pothuaj 30-vjetë.   Ka shërbyer në disa nga vendet më të vështira në botë dhe gjatë karjerës së tij, ai është marrë me disa prej problemeve dhe sfidave më të mëdha të politikës së jashtëme amerikane, përfshirë Irakun, Korenë e Veriut, dhe Kosovën.  Emërimi i tij për ambassador të Shteteve të Bashkuara në Irak më 2009 qe kundërshtuar nga disa senatorë të cilët thane në atë kohë se ai nuk kishte përvojë në Lindjen e Mesme, por shumica ishin të bindur se ai kishte përvojën e nevojshme dhe më në fund u aprovua emërimi i tij nga Senati.  Më kujtohet në atë kohë, një mbrojtës i tij qe cituar në njërën prej gazetave të Uashingtonit të ketë thenë se përvoja e Ambasadorit Hill në Ballkan e kishte përgatitur atë për çdo sfidë diplomatike kudo në botë, përfshirë Irakun.

Gjatë karjerës së tij diplomatike 30-vjeçare, Ambasadori Kris Hill ka marrë pjesë në shumë përpjekje dhe në negociata për arritjen e disa marrvehsjeve dhe traktateve për paqë, si përfaqsues i Shteteve të Bashkuara.  Në një intervistë me revistën Bowdoin para disa vitesh, Z. Hill nënvijoi filozofinë e tij për negociata me kundërshtarët, duke thënë se, “që të zhvillosh bisedime ose negociata me një shtet, nuk do të thotë se medoemos  duhet të jemi dakort me politikën e atij vendi.”   Por sipas tij, bisedimet  me një palë kundërshtare janë një mjet për të arritur diçka”, dhe sit ë tilla duhet tu jepet mundësia të dalin me sukses.   Ai njihej si një diplomat me reputacion, por sipas një artikulli në gazetën Uashington Post të vitit 2009, thuhet se ai ndonjëherë i tejkalonte udhëzimet e marra nga Uashingtoni për negociata dhe nganjëherë shkelte edhe rregullat për të realizuar objektivin e misjonit të tij.  Por ish-Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e pat mbrojtur në atë kohë ambasadorin Hill dhe punën e tij diplomatike, duke thënë se, “Nga pikëpamja ime, Ambasadori Hill ka bërë limonadë duke shtrydhur disa limona shumë të këqij”.  Kris Hill ishte shumë i afërt dhe punoi ngushtë me ish-ambasadorin dhe negociatorin e njohur amerikan Riçard Holbruk, sidomos gjatë krizës në Kosovë. Holbruk, në librin e tij e ka cilësuar Ambasadorin Kris Hill si, “mendjemprehtë, i pafrikë dhe argumentues.”

Por, para se të njihej dhe të bëhej i famshëm në arenën ndërkombëtare, Ambasadori Hill kishte shërbyer në Ballkan ku  22 vjetë më pare hapi zyrtarisht ambasadën amerikane në Tiranë, më 1 Tetor, 1991 duke fituar përvojën e tij diplomatike në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përvojë këjo që më vonë ai do e përdorte në rajone të tjera të botës, përfshirë Irakun dhe si kryenegociator i Amerikës në bisedimet për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut.

Ambasadori Kris Hill në të vërtetë, ishte njëri prej atyre diplomatëve amerikanë i cili vuri gur themelin e marrëdhënjeve amerikano-shqiptare dhe më vonë luajti një rol kyç përpara dhe gjatë luftës në Kosovë, ku ai shërbeu si përfaqsues i posaçëm i Shteteteve të Bashkuara për Kosovën gjatë viteve 1998-1990, dhe si bashkpuntor i ngushtë i ish-Ambasadorit Riçard Holbruk.   Gjatë kohës që e kam njohur, Kris Hill ishte serioz dhe i përkushtuar në punën e tij.  Por, ai e shihte  me optimizëm    të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës.   Më kujtohet qendrimi i tij — megjithëse në rrethana shumë të vështira pune kishte hapur ambasadën në Tiranë – kur e vizitova në zyën e tij, në një barake të përkohëshme dërrasash në truallin e ambasadës amerikane.   Pyetjes time se si po kalonte dhe si i dukeshin punët, ai mu përgjigj: (“Look, it’s going to be hard. But this country has a lot of potential. Albania is going to make it. And we will build an embassy that is worthy of this country”).    Shiko, do të jetë vështirë. Por ky vend ka një potencial të madh.  Shqipëria do t’ia dalë.  Dhe ne do të ndërtojmë një ambasadë që është e denjë e këtij vendi”, më tha ai.

Si përfaqsues amerikan gjatë krizës në Kosovë, ambasadori Hill u dallua për punën e tij të palodhur dhe diplomacinë ecejake, Shkup, Prishtinë-Beograd dhe për rolin e tij në bisedimet e Rambujesë.  Për këtë ai u dekorua me çmimin prestigjioz të Departmentit Amerikan të Shtetit për Negociata Paqësore, “Robert S. Frasure”.   Dy vjetë më parë, Ambasadori Hill u këthye në Ballkan — dhjetë vjetë pasi ishte larguar së andejmi – me një vizitë në Kosovë, i ftuar nga Fondi Amerikan për Arsim i Kosovës. Me atë rast  ambasadori Kris Hill mbajti një fjalim ku shfaqi optimizmin e tij edhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës.  Ai tha se Kosova kishte bërë përparim të mrekullueshëm gjatë dekadës së kaluar, duke shtuar se, “Kosova duhet të jetë e durueshme, por të vazhdojë të shpresojë se ka një të ardhëme të shkëlqyer, bazuar në një sistem të mbarë arsimi, dhe të shkojë përpara me vëndosmëri dhe politika të drejta.”

Ambasadori Kris Hill, në këtë përvjetor të hapjes zyrtarisht të ambasadës amerikane në Tiranë në tetor 1991,  dhe shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri, por edhe rolit që ai luajti për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duket si diplomati i “harruar” nga koha, por në të vërtetë, Kris Hill ishte personi që së bashku me ambasadorin e parë amerikan, Uilliam Rajërson filluan nga asgjëja veprimtarinë diplomatike amerikane në kryeqytetin shqiptar, si dhe fillimin e rivendosjes së marrëdhënjeve të ngushta  midis Uashingtonit dhe Tiranës, nën rrethana shumë të vështira pune në Shqipërinë e vitit 1991.  Kontributi dhe influenca e ambasadorit Kris Hill në marrëdhënjet diplomatike shqiptaro-amerikane si dhe në zhvillimet, që më në fund çuan në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e që sot janë ndër marrëdhënjet më të ngushta shtet me shtet në botë, janë të konsiderueshme dhe meritojnë vlerësimin e duhur.

Filed Under: Featured Tagged With: hapi ambasaden amerikane, Kris Hill, ne Tirane

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me Kryetar të ri

July 17, 2013 by dgreca

Kryesia Ukrainase e OSBE-së ka njoftuar te merkuren se Ambasadori Florian Raunig nga Austria është emëruar Kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, dhe zyrtarisht do të marrë detyrën në 1 Tetor 2013.Ambasadori Raunig ka lindur në vitin 1967 në Bazel të Zvicrës. Ai është një diplomat karriere dhe ka shërbyer më parë si Ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ambasadori Raunig ka studiuar për shkenca politike, filozofi dhe drejtësi dhe është diplomuar pranë Universitetit të Vjenës. Flet rrjedhshëm gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht dhe italisht. Është i martuar dhe ka dy vajza.

Raunig do të zëvendësojë në këtë post, ambasadorin e OSBE-së në detyrë, Eugen Wollfarth. Deri në Tetor 2013 kreun e OSBE-së në vendin tonë e mban Zëvendës Kryetari Robert Wilton(Kortezi TV Ora News)

Filed Under: Kronike Tagged With: Florian Raunig, Kryetari i ri, ne Tirane, nga Austria

PROMOVOHET NE TIRANE “NUSE NË DERËN E HASMIT” I PANDELI SIMSISË

May 21, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/ Të  martën paradite, në sallën “Tefta Tashko”, të Ministrisë së  Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u organizua përurimi i romanit “Nuse në derën e hasmit”, me autor Pierre-Pandeli Simsia, banues familjarisht në Nju Jork. Kishin ardhur familjarë, kolegë e miq të autorit, shkrimtarë, poetë e publicistë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Tubimin e rastit e hapi Irena Toçi, drejtoreshë e SHB “Toena”, e cila foli shkurt për këtë botim të ri të autorit P.Simsia, në vazhdim të botimeve të mëparshme. Më konkretisht për këtë roman, foli redaktori i tij, shkrimtari Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”. Ai e përshkroi shkurtimisht subjektin, i cili rrëfen për një plagë të rëndë shoqërisë shqiptare, siç është gjakmarrja. Në vazhdimësi, rreth vlerave letrare të kësaj vepre, sidomos për gjuhën e pasur letrare,  u ndal shkrimtari tjetër, Gaqo Bushaka. Po kështu, e përshëndetën autorin për librin e tij, shkrimtari Fatos Kongoli dhe publicisti gjerman, Fritz Shulc.

Nga një shënim, në Internet, për përmbajtjen e këtij romani, lexojmë edhe këto radhë: “Në këtë libër do të gjeni grimca të jetës suaj: realitet, dashuri, sakrificë, dhimbje, por mbi të gjitha shpresë dhe njerëz, që dinë të falin. Ngjarjet janë të vendosura në dy realitete: Shqipëri dhe Amerikë, ku personazhet kryesore janë dy të rinj shqiptarë, që jetojnë në Amerikë dhe rastësisht takohen në vagonët e një treni dhe, falë bisedave të tyre, lindi një shkëndijë dashurie. Por romani nuk mbaron këtu. Personazhe dhe rrethana të tjera, shtjellimi i dukurisë së gjakmarrjes, i trajtuar me mjaft mjeshtëri nga autori, do ta mbajë pezull vëmendjen e lexuesit”.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur dhe mbresëlënëse, si folësit e pjesëmarrësit, i falënderoi autori i romanit Panadeli Simsia, për të cilin një diskutant  tha se ky “erdhi dhëndërr në shtëpinë e tij”. Pastaj, të pranishmit bënë fotografi së bashku me atë dhe morën pjesë në një koktej të rastit.

2

Isha “njohur” me këtë autor të talentuar librash përmes Internetit. Ndërsa ai, me tipin e tij të njeriut dashamir, të respektueshëm dhe të afrueshëm me të tjerët, në verën e vitit të kaluar, më telefonoi nga Durrësi e më tregoi se kishte ardhur atje me familjen, nga Nju Jorku. Pa e zgjatur, ai u nis menjëherë me bashkëshorten dhe arritën në kryeqytet. Ishte një takim befasues e i mirëpritur për të dyja palët. Tashmë, ne u njohëm nga afër, ku në shoqëri me ne ishte edhe publicisti i njohur e autor i disa librave, Albert Zholi. Sigurisht, me atë rast, bëmë disa fotografi të përbashkëta, që i kemi kujtim, nga ai takim. Shënoj këtu se, kështu, u njoha më mirë dhe me jetën e krijimtarinë letrare të shqiptar-amerikanit Pierre-Pandeli Simsia. Sigurisht, përurimi i romanit, për të cilin folëm më lart, ku isha i pranishëm sot, e forcoi edhe më shumë lidhjen tonë, formuar ndërmjet krijuesish.Pandeliu ka lindur në qytetin e Beratit, më 21 qershor 1960, nga një familje farmacistësh. Gjatë shkollimit të tij në vendlindje, i lindi dashuria për muzikën dhe më fort pasioni për letërsinë. Edhe pas diplomimit për ekonomi-financë, nuk u shkëput asnjëherë nga krijimtaria letrare e publicistike.  Pas vitit 1990, emigroi familjarisht në Greqi dhe që nga viti 1997 jetojnë në Nju Jork, fitues të llotarisë amerikane. Atje nisi bashkëpunimin me gazetën shqip-anglisht  “Illyria”, por dhe me shtypin në Shqipëri, si: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Sot”, “Tema,”Dita” e “Tirana Observer”. Gjithashtu, bashkëpunon rregullisht me faqe të ndryshme Interneti.Një pasion i veçantë i  P.Simsisë është krijmtaria letrare. Pas botimit të tij të parë, pra vëllimit me tregime “Le të jem unë, Zamira…” (Tiranë, 2005),  një vit më vonë doli para lexuesve me romanin interesant, “Një dashuri e vrarë”(Tiranë, 2006). Janë shkruar artikuj e janë dhënë mendime vlerësuese për të edhe nga lexues të ndryshëm, ndër të cilët janë shprehur, me shkrim: Afërdita Lika, studentët Arian Delia e Neritan Miftari, Gueset-Dragoti, Tatjana Strumi etj. Përmbajtja kryesore e tij është krimi tepër i shëmtuar i trafikimit të femrave shqiptare, një plagë e re dhe e hapur kjo, për shoqërinë tonë. Më tej, botoi librin me tregime “Kafeja”(Tiranë, 2010) dhe “Faleminderit!”(publicistikë). Me mjaft inters është monografia “Dr.Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në Amerikë” (Tiranë, 2012), libër i cili u përurua dhe u vlerësua shumë, gjatë përurimit të tij, në korrikun e vitit të kaluar, në qytetin e Vlorës. Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko” etj. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.

…Përurimi i romanit të ri, të kolegut e mikut e, tashmë, shkrimtarit të afirmuar, Pierre-Pandeli Simsia dhe venja e tij në duart e lexuesve shqiptarë, është një arritje e re për të, por dhe prurje tjetër me vlerë, në fushën e letërsisë sonë. Me këtë rast, e përshëndesim dhe e urojmë nga zemra atë: për shëndet të mirë, krijimtari sa më të frytshme, begati dhe lumturi familjare!

Tiranë, 21 maj 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i Pandeli Simsise, Murat Gecaj, ne Tirane, Promovohet libri

MITING I MADH I PD NE TIRANE

May 14, 2013 by dgreca

Mbi 120 mijë qytetarë morën pjesë në mbrëmjen e se Henes, 13 maj, në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike në sheshin “Nënë Tereza”.
Koncerti madhështor nisi rreth orës 19:30 ku flamujtë kuqezi dhe blu të Partisë Demokratike, NATO-s dhe BE-së, valëviteshin në duart e mijëra njerëzve.
Pjesë e kësaj feste madhështore ishin Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Eduard Selami, ministrat e kabinetit qeveritar, të gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, si dhe qindra e mijëra simpatizantë të Partisë Demokratike.
Mitingun e hapi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me një fjalim entuziazmues, i cili elekrizoi sheshin “Nënë Tereza”.

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve të Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 23 qershorit

Kryeministri Berisha, duke folur në një tubim elektoral në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratë për qarkun e Tiranës, tha se katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë, vitet e realizimit të një projekti të ri për punësimin, e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe hapjes së negociatave, ndërsa garantoi se çdo deputet demokrat nuk do të jetë deputet i partisë, por i qytetarit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Tiranë.
“Qytetare e qytetarë të Tiranës,
qytetare e qytetarë të mbarë Shqipërisë,
përshëndetje më njerëzore, më të ngrohta, nga sheshi “Nënë Tereza”. Një nderim të madh për ju, vajza e djem, gra e burra të Tiranës, që jeni sot në këtë shesh, për të çelur sëbashku fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit në Tiranën blu, në Tiranën e vlerave, në Tiranën zemrën e kombit, trurin e tij.
Zonja e zotërinj,
kam nder të madh sot, të paraqes para jush ekipin e parlamentarëve të ardhshëm të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë, të djathtës, koalicionit më të gjerë në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këto gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre është deputet i qytetarëve të Tiranës, të qytetarëve të Shqipërisë. Për ne, në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë, i pari është dhe do të jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë për çdo qytetar shqiptar, zgjedhje e madhe për vitet që vijnë. Më 23 qershor, qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës janë të ftuar të vendosin për alternativën, për modelin e vokacionit të tyre perëndimor.
Shqiptare e shqiptarë,
gjithçka kemi realizuar të madhe në jetën tonë, gjithçka që kemi realizuar të madhe për veten tonë, për fëmijët tanë, familjet tona, kombin tonë, kanë qenë njëlloj, rezultat i përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarë, vokacionit të tyre perëndimor si filli shpirtëror i ekzistencës së tyre kombëtarë. Ne sot jemi të lirë të ndërtojmë një sistem demokratik, se për ne, nga gjenerata në gjeneratë, ky vokacion u mbrujt e u mbrojt në mënyrën më të fuqishme, me sakrificat më sublime. Kosova sot është e lirë, sepse çështja e shqiptarëve u bë çështje e perëndimit, sepse vokacioni ynë perëndimor triumfoi dhe ngadhnjeu.
Këta burra e gra që keni sot para, forcat politike të koalicionit “Të punësimit, mirëqenies dhe integrimit”, në asnjë ditë, asnjë orë, asnjë vit e nuk i lejuan kurrë vetes të ngrihen, të shkelmojnë e kundërshtojnë këtë vokacion. Në të gjithë morinë e kundërshtive, debateve, ata kanë qenë e mbeten demokrate të pamposhtura të këtij vokacioni.
Shqiptare e shqiptarë,
qytetarë të Tiranë e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është zgjedhje e madhe. Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka për ta vendosur kombin jashtë hapësirës perëndimore. Në 20 vite, ajo alternativë bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bëri gjithçka për t’ju lënë juve pa viza, për të mos lëvizur të lirë në Europë. Ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të vendit kandidat. Sot, ajo alternativë, me cinizmin më ekstrem e quam veten Aleanca e Shqipërisë Europiane. E vërtetë kjo, sa ç’është i vërtetë zotimi i 1 prillit! Por ne të votojmë sëbashku për veten tonë, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, për Shqipërinë në Europë, për Shqipërinë e integruar.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është dita e gjykimit tuaj historik, është dita e gjykimit tuaj të madh. Tek kutitë e votimit përballen dy filozofi, dy qëndrime. Përballet qëndrimi ynë, i cili ka në thelb dhe synon liritë tuaja, besim të pakufishëm tek iniciativa juaj e lirë, tek pasuria e saj. Ne besojmë se gjithçka ka arritur Shqipëria këto 20 vite, ju ka pasur juve, qytetarët e lirë shqiptarë, arkitektët e vërtetë, ka pasur liritë tuaja dhe ne qeveritarët, deputetët, zyrtarët nuk kemi bërë asgjë tjetër, por kemi menduar, kemi vendosur sesi t’i zgjerojmë ato. Është kjo iniciativë, është liria juaj që e ka ngjitur këtë vend dhe i ka dhënë atij një rritje 11 herë, që nuk krahasohet me asnjë vend tjetër. Është kjo iniciativë që besoi në një qeveri në shërbim të qytetarit, është kjo iniciativë që konsideron liritë e të drejtat e tij si të drejta tokësore e hyjnore të paprekshme.
Alternativa tjetër është alternativa që kërkon ta bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa tjetër është alternativa e besimit tek diktati shtetëror, tek diktati qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë.
Vëllezër e motra,
Në 20 vite, në çdo rrethanë, ne kemi mbrojtur para jush parimet që besojmë. Çfarë bën zoti Rama? Sa qeverisi Tiranën dy e trefishoi taksat, tani kalon nga një qytet në një tjetër si hije e Nastradinit dhe ju thotë shqiptarëve se do të heqë taksat. Alternativa tjetër është alternativa e taksave të larta, alternativa e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investitorëve të huaj, alternativa e bllokimit të zhvillimit ekonomik.
Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falenderojnë ty për rotacionin që i bëre zotit Rama, por, miqtë e mi, rotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima dhe të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
këta burra e gra janë deputetët e qytetarit dhe ju garantoj se në axhendën e tyre, në përpjekjet e tyre do të kenë para së gjithash e mbi të gjitha, punësimin tuaj, krijimin e vendeve të punës, rritjen e rrogave tuaja. Ne kemi sot një plan të shkëlqyer punësimi, i cili përsëri ju ka juve në epiqendër, gjenitë tuaja krijuese, forcën dhe energjitë tuaja. Ne kemi sot një plan të ri punësimi, i cili bazohet në shumëfishimin e investimeve në këtë vend. Katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë e shqiptarët. Sot filloi kaskada e Devollit, së shpejti TAP-i, kaskada e Vjosës dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera të mëdha. Ne do bëjmë çdo gjë që çdo shqiptar të ketë një jetë më të mirë.
Vëllezër e motra,
këto kanë qenë kohë stuhie, shtrëngate të madhe për Europën e botën, por anija jonë qëndroi, rezistoi dhe kjo jo për shkak të forcës së qeverisë, por forcës së pathyeshme të individit të lirë, të qytetarit të lirë shqiptar. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të kapë nivelet e vendit të zhvilluar. Ne garantojmë statusin, garantojmë hapjen e negociatave, do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.
Qytetare e qytetarë shqiptarë,
le të vendosim të zhvillojmë kësaj radhe, fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që ne u besojmë, fushatën që do të bindë çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga përkatësia partiake, se ne jemi ndryshimi. Përpara, Përpara, Përpara!. Fitore, Fitore, Fitore!”

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Tirane, PD hap fushaten, Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT