• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAPORTI I DASH – TEMË TABU E CENSURË NË TIRANË – SIDOMOS KUR PËRMENDET ILIR META

April 25, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

As një javë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku si zakonisht përfshihet edhe raporti për Shqipërinë, i cili ishte me nota shumë kritike.

Ky raport do të duhej të botohej në mënyrë integrale dhe të përhapej nga mediat e Tiranës, duke shërbyer si objekt i tryezave të rrumbullakta, temë për opinionistët dhe ballafaqim me politikanët e Tiranës. Por në fakt, reagimi ndaj tij ishte indiferenca dhe heshtja.

Raporti thekson midis të tjerave se «korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz; se « Institucionet shtetërore tepër të ndara në linja partiake, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtat e qytetarëve për të sifiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverinë e tyre»; se «Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët për abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme», se “Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.»

Theksi kritik në Raport do të duhej të «kënaqte» opozitën, sepse faktet e hidhura të rreshtuara aty janë argumenta të patundura që duhet të shqetësojnë jo vetëm atë, por duhet të trondisin shoqërinë civile, mediat dhe gjithë shoqërinë. Në fakt të gjitha palët heshtën ose kush botoi diçka e bëri në mënyrë të përciptë dhe spekulative, sepse fshehu faktet ose i përmendi sipas interesit partiak.

Në Tiranë u kthye në tabu dhe u censurua në të gjitha nivelet kur në Raportin e DASH flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë dhe përmendet «vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet».

Asnjë gazetë e Tiranës nuk e botoi pjesën e Raportit të Departamentit të Shtetit, kur ky Raport përmend Ilir Metën. Dhe ky fakt nuk u përmend nga asnjë opinionist, nga asnjë politikan! Nga asnjë mace dhe asnjë qen! Nga askush!

Vetëm Balkanweb e ka botuar raportin në anglisht, po e ka bërë kot, sepse vetëm gazetarët skrupulozë do të shkonin tek teksti. Dhe në Tiranë mungojnë të tillët. Pasi ata e kishin tekstin në shqip, të gatshëm dhe e shmangën edhe gazetat dhe mediat e Tiranës e shkuan deri aty sa nuk botuan dhe e censuruan edhe versionin e Zërit të Amerikës shqip, ku përmendet Ilir Meta.

Kur arrihet dhe censurohet Zëri i Amerikës, ju lutem, a e merrni me mend se në çfarë niveli është censura në Shqipëri?
Po jua them unë, censura është si në diktaturë, nëse kihet parasysh sot IT – Information technology – dhe fakti se jetojmë në mileniumin e tretë!

Tashmë dihet botërisht se politikanët e Tiranës kanë mediat nën kontroll absolut, dhe se përpiqen për të mbajtur nën kontroll edhe rrjetet sociale duke filluar nga Facebook që është më i populluari.

Tre javë përpara u përpoqa të dialogoja me Kreshnik Çollakun, që dje u emërua zëvendësministër i Jashtëm, pas një statusi të tij, ku shkruante se „tani që Ilir Meta u largua nga koalicioni, 40 % e elektoratit demokrat që i iku PD prej tij, tani me zhbërjen e aleancës, do t’i rikthehen“ (!!!) Merrni me mend se çfarë absurditetesh nxjerr nga truri një zyrtar i lartë dhe kur u përpoqa të komentoja dhe t’i thosha se shqiptarët demokratë nuk janë lopë që gënjehen me bar, ai nisi të më fyente si të ishte një stalinist i fëlliqur.

Merreni me mend, kur bëjnë shantazh nëpër rrjete sociale se çfarë kontrolli ushtrojnë në shtypin e shkruar dhe atë viziv.

Prandaj nuk e përmendi askush raportin e DASH ku përmendet Ilir Meta, sepse ky fakt në raport i diskretiton të gjitha palët. Edhe Sali Berishën, edhe liderin e PS, që sapo ka filluar muajin e mjaltit me Ilir Metën, i cili nuk bëri asnjë reagim serioz ndaj raportit të DASH, veç në Twitter më 19 prill komentoi se „Raporti i Departamentit te Shtetit një flakerime syve te pushtetit te korruptuar qe po rrenon Shqiperine! Ky pushtet eshte nje turp kombetar“. Po kur DASH përmend Ilir Metën nuk e tha asnjë fjalë!

Ky është niveli i integritetit të klasës tonë politike, i shoqërisë civile dhe mediave të shkruara e vizive! Të cilat duhet të shkunden, sepse kur censurojnë dhe e kthejnë në tabu raportin e DASH, merreni me mend se si mund të çajnë kokën për hallet dhe dertet e popullit dhe të shqiptarëve të thjeshtë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Meta, ne Tirane, Raport DASH, Teme tabu e censure

EKSPOZOHET NE TIRANE MESHARI I GJON BUZUKUT

November 12, 2012 by dgreca

Ekzemplari unikal i Meshari u mundësua falë një marrëveshjeje të qeverisë me Selinë e Shenjtë/

Meshari është ekspozuar përkrah librave, të një rëndësie të madhe gjithashtu, të Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Arbërit e Kuvendit të 1706, Varibobës, Kazazit etj.
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në mbrëmje, në ekspozimin për herë të parë, të Mesharit të Gjon Buzukut, librit më të vjetër në gjuhën shqipe, (1555), në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri. Me një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Selinë e Shenjtë, u bë e mundur që ekzemplari unikal të Meshari të Buzukut të dërgohet nga biblioteka Apostullore e Vatikanit dhe të ekspozohet për publikun shqiptar, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Meshari është ekspozuar përkrah librave, të një rëndësie të madhe gjithashtu, të Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Arbërit e Kuvendit të 1706, Varibobës, Kazazit etj. “Sot, ne, Biblioteka Kombëtare, libri shqiptar dhe bota e librit në tërësi përjetojmë një ngjarje historike. Një vizitor i pritur në shekuj, vjen sot, në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe ky është libri që themeloi gjuhën e bukur shqipe të liturgjisë. I shkruar shekuj më parë nga Gjon Buzuku, ai kthehet sot, me germa më të arta se kurrë, në gjirin e fondit të bibliotekës së kombit të tij. Ndaj një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, në alfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë. I ekspozuar këtu, së bashku me Bogdanin, Matrëngën, Juv Varibobën, të gjithë themelues e pasurues të gjuhës shqipe, Meshari dëshmon se, krahas kombeve të tjera, kombi shqiptar i frymëzuar në atë periudhe, nga rilindësit e Italisë dhe rilindësit në botë, filluan një lëvizje të fuqishme të zgjimit të ndjenjës kombëtare, nëpërmjet gjuhës” u shpreh Berisha. Kryeministri e konsideroi ekspozimin e Mesharit për herë të parë në Shqipëri, një ngjarje të madhe kombëtare dhe falenderoi Vatikanin për ruajtjen e shkëlqyer që i është bërë këtij dokumenti të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe. “Ne shqiptarët kemi një profil të veçantë të identitetit tonë. Identiteti ynë kombëtar, natyrisht si çdo identitet tjetër, bazohet në një aparat të caktuar genik, por tek ne, identiteti kombëtar ka për shtyllë kryesore, gjuhën e kombit. Sa më shumë ta studiojmë këtë gjuhë, sa më shumë të hulumtojmë për rrënjët dhe ecurinë e saj, aq më shumë do të kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit shqiptar. Kjo shtyllë e bën identitetin tonë, do të thosha një identitet të civilizuar. Një identitet, mbi të cilin shpresojmë dhe natyrshëm zhvillohet nacionalizmi, por gjithnjë një nacionalizëm, i cili synon respektin dhe bazohet në kulturën kombëtare, në vlerat e saj dhe jo në urrejtjen ndaj të tjerëve, për arsye të ndryshme” vijoi kryeministri. Ndërsa e cilësoi Mesharin një “kryevepër të gjuhës sonë liturgjike”, Kryeministri nënvizoi se identiteti kombëtar shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën shqipe dhe sa më shumë të hulumtojmë rrënjët e ecurinë e saj, aq më shumë kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit shqiptar. Kryeministri shprehu mendimin se gjuha liturgjike, si gjuha më e hershme e shkruar e kombit, e cila përbënte edhe gjuhën zyrtare të tij, të rizë vendin e saj në gjuhën shqipe. “Buzuku, Bogdani, Variboba, të gjithë këta në një mënyrë krijuan shqipen zyrtare. E vërteta është se shqipja më e bukur zyrtare në tërë historinë e kobit ka qenë gjuha shqipe e liturgjisë. Ajo kishte unifikuar të gjithë terminologjinë në të gjitha besimet fetare. Natyrisht, për arsye të caktuara nuk ishte kjo që u përzgjodh që në fillim si gjuhë zyrtare, pasi ajo mund të paraqiste vështirësitë veta, në fatin e një kombi që vetëm pak vite më parë kishte themeluar alfabetin e vet. Por gjuha liturgjike përbënte në të vërtetë gjuhën zyrtare të vendit. Gjatë regjimit të shkuar, ajo u syrgjynos dhe të gjitha ndërhyrjet që u bënë në gjuhën shqipe kanë pasur vetëm një qëllim astanik: largimin dhe shmangien me çdo kusht të gjuhës së bukur liturgjike. Nuk mund të pranohet një situatë e krijuar mbi bazën e një dogmë totalitare të zëvendësojë doktrinat e vlerave njerëzore e hyjnore. Unë kam besim të madh se studiuesit, gjuhëtarët tanë do të gjejnë të gjithë guximin, mençurinë e kurajën për të rikthyer në gjuhën shqipe, gjuhën e bukur liturgjike, gjuhën më të hershme të shkruar të kombit. Të mos harrojmë se kombe të mëdha, që kanë pasur filozofë ndër më të mëdhenjtë, shkrimtarë gjenialë, gjuhën zyrtare ia detyrojnë përkthimit të Biblës” tha ndër të tjera kryeministri.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozohet, I Gjon Buzukut, Meshari, ne Tirane, per here te pare

SEKRETARJA KLINTON NE TIRANE:URIME 100 VJETORIN! SHQIPERIA PARTNERE!

November 1, 2012 by dgreca

CLINTON: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme/

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton nisi te enjten e 1 nentorit vizitën e saj në Tiranë. Ajo mbërriti pak pas orës 10.30. Takimin e parë, zonja Clinton e pati me presidentin Bujar Nishani, i cili i akordoi asaj edhe një nga medaljet më të larta, atë të Urdhërit të Flamurit e cila i është dhënë më parë edhe ish presidentëve Bill Clinton dhe GeorgeW Bush.

Më pas sekretarja amerikane është takuar me kryeministrin Sali Berisha i cili edhe një herë i ka vënë në dukje asaj se “kjo vizitë është xhevahiri në kurorën e festimeve” që Shqipëria po organizon me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “SHBA-të janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera”, tha nga ana e saj zonja Clinton, në fillim të takimit me kryeministrin shqiptar.

Sipas departamentit të shtetit sekretarja Klinton do të theksojë në Tiranë solidaritetin me Shqipërinë si një vend anëtar i Natos, por dhe do të bëjë thirrje për një bashkëpunim më të madh politik si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit. Zonja Clinton pritet të mbajë edhe një fjalim në parlament si dhe të takohet me kryetarin e opozitës shqiptare Edi Rama.

KRYEMINISTRI BERISHA DHE SEKRETARJA KLINTON PER MEDIAT

Kryeministri Berisha: Çdo vizitë e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri është një vizitë historike, por vizita juaj është më historike, sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit e kombit tim, 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ia dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët.
Sekretarja Clinton: Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme

Filed Under: Kronike Tagged With: Hillary Clinton, Kryeministri Berisha, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT