Nga Keze Kozeta Zylo/
Klubi i Karatesë “Ulqini” do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York.Lajme të gëzuara dëgjojmë prej trojeve tona shqiptare ku këtë radhë e kemi fjalën për Klubin e Karatesë “Ulqini” i cili do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York. Ekipi i Ulqinit nga Mali I Zi njohur për rezultate të larta sportive ka disa ditë që ka ardhur në ishullin e Staten Island në New York dhe po stërvitet intensivisht për të garuar në turneun ndërkombëtar. Ftesa e ardhur nga traineri i ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin që e ka sportist në karate e pritëm me shumë kënaqësi, pasi kemi kohë që i ndjekim stërvitjet dhe rezultatet e tyre.
Z.Tahiri me rezultate të dukshme dhe tepër të kënaqshme ka ditur bukur të punojë me bashkatdhetarët matanë oqeanit, me shqiptarët e Ulqinit, dhe ja ku u konkretizua puna së bashku e tyre me legjendën e Shatokan Karate në Staten Island. Shqiptari Tahiri është mik i afërt me legjendën e Shatokan z.Hanshi Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.Ai ka fituar rripin e zi të rangut më të larte në ShBA i njohur nga Japonia. Ai është i specializuar në mësimin e fëmijëve me nevoja të vecanta dhe që iu ka humbur besimi. Kujdesi i tij i jashtëzakonshëm prej mjeshtri ka bërë që këta sportistë të jenë anëtarë aktivë të komunitetit dhe të jenë mjekë, avokatë, mësues dhe në profesione të ndryshme. Kjo është prova më e qartë për një legjendë si z.Hanshi, i cili i sjellë studentët të stërviten dhe të lëvizin për jetën.
Eshtë shumë interesante stërvitja e tyre dhe puna aq serioze që bëjnë së bashku si ekip për të fituar trofenë ndëkombëtare të karatesë. Gjatë bisedave direkte në dhomën sportive ku ata stërviteshin, karateistët dhe kryetari i Klubit të Karatesë “Ulqini” z.Gjergj Daboviq na folën fjalë miradie për legjendën e Shatokan Karate të Staten Island z.Hanshi i cili ndihmon shqiptarët që të stërviten dhe frymëzon për të vazhduar me gjenerata këtë sport të mrekullueshëm.
Z.Skënder Tahiri menaxher i klubit të karatesë “Ulqini” tha se në Ulqin u bë hapja e organizimit të turneut 15-të ndërkombëtar ku morën pjesë 49 klube nga 9 shtete të ndryshme. Klubi i Karatesë “Ulqini” është regjistruar në vitin 1985, por ka qenë qysh në lindje të shoqatës së Ulqinit për sportin e cila është themeluar në vitin 1975.
Z.Ruzhdi Rama kryetrainer i klubit “Ulqini” foli me krenari të ligjshme për stërvitjen dhe sukseset e njëspasnjëshme që ka fituar Klubi i Karatesë “Ulqini” ku theksoi se Dardan Ceka ka fituar dy herë kampion kombëtar dhe shumë rezultate në Ballkan dhe në Europë.
Ajo që do të më bënte përshtypje në këto biseda me drejtuesit e Klubit të Karatesë si z.Gjergj Djadoviq, Rama dhe Tahiri ishte se ata sollën pranë nesh dhe Dr.Bari Cekën i cili ka qenë karateist aktiv dhe ka qenë i pari që ka sjellë medaljen e arit në Ulqin. Në bisedën para kamerave me Dr.Cekën me humor i thashë se tashmë mos u jep pacienteve të tu barna të ndryshme për t’i kuruar, por hap salla sportive për pacientët e tu ku të ushtrojmë sportin e karatesë në vend të barnave të shërimit. Dr.Bari Ceka është një doktor mjaft i dashur për mijëra shqiptarë që janë nën kujdesin e tij dhe që qendrën shendetësore e ka në Staten Island, New York i cili është i specializuar për sëmundjet e zemrës dhe që punon për Staten Island University Hospital në New York.
Studentët e Ulqinit së bashku me studentët në Staten Island këto ditë u stërvitën dhe nga trainerja e skuadrës kombëtare në SHBA Ariel David. Midis djemve karateistë kishte dhe 4 vajza si Diellëza, Antigona etj të cilat i kishin sjellë Kombit dhe Ulqinit trofe të ndryshme. Ato folën me krenari dhe plot kulturë për sportin e tyre, stërvitjen me orë të tëra dhe rezultatet që kishin arritur. Ne ndihemi të barabarta me djemtë dhe në disa raste me trofetë tona jua kemi kaluar atyre. Antigona vazhdonte studimet në universitetin e Prishtinës, ndërsa Diellëza vazhdonte shkollën e mesme në Ulqin.
Në fund të stëvitjes Legjenda e Shatokan z.Hanshi Scarda u dha rripin e zit të gjithë sportistëve të Karatesë si Çmimi më i lartë. Të gjithë drejtuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini” dhe në Staten Island janë optimistë se do t’i sjellin Kombit dhe Ulqinit trofenë e fitores në turneun e 15-të botëror që do të zhvillohet në New York.
22 prill, 2016
Staten Island, New York