Shkruan:Eugen Shehu/
Veçanërisht në fillim të vitit 1923,Athina ndërmori një varg inkursionesh në trevat shqiptare të çamërisë. Në ndihmë të klerit ortodoks dhe andartëve të cilët prej kohe ushtronin në këtë trevë, terror psikologjik dhe fizik, në janar të vitit 1923, rreth 1800 ushtarë të trupave të rregullta helene, u shpërndanë në Prevezë, Janinë,Paramithi,Filat dhe Artë. Ky inkursion, ashtu siç u mësua më vonë,kishte për qëllim të afërt ndjekjen e atdhetarëve çamë, shuarjen e rrevoltës popullore shqiptare, e cila kërkonte të jetonte në barazi me popullsinë tjetër ortodokse.Ndërsa qëllimi disi më i largët i këtyre inkursioneve ushtarake, ishte të terrorizonin banorët autokton të çamërisë që këta të largoheshin për kah Anadolli i largët,madje duke u quajtur me kombësi turke.
E vërteta ashtë se,lidhur me shkëmbimin e popullsisë turke me ate greke, Athina pat menduar qysh herët.Kështu,më 14 maj 1914, atëherë kur ambasadori turk në Athinë,Galib Beu, i propozoi kryeministrit grek Veneziellos shkëmbimin e popullatës myslimane me ate ortodokse, grekët iu përgjigjën pozitivisht këtij propozimi, qysh ditën e nesërme. Interesat e Greqisë dhe Turqisë, në këtë rast ishin të ndërsjellta.Greqia duke quajtur turq shqiptarët etnikë të çamërisë, kërkonte kërkonte të zhdukte sa më parë këta nga tokat e tyre stërgjyshërore.Ndërsa Turqia,nisur nga pasuritë e patundshme të mëdha të banorëve çamë, mendonte të fuste sa më shumë flori në arkën e vet,pasi në bazë të ligjeve të nxjera enkas nga Athina, myslimanët që shkëmbeheshin nuk u jepej pasuria e tyre.Kjo pasuri, në vlerë leku,posedohej nga qeveria turke, e cila gjoja do të merrej me vendosjen dhe strehimin e këtyre myslimanëve.Por shkëmbimi në fjalë kish edhe arsye tjetër që shpejtohej nga Athina e Stambolli në kuriz të çamërve.
Dihet se pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore,Europa bëri çmos të nënshkruante me gjithë shtetet përbërës, traktatin për minoritetet, duke dashur të shuaj çdo revoltë që mund të ndizej prej padrejtësive të bëra. Shqiptarët me të firmosur atë traktat, ishin të parët që njohën të drejtat natyrore të 7-8 mijë grekërve, në jug të shtetit amë.Qeveritë shqiptare në vitet 1918-1922, ndonëse të preokupuar prej problemeve pafund që përballeshin, u kujdesën që të çelinin shkolla greke në ato 5-6 fshatra minoritare helene, duke u garantuar atyre pronat e lujtshme dhe të palujtshme, madje patën përfaqsues të këtij minoriteti deri në karrige ministrore.Parë në këtë rrafsh, Athina ishte e humbur në pretendimet e saj.Prandaj duke mos dashur të ndërkomëtarizonte problemin çam, në janar të vitit 1923, me dërgimin masiv të ushtrisë, kërkonte të thellonte tragjedinë e shqiptarëve etnikë, duke shpifur „shkëmbimin e vullnetshëm“ të popullsive me Turqinë. Për më tej,ushtria helene pati edhe një qëllim tjetër.Ajo donte të merrte në mbrojtje ardhacakët e krishterë të Anadollit të cilët u dukën në çamëri në tetor-nëntor të vitit 1922. Me termin „nën mbrojtje“ duhet kuptuar që këta ardhacakë, u shtruan këmbëkryq në shtëpitë e banorëve çamë, duke u bërë në mjaft raste zot,të bagëtive,ullishteve apo pasurive të tjera të shiptarëve në këto treva. Janë të shumta me këte rast protestat që atdhetarët çamë iu dërguan jo vetëm Athinës e Tiranës, por edhe kancelarive europiane.Të krishterët e Anadollit, duke patur mbrojtjen e andartëve grekë, nuk vonuan të bëjnë edhe ndrytësira të tjera. Kështu në letrëne patriotit Muzar Dino nga Paramithia i dërgonte Ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, pos të tjerave shkruante tekstualisht;
„Nga fundi i vjeshtës së dytë dhe fillimi i së tretës, të vitit që shkoi, Në Greqi kanë ardhur shumë të krishterë të Anadollit, prej këtyre 12 mijë zbritën në Gumenicë Margëllëç, Pramithi, Gradhiq,Varfani etj… Turma e ardhacakëve përveç dëmeve „lëndore“ që u shkaktoi të zotërve të shtëpisë ku qenë strehuar,shpesh herë u mori nëpër këmbë edhe nderin“.( A.Q.Sh-Tiranë.Fondi 251,dosja 80,fleta 5 ).
Përpjekjet e menjëhershme të atdhetarëve çamë,qofshin këto me armë në dorë apo diplomatike, bënë që qeveria shqiptare të ngrejë lart zërin në mbrojtje të bashkëkombasve të vet.Kështu që përfaqsuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, iu drejtua në janarin e vitit 1923, Kryesisë së kësaj lidhjeje si edhe kryetarit të Komisionit të minoriteteve, me anë të një proteste ku pasi argumentohej se çamët banonin në ato vise, qysh nga kohët e vjetra, zhvilloheshin padrejtësitë e Athinës ndaj këtyre shqiptarëve etnikë. Shkëmbimi i popullsive, i ndërmarë prej Turqisë dhe Greqisë, sipas qeverisë shqiptare të asaj kohe,ishte vetëm një manovër e ulët për greqizimin e trevave në jugun e Shqipërisë, protesta shprehej, pos të tjerave se ;“Përfshirja në shkëmbimin e kësaj popullsie shqiptare,duke e konsideruar atë turke,edhe pse s’kishte asnjë lidhje gjaku,gjuhe dhe zakoni me elementin turk, do të ishte një padrejtësi e madhe e hidhur dhe me pasoja“.
Argumentet e parashtruara nga përfaqsuesi i qeverisë shqiptare,Mehdi Frashëri bën përshtypje në Lidhjen e Kombeve.Nga ana tjetër Mehdi Frashëri shfrytëzoi sidomos qëndrimin Italian pro shqiptar si dhe miqësitë me zyrtarët e lartë turq, duke mundur të krijojë në Lozanë, në janar të vitit 1923, një klimë sa ma të favorshme për çështjen shqiptare.Ai nuk mungoi të paraqesë atje një varg dokumentash autentike që kishin të bënin jo vetëm me historinë e çamërisë, por sidomos me terrorin në të cilin jeton praktikisht, shqiptarët etnik të asaj treve.E detyruar përballë këtij presioni ndërkombëtar,Athina preferoj tërheqjen dinake, në vend të sulmeve të verbëta.Në këtë mënyrë,Venizellosi,njoftonte me telegram Lidhjen e Kombeve se myslimanët në Greqi,pasardhës të racës shqiptare nuk do të përfshihen në shkëmbim.ndërsa përfaqsuesi grekë në Tiranë, i deklaronte qeverisë shqiptare se ;“Qeveria greke do t’i përmbahej me rigorizitet deklaratës solemne që kish bërë në Lozanë,në Lidhjen e Kombeve,për mospërfilljen e popullsisë shqiptare të çamërisë në Këmbim“. ( Dokumente për çamërinë – Tiranë 2000 , dokument 53 , faqe 96 ).
Aty ku mbaronte fjalën e vetë diplomacia, fillonte padyshim dinakëria greke.Në pranverën e vitit 1923, me anën e një qarkore gjysëm legale,Athina urdhëronte banorët e çamërisë që të mos punonin tokat e tyre,pasi aty do të vendoseshin ardhacakë prej Anadollit.Madje në Janinë dhe Prevezë, përhapi lajmin se tokat e banorë çamë aty, i duheshin për të sistemuar „refugjatët“ grekë që vinin nga Azia e Vogël.Për më tej, gjatë vitit 1923,ardhacakët ortodoks, zhvilluan konferencën e parë të tyre.Konferenca në fjalë, zgjodhi një përfaqësi prej katët vetësh, të cilët firmosën një memorandum drejtuar kryetarit të qeverisë greke. Është tejet e lehtë, të kuptosh cinizmin tradicional helen, kur mëson se katër nga kërkesat kryesore të këtyre ardhacakëve ishin;
1- Të shpronësohen pronarët çamë dhe tokat të na falen neve
2- Ky shpronësim të bëhet pa asnjë kompesim ndaj pronarëve çamë
3- Strehimi ynë të bëhet patjetër nëpër shtëpitë e myslimanëve çamë që duhet të largohen një orë e ma parë.
Këto kërkesa u quajtën plotësisht të drejta nga shtypi i Athinës i asaj kohe, ndërsa qeveria helene i tundte këto paçavure të mërive etnike, si „të drejta“ të popullsisë ortodokse greke për të jetuar në shtetin e tyre.Nga ana e tyre atdhetarët çamë,askurrë nuk heshtën së punuari dhe luftuari për të drejtat e tyre.Mendoj se ka qenë shans i madh për ta, vendosja nga ana e qeverisë shqiptare si Ministër fuqiplotë në Athinë, burrin e shquar Mid’hat Frashërin. Që në ditët e para të punës,biri i Frashërllinjëve mori kontakte me atdhetarët çamë dhe pasi u njoh me imtësi lidhur me terrorin helen ndaj bashkëkombasve të vet, ndërmori një fushatë të ethshme diplomatike. Mendoj të sjellë në këto rradhë disa pasazhe nga fjala e tij, në Asamblenë e Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë më 24 shtator 1923, në cilësinë e të Deleguarit të Parë të Shqipërisë, pasi bëri një rezyme të gjendjes së mjerueshme të banorëve të çamërisë, duke folur për padrejtësitë e ligjit të ri agrar të Greqisë, ai është shprehur tekstualisht ;
„Sipas ligjit të ri agrar të Greqisë, i treti i llojit të vet, çifligjet shpronësohet pa i vlersuar nga një gjykatë e lirë dhe pa u paguar çmimin e tyre pronarëve. Kur është fjala për shqiptarët,ligji përbën një masë të ashpër për këto arsye ;
1)- Është në kundërshtim me zotimet që Greqia ka marrë në 1913 në lidhje me pronat myslimanëve.Ky zotim është ripohuar në deklaratën lidhur me pasuritë myslimane në Greqi,nënshkruar në Lozanë nga zotërinjt : E.K.Venizellos, dhe D.Caclamanos, më 24 korrik 1923.
2)- Sepse vlersimi dhe mënyra e pagesës së sipërpërmendura, kur zbatohen ndaj subjekteve shqiptare, janë larg për të qenë po aq të paanshëm sa ato të parashikuara nga turqit,që janë përcaktuar të largohen nga Greqia, pronat e të cilëve,sipas Traktatit të Lozanës, duhet të vlersohen në monedhë të shëndoshë dhe nga një komision i përzier.Një trajtim i ngjashëm duhet zbatuar ndaj shqiptarëve.
3)- Sepse i krishteri, shtetas grek, që gëzon plotësisht të drejtat e tij, mund të pranonte një rentë shumë të vogël,meqë të gjitha të drejtat dhe përparësitë janë siguruar,ndërsa shumica e shqiptarëve që u janë marrë pasuritë, do të gjinden të detyruar të largogen nga Greqia dhe për pasojë pa kapitalet e tyre dhe pa asnjë mjetë jetese.
4)- Sepse që prej shtatë vjetësh shqiptarët myslimanë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të pronarëve,u është hequr e drejta të shesin dhe të japin me qira pronat e tyre,çka u ka shkaktuar atyre dëme të mëdha.
5)- Sepse pronarët myslimanë kanë pasur kufizime në të drejtën e tyre të pronësisë,të korrat e tyre qysh prej disa vitesh,kanë qenë të konfiskuara nga qeveria greke ose kanë qenë të detyruar po nga ato autoritete, të japin me qera pronat e tyre me çmime qesharake.
Për pasojë ju lutem.Zoti Sekretar i pPërgjithshëm në emër të qeverisë sime, t’ia parashtroni këtë Notë Këshillit të Lidhjes së Kombeve, me qëllim që Këshilli të shprehet për dispozitat që duhet marrë me qëllim që ;
1- Pasuritë që u përkasin shqiptarëve si racë a si shtetas, të vlersohen me vlerën e tyre faktike nga një autoritet gjyqësorë i lirë.
2- Shuma e vlersimit t’i paguhet tërësisht në të holla pronarit „
( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 251, dosja 201, fleta 205-206).
Sidoqoftë edhe pse qeveria shqiptare, në vitet 1923-1925, bënte çfar ishte e mundur për të mbrojtur bashkëkombasit e vetë, në çamëri, Athina vazhdonte me politikën e saj për shkombëtarizimin e trevave shqiptare. Në fund të vitit 1923 dhe në fillim të vitit 1924, nga këto treva u shpërngulën gati 11 mijë banorë të cilët ose kërkonin vend nëpër ishujt e largët të Greqisë ose merrnin rrugën e mundimshme drejt Azisë, si të vetmin shans për egzistencë.Për më tej, nuk ishin të pakta edhe ato familje çame, të cilat u drejtoheshin kufijve të shtetit amë,me shpresë për të mos vdekur nga uria apo thikat e andartëve grekë. Jo pa qëllim, me urdhër të qeverisë greke, u zaptuan shtëpitë e mëdha të familjeve më të pasura shqiptare në Artë,Janinë Prevezë,Paramithi, Filat e gjetiu,kinse për nevojat ushtarake të Athinës. Aty ku rezistenca shqiptare ishte më e madhe,ndërhyrte xhandarmëria helene me forcë,duke arrestuar e torturuar kryefamiljarët që ishin pleqtë mbi 70vj.
Përballë këtyre ngjarjeve fatkeqe, atdhetari i shquar Mid’hat Frashëri, i cili çdo ditë të punës së tij në Athinë, ja pat kushtuar zgjidhjes së çështjes çame pas veprimtarisë së madhe diplomatike, kujdesej edhe për jetesën e bashkëkombasve të vet dhe pranë qeverisë shqiptare të kohës. Në një letër, të tij,lidhur me vendosjen e çamërve në Shqipëri ai pos të tjerave propozon tekstualisht ;”Me gjitha hapat diplomatike pranë qeverisë greke dhe pushteteve të mëdha, me gjithë veprimtarin e Shoqënis së Kombeve, kam shumë frikë se shqiptarë e greqisë ndodhen në shtërngim që të mos ,umdin të mbesin në vent të tyre.Pas evoulimit tim shqiptarët në Greqi ( të çamërisë,të Kosturit,të Florinës dhe ata të përndarë në katunde të ndryshme) arrijnë numrin 60.000 frymë.Është fort rëndë për ta dhe shumë keq për neve qi këta shqiptarë të emigrojnë në Turqie ashtu si çdo Greqia vetë edhe në e zënçim se Turqia do t’i pranojë.Po duke parë atituden e Turqis dhe ca më tepër akoma, vështirësitë për të emigruar në Anadoll dhe rreziku në të cilën do të gjenden është për të besuar se shqiptarët e Greqisë do të vijnë në Sqhipëri, ku i tërheq afërsia e kufisë dhe interesi i përbashkët.Punës së këmbimit të popullsisë ndërmjet Turqis dhe Greqisë do t’i japë një jov i math në ndaj të keti moti, kështu që, për së shpejti munt të gjinden përpara nji korenti të madh të emigrimit.Nji migrim i tillë do të formojë një vështirësi të madhe ekonomike dhe politike për Shqipërinë në qoftëse nuk parashifen konsenkuencat e s’mirës masat e duhura.Jam pranë ne mendimin e që nji komision i posaçëm të caktojë mënyrën e instalimit të emigrantëve dhe të refugjatëve, duke shënuar ndihmën që mund të japë Qeverija jonë dhe lehtësinat që mund të bëjë. Instalimi duhet të parshohë disa kategori refugjatësh.
1- Ata që do të vendosen në tokën e shtetit.
2- Ata që s’kanë kapital dhe duan subvencionin e shtetit.
3- Ata që s’kanë pak kapital.
4- Ata që munt të hyjnë si bujqë në pasuni të pronave private.
Për kategorin e katërt duhet konkursi matrial dhe ndihmë morale e pronarëve të venit, të cilët janë përfaqësuar begadisht dhe në Asemblet. Bashk me keto masa marr lirinë të kujtoj këtu dhe ato që kanë prekonizuar në letrën time të sipërthënë, në viset e Delvinës.
Pritni ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mija me nderime.
Mid’hat Frashëri.
( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Fondi 251, dosja 81, fleta 37 ).
Në dhjetorin e vitit 1924,si rrjedhojë e përpjekjeve të gjithanshme diplomatike të qeverisë shqiptare, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, u detyrua të marrë përsipër në shqyrtim, problemet e banorëve të çamërisë. Një tjetër komision i kësaj lidhjeje do të niste punën në këtë drejtim. Ai përbëhej nga Ajnar Ekstrand (Suedi) Karl Marius Viding (Danimark) dhe Manuel Manrikue de Lara (Spanjë), të tre, të paisur me mandat nga Lidhja e Kombeve, për të verifikuar nga afër ankesat e qeverisë shqiptare. Komisioni në fjalë, kishte me vehte në çdo rast,një përfaqsues grek dhe një shqiptar, të cilët do të ndihmonin për mbarëecurinë e aktivitetit të këtij komisioni.
Ndërkaq edhe pse Komisioni Miks, filloi të shihte dokumentacionin në Athinë, lidhur me problemin çamë, dinakëria helene nuk vonoi të përdorte pushtetin lokal, për të realizuar qëllimet e eveta të mbrapshta,veçanërisht në Konicë, Katerinë, Kostur e rrethina, u ndau shitja e tokës nga pronarët çamë të cilët kishin vendosur të shkonin në Shqipëri.Prefektët e këtyre qyteteve, urdhëruan të gjitha zyrat e shitblerjes së pasurive të paluajtshme, që të mos kryenin asnjë veprim ndaj çamëve,me preteksin se ata do të shkëmbehen dhe pasuria e tyre do t’u kalojë në ngarkim ardhacakëve grekë.Në shumë raste, kur ky fat iu bë i ditur Komisionit Mikst, askurrë nuk u provua faktikisht, pasi urdhërat e prefektëve helenë ishin dhënë me gojë, dhe nuk mund të përbënin provë. Në kundërshtim me ata myslimanë turq, të cilët iu bindën menjëherë urdhërave të qeverisë greke për shkëmbim, banorët e çamërisë, ndonëse të paralajmëruar se do të shpernguleshin, në pranverën e vitit 1925, mbuallën të gjitha tokat e tyre, duke u kumtuar grekërve se nuk do të largoheshin kurrë prej trojeve të tyre stërgjyshërore.Edhe kësaj radhe dinakëria dhe mizoria helene num munguan. “Shqiptarët e fshatit Leshnicë dhe Mehall të Florinës, megjithëse të ndodhur pranë një stacioni hekurudhor, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u trasferuan në një stacion tjetër, me qëllim që kur Komisioni të kalonte në fshatrat Leshnicë dhe Mëhall, këto lokalitete të ishin të zbrazura”.(A.Q.Sh. – Tiranë, Fondi 251, dosja 132, fleta 186 ).
Nuk munguan gjithashtu dredhitë tinzare të Athinës, të paguanin ndonjë myfti, i cili të merrte vrapin për t’u takuar me pjestarët e Komisionit, duke u thënë atyre se shumë myslimanë të çamërisë janë turq dhe dëshirojnë të shkojnë në Anadoll. Është kjo arsyeja që edhe gjatë vitit 1925, përpara syve të Komisionit Miks, u dëbuan nga vatrat e tyre me mijëra banorë të çamërisë.Madje në fund të vitit 1925, ndodhi një precedent shumë i rrezikshëm, ku çamëve nuk iu lejohej as shkuarja e tyre në Sqhipëri. Nëpërmjet hekurudhës, ata dërgoheshin në Shkup e Sofje, duke i dërguar më pas tokave të Anadollit.
Bern-Zvicër