Dielli: Duke filluar nga dërgimi i ftesave te fazat përgatitore dhe gjatë gjithë panairit shqiptar në Shën Gjergj, ti, si nismëtare dhe nikoqire, theksove karakterin ekologjik të tij si veçori dalluese dhe bashkëkohore. Në ditët pas panairit, si të duket se u manifestua ky tipar nga një vështrim i shpejtë pas?
Neka Doko: I konceptuar si një panair shqiptar me prurje ekologjike të ingranuara në detaje si Kopshti i Meditimeve, produktet natyrale në shitje dhe porositë në tryezat e bisnesit familiar, lokal ose global, dreka e servirur në tri pjesë me gjithë përbërësit natyral e biologjik si përgatitja e gatimi, pra secila pjesë dhe tërësia e tij ishte funksion i kësaj qasje. Edhe data 18 ishte epilog i një nisme dhe provë për të shpërndarë energji shpirtërore komunitetit të Shën Gjergjit dhe miqve të energjive në natyrë. Personalisht isha e privilegjuar të hap për 8 ditë nga data 8 deri 16 shtator një paketë instruktive me energjitë dhe qasje ekologjike. Rrjedhimisht edhe konceptimi i panairit u mbështet tek energjitë e përmbledhura deri në atë ditë. Përsëri nën efektin e tyre u aplikua vendosja e tetë tavolinave në të dy anët e kopshtit me distancë edhe energjetikisht të balancuara nga njëra tjetra që secili përqafësues i tryezës të kishte aureolën e tij postkovid të njësuar tashmë me një zakon të ri shëndetsor global dhe ekologjik në një dimension shtesë të komunikimit më të ndërgjegjësuar midis njëri-tjetrit në hapësirë dhe kohë. Së fundi, përzgjedhja dhe vendosja e tryezave në varësi të përmbajtjes së produkteve dhe objekteve me vlera historike kishte veçanësi ambjentaliste e kulturore. Të gjitha elementet përbërëse të tij në formë a përmbajtje janë natyrale-biologjike dhe për rrjedhojë sensitivisht ambjentaliste.
Dielli: Tema e panairit ishte 100 vjetori i lidhjes diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë. Si tu duk shtjellimi tematik nga ana juaj si ideatore dhe nikoqire e veprimtarisë?
Neka Doko – Tema qendrore si edhe boshti për panairin ishte festimi i 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike amerikane shqiptare. Ato nisën këtu në shtetin e Massachusetts dhe u zyrtarizuan në Washington – një ngjarje historike e dokumetuar në faqen kryesore kushtuar njohjes zyrtare të qeverisë shqiptare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në një protokoll të drejtuesve të Vatrës Faik Konitza dhe Vani Chani në gazetën Dielli, një shekull më parë në Boston në 29 korrik të vitit 1922. Nga këndvështrimi i energjive eko shpirtërore them se shërben edhe për shërimin e plagëve të shkaktuara nga goditja e ndarjes 50 vjeçare midis dy vendeve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, e të mos e festonim këtë përvjetor të artë përmbyllës pas Nju Jorkut dhe Usterit në vendin ku nisi lëvizja për pavarësi kombëtare dhe shpirtërore këtu në Shën Gjergj, te Vatra me Fan Nolin dhe patriotë shqiptarë të imigruar në tokën e re. Çështja kombëtare, pavarësia, liria dhe përparimi komunitar, familjar dhe individual si tema të ditës sot janë shkrirë me edukimin për vetëzhvillim personal të potencialeve dhe talenteve të çdo pjesëtari të komunitetit shqiptaro amerikan, për të njohur dhe ndihmuar më mirë njëri tjetrin, veten dhe vendin nga erdhëm.
Dielli: Çfarë manifestoi dhe cfarë arriti të përcillte panairi në linjën e “Mission Driven Entreprenship” të Shkollës së Jetës?
Neka Doko: Së pari, lidhja me traditën. Panairet për librin por edhe për artin kanë qenë dy sezonale, në pranverë dhe vjeshtë çdo vit këtu në Shën Gjergj, të organizuara dhe drejtuara nga biblioteka noliane, me At Liolinin si inisiator. Në këtë aspekt të dielën u përfaqësuam me një tryezë me libra të autorit dhe kontribuesit të bibliotekës Fan Noli, z. Namik Selmani.
Krahas traditës, u përpoqëm të nderonim dhe rivlerësonim një faktor të domosdoshëm përcjellës siç është biznesi. Mos harrojmë se nëse nuk do ishte vizioni i Nolit dhe përfaqësuesve të Vatrës për prosperitet ekonomik komunitar në Amerikë asgjë nuk do realizohej në planin pavarësi.Vetë blerja e një kompleksi arkitektural e historik në qendër të South Bostonit si është Katedralja e Shën Gjergjit vërteton vizionin e misionit kombëtar, shpirtëror e ekonomik të harmonizuara një shekull më parë nga ana e themeluesve të komunitetit të parë të organizuar shqiptar në Amerikë. Ishin bizneset shqiptare ato që në atë kohë mbështetën krijimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Ne po kthejmë traditën. Po kapim atë pikë që u këput nga komunizmi.
Së dyti, është e vërtetë që Shkolla e Jetës ka marrë përsipër të ndihmojë, edukojë bizneset e rinj të brezit të emigrantëve të ardhur në Amerikë me kulturën e sipërmarrjes me drejtimin misionar që si thekson formuesja e saj Elona Lopari “një ditë, mbasi janë vetërealizuar të kthehen të ndihmojnë bashkëkombësit e tyre këtu dhe vendlindje.” Dhe së treti, përhapja e rrjeti i biznesit shqiptar amerikan në veri dhe jug që të lidhen me njëri-tjetrin nga tradita e të parëve deri te të rinjtë e talentuar në fusha të reja. Duke qenë më të fortë edhe në fushën e sipërmarrjes me drejtim misionar së bashku mund të bëjmë më mirë për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë.
Dielli: Po të marrim si shembull stendën e Vatrës, për ta konkretizuar në këtë rast misionin e Shkollës së Jetës, si ishin gërshetuar tradita dhe fryma krijuese e biznesit?
Neka Doko: Vatra e para si institucion ndërshqiptar demokratik 110 vjeçar ka në themel edukimin mbarëshqiptar me misionin patriotik, identitar, kulturor nëpërmjet investimit edukativ dhe mbështetës në biznes krijues e unik. Mund të përmend se në panair tërhoqi vëmëndjen fotoja e jelekut personal të një nga themeluesve të Vatrës Faik Konitza që Andrea Pani paraqiti para të gjithëve si një dhuratë të trashëguar nga brezat e familjes patriotike të Vasil Panit, mik i ngushtë me Konitzën. Ky artikull përfaqësonte në panairin ekologjik vlera historike dhe monetare të panjohura më parë si ato në tregun e pengjeve, qē kërkon ekspertë në fushën e rivlerësimit të mallrave me bonuse origjinale në rritje. Artikuj të kësaj natyre mund të vinë nga artifakte arkivore dhe muzeale të cilat kësaj rradhe u prezantuan në tavolinën e Vatrës te një familje e Shën Gjergjit dhe të muzikës së vjetër shqiptare në tavolinën e arkivës noliane. Një sipërmarrje e tillë mund të promovohet me sende me vlerë historike monetare që përfaqësojnë njëherazi qëllimin e Shkollës sē Jetës për aplikimin e edukimit sipërmarrës me orientim misionar në biznes historik e kulturor, dhe faktikisht të dyja burojnë nga tradita e memorabilia në Vatër dhe në bibliotekë. Pra janë të shkrira universalisht e pragmatisht nē një të vetme.
Përfaqësimi me dinjitet i Presidencës së Vatrës dhe gazetës Dielli nga ana juaj është shprehje e lidhjeve organike midis misionit të Vatrës, të Bibliotekës noliane dhe të Shkollës së Jetës. Kujtoj se takimi i parë i këtij “trinjakëzimi” nëse mund ta quaj kështu, u bë në nëntorin e vitit të kaluar në Katedralen e Shën Gjergjit.
Dielli: Merret me mend se disa prezantime në panair kishin ngjashmëri në artikuj dhe përmbajtje. Të tilla ishin Vatra, Shën Gjergji, Biblioteka Fan Noli, familja Pappas. Por ato kishin edhe tiparet e veta. A mund t’i cekni shkurtimisht?
Neka Doko: Tryezat e vlerave dokumentare kishin emërues të përbashkët por edhe veçori specifike. Për shembull, tryeza e familjes Papa përcolli një mozaik të vlerave historike e kulturore të komunitetit të Shën Gjergjit me libra, artifakte e librete përvjetorësh nga origjina e krijimit dhe përvjetorëve historik të tij. Çdo gjë ishte përgatitur e prezantuar me disiplinë epistolare dhe nderim memorabiliar. John Papas u përfaqësua me dinjitet në këtë panair unikal në planin dokumentar familiar e komunitar. Një nga të papriturat ishte prezantimi nga Anila Hasko Kurti e cila mbante “tre kapele” në këtë panair ekologjik, historik dhe ekonomik. Anëtare e Shkollës së Jetës dhe Arbonne International, zonja Hasko Kurti gjeti në kalendarin e Vatrës 1918 foton ku gjyshi dhe xhaxhai me origjinë nga Gjirokastra ishin në grupin e themeluesve të Vatrës që në formimin e saj.
Dielli: Çfarë sillte pjesëmarrja në panairin e vjeshtës për biznese të njohura si Arbonne International dhe të tjera me më pak kohë në treg si psh Vinny Santal. Për disa prej tyre si Valbona Valdari dhe Silva Hani ishte debutimi i parë në panair të tillë.
Neka Doko: Shkolla e Jetës erdhi në këtë panair eko shpirtëror me misionin për të mbështetur anëtarët e saj në Boston tashmë të integruar në biznesin e sipërmarrjes edukuese dhe trajnuese në terren. Drejtuesja e Shkollës zonja Lopari e përmendi fokusimin e Shkollës së Jetës tek vetëzhvillimi i brezit më të ri dhe familjeve të ardhura rishtas ose ende të paintegruara në komunitetin e shtetit tonë e më gjerë. Paralelisht, zonjat e Shkollës së Jetës janë konsulente biznesi për firmën e njohur Arbonne International, për promovimin dhe shitjen e produkteve biologjike për ushqim dhe mirëmbajtje trupi në mënyrë të shëndetshme për vete, familjen dhe mjedisin. Charlote B., me origjinë kanadeze, më shprehu se në panairin ekologjik ato ndiheshin si në shtëpinë e tyre.
Tryeza e bisnesit global u plotësua me prezantimin pasionant nga Valbona Lavdari, e cila i njohu pjesëmarrësit me të rejat më të fundit si agjente shitblerje shtëpish dhe vlerat e një kopshti ekologjik me bonuse shpirtërore, një të tillë e ka ndërtuar edhe ajo vetë, si aspekt i vlerësuar në një industri që kalon një cikël krize herë pas here. Dua të përmend se Valbona ishte kontribuese edhe për pjesën e tretë të drekës, me kosin e saj natyral të shijshëm. Një tryezë interesante dhe origjinale e prezantimit të produkteve organike me përqasje individuale e familjare ishte edhe ajo e apikulturēs të rritjes së bletëve dhe prodhimit të mjaltit këtu në shtetin tonë nga familja Hani. Silva Hani si anëtare e Shkollës së Jetës në Boston është konsulente e sigurimeve jetike në profesion por hobi i saj është mbajtja e bletëve në Framingham dhe prodhimi i mjaltit me lulet e shtetit tonë, një pasion që ajo e ka të ushqyer e trashëguar nga i jati. Pranë mjaltit ekologjik shihje një shportë të bukur me ballakume Elbasani të gatuara me art dhe zemër nga një zonjë dhe mike e vjetër Irma që erdhi nga Uster për të marr pjesë në panair.
Përsa i takon tryezave me orientim biznes familiar e global Vinny Santal dhe A& L Abruzzo që prezantuan produkte të freskëta ushqimore frutore, bulmetore, vajore, bazuar në lëndën e parë dhe përpunimin artisanal në vendlindje, u pëlqyen dhe blenë nga pjesëmarrësit në panair. Kur shijoje ullinjtë e Beratit dhe vajin e tyre, pranë sardeleve të Vlorës e djathit të Gjirokastrës, emocionet të çonin larg përtej oqeanit. Kështu u pranua në panair Ervini duke e mbështetur shitjen dhe shpërnadrjen e produkteve të tij bio jo vetëm aty por kudo ku ka shqiptarë në Amerikë. Biznesi tjetër përfaqësonte një çift të pasionuar për verë italiane në tregtimin e saj të përzgjedhur këtu në Massachusetts në mënyrë të specializuar e me kritere prove dhe konsumimi të përcaktuara me standarte të kontrolluara me ligj. Ndërsa bisnesmeni i ushqimeve vinte për herë të parë në Shen Gjergj, çifti Hima e Ballauri treguan një nivel të lartë komunikimi dhe transmetimi i vlerave të biznesit enologjik në komunitetin tonë dhe në panair, aq sa mendoje se ishin bisnesmenë të përhershëm në gjirin tonë. Në mbyllje dëshiroj t’i falenderoj me radhë pjesëmarrësit dhe vullnetaret e renditur në listë:
I- Tryeza e Shen Gjergjit
1- Arkimadrid Theophan Koja
2- Neka Doko Biblioteka Fan Noli- organizatore dhe prezantues e veprimtarise
II- Tryeza e Vatres
3- Rafaela Prifti- perqafesuese e Vatres dhe Diellit
4- Adrea Pani- nga brezat Vasil e Sotir Pani
5- Anila Hasko- Kurti – nga Shkolla e Jetes ne tryezen e Vatres prezantoi gjyshin dhe xhaxhain e te jatit vllezerit Kurti
III- Tryeza e Shkolles se Jetes – Arbonne International
6- Elona Lopary NY Founder of Life School
Anila H-K, 7- Julinda Basha e 8- Charlotte Burkovsky nga Montreal, Quebec
IV- Shkolla e Jetes Boston, Vajzat e Bostonit, MaasBesa
9- Valbona Lavdari
10- Silva Hani
11- Irma Abdiu
12- Enkelejda Klosi
13- Albana Qenami
14- Ida Shkurti
15- Adelina Bano
V- Tryeza e Pervjetoreve historike : Artecafts & Memorabilia – Saint George Community
16- John Pappas
VI- Tryeza e produkteve ushqimore artizanale nga Shqiperia
17- Ervin Cifliku
VII- Tryeza e librave te autorit dhe kontribuesit te bibliotekes noliane
18- Namik Selmani dhe e muzikes tradicionale shqiptare nga arkiva noliane
VIII- Tryeza e A & L Abruzzo
19- Adriatik Hila
20- Luljeta Batelli
Ne hyrje te kopshtit ne tryezen e biletave dhe ID te pjesmarresve
1- Julia Japo sekretare 2- Rea Kondi- vullnetare
Dielli: Falemnderit për bisedën. Mesa duket panairi i vjeshtës i cili gërshetoi traditën dhe frymën bashkëkohore krijuese në kontekstin e gjerë ekologjik mund t’i paraprijë panaireve të ardhshme në komunitetin tonë. Suksese të mëtejshme!
Fotot Kortezi nga Ardian Murraj
Njoftimi i Diellit nga Arkiva Biblioteka Fan Noli, Boston, Dielli Collections 1922
Fotografuar dhe dërguar gazetës Dielli nga Neka Doko